Kinse dialogu me Serbinë dhe blerja e kohës - Bota Sot
Kinse dialogu me Serbinë dhe blerja e kohës

Opinione

Kinse dialogu me Serbinë dhe blerja e kohës

Nga: Fadil Lepaja Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 11:11
Fadil Lepaja

Kur vitin e kaluar, presidenti serb Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Mitrovicë kishte mbajtur një fjalim programatik, duke deklaruar se ish presidenti serb Millosheviç, ishte një lider i madh, dhe se ai i kishte qëllimet më të mira, kjo nxiti interpretime nga më të ndryshmet. Në fakt, presidenti serb Millosheviç ishte bashkëbiseduesi kryesor i perëndimit, në krizën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pa të cilin asnjë konflikt në ish-Jugosllavi nuk mund të zgjidhej, edhe pse shumica e tyre mendoni se as nuk mund as të nisej pa kontributin e tij.

Pra prodhuesi i problemeve, njeriu “ me qëllimet më të mira” si na sugjeron presidenti aktual serb, përfundoi si një i dyshuar për krime lufte, për gjenocid dhe dha shpirt duke e mbrojtur veten dhe “qëllimet më të mira” të Serbisë në Hagë. Presidenti Vuçiç, falë edhe gatishmërisë së presidentit kosovar, u faktorizua si një bashkëbisedues i përshtatshëm dhe i cili si synim  i ka vënë vetes, të mbrojë me fanatizëm “qëllimet e mira” të Serbisë, duke marrë parasysh gjithnjë botën, interesat e saj, por edhe atë që asnjëherë nuk harron me e përmend, pra edhe interesat e shqiptarëve në rajon.

Ajo çka sugjeron, pra,  fjalimi  i konceptuar si programatik i presidentit serb është se konjuktura ndërkombëtare, në kohën e para ardhësit të tij të famshëm, të njohur edhe me nofkën “Kasapi i Ballkanit” nuk kishte qenë e favorshme për “qëllimet më të mira serbe” dhe as për “liderin e madh”. I cili përkundër madhështisë së tij, kishte rezultate katastrofale për serbët.

Presidenti Vuçiç, i cili përkundër retorikës së tij prej njeriu modest,  pretendon të jetë po ashtu një lider i madh, dhe i cili bashk me presidentin kosovar me modesti shpresonin dhe pretendonin “Nobelin”. Ai,  po ashtu ka “qëllimet më të mira” serbe, megjithatë pretendon se e ka kuptuar, për dallim prej paraardhësit të tij të “madh” se kroatët, myslimanët dhe shqiptarët” nuk kanë qenë më të fortë apo më trima se serbët, por humbjet kishin ardhur sepse  serbët nuk e kishin kuptuar pozitën reale të Serbisë në botë dhe regjion, si dhe të botës ndaj Serbisë,  se serbët i kishin nënçmuar të tjerët, i kishin bërë llogaritë e  gabuara, dhe në fund se e kishin dëgjuar vetëm vetveten pa treguar ndonjë interes për atë çka duan dhe mendojnë të tjerët.

Rezultatet e ish presidentit serb Millosheviç, kishin qenë katastrofale për serbët, jo sepse ai e dëshironte këtë, por sepse dëshirat e tij ishin joreale, ndërsa  synimet dhe interesat e popujve të tjerë i kishim nënçmuar dhe  injoruar, sugjeron pas ardhësi i tij. Prandaj, serbët e kishin paguar çmimin më të lartë. Por këtu vjen ndryshimi dhe ndryshimi duket të jetë pikërisht presidenti serb Vuçiç dhe strategjia e tij e blerjes së kohës, dhe prezantimit  në tjetër dritë të “qëllimeve më të mira” nacionale të Serbisë që janë dominimi në regjion dhe agjenda ruse.

Në fakt, kur flitet për konjukturën  globale, duhet pranuar se në kohën e Presidentit serb Millosheviç, as që përmendej Brexit, apo as që i shkonte mendja dikujt që presidentin amerikan të e akuzonin si “njeri të Rusisë”.  Pra doktrina e re amerikane  e presidentit Trump, e cila e thyen skemën e vjetër të ndarjes globale në perëndimin dhe lindjen, dhe pretendon koalicion global në mes të Amerikës dhe Rusisë, duke sjellë projektin e BE përpara kolapsit apo rishikimit, sjell rrethana të reja për të cilat duket se është pritur gjatë dhe me këmbëngulje në Serbi dhe jo vetëm atje.

Rrethanat e reja kur faktorët kryesor të cilët e kishin ndërtuar paqen pas shpërbërjes së ish federatës jugosllave, kanë ndryshuar,  kanë krijuar shpresën se do të lëvizin edhe parimet bazë mbi të cilat  është ndërtuar procesi i paqes në Ballkan dhe mbi të cilin janë krijuar dhe mbajtur në këmbë edhe shtetet e reja që dolën nga njësitë e ish federatës jugosllave, si është rasti me Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën.

“Qëllimet më të mira” të ish presidentit serb Millosheviq, synonin një Serbi etnike, qoftë në formën e shtetit serb, apo edhe të ndonjë (kon)federate të re, e cila do të përfshinte edhe shqiptarët. Euforia serbe për pajtim historik dhe  vizatim të vijave kufitare mbi parimin etnik  duket se e ka pikërisht këtu synimin përfundimtarë, veç se tash me përpjekje që këtë të e prezantojnë para botës si pretendim dhe interes të shqiptarëve.

Ndërkaq “qëllimet më të mira” ruse synojnë rikthimin e ndikimit  në ish hapësirat ku dikur kishte kontrollë politike, ushtarake apo ekonomike, ish bashkimi sovjetik. Duke qenë se pretendimet e doktrinës Trump, për lidership global, nuk i japin prioritet Ballkanit,e madje as lindjes së afërt, krejt kjo mund të lihet, nën kontrollin evro-aziatik, përmes një marrëveshjeje afatgjatë të konsiderimit të interesave ekonomike amerikane.

Pra , të pakënaqur me “paqen e ndërtuar” në Ballkan, në 25 vitet e fundit, Rusia , pretendon të rrënojë parimin e shteteve multietnike dhe të përkrahë formimin e shteteve nacionale duke krijuar aleanca, vetëm në dukje të parë  të papritura në këtë rrafsh, si aleanca me Turqinë, e cila favorizon një shtet nacional të shqiptarëve nën ndikimin e saj, si rikthim të territoreve të ish perandorisë, dhe një ri konfigurim të Bosnjës myslimane dhe Sanxhakut, pra si funksionalizim të “transversales së gjelbër” në Ballkan.

Por aleati kryesor i Rusisë, qoftë në ri konfigurimin e Ballkanit, apo në vet ri konceptimin e BE, doli të jetë doktrina e re amerikane e koalicionit global në mes të SHBA dhe Rusisë, që do të përbënin superfuqinë e re globale të naftës, gazit, superfuqinë teknologjike dhe ushtarake të globit e cila do të diktonte marrëdhëniet botërore, përfshi këtu rolin e BE dhe Kinës.

Shpërbërja, apo ri konfigurimi i  BE dhe kursi i ri amerikan ka kohë që përflitet në çarqet serbe, gjithsesi të ndikuara drejtpërdrejtë nga (pa)fuqia e Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë, që pozicionimi i Serbisë në raport me Kosovën dhe shqiptarët, në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE, ka mbetur i njëjtë, kokëfortë dhe këmbëngulës, duket se ka qenë në fakt veç blerje kohe, dhe asgjë tjetër dhe në asnjë moment nuk e ka reflektuar dëshirën e Serbisë për marrëdhënie të reja me Kosovën as me shqiptarët.  Rikthimi i Serbisë në Kosovë dhe në trojet shqiptare, ku direkt ku indirekt, përmes një marrëveshjeje për ndryshimin e vijës kufitare, mbetet qëllim i dukshëm i politikës së saj, e cila tashmë llogarit, edhe në përkrahjen ndërkombëtare që pret të  formësohet me  stabilizimin e konjukturës së re.

Përfundimisht, fati i Kosovës, si duket sërish do të varet nga ajo se si do të përfundojë debati në SHBA rreth presidentit Trump dhe doktrinës së tij të re globale, e cila parasheh ndryshime të mëdha në rolin e Rusisë dhe BE në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne si popull, as si shtet, nuk kemi kapacitete të ndërrojmë konjukturat, apo parimet, por gjithsesi kemi , dhe është kusht i mbijetesës tonë dhe lirisë tonë, të kemi alternativat. Fati i Kosovës është padyshim jetësisht i lidhur me zhvillimet në SHBA dhe jo vetëm i Kosovës. Fati i botës, po ashtu është i lidhur me (mos)suksesin e doktrinës Trump.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...