Nuk luhet me simbolet tona kombëtare – ato janë të shenjta!

Opinione

Nuk luhet me simbolet tona kombëtare – ato janë të shenjta!

Sadik Elshani Nga Sadik Elshani Më 25 shkurt 2019 Në ora: 07:45
kryeministri Edi Rama

Këto ditë u njoftua në shtypin shqiptar për një postim te z. Luan Rama në Facebook ku ai me të drejtë e ngrente shqetësimin e tij për përdhosjen që z. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë u kishte bërë simboleve tona kombëtare. Dhe pas këtij njoftimi nuk u dëgjua më asnjë fjalë, thua se nuk kishte ndodhur asgjë, thua se kjo është një imtësi për të cilën askush nuk duhet ta çajë kokën. Kryeministri i Shqipërisë e ka deformuar shqiponjën tonë, stemën e Republikës së Shqipërisë.

Në të gjitha ambasadat shqiptare ishte vendosur një shqiponjë e bardhë, që më tepër i ngjante një shqiponje bizantine, një pulëbardhe sesa shqiponjës sonë.

Pas ca ditësh kjo shqiponjë është hequr nga ambasadat shqiptare dhe është zëvendësuar me shqiponjën e flamurit tonë, ndoshta pas reagimit te z. Luan Rama.

Por në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive ende qëndron stema e Republikës së Shqipërisë me shqiponjën e deformuar me ngjyrë të përhimtë (gri). Ndërsa përkrenarja e Skenderbeut, po ashtu ngjyrë gri, është vendosur në anën e majtë dhe jo në anën e djathtë, siç është e përcaktuar me ligj.

Ndoshta z. Rama mendon se pasi ai dhe partia e tij janë të orientimit të majtë, atëherë edhe përkrenarja e Skenderbeut duhet të vendoset në profil majtas. Kjo me kujton vendimin e një demagogu, populisti, diktatori marksist të një shteti të Amerikës Latine, i cili e ka ndryshuar lëvizjen standarde të akrepave të orës: nga e majta në të djathtë, në drejtimin e kundërt: nga e djathta në të majtë.

Image

Simbolet tona kombëtare janë të shenjta

Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e tjera të botës, simbolet: pamja, forma dhe përdorimi i tyre është i përcaktuar në kushtetutë dhe është i rregulluar me ligj. Neni 14 (pikat 1 – 5) i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i percakton qartë gjuhën zyrtare, simbolet dhe festat kombëtare të Shqipërisë. Ndërsa këto simbole dhe përdorimi i tyre rregullohen në hollësi me Ligjin Nr. 8926: “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasën e stemës dhe mënyrën e përdorimit të tyre”. Dhe ja si e përcakton ky ligj stemën e Republikës së Shqipërisë (Neni 7, Pika 1):

“Stema e Republikës se Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyrë të kuqe gjaku, me një shqiponje në qendër, të njëjtë me shqiponjën e flamurit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Në krye te shqytit, me ngjyrë të arte, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në profil djathtas. Përmasat e shqytit janë në raportin 1 me 1, 5 njësi”.  Po ashtu, ky ligj e përcakton edhe përdorimin e kësaj steme (Neni 8, Pika 2):

Image

“Stema e Republikës se Shqipërisë vendoset në vulat e institucioneve shtetërore, në aktet e tyre zyrtare, mbi emërtimin zyrtar te institucioneve shtetërore dhe në çdo akt tjetër, që institucioni shtetëror u drejton të tretëve. Stema e Republikës së Shqipërisë përdoret si shenjë identifikimi në mjetet e punës së institucionit shtetëror dhe në mjediset e punës”. Pra, shihet qartë se stema e Republikës së Shqipërisë e përcaktuar me ligj dhe ajo që përdor z. Rama janë krejtësisht të ndryshme. Kjo shpreh, shpalos arrogancën, mosrespektimin, mospërfilljen e simboleve tona kombëtare, kushtetutës, ligjit, nga kryeministri i Shqipërisë. Këto janë vetëm maja e ajsbergut, simptomet e një shoqërie, qeverie, shteti të sëmurë.

Kur kreu i qeverisë nuk e respekton kushtetutën, ligjin, atëherë çka pritet nga të tjerët?! Nuk thonë kotë: Peshku qelbet në kokë. Shqipëria për një kohë shumë teë gjatë është duke vuajtur nga keqqeverisja, ndërsa shoqërinë shqiptare e ka kapluar një krizë e thellë morale. Simbolet kombëtare janë letërnjoftimi, identiteti i një kombi, shteti.Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjte se flamuri ynë: Është flamuri që na la Skenderbeu; është ky flamur që i mban së bashku popollin dhe trojet tona padrejtësisht të ndara. Për të gjithë shqiptarët, por sidomos për ata që mbetën jashtë kufijve londinezë, ky flamur është vetë Shqipëria. Për këtë flamur shumë  shqiptarë të Kosoveës dhe trojeve tjera shqiptare në ish Jugosllavi janë burgosur e janë vrarë. Prandaj, askush, qoftë ai edhe kryeministri i Shqipërisë, nuk duhet lejuar që ta përdhosë atë! Dhe habia më e madhe është se shqiptarët, institucionet tona, përfshirë këtu edhe dy Akademitë e Shkencave, heshtin, thua se nuk është duke ndodhur asgjë.

Po ashtu, ditë më parë veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama, lidhur me emërimin e ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë ngjallën reagime teëshumta në shtypin shqiptar dhe në ligjërimin publik. Dhe pikërisht për kandidatin z. Cakaj, por edhe për mënyrën sesi u krye ky proces. Edhe në këtë rast Kryeministri u tall me shtetin, kushtetutën. Për këtë më herët e kam bërë një shkrim (“Qeverisje arrogante - tallje me shtetin, kushtetutën” – Illyria, 30 janar, 2019), prandaj nuk ka nevojë që të zgjatem më shumë për këtë çështje.

Image

28 Nëntori nën hijen e 29 Nëntorit

Meqenëse në këtë shkrim po përqendrohemi për keqpërdorimin, shpërfilljen, përdhosjen e simboleve tona kombëtare e shtetërore, duhet theksuar se edhe Festa jonë Kombëtare, Dita e Flamurit, 28 Nëntori ka disa dhjetëvjeçarë, pikërisht, që nga ardhja e sistemit komunist, ka mbetur nën hijen e 29 Nëntorit (edhe pas rënjes së komunizmit, kur në pushtet janë socialistët). Edhe këtë Ditë të Madhe, Ditë të Shenjtë, Kryeministri është duke e shpërfillë. Vërtet, ai shkon me 28 nëntor në Vlorë, veshur me dimia apo shallvare, për të vënë një kurorë në varrin e Ismail Qemalit, por më 29 nëntor ai e “kallë” Tiranën me një koncert madhështor (Nata e Bardhë), duke e lënë kështu 28 Nëntorin nën hijen e 29 Nëntorit. Në historinë shumëshekullore të kombit tonë nuk ka datë më të shenjtë se 28 Nëntori, që shënon kthimin e Skenderbeut në Krujë (1443) dhe Shpalljen e Pvarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Edhe në këtë rast Kushtetuta e Shqipërisë (Neni 14, Pika 5) është e qartë: “Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”. Nuk ka një Festë të dytë Kombëtare, një ditë më të madhe.

Image

Shpesh në Kuvendin e Shqipërisë, që duhet të jetë një tempull i shenjtë i demokracisë dhe bashkëkuvendimit tonë kombëtar, Kryeministri përdor gjuhë jodinjitoze, duke i fyer,duke i përqeshur deputetët, veprime që nuk i bëjnë nder të parit të qeverisë së një vendi. (Edhe sjellja e disa deputetëve është e papranueshme, por kjo është një temë tjetër që meriton një shtjellim më të hollësishem e më kritik).

Zoti Kryeministër i Shqipërisë, respektoni simbolet tona kombëtare e shtetërore, sepse ato janë të shenjta për të gjithë shqiptarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat