Liderët e Kosovës me gjashtë yje (një yll një komunitet!!!) janë në siklet!!!

Opinione

Liderët e Kosovës me gjashtë yje (një yll një komunitet!!!) janë në siklet!!!

Nga: Agim Vuniqi Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 10:53
Agim Vuniqi

Presioni si vlerë fizike ka kuptim të natyrshëm, çdo prekje e gishtit kudo në çfarëdo sipërfaqe të trupave në natyrë përcakton kuptimësinë e presionit, ashtu edhe definohet, varësisht nga sistemi i matjes jepet edhe vlera adekuate në njësi matëse.

Është pra një dallim shumë i madh krahasues i të definuarit të presionit në shkenca fizike nga kuptimi pskiologjik, ngaqë ai i referohet ndikimit të ushtruar nga grupi në inkurajimin e personit për të ndryshuar qëndrimet, vlerat, sjelljet, në mënyrë që ato të përputhen me normat e e miratuara nga Grupi.

Athua pse nuk miratohen normat përshtatëse ndërmjet shqiptarëve, dhe pse ata nuk janë kujdesshëm dhe të të dashur për njëri tjetrin ashtu si kujdesen për të huajin, i fshehin edhe mërrolet kur janë të shqetësuar. Shpeshherë ndodhë e kundërta; herë janë servilë, e herë-herë agresiv, arrogant, të padurueshëm, dhe po ua lëvize gurin e mexhes, vaj halli rrezikohet edhe koka.

Po qe do që Kosova ka tokë mjaft edhe ata 2,500 hektarë që humbën nga marrëveshja dy palëshe Serbi-Maqedoni gjatë caktimit të vijës së demarkacionit (këtë e kishte përshëndetur PDSH-ja kur ishte partner koalicioni me VMRO-DPMNE-n), pa u konsultuar fare Kosova, humbi toka sikur mos të kishte pronarë, se toka publike "e dërzhavës" (përdorej si zhargon) është e huaja, por nuk ishte e tëra ashtu, ngaqë shtetasit e Kosovës së bashku me tokën po e humbin identitetin politik, për kënd të votojnë ata, për ata që ua morën tokën, apo për këta që e dhuruan tokën e tyre pa i pyetur ata fare.

Për kënd të votojnë deputetët për ata që ua morën tokën, apo për këta që e dhuruan tokën 

Rikthim bisedimeve për vijën e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, apo shtetasit e Kosovës së bashku me tokën po e humbin identitetin politik, për kënd të votojnë ata, për ata që ua morën tokën, apo për këta që e dhuruan tokën e tyre, pa i pyetur ata fare…kjo po i bie "hip se të vrava-zbrit se të vrava" 

Kosova bëhet temë e ditës sa herë që fqinjët e saj luajnë buzët; liderët kosovarë me gjashtë yje (një yll një komunitet!!!) janë në siklet: thirrje-mos thirrje në ceremoni jashtë shtetit. Kur u jipen vizat gëzohen si fëmijtë e llastuar, vrapojnë të gjithë për fotografi promovuese, dhe e tëra ajo përtypje dhe lëvizje nofullash do të tejkalohej pa u vërejtur fare, po që se nuk do të përcilleshin spektaklet e tyre përmes televizioneve të dirigjuara, me premisa diplomatike, ngase shikuesit janë të disiplinuar, pa shqisën e të dëgjuarit, ka rastisur të jenë shurdhmemecë-partiakisht të indoktrinuar.

Druaj se edhe atëherë kur liderët-shqiptarë do të gjenin arsye të shumta për të arsyetuar veten para të huajve, se duhet respektuar kartën universale për të drejtat e njeriut.., ata po lavdërohen dhe priten nga diplomatë që nuk janë më në pushtet, dhuratat i kanë të lejuara se janë qytetarë të thjeshtë, po mungojnë ftesat zyrtare...

Por si duket shfaqjet nuk janë gjithmonë të reprizuara, fatmirësisht premiera zbulon VIP mysafirët. Qëllon që ndër ta mos të jetë prezent presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në "galla" shfaqjet  diplomatike, ata shtyhen cili do të përkdhelet i pari, për të vendosur kumbonën rreth qafe, cili është i pari ndër shqiptarë. Nuk  është numri rendor aq i rëndësishëm, sa është partneriteti PANA+Lista Serpska, ngase kështu përmbushet kushti i ekuacionit binom me dy-tre të (pa)njohura, shqiptarë, serb dhe të tjerë.

Për të përshëndetur këto përbuzje diplomatike shpesh ngacmon kryeministri shqiptar, i cili herë pas herë jep deklarata nga imagjinata e tij politike, duke i kafshuar buzët, ai bile po  ëmbësohet me desertin.

Se a është kohë për eksperimente të reja apo jo mbetet të shihet, por mund të pritet që liderët që konsiderohen të popullarizuar kanë shumë burime, kanë mundësitë dhe eksperiencën. Në të shumtën e rasteve kjo është e vërtetë, por të jesh në turmën e shumicës së popullarizuar mund të jetë një faktorë rreziku për të butët, të moderojnë sjelljet devijante.

Pra nuk krisi belaja që kryeministri shqiptar po luan në kartën e ngacmimit të liderëve partiak shqiptarë, ngaqë ata që janë në pozita më të përafërta me Vuciqin, si zakonisht me te janë më të butë, kanë pozita në pushtet, i ruajnë pra këto lidhje të brishta, ndërsa opozita është e ndarë LDK akoma vajton si u doli pushteti nga dora, ndërsa  LVV është konsistente, por e thyer përbrenda, për ndërmarrjen e hapave më drastik, ato të reciprocitetit.

Balansi i panatyrshëm politikë PANA-sllav, vlen vetëm atëherë kur duhet me kontribua shqiptarët me vota, është ky një kusht i domosdoshëm i demokracisë parlamentare, atëherë kur duhet zgjedhur ndonjë nga kërkesat imediate sic është transformimi i suksesshëm FSK-Ushtri, jo vetëm ndërrimi i emrit, por substanca dhe pajtueshmëria qytetare, para evropianëve. 

Ashtu ndodhi edhe kur u zgjodh Thaçi, tre herë u votua për tu mbushë "hambari" i mjaftueshëm i votave për të realizuar qëllimin, të zgjidhet kryetari "i pranueshëm" për të gjithë qytetarët.

Shqiptarët nuk kishin ndonjë përfitim nga kjo lëvizje e pamatur politike, jepe votën për të humbur vet. Nuk shkojë gjatë e Thaçi bëri përbuzjen e parë, pas inaugurimit rrëzoi kryeministrin aleat të Kosovës, i cili përcillte mimikën e të parit: nëshkruaj e vulos, apo ishte luajtur loja prapa skenës "unë po të ftoj, por t’i mos u duk", pastaj për këtë pëlqim në shenjë mirënjohjeje do të shtrohet qilimi i kuq, nuk u dha asnjë detaj për dobinë e bisedimeve me qeverinë serbe, as programi i vizitave, çdo gjë lidhej me qilimin e kuq, parakalimin, intonimin e himnit pa tekst, flamurin shumëngjyrësh të Kosovës dhe vetëm të plotësohet kërshëria e liderëve kosovarë me viza. Pse aq shumë po banalizohen vizitat e pakuptimta, të shoqëruara me fotografi, thuase janë nisur në ndonjë festival folklori, për të cilën veç ishte aranzhuar protokoli zyrtar, e tëra do të përmbledhejr në pyetjen: Pse kaq shumë vizitorë, dhe cili është qëllimi i vizitës?

A është vizitë përuruese për marrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vizitë pune, apo..?! 

Edhe ashtu politika e Kosovës është shumë e hapur ndaj fqinjëve, ndërsa tepër e mbyllur ndaj opozitës, e shumë më shumë ndaj qytetarëve, pra është shumë relaksuese ndaj të huajve, ndërsa përbuzëse ndaj shqiptarëve.

A nuk vlen ky konstatim në rastin shumë të përfolur, influenca e shumë grupimeve në qeveri dhe shumë adresave të pjesëmarrësve, e njërit prej tyre apo dy tre.., e më shumë që pastaj u përqafohet nga grupi si kërkesë e përbashkët, apo është marrëveshje e ftuesit me të ftuarin, ka mbetur enigmë e pasqaruar që len hapësirë për spekulime të papërmbyllura.

Zakonisht ky fenomen mund të ndodhë te grupet e prekura sociale që përfshijnë grupet e regjistruara, ku anëtari është anëtarë formal (psh. partia politike, sindikata), ose një klikë sociale, por jo edhe në tubime burrështetasish. Nga të dy shtetet të populluara me shqiptarë, për njërin shtrohet darka, ndërsa tjetrit ia lënë trohat.

Nuk e di si ndihen ata aq rehat, në atë rreth kur i lajthiten vazhdimisht Vuçiqit dhe bombardojnë pa të drejtë Albin Kurtin, dhe të tërë skenarin e kanë gatitur "binjakët sijamezë" Thaçi-Vuçiq. Nuk di a kanë komunikuar në mes vete përmes telefonit, apo nuk kishte nevojë të bisedonin fare, sepse pozita e njërit është pakrahasimisht më e favorshme se e tjetrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat