Ruleti rus në Las Vegas

Opinione

Ruleti rus në Las Vegas

Nga: Fadil Lepaja Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 09:55
Fadil Lepaja

Paramendojeni sikur në Las Vegas, të ri-konceptohej hazardi. Kush ka shumë para, apo shumë fuqi politike, nuk luan më me para, por me kokë. E hedh kokën e tij politike në tavolinë. Jep ide për këmbim territoresh, apo vendosë taksën krejt njësoj nga këndvështrimi i lojërave të fatit! Zaret janë hedhur! Bam! Por, nuk varet nga ne.

As në Las Vegas, nuk është më si ka qenë. Rreziku të humbasësh paratë e fituara pa djersë, nuk e ngre adrenalinën mjaftueshëm, për politikanët. Politikën tonë, mund të e nxjerrësh cullak nga kazinoja dhe ne prapë e veshim me rrobat më të shtrenjta. Por, kjo nuk  është problem. Këta kanë bërë aq shumë para sa që nuk e kanë për gjë të humbasin milionat tona, në tavolinë.

Kur them të hedhësh kokën në tavolinën e ruletit, gjithnjë po mendoj në kokat e tyre politike e jo kokat në kuptimin ballkanik të fjalës. Je ose nuk je në politikë, dhe krejt kjo vendoset nga fati global.

Kjo, në mënyrë metaforike, do të dukej pak a shumë kështu: e vë kokën tënde politike në tavolinën numër kaq dhe rrota sillet. Sillet, në fakt, mulliri i revolverit, dhe ti nuk e di se ku do të ndalet. Ti nuk e di nëse do të shkrepë apo nuk do të shkrepë. Pastaj e tërheq këmbëzën dhe pret. Në fakt ,nuk pret, sepse në ruletin rus, rezultatet i ke aty për aty. Ose e kupton se shpëtove duke e pasur në kulm adrenalinën, ose nuk e kupton kurrë. Kështu e ka ruleti rus.

Por, ka tendenca që të përzihen tavolinat e fatit në politikën globale. Bashkë me këtë ka tendenca të ri konceptohet ideja e së mirës dhe e së keqes në politikën globale. Për shembull, përpara përmendej një rus dhe (nën)kuptohej gjithçka. Oruelli, ferma e shtazëve, krejt. Përpos nëse nuk ishte disident. Përmendej Amerika dhe dihej gjithçka. Sidomos kënga e moçme, për djemtë në Amerikë e përzier me frikën nga fqinjët sllav, ishte orientuesja jonë kryesore ideologjike. Por, çfarë ndodhë kur në Las Vegas përzihen tavolinat? Kush mbetet mik dhe kush armik?

Nëse ne i kemi bijtë në Amerikë dhe nuk kemi më frikë, ndërkohë që ideja për rusët, në Amerikë, ka ndryshuar, çfarë të bëhet me frikën? Tashmë edhe rusët i kanë djemtë në Amerikë. Edhe serbët kishin Nikolla Tesllën, dhe mendojnë se kjo mjafton të e meritojnë përkrahjen e Trump.

Çfarë të bëjmë ne, kur tashmë të gjithë po i qojnë djemtë në Amerikë? Kuartet nacionale, ballkanike ka kohë që janë konfiguruar në lagjet e politikës dhe mafies. Të kemi apo të mos kemi frikë? Apo vetëm të tërheqim këmbëzën në ruletin rus me bindjen se tashmë kanë ndryshuar gjërat dhe se arma politike nuk do të shkrepë?

Pra, puna me ruletin, politik është kështu: bënë një lëvizje dramatike politike dhe pret çfarë po ndodhë me popullin. Ja tërheq këmbëzën dhe pret pasojat. Pasojat në politikë janë kolektive. Ashtu si ka qenë gjithë. Liderët dhe familjet e tyre e kanë një imunitet.

Tash, duhet parë gjërat edhe në terrenin e historisë. Pa histori nuk jetohet, por as me të. Nuk jetohet në një ambient kur votuesit janë parapaguar për dekada dhe çdo vendim është i konceptuar veç për historinë, të cilën na e kanë shkruar të tjerët. Ne vetëm e lexojmë historinë.

Për shembull, tash e kemi kuptuar se nuk janë me rëndësi ata që e sollën pavarësinë, por kush e lexoi atë në ballkonin e famshëm, në Vlorë. Tash për shembull, te ne, ka grindje publike kush e shpalli pavarësinë në Kosovë: kryetrari i kuvendit, kryeministri, apo presidenti i cili, asokohe ishte lënë në margjina duke duartrokitur. Duke u nisur nga kjo, tashmë e kuptojmë se çfarë do të ketë menduar e Ismail Qemajli, sa do të jetë gëzuar që Isa po vonohej, dhe nuk do të ishte të fotografohej në ballkon. E kishte kuptuar edhe ai se me rëndësi është kush do të dali në ballkon, para masës, pra me cilin do të hapeshin lajmet në dekadat e ardhshme.

Tash, ruleti ynë: taksa apo Lugina? Do të  këndojnë me sharki, apo të mbetesh në pushtet? Këmbëza është tërhequr. Ende nuk e kemi kuptuar, nëse kemi shpëtuar apo e kemi pësuar. Krejt kjo varet nga tavolinat në Las Vegas,  apo nga bastoret globale. Nuk ka të bëjë me patriotizmin. Ishte patriot  Esat pasha apo Avni Rrustemi? Po këta tonët?

Shikuar historikisht, mund të strehohesh në Beograd, të qëndrosh atje gjashtë muaj, të shtrëngosh armët serbe, mercenarët rus, dhe mercenarë tjerë të blerë me paratë serbe dhe të shkosh në Tiranë për të çliruar Shqipërinë nga shqiptarët dhe prapë të mbahesh mend në histori si mbret i të gjithë shqiptarëve dhe të jesh simbol i atdhe dashurisë. Mund të kesh nënshkruar marrëveshje të fshehta, të kesh falur sovranitetin dhe krejt kjo nuk të prishë punë.

Koncepti i atdhedashurisë dhe tradhtisë riformulohet në epoka ndryshimesh globale. Nëse Amerika  lidhë aleancë globale me Rusinë, kjo na bënë të kujtojmë rregullat e logjikës formale. Atëherë edhe lista jonë e (ar)miqve rishikohet. Politikanët tonë do të vrapojnë të fotografohen me Putin, dhe rrjedhimisht të këmbejnë territore me Serbinë. Ose të i japin territore.

Nëse edhe Serbia i ka djemtë në Rusi, sikur se ne, në Amerikë, ndërkohë që Trump dhe Putin e ri- konceptojnë Evropën dhe globin, atëherë do të gjendet një kompromis edhe për satelitët.

Kush është patriot e kush tradhtar në këtë tregim? Askush nuk e di! Këmbëza është tërhequr në përmasa globale. Ende nuk e dimë çfarë është bërë me ne! Kush mbijeton është fitues. Është rulet rus!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat