Përçarja në politikën shqiptare ka arritur kulminacionin

Opinione

Përçarja në politikën shqiptare ka arritur kulminacionin

Nga: Sherif Ramabaja Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 20:31
Sherif Ramabaja

Strukturat e vjetra politike në Shqipëri, si nga Partia Socialiste, po ashtu edhe nga ajo Demokratike po përpiqen pa kurrfarë përgjegjësie të shkaktojnë vetëm kaos. Si duket akoma asgjë nuk kanë mësuar nga pasojat e vitit 1997 kur Shqipërinë, politikanët shqiptar e zhbënë, me të vetmen dëshirë që ta rrëmbejnë pushtetin.

 Është edhe një enigmë tjetër : sa herë që priten vendime të mëdha për Kosovën, ose sytë drejtohen për ndihmë drejt shtetit amë, në Shqipëri gjendja eskalon. Vëmendja kryesore duhet të përqendrohet aty ku vendoset për fatin e kombit e jo  drejt politikanëve të papërgjegjshëm.

 Kjo koincidencë u ka rënë në sy, besoj të gjithëve, kështu në mars të vitit1981 shpërthyen demonstratat në Kosovë për avancimin e statusit të shqiptarëve. Të tëra mediat evropiane lajmëronin mbi shtypjen e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi jugosllav, kurse në Shqipëri po të njëjtin vit, pikërisht në dhjetor u vra Mehmet Shehu, në rrethana enigmatike. Pra kur shqiptarët e Kosovës i kishin drejtuar sytë nga Shqipëria, atje ndodhën ngjarje zhgënjyese që s’mund t´i kuptoje.

 Rasti tjetër është kur më 1989 në Kosovë shpërthyen protestat ndaj ndryshimeve kushtetuese, ku Serbia me të gjitha forcat përpiqej dhe e  suprimoi autonominë e Kosovës. Pakënaqësitë dhe protestat e shqiptarëve Serbia i shtypi me dhunë të pa parë. Ne prisnim ndihme, e sidomos shpresonim në shtetin amë, kurse në Shqipëri më 1990 filloi futja nëpër ambasadat perëndimorë dhe dyndja masovike drejt perëndimit.

 Në vitin 1997 në Kosovë përgatitej terreni për luftë të hapur me Serbinë sepse durimit i kishte ardhur fundi, kurse Në Shqipëri filloi zhbërja e shtetit shqiptar. Ky moment tragjik për gjeneratat e reja, kudo ku ishin shqiptarët, ishte momenti më i dhimbshëm në historinë e re të popullit shqiptar.

 Kur të mendosh në retrospektivë zhbërjen e shtetit shqiptar, nga individ që i thonë vetes lider politik që edhe sot njësoj do të vepronin, të vjen për të vjellur.

  Kurse tash së fundi, pra kur të gjithë jemi të preokupuar se si do të duket marrëveshja përfundimtare Kosovë - Serbi, në Shqipëri edhe njëherë po fillon lufta kaotike për pushtet.

 Për fat të keq po vërehet se polarizimi ka arritur deri në atë pikë mosdurimi, sa që partitë politike janë në gjendje që vendin ta shpijnë drejt luftës qytetare me të  vetmin qëllim, për ta rrëmbyer pushtetin.

Kur t´i vëresh udhëheqësit e Partisë Socialiste dhe Kryeministrin se si i fryjnë zjarrit të përçarjes, mendon se vetëm komunistët kanë vepruar dhe veprojnë akoma me të njëjtin stil. Kush s është me ne është armiku i popullit dhe duhet eliminuar, kështu të jepet përshtypja se veprojnë.

 Në anën tjetër kur ta vëresh opozitën që toleron dhunë në protesta, po ashtu nuk falet. Nuk shkatërrohen institucionet e shtetit pa marr parasysh kush qëndron në to.  Protestat do të kishin më shumë efekt, sikur të ishin krejtësisht paqësore. Me fakte dhe sjellje shembullore fitohet simpatia dhe rritet përkrahja e jo duke përdorë dhunë, pa marr parasysh arsyetimet se po provokohemi. Ky është vetëm një argument më shumë i cili ju shkon për shtati  qeveritareve për ta ruajtur pushtetin. Akuzat që përdoren nga të dy anët, kalojnë në ekstremitet dhe vetëm sa e helmojnë dhe përçajnë popullin edhe më shumë.

Në realitet kjo ju duhet politikanëve të dy taborëve, sa më keq aq më mirë. Socialistët me dështimet e tyre janë mjaft të kompromituar si në popull, po ashtu në të gjitha forumet ndërkombëtare. Opozitës i duhet vetëm të argumentoi dhe të protestoi qetë, në të kundërtën do ta marrin fajin mbi vete, njësoj si edhe vetë qeveritarët. Ne si shqiptar kërkojmë që të ulen gjakrat dhe të veprohet me mjete demokratike.

Ne kërkojmë që shteti amë të ec përpara, pa marr parasysh se cila forcë i fiton zgjedhjet. Shqipëria të jetë mbi të gjitha, të lirohemi nga urrejtja dhe armiqësitë ndaj njëri tjetrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat