Shqiptarët dhe zgjedhjet presidenciale

Opinione

Shqiptarët dhe zgjedhjet presidenciale

Nga: Xhelal Zejneli Më: 3 mars 2019 Në ora: 09:03
Xhelal Zejneli

Po qe se Marrëveshja e Ohrit qenkësh implementuar tërësisht, atëherë del se faktori politik shqiptar në Maqedoni, paska mbetur pa kauzë.

I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë të veprojë në skenën politike. Përse?! Për arsye se shqiptarët në Maqedoni i ka mbajtur të mobilizuar kryesisht kauza kombëtare apo çështja kombëtare.

Historia dëshmon se popujt vihen në veprim për objektiva politikë, kryesisht kur janë të robëruar. Shqiptarët në Jugosllavi, që nga viti 1912 e këndej, kanë qenë të robëruar. Si të tillë, më tepër se një shekull, shqiptarët kanë qenë të mobilizuar rreth kauzës kombëtare.

Implementimi “i plotë” i Marrëveshjes së Ohrit, duket sikur i lë shqiptarët pa kauzë. Si pasojë, mobilizimi apo veprimi i shqiptarëve për objektiva kombëtarë, mund të shënojë rënie.

I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë t’i mobilizojë qytetarët për veprime politike.

Popujt e robëruar janë mësuar të mobilizohen rreth çështjeve të mëdha apo rreth ideve madhore. Ide madhore për popujt që duan liri, në radhë të parë janë idetë kombëtare. Kur në një moment historik, idetë e mëdha realizohen, ato edhe fillojnë të shteren. Shterja e tyre ndërkaq shpie në çmobilizimin e masave popullore.

Mund të ketë individë apo grupe politike për të cilët kauza shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund. Të tillët do të kërkonin ndryshimin e flamurit të shtetit, të himnit të shtetit apo të stemës së shtetit.

Mund të ketë të tillë që do të kërkonin federalizimin e Maqedonisë, të tillë të cilët do të kërkonin që shqiptarëve në Maqedoni t’u njihet statusi i popullit shtetformues.

Mund të ketë edhe nga ata që do të kërkonin që Maqedonia të jetë shtet me dy entitete: me entitetin shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.

Mirëpo, nuk duhet harruar se sipas qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, si dhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit, me implementimin “e plotë” të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët në Maqedoni vështirë mund të shtrojnë kërkesa të reja që nuk kanë qenë të parashikuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Kërkesa jashtë Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët mund të paraqesin vetëm në momente historike të reja si dhe në rrethana historike të reja që mund të lindin apo të shfaqen pas 30 vjetëve apo pas gjysmëshekulli.

* * *

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur potencial të mjaftueshëm politik dhe intelektual që kërkesat primordiale të veta t’i realizonin në vitin 1991, përkatësisht në vitet ’90 të shekullit XX.

Për ta realizuar të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, shqiptarët “vepruan”, d.m.th. pritën plot 28 vjet.

Si rrjedhojë e zvarritjes dhe e pritjes së pafund, shqiptarët nuk u entuziazmuan gjithaq nga realizimi i së drejtës së përdorimit të gjuhës amtare. Megjithëkëtë, kaluam më mirë se Estragoni i cili vazhdon të presë Godonë në teatrin absurd beketian.

Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur.

Si pasojë e pritjes së pafund të sendërtimit të të drejtave kombëtare themelore, shumë të rinj shqiptarë i lanë vatrat e veta dhe morën në sy rrugët e botës.

Që nga viti 1945, Maqedonia u ndërtua si shtet i nacifikuar sllavo-maqedonas. Edhe në periudhën e pluralizmit, Maqedonia mbeti shteti më i nacifikuar i rruzullit tokësor.

Sot po flitet për një frymë të re në këtë vend. Po qe se vërtet po ndërtohet një frymë e re, atëherë një prej punëve të para që duhet të bëhet në Maqedoni, është denacifikimi i saj dhe respektimi i përbërjes dyetnike të saj.

Ndonëse i mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar nuk do të thotë se s’ka ç’ka t’i ofrojë popullit. Tani nëpër tubimet që do të mbaheshin në ndonjë klasë të shkollës së katundit, partitë politike mund t’u premtojnë qytetarëve investime nga jashtë, ndërtim fabrikash dhe çelje të mijëra vendesh pune, pa harruar të shtojnë se ishin pikërisht ato që e futën vendin në NATO. Nëpër këto tubime dhe takime të mbajtura në salla fizkulture dhe në çajtoret e lagjeve, partitë politike do të kenë rastin e papërsëritshëm për t’i amplifikuar arritjet e veta të deritashme.

* * *

Është thënë nga shumë politikanë dhe analistë se hyrja e Maqedonisë në NATO është interes strategjik i këtij vendi, e sidomos i shqiptarëve. Hyrja e këtij vendi në Aleancën Veri-Atlantike, e parandalon penetrimin e Rusisë në këtë pjesë të gadishullit. Tani Rusisë i mbetet vetëm Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjën dhe Hercegovinës.

Duke qenë se hyrja e Maqedonisë në NATO u prolongua sa s’bën, rrjedhimisht, aderimi i saj në këtë organizëm nuk ngjalli ndonjë entuziazëm të madh ndër qytetarët e saj.

 Ky ishte një akt i vonuar dhe i stërvonuar. Hyrja e Maqedonisë në NATO duhej të ishte bërë para nja 20 vjetëve. Përgjegjësia për këtë vonesë i takon të ashtuquajturës klasë politike të Maqedonisë, d.m.th. faktorit politik sllavo-maqedonas si dhe faktorit politik shqiptar.

Përgjegjësia për këtë vonesë u takon edhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit. Shkupi me Athinën bashkë, nuk kanë qenë më të forta se Uashingtoni dhe Berlini.

* * *

Kohët e fundit është folur në Maqedoni për nepotizmin. Duhet thënë se nepotizëm në Maqedoni ka pasur që nga vitit 1991 e deri në ditët tona. Nepotizëm ka pasur, si në organet e pushtetit vendor, ashtu edhe në organet e pushtetit qendror. Nepotizmin e kanë zbatuar të gjithë partitë politike që kanë qenë në pushtet, si partitë politike sllavo-maqedonase, ashtu edhe partitë politike shqiptare. Maqedonia është një ndër vendet me administratë vendore dhe qendrore më të stërngarkuar në Evropë, në mos dhe në botë. Me një administratë përmasash gjigante, nuk mund të hyhet në BE.

Krahas nepotizmit, në 28 vitet e kaluara, partitë politike, si ato shqiptare ashtu edhe ato sllavo-maqedonase, kanë kryer politizimin dhe partizimin e skajshëm të institucioneve publike, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Partitë politike i kanë punësuar pa kritere profesionale dhe morale ushtarët dhe militantët partiakë, shumë prej tyre – diletantë.

* * *

Së shpejti në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet për kryetar shteti. Kryetari i përtashëm – Gj. Ivanovi dy herë është zgjedhur me votat e shqiptarëve. Herën e parë, me votat e BDI-së, ndërsa herën e dytë me ato të PDSH-së. Ndonëse u zgjodh me votat e shqiptarëve, Ivanovi e refuzoi dhe e injoroi çdo kërkesë të shqiptarëve.

Nuk ka asnjë dyshim dhe kurrfarë hamendjeje se do të kishte qenë më mirë që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të dilte me një kandidat të përbashkët – shqiptar. Me një kandidat shqiptar, të mbështetur nga tërë spektri politik shqiptar, faktori shqiptar në Maqedoni do të kishte mundësinë të manifestonte forcën e vet politike.

Lidhur me zgjedhjet për kryetar shteti, faktori politik shqiptar duhet të ketë parasysh se:

- një pjesë e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga veprimet dhe nga sjelljet e BDI-së dhe të PDSH-së, pa harruar këtu edhe dështimet e PPD-së;

- një pjesë tjetër e shqiptarëve mund mos të jenë të gatshëm të votojnë për një kandidat sllavo-maqedonas;

- një përqindje tjetër e shqiptarëve mund të demotivohen për mosdaljen e faktorit politik shqiptar me një kandidat të përbashkët;

 - shumë shqiptarë ndërkaq, janë të lodhur nga proceset politike, të përshkuara me turbulenca, etiketime dhe polarizime ndëretnike dhe brendaetnike, e që zgjasin plot 28 vjet, pa kurrfarë rezultati ekonomik për shqiptarët;

Proceset politike në Maqedoni janë të vonuara dhe kjo ka lënë pasoja të pariparueshme. Shpërnguljet në masë të të rinjve janë rezultante e proceseve politike të zvarritura dhe të prolonguara deri në pafundësi.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së nga BDI-ja apo nga PDSH-ja dhe Alternativa , nuk shkon në favor të këtyre partive. Përkundrazi, shkon në dëm të tyre.

Duket sikur BDI-ja mbështet opsionin e krijimit të shtetit qytetar.

Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar. Ajo është shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas dhe e tillë do të mbetet deri sa të mos lindin rrethana të reja historike për ripërkufizimin eventual të hartës politike të gadishullit.

Ka LSDM-istë që thonë se duhet punuar në ndërtimin e shtetit qytetar. Këta mbase vërtet duan shtet qytetar, por me dominimin e plotë të tyre. Ata duan shtet qytetar në të cilin shqiptarët do të kishin vetëm 1% pushtet, aq sa kanë sot, sidomos në lëmin ekonomik, financiar apo bankar.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së, përkatësisht mbështetja e Stevo Pendarovskit prej votuesve shqiptarë, sidomos në raundin zgjedhor të dytë, do të ishte në funksion të parandalimit të fitores së kandidates së VMRO-së, parti kjo skajshmërisht antishqiptare.

Fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së në zgjedhjet për kryetar shteti, do të shënonte për Maqedoninë hap prapa dhe do të vinte në dyshim legjitimitetin e Marrëveshjes së Prespës. VMRO-istët do të brohoritnin se referendumi për ndërrimin e emrit të shtetit, nuk ka kaluar.]

Marrëveshjes së Prespës i nevojitet, jo vetëm legjitimiteti i fituar në procedurën parlamentare, por edhe legjitimiteti popullor.

Fitorja e kandidatit të LSDM-së, i cili tani promovohet si kandidat konsensual, përballë kandidates së VMRO-së, do të ishte në funksion të zbatimit të reformave, si conditio sine qua non për fillimin e bisedimeve për integrimin e Maqedonisë në BE, në qershor të vitit në vazhdim.

Pjesë e reformave është edhe Ligji – në fuqi – për përdorimin e gjuhëve.

Duhet shtuar se me VMRO-në antishqiptare kanë bashkëqeverisur, PDSH-ja në vitet 2006-2008, e sidomos BDI-ja në vitet 2008 e këndej.

* * *

Dy partitë e reja, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, hiqen apo veprojnë sikur kanë kauzë, për dallim nga BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat kanë mbetur pa kauzë.

Madje, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa paraqiten edhe si mbartës të vetëm të kauzës, hiç më pak se të kauzës kombëtare. Po qe se këto dy parti politike nuk qëndrojnë përballë BDI-së, atëherë ato lehtë mund të shndërrohen në bishta apo në nëndegë të saj.

Por nuk duhet harruar se një grup politik që është nusprodukt i vonuar i partisë nënë, mund t’ia dalë të jetë edhe pjesë e bashkëlidhjes qeverisëse, por vështirë mund ta zgjidhë çështjen shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat