Bojkotimi i zgjedhjeve në Maqedonin e Veriut sjellë një presidentë shqiptar - Bota Sot
Bojkotimi i zgjedhjeve në Maqedonin e Veriut sjellë një presidentë shqiptar

Opinione

Bojkotimi i zgjedhjeve në Maqedonin e Veriut sjellë një presidentë shqiptar

Nga: Arben Llalla Më: 4 mars 2019 Në ora: 12:04
Arben Llalla

Votuesit shqiptar duhet ti bojkotojnë zgjedhjet për Kryetarin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që do të mbahen më 21 Prill. Përralla se kandidati shqiptar do jetë përfaqësues i denjë ka përfunduar pa marrë parasysh se cili shqiptar është kandidati. Jemi dëshmitar se çdo shqiptar që ka qenë kandidat për president nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa është vënë në shërbim të sllavomaqedonasve për të treguar para ndërkombëtarëve se në Maqedoni ka demokraci, por në të vërtetë ka vetëm stabilitet të brishtë.

Para pesë viteve ishte po Stevo Pendarovski kandidat për presidentë i LSDM përballë Ivanovit të VMRO-DPMNE, dhe partitë shqiptare bojkotuan për të votuar kandidatin e LSDM duke ndihmuar me mënyrat e tyre zgjedhjen me suksese të Ivanovit të VMRO. Çfarë ndodhi pas pesë viteve që partitë shqiptare në qeveri të vihen në rresht për të votuar turravrapit për Stevo Pendarovskin? Thjeshtë partitë shqiptare janë vënë në shërbim të partive sllavomaqedonase të pozitës dhe opozitës për përfitime ekonomike personale të liderëve të tyre. Tashmë LSDM hapur i shantazhon partitë shqiptare në qeveri me përgjimet që janë bërë gjatë kohës së qeverisë VMRO-BDI. Pra drejtuesit e partive shqiptare janë pengje të aferave ekonomike, të Mostrës, Kalasë dhe Kumanovës, por votuesi shqiptar i ndershëm nuk duhet të mbetet peng i disa vasalëve apo mafiozëve politik. Votuesi shqiptar në Maqedoninë e Veriut bënë mirë që ditën e zgjedhjes për president të dalin me familjen e tyre shëtitje duke shijuar diellin e bukur të pranverës.

Nëse votuesi shqiptar bojkoton zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut më 21 Prillë, atëherë si pasojë do kemi dështim të zgjedhjes dhe automatikisht kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi do jetë ushtrues detyre si presidentë i vendit. Atëhere përse mos ta realizojmë sa më shpejtë dëshirën që një ditë të kemi një kryetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut me gjak dhe gjuhë shqipe...?

Ka ardhur koha që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të tregon krenar dhe të zgjuar duke bojkotuar këto zgjedhje përderisa partitë shqiptare nuk bëhen bashkë ashtu si në zgjedhjet e fundit në  Malin e Zi.

Sa për kandidatin shqiptar Blerim Reka, ai nuk do marri më shumë vota se kandidatët e tjerë shqiptar që kanë qenë ndër vite si gjenerali Gëzim Ostreni i BDI, profesori Iljaz Halimi i PDSH apo dhe bizesmeni Imer Selmani i DR. Diplomati apo profesori Blerim Reka bënë mirë të tërhiqet nga kjo garë me qëllimin që mos të vihet në shërbim të asaj që nuk na pëlqen dhe që e dimë përfundimin. E ardhmja nuk e di se çfarë befasirash na ofron...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...