Onomastikë shqiptare-boshnjake e sanxhakut të pazarit të ri, sipas këngëve të koleksionit të Milman Parry në universitetin e Harvardit - Bota Sot
Onomastikë shqiptare-boshnjake e sanxhakut të pazarit të ri, sipas këngëve të koleksionit të Milman Parry në universitetin e Harvardit

Opinione

Onomastikë shqiptare-boshnjake e sanxhakut të pazarit të ri, sipas këngëve të koleksionit të Milman Parry në universitetin e Harvardit

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 4 mars 2019 Në ora: 12:06
Prof. Dr. Rexhep Doçi

Për këtë punim  kam shfrytëzuar të dhënat onomastike-gjuhësore nga libri i autorit amerikan Milmen Peri (Milman Parry) “Këngë trimërie serbokroate” (në origjinal “Srpskohrvatske junačke pesme”), prej 448 faqesh, e botuar në vitin 1953.[1]  Vendbotimi i këtij libri është Beogradi dhe Kembrixhi, kurse botues janë Akdemia Serbe e Shkencave dhe Universiteti  Press i Hervardit  në SHBA. Pra, shihet se për daljen në dritë të këtyre këngëve ka dorë edhe  Akademia Serbe në fjalë, dhe se për këngët popullore trimërie të hershme në anën e Sanxhakut të Pazarit të Ri, shihet se këngët shqipe të kënduara nga lahutarë shqiptarë të atij krahu janë përkthyer në serbokroatishte. Kjo dëshmi ceket qartë, kur Nikolla Vujanoviqi, serb apo malazez gjithashtu lahutar, nga katundi shqiptar Burmazi i Hercegovinës (Burmazi me prejardhje nga shqipja: Burr i madh),  kur e zhvillon dialogun me lahutarin më të njohur shqiptar të kohës Salih Uglaninin shkruan (citoj f. XXXI):”Disa këngë që i ka kënduar Salih Uglanini në gjuhën serbe, paraqiten si këngë të përkthyera nga gjuha shqipe…”.

-S. Uglanini, lahutari më i njohur 85 vjçar, si me përkushtim, dëshirë dhe kënaqësi vijon më tej (f. 1-3): “15 vjet kam kënduar  me lahutë arnautski…Kam lindur në katundin Uglu i rrethit të Senicës, i banuar me banorë arnautë, nuk ka pasur kurrë në katund boshnjakë as të tjerë. Nëna ime ishte e fisit Arnaut. Edhe babai ishte i aslit Arnaut…Gruan e kam pasur boshnjake, nga fshati Korita të Beranës, dhe pak nga pak nga gruaja dhe miqët, kur erdha në Pazarin e Ri mësova boshnjakisht”.

-Po të përpiqemi ta shpjegojmë prejardhjen e oikonimit apo katundit Uglu-Ugao, dhe ktetikut Uglanin,  siç i shqipton vetë S. Uglanini, unë mendoj jo pa rezervë se në këto emërtime qendron i strukur kushedi se prej kur antroponimi iliro-shqiptar Ulk>Ujk>Ukë. Pra, tek Uglu – Ugao kemi zhvillime fonetike (mbase edhe me ndërhyrjen e administratës mesjetare kishtare) të sonorizimit të tingullit –k- në –g-:, si dhe të metatezës apo ndërrimit të vendit të tingujve, përkatësisht gërmave –lk- në –gl- te fjala ilire-shqipe: ulku>ujku>uglu>uka>uga. Këtë etimologji e përforcon edhe shqiptimi i emrit të katundit të tij Uglu me zanoren shquese shqipe –u, që dihet se emrat mashkullorë që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtinglloret –k, -g, -h, kur të shquhen marrin zanoren –u.

 -Mirëpo, emri i katundit Uglu dhe mbiemri apo ktetiku i krijuar prej tij Uglanin (me dy prapashtesa të mundshme ilire-shqipe –an dhe –in)  sikur më ndihmojnë ta shtroj edhe hipotezën për prejardhjen e emrit Uglar të Lypianit, nga e njëjta bazë antroponimike ilire-shqipe Ulk- > Ugl-. Aq më parë sepse për këtë fjalë ilire-shqipe ulk sikur flet e dhëna që, jo fortë larg Uglarit ndodhet sot rrënoja e një fortifikate ilire disa hektarëshe, mbase që nga paraantika e antika Ulkianum, që, siç thotë ilirologu gjerman Anton Mayer-i, mbreti ilir Trajani, i lindur në Mitrovicë, gjatë kohës së sundimit romak e përshtati në Ulpianum, dhe sot quhet Ulpiana.[2] Për Ulpianën, në veprën time “Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan” kam shprehur mendimin hipotetik, se te Ulpianum – Ulpiana mund të kërkohet një fjalë latine lupus “ujk” e përkthyer apo përshtatur nga fjala ilire-shqipe më e hershme ulk te fortifikata ilire në fjalë Ulkianum.[3]Dhe është për t’u habitur se si arkeolët tanë shqiptarë të Kosovës në vështrimet e tyre arkeologjike ngurrojnë ta përmendin Ulpianën me prejardhje prej Ulkianës Ilire si në kohën e komunizmit serb, sidomos në disa komentime në gjuhën serbe të TV të Kosovës.

-Në librin në shqyrtim të Hervardit përmendet krahina përreth Tutinit, dhe, kur është fjala për qytetet ilire në Dardaninë Antike, qytezën e sotme Tutinë mund ta ubikojmë apo identifikojmë me Fortesën Ilire të rindërtuar, sipas veprës “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” pikërisht “Në Dardani me emrin Teutana”,[4]pra Teutë>Tut=Tutin. Këtu kemi matronimin apo antroponimin që përgjithsisht, nga të gjithë studiuesit konsiderohet ilir, i strukur nëpër kohë në vendbanimin Tutinë. Një antroponim apo matronim ilir mund të kërkohet edhe në emrat e fshatrave të Kosovës: Tushilë (nga Teutë+Yll); Tugjec (nga Teutë>Tud>Tudj>Tugj=Tugjefc), në të cilat fshatra ka gjurmë rrënojash ilire.      

Pothuajse në çdo këngë të këtyre rapsodëve shqiptarë bëhet fjalë për luftërat triumfuese të Tale Budalinit. Për krahasim të patronimit Budalini të këtij personazhi të rapsodive, po theksoj se në një punim shkencor “Ilirët, 300 vjet në krye të Romës”, përmendet emri i moçëm i Mitrovicës (ceket Mitrovica e Kosovës) si Budali,[5] dhe sikur del që Tale Budalini të ketë qenë personazh i vërtetë i lindur në Budalia, përkatësisht në Mitrovicën tone të sotme.

Jo vetëm kryetrimi Tale Budalini, por lahutarët shqiptarë i përmendin në këngët trimërie të përkthyera në serbokroatishte (ashtu siç përmenden edhe në eposet  në gjuhën shqipe) personazhet shqiptare: Muja e Halili, Ajkuna, Gjergj Elez Alija (Gjergjelez shkruhet ngjit) etj.

-Në këto këngë të përkthyera prej shipes dhe të degjeneruara në serbokroatishte përdoren më tepër apo kryesisht me trajta shqipe e jo sllave apo serbe edhe toponimet apo oikonimet, p. sh.: në shqipe Selaniku e jo as në sllavishte ose serbishte Solun e as në greqishte Thesaloniki; shqip Stambolli e jo në serbokroatishte Stambull apo turqishte Istamboll-Istambull; për Shkupin përdoret një formë si e perzier shqiptare-turke Ushqupi; përdoret toponimi shqip Kosova e jo tog fjalëshi i vonë dhe i imponuar i shovenizmit serb Kosova e Metohija; përdoret oikonimi shqip Tivar e jo serbokroatisht Bar; nuk është shënuar me trajtën serbokroate Novi Pazar  po me trajtën turke Jani Pazar etj. Kështu, bien në sy se këto oikonime përherë përdoren me mbaresën shquese shqipe, p. sh.: Selaniku, Kaçaniku, Stambolli, Brusi, etj., p. sh. në disa vargje ceket (citoj origjinal f. 41): “Dok ispade šeher Selaniku – S Selanika pitomu Ušćupu – Sa Ušćupa kršu Kačaniku, S Kačanika uz Kosovo ravno, Sa Kosova ka Jani Pazaru etj.

-Për asimilimin e shqiptarëve jo vetëm islamikë në boshnjak në anën e Pazarit të ri, po edhe të shqiptarëve katolikë e orthodoksë në serbë kuptojmë nga mendimi i Gaspër Gjinit (në veprën “Peshkopata e Shkup-Prizrenit”, f. 105, 116), si shkruan: “Te Kryshefci (fjala është për Kryshefcin në thellë në Serbinë e sotme) vizitorët Aleksander Komuloviq dhe Toma Raggi  kanë shkruar se ekzistojnë pesë fshatra fqinj të Kryshefcit më 1500 shqiptarë katolikë, ku kanë shërbyer tre klerikë. Përveç këtyre të dhënave vizituesit  bëjnë të ditur se ata katolikë kanë një kishë të tyre të vjetër (“una chiesa antica”. Për shkombëtarizimin e vonshëm të shqiptarëve, si dhe për përkthimin e toponimeve ilire-shqiptare në sllave, përkatësisht serbe bën me dije edhe Eqrem Çabej (E. Çabej, Stud. Gjuh., IV-1977, f. 389), kur flet për përkthimin e qytezës në Serbi Krushevc nga fjala ilire-shqipe dardhë, siç konstaton: “Në këtë mes është për të përmendur edhe vërejtjet e Vl. Georgievit, që Krushevaci gjindet bash në territorin e Dardanisë së vjetër.”

Të gjitha këto të dhëna, dhe të tjera të shumta nga punimet shkencore që janë bërë për pjesët e tjera të Sanxhakut të Pazarit të Ri, si për katundet shqiptare të Rrafshlartës së Peshterit, të anës së Rozhajës, Beranës, Sjenicës, Bjello Polës, Kolashinit etj., flasin për asimilimin apo çkombëtarizimin e shqiptarëve nga shqiptarë në serbë e boshnjakë para rreth njëqind vjetësh. Ky asimilim i shqiptarëve nga regjimi fashizoid shtetëror serb kuptohet qartë edhe nga fjalët e lahutarit shqiptar të mirënjohur Salih Uglaninit, i cili thotë se këngët e tij e kanë zanafillën prej para 200 vjetësh, dhe se shton që edhe gjatë sundimit osmano-turk kmetovi (pra është fjala për pleqtë e katundit apo udhëheqësit në katund) kanë qenë orthodoksë, serbë që i kanë mbledhur tagrat dhe taksat bujqësore. Dhe kështu përfundojmë se Shqipëria Etnike qysh se herët kishte filluar të cungohet dhe coptohet, si dhe pushtimin e aneksimin në mënyrë të pamëshirshme nga armiqët fqinj grabitçarë të tokave shqiptare, si për shembull nga serbët, grekët, bullgarët, malazezët etj., qoftë me elaborate e memorandume famëkeqe ose përmes luftërave të përgjakshme, të parapara dhe organizuar në një mënyrë nga Akademia Shkencore Serbe kundër popullit shqiptar, që ishte dhe është populli më i moçëm evropian me prejardhje pellasde-ilire-thrakase, prejardhje kjo për të cilën deri më tash, po them me modesti, i kam shkruar 10 vepra shkencore onomastike-gjuhësore.                                                  

Prishtinë, 27. 02. 2019

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...