Opozita  e sotme - një  Déjà vu e Politikës Anti-shqiptare

Opinione

Opozita  e sotme - një  Déjà vu e Politikës Anti-shqiptare

Nga: Pirro Prifti Më: 8 mars 2019 Në ora: 12:25
Pirro Prifti

Tradhtia, është një nga përvojat më të hidhura të shoqërisë shqiptare dhe përfaqësuesve politikë  të kësaj shoqërie ndër vite.

Nuk dihet se kur,  qysh, çfarë, dhe si, dhe në ç ‘mënyrë,  një pjesë përfaqësuesve të  popullit shqiptar brenda kufijve dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, u lind idea që të tradhtojnë vendin e tyre, por dihet me siguri se KUSH janë ata.

Kjo histori e Tradhtisë së disa liderëve shqiptarë është aq e shpeshtë në qindrat e viteve të kaluara, sa që po të shikosh se çfarë i motivon liderët e Opozitës së sotme shqiptare për të sharë dhe njollosur vendin e tyre, del se Motivet janë nga më banalet aq sa mund të thuash së pushtetarët e zgjedhur kanë patur të njëjtën Sëmundje psikike atë `të dëshirës për ti mbetur emri në Histori`, pavarësisht  nga qëllimi i mirë apo i keq.

Pra Pushtetarët tanë vuajnë nga mungesa e idealeve Patriotike – por më e keqja  është se, janë të zhytur në fëlliqësirën e përfitimeve egoistë duke e bërë atë Qëllim në vetvete pra, në përgjithësi Qëllimi i keq, `ai që justifikon mjetin`, shoqërohet  gjithmonë me përfitimin vetiake apo me përfitimin e tre `P`-ve: -Pushtet- Para- e të tjera..

Nuk është e rastit që edhe Hymni i Republikës së Shqipërisë,  përmend `tradhtinë`.

 Mesa duket Aleksandër Stavro Drenova e ka kuptuar se Tradhtia është një faktor shumë shqetësues i shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht i politikanëve shqiptarë në të gjitha kohërat, madje edhe në kohët e vjetra.

Historia e Tradhtisë,  është nisur që në kohën e Mesjetës dhe nis me Nipin e Gjergj Kastriotit, Hamza Kastriotin, i cili duke parë së lindja e djalit të Skënderbeut nga Donika, i hoqi atij mundësinë për të drejtuar vendin, e për pasojë , ai u lidh me osmanët, dhe jeta e tij përfundoi keq, iku në Kostandinopoje dhe vdiq ai lypës.

 Po kështu Ballaban Badera Pasha, tradhtoi vendin e tij për hir  të gradës dhe luftoi popullin e tij.

E kështu me radhë me Kryetradhtarin Esat Pashë Toptani i cili deshtë të pasurohej duke përdorur postin dhe kështu shiti edhe Janinën edhe Shkodrën.

Po kështu Mbreti Zog, fali toka edhe pas vendosjes së kufirit më 1919, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin , madje dihet që vodhi thesarin e shtetit duke e justifikuar që ishte.. rroga e 13.

Pushteti i Enver Hoxhës ishte i mbushur me tradhtarë disa nga të cilët edhe i kemi parë me sytë tanë. Tradhtia e tyre kishte të bënte me shitjen e tyre tek të huajt thjesht për të rrëzuar Diktatorin dhe për të marrë pushtetin. Dihet si përfunduan.

Nëse regjimet e kaluara, pushtimet e kaluara sollën tradhtarë ose për Pushtet, ose për Para, ose për femra , ose për të treja, dihet se në këto akte anti popullore dhe anti shqiptare,  një rol të madh ka qenë nxitja e tradhtisë nga politikat e fqinjëve apo të ndonjë shteti të madh që i intereson Ballkani, dhe mbajtja e këtij rregjioni të destabilizuar.

 

 Tradhtarët e sotëm apo më saktë antishqiptarët e sistemit demokratik kanë po ato karakteristika  të tre `P`-ve, por më e neveritshmja dhe më zhgënjyesja  për Shqipërinë dhe popullin shqiptar është dëshira e sëmurë e këtyre politikanëve për të dëmtuar edhe vetë vendin e tyre, duke e ditur që dikur para 29 vitesh disa nga ata së bashku me popullin u ngritën kundër regjimit me Parullën `E duam Shqipërinë si Europa`.

Po çfarë i bëri këta pafillo që të flasin me kaq egërsi kundër vendit të tyre?

Mesa duket , ka shumë mundësi që të  jenë dy elementë të veçantë që këta politikanë të Opozitës të  insistojnë në fajin e tyre duke dëmtuar  rëndë  atdheun:

  • Sepse  janë `nën akuzë`, madje ish kryetari dhe kryetari i tyre madje edhe Kryetarja e partisë tjetër, e për pasojë për të shpëtuar nga akuza-akuzojnë të tjerët, dhe për ta bërë akuzën hajdutërore e kriminale sa më të besueshme veprojnë madje edhe duke dëmtuar të ardhmen e popullit dhe të vendit.
  • Sepse për të rimarrë pushtetin të cilën nuk mund ta fitojnë me zgjedhje, janë duke kërkuar ndihmë nga segmente politike fqinjë anti-shqiptare, dhe ato të lobit ruso-turk,  të cilët janë të interesuar që Ballkani dhe veçanërisht faktori shqiptar të mos hyjë në BE, madje disa fqinj që mund të jenë edhe anëtarë të BE dhe NATO-s u pëlqen një Shqipëri  jo stabile dhe e dobët politikisht dhe ekonomikisht, me qëllim që të përfitojnë njerëz të caktuar në Shqipëri, servilë të tyre apo disa pjestarë të minoriteteve, duke krijuar iluzionin se Shqipëria  po… dëmtoka  minoritetet….,  gjë që është një gënjeshtër shumë e madhe për tu dukur e vërtetë.

Interesante është se populli kësaj radhe , megjithë britmat, ulërimat, përdorimi intensiv i mediave të blera nga këta politikanë të korruptuar , nuk po i shkon mbrapa, Pakicës opozitare sepse e sheh se me ta nuk ka asnjë të ardhme.

Është e vërtetë që protestat bëhen kundër qeverisë dhe në disa raste me shumë të drejtë,  me qëllim që të rregullohen aspekte të ekonomisë apo aspekte sociale, por kurrë, dhe në asnjë vënd në botë nuk ka dalë ndonjë Udhëheqës Opozitar  që të shajë atdheun e tij, ashtu siç bën Basha dhe ideologu i të keqes Berisha që, për të shpëtuar kokën e tyre shajnë dhe nxijnë e ndotin Shqipërinë dhe Popullin shqiptar duke u penguar aspiratën më shpresëdhënëse gjatë këtyre 29 viteve: integrimin në BE.

Të shprehesh ashtu si thotë Lideri i Opozitës me Mandat tashmë të djegur se.. ` Shqipëria nuk meriton të futet në BE`…, - është kulmi i zhgënjimit, dhe i tradhtisë, dhe mendoj që çdo njeri me mënd në kokë jo vetëm që është zhgënjyer nga  ky `Kokëbosh` i Berishës, por edhe nuk do të dojë që në të ardhmen Pushteti të merret nga një pengues i shpresës së Shqiptarëve për të hyrë në BE.

Një turp i paparë.

Akti i djegies së Mandateve është sa i paprecedentë dhe i papritur nga këta politikanë që tashmë mund të quhen Politikanë radikalistë dhe duhen nxjerrë jashtë ligjit me veprimet e tyre antishqiptare, por është dhe shpresë dhënës me me këtë gomarllëk të paparë, pa pritur gjithashtu ka lulëzuar një e mirë nga kjo e keqe:

- po lind një Opozitë e re, ndoshta në krye të saj le të vijë Rudina Hajdari, sepse është një politikane pa asnjë të kaluar me të meta, përkundrazi do të jetë një shpresë për Opozitën shqiptare të sotme e cila është tjetërsuar në një armike e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.

Përfaqësuesit e BE dhe të SHBA e kanë kuptuar më në fund se kush fshihet prapa këtyre politikanëve të Opozitës që e ndjenë vetën `nën akuzë` për veprat e tyre antiligjore, dhe e shohin gjithashtu se qeverisja e sotme, pavarësisht gabimeve , është përpjekur të reformojë vendin dhe po punon për të ardhmen e vendit  duke u përpjekur të zhdukë disa plagë të së kaluarës kriminale të disa drejtuesve të Opozitës së sotme  që kanë djegur mandatet.

Shpresojmë që megjithë këto thagma, Shqipëria të hapë negociatat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat