Çfarë kuptimi ka një “unitet” fals pa opozitën, tani, kur gjërat e kanë marrë tatëpjetën?!

Opinione

Çfarë kuptimi ka një “unitet” fals pa opozitën, tani, kur gjërat e kanë marrë tatëpjetën?!

Nga: Hafiz Shala Më: 8 mars 2019 Në ora: 23:55
Hafiz Shala

Çdo unitet i krijuar me një vonesë edhe pse pa opozitën që nuk shkon  para ngjarjeve, por pas tyre, nuk ka shans të jetë real dhe funksional.

Presidenti, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë unifikues, ai, në të vërtetë është përçarësi më i madh, i cili e solli  Kosovën  në një gjendje shumë të rëndë të pa qartë me dëme të pariparueshme dhe me thellimin e krizës edhe më të madhe, e cila nuk mund të zgjidhet  pa hapa radikal në kuptimin e marrjes së  punëve  në dorë nga ana e sovranit me ndryshime të përgjithshme në të gjitha organet shtetërore që nga i pari vendit si përgjegjësi kryesor për gjendjën në të cilën gjendet Kosova.

Pra, a janë zgjedhjet zgjidhje? Është shumë vështirë të jepet një përgjigjje e saktë dhe bindëse pasi nuk janë krijuar kushtet paraprake. Komisioni zgjedhor i shtetit mbahet peng nga i pari i shtetit për të manipuluar me të. A mund të vazhdohet kështu? Assesi.

Me këtë sjellje të udhëheqjës së shtetit, nuk ka kurrfarë shanse të dilet nga ky hendek i vetëkrijuar qoftë me sjelljet e tyre të papërgjegjshme, me veprimet e tyre në dëm të interesave të Republikës dhe të popullit, dhe nuk i përgjigjën askujt, sepse, organët kushtetuese të shtetit nuk funkcionojnë, bile edhe ato që quhen demokratike me “përfaqësuesit e popullit”, Parlamenti si organ legjislativ e ligjëvënës për t’i ndërprerë këto trende negative. Nuk ka unitet as në temat e mëdha.

Nuk ka gatishmëri për të ngjallë institucionin e përgjegjësisë, sepse shteti është i kapur dhe grupet që une po i quaj “koalicionet vetëbllokuese”, nuk e kanë shansin të zgjedhin asnjë problem, sepse ato grupe  janë të varura nga njëra-tjetra dhe nuk janë në gjendje të sjellin vendime të vlefshme dhe kualitative pasi çdo udhëheqës i çdo partie politike,  flas për ato në pushtet-pozitën, që çdo gjë dhe vendim e konsiderojnë personal që do të thotë e kanë privatizuar demokracinë, të cilës ia kanë humbur kuptimin dhe veprohet sikur në monarki.

Në këtë gjendje në të cilën gjendemi, shtrohet pyetja se si të dilet. Miqtë tanë ndërkombëtarë po na shikojnë me habi dhe të zhgënjyer sepse, fjala është për SHBA-në e cila bëri shumë, tani, don të na kthejë shpinën për fajin e udhëheqjes aktuale, e cila është tejskajshme e ndarë dhe e përçarë  pa asnjë shans  që të afrohen.

Ndoshta e kanë fallso, ndoshta përnjëmend. Kush mund ta dijë përpos atyre.

Presidenti krye në veti, kryeministri këmbëngulës në emër të Qeverisë, të cilës sa po duket po i numërohen ditët. Kryeministri i solli disa vendime historike, të cilave iu gëzua i tërë populli. Pra, fjala është për themelimin e ushtrisë, vuarjen e taksës për mallrat  e Serbisë dhe vendimi për Trepçën.

Taksa, e arriti  qëllimin e vet politik, sepse ishte edhe politike, por, barrikadimi edhe pas kërkesave të SHBA-ve e tani të Evropës konkretisht, Gjermanisë dhe Anglisë, shtete të cilat populli u beson, i konsiderojnë miq të vërtetë, pa u thelluar në grupin ndërmjetësues të Federika Mogherinit, janë sinjale dhe mesazhe që duhet të respektohen dhe të gjejnë mirëkuptim. Deri aty ku nuk prekën interesat vitale të shtetit dhe sovranitetit, prekja e kufijve.

Taksa, kuptohet, nuk është e lidhur me humbjet ose përfitimet  ekonomike, por është veprim legjitim i   nji shteti sovran dhe i pavarur që i zgjoi nga gjumi arinjtë që të gjithë. Qëllimi ishte t’i kundërvehemi Serbisë dhe assesi Amerikës dhe shteteve tjera mike posaçërisht Gjermanisë dhe Anglisë.

Është kërkesë imanente që për heqjen e taksës të na sigurohet një garancion që nuk do të prekët  tërësia  territoriale e shtetit të inicuar nga Serbia, Rusia dhe të përkrahur nga Presidenti bashkë me Kryeministrin shqiptar dhe bashkëmëndimtarët e tyre për çka nuk kemi të drejtë t’i fajësojmë shtetet që i përmenda më sipër. Pse i hapi këto tema të cilat miqve tanë jua servoj si të përkrahura nga populli e nga spektri politik që asgjë nuk ka të konsistojë me të vërtetën. Domethënë gënjeu. U shplua vetë dhe i lajthiti ata që nuk duhet t’i gënjejë. U zbulua. E tash?

“Një budall e hedhë gurin, një qind të mençur nuk mund ta nxjerrin”, është shprehje  e vjetër popullore por e saktë.  Është pikëpyetje a është budalla a qëllimkeq. Nëse analizohet pak më gjërë, më shumë  është qëllimkeq në dëm të shtetit dhe për përfitime personale dhe heqja e “borxhit” të krijuar kush e di ndaj kujt, edhe pse disi mund të nënkuptohet, por, ka hyrë në obligime qoftë për vëtmbrojtje ose për ndihmë për mbrojtje.

Gjendja ka ardh deri aty ku nuk dihet së kush flet në emër të shtetit apo në emër të individit  duke iu referuar postit që e mbanë në pushtet.

Kur nuk ka unitet në mes udhëheqjes, atëherë dorëzanët tonë në rend të parë Amerika, patjetër duhet të ndërhyjë kur një Evropë e ndarë dhe e çakorduar nuk është në gjendje t’i zgjidhë problemet, e cila edhe vetë i ka krijuar me një politikë me standarde të dyfishta dhe injoruese ndaj Kosovës.

A duhet dëgjuar Amerikën? Më siguri së po, ani pse kur është fjala për kufijtë kushtetues si rezultat i shpalljes së pavarësisë në mënyrën legjitime, duhet të ndalemi, sepse, po të ishim njohur nga Serbia atëherë bisedimet mund të zhvillohen, por në aspektin historik dhe argumentues se kush kujt i ka borxh në aspektin territorial që  edhe kjo nëse mund “ta fajësojmë” për mos reagimet ndaj sjelljeve të Serbisë ani pse, dorën në zemër kjo ka qenë detyra dhe përgjegjësia e Evropës. Por, Evropa si Evropë nëse thirrëm në thënien e Fishtës, ende nuk është çliruar nga ai mentaliteti i vjetër, pra, edhe në shqiptarët ende nuk po mundemi të çlirohemi nga mosbesimi ndaj saj sepse, me sjellje nuk po na bindë për ta ndryshuar mendjen.

Platforma e votuar në Parlament, farsë dhe e rrezikshme. Në duar të kujt po lihet Kosova?!

Parlamenti votoi një Rezolutë e cila për fat të keq në mënyrë eksplicite nuk ia ndalon atij apo cilido kujt  që udhëheq bisedimet, respektivisht sipas platformës t’i “prezantojë” me bashkëbiseduesin e Serbisë së absolutisht nuk bisedohet për kufijtë ekzistues.

Vetvetiu, vazhdimi i  të qenunit prezent, nuk siguron se një marrëveshje do të përfundojë pa dëm në aspektin territorial, sepse po ky president si inicues nga pala kosovare për ndryshim, këmbim të lehtë o të rëndë pastaj çështja e veriut, lëshime të dhimbshme, bashkimin e Kosovës Lindore “falas” nga Serbia, është absurd, është gabim dhe më të drejtë opozita nuk mund e as nuk duhet t’i bashkohet.

Presidenti i cili ia bëri gropën Kosovës, pretendon të jetë ai që do ta përfundonte këtë marrëveshje, i cili falë mosreagimit  të Parlamentit, ai, ende është në krye të shtetit. Atëherë, kënd duhët ta fajësojmë?

Pse asnjëherë nuk u thirr në interpelancë për dëmet dhe veprimet antishtetërore?

Shpresa e vetme ka mbet te sovrani nëse është në gjendje të ngritet dhe ta pastrojë shtetin nga gryksët, manipulantët, tradhtarët dhe të pakurrizorët që disa, për t’u dukur të moderuar, janë në gjendje ta dëmtojnë shtetin.

Ata që kërkojnë zgjedhje që mendojnë në zgjedhje së është zgjidhja, këtij populli duhet qysh tani t’i ipen  kornizat se çka e kanë ndërmend të ndryshojnë për ta ringjallë e kthyer në jetë normale  Kosovën, e cila është para kolapsit.

A kanë fuqi, dije, gatishmëri reale e jo premtuese që  të kthehet vëtbesimi nga populli te shteti dhe organet e tij, të cilat ishin të kapura shumë fortë që vetëm me ndërrimet e komplet

 administratës që nga kupola deri te çdo komunë për ta kthyar besimin, mbarëvajtjen e shërbimeve dhe  posaçërisht organet e drejtësisë.

Ndërrimet duhet të vijnë që nga Gjykata Kushtetuese deri te ato komunale dhe të fillohet me përdorimin e vetingut në të gjitha organet jo vetëm administrative, por edhe atyre politike.

Si mundet me e udhëheq një parti politike njëpërson i cili ka ardhur në kundërshtim me ligjin në forma të ndryshme. Kjo, për arsye se bëhet zgjedhja e deputetëve dhe si rezultat varet së çfarë Parlamenti do të kemi. Parlament i diktuar nga bazat partiake, nga klanet dhe grupet të cilët në rend të parë i kanë interesat personale partiake, grupore, regjionale e fisnore.

Si mund të ecë përpara Kosova me një udhëheqje, e cila është skajshmërisht e përçarë, e ndarë dhe pa kurrfarë konsenzuesi.

A mund t’i bashkojë përçarësi më i madh - Presidenti aktual? Jo ky i tanishmi, sepse e ka humbur besimin e popullit, të cilit kur ia përmendi moderatorja sondazhin e fundit në një televizion shqiptar mes Presidentit dhe Kryeministrit, doli se Kryeministri e ka përkrahjen 82%, përderisa Presidenti vetëm 18%.

Ai, demonstrativisht e lëshoi tavolinën që intervistohej dhe iku. Nuk e di se sa është e saktë, por presidenti me ndërrimin e tezave dhe qëndrimeve të përditshme, me siguri së kjo i ngjanë një sondazhi real.

Miqtë tanë janë në hall të madh fatkeqësisht edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Fajtore - udhëheqjet aktuale në të dy vendet. Vetëm me lutje drejtuar zotit, nuk shpëtohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat