Paqja në rrezik

Opinione

Paqja në rrezik

Nga: Mirsad Voca Më: 12 mars 2019 Në ora: 19:32
Mirsad Voca

Zgjidhjet ambivalente dhe afatshkurtra krijojnë situata të reja, dhe zhvillim jo të qëndrueshëm gjë që krijon pasiguri dhe hapësirë për konflike të reja. Situatat e reja, krijojnë prapë hapësirë për zgjidhje të reja. Dhe nëse vazhdohet me zgjithje ambivalente, të paqarta dhe të dykuptimta, do të ketë gjithnjë potencial për konflikt të ri. Nga një këndvështrim i tillë, Kosova fatkeqësisht po vazhdon prapë të jetë eksperiment zgjidhjesh të cilat rrjedhin vazhdimisht nga gërshetimi i raporteve të fuqive të mëdha. Një BE e pandërtuar, jo kredibile si reflektim zgjidhjeje të paqëndrueshme për Kosovën

1. Fatkeqësisht edhe pas 11 vitesh që kur u shpallë Shtet i pavarur, Shteti i Kosovës po vuan si në politikën e brendshme po ashtu në atë të jashtme duke u penguar në mënyrë agresive nga aparati i shtetit serb i mbështetur nga një Rusi e cila po e rrit dita ditës ndikimin e saj në botë duke arritur ndoshta të komprometoj zgjedhjet edhe në Shtetin më të fuqishëm në botë (Shba). Ndikimi rus në BE ka tendencë të rritet dhe të krijoj hapësirë për destabilizim qoftë politik apo ekonomik dhe kudo që të mund të krijoj mundësinë më të vogël për ta shfrytëzuar. Duke u gjendur, në njërën anë përball një administrate të presidentit Trump e cila ende është nën dyshim të ketë qenë apo të jetë ende e komprometuar nga shërbimet ruse, dhe në anën tjetër, përball një Shteti rus në zgjerim e sipër sidomos me ndikimin e saj prosperues, BE-ja, po vihet në një presion të dyanshëm dhe politika e saj e jashtme po bëhet edhe më pak domethënëse. Megjithë faktin që Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel po bëjnë përpjekje për të përforcuar projektin e BE-së duke ngritur projekte sikur ai i sistemit të mbrojtjes (ideja për një ushtri të përbashkët), politika e jashtme e BE-së po del të jetë jo unifikuese sidomos përball Shtetit të Kosovës të cilin ende nuk e kanë njohur edhe

5 Shtete anëtare të saj. Në historiografinë e BE-së deri më tani, Kosova do të mbetet si instrumenti i vetëm përmes të cilit BE-ja dëshiron të ngrit një kredibilitet në politikën e saj të jashtme, e cila nuk po arrin ende të ndërtohet. Një mungesë e tillë kredibiliteti ka ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrushëm të Shtetit të Kosovës si dhe në krijimin e situatave të reja ambivalente. Rrugëtimi ambivalent i Kosovoës si rezultat i zgjidhjeve të paqarta

2. Nëse bëhet një përmbledhje e shkurtë e rrugëtimit politik modern të Kosovës, mund të theksoj se Shteti i Kosovës është shoqëruar me zgjidhje ambivalente, të paqarta dhe jo të qëndrueshme duke filluar së paku që nga pas lufta e dytë botërore, apo thënë më qartë që nga krijimi i Shtetit jugosllav që e vuri Kosovën së pari si një autonomi regjionale të Serbisë nën Jugosllavinë e Titos deri me 1974. Pastaj nga ky vit Kosova ngritet në një entitet edhe më ambivalent anipse më i favorshëm për Shqiptarët e Kosovës. Në njërën anë, konsiderohet si autonomi vetqeverisëse apo si “Quasi” Republikë, jo tamam si republikat tjera mirëpo me të drejtë vetoje, ndërsa në anën tjetër lë hapësirë të konsiderohet edhe si pjesë e Serbisë nën kuadrin jugosllavë, një dykuptueshmëri që vet konotimi “quasi” republikë e bën të tinglloj si zgjidhje afatshkurtër apo afatmesme dhe si e tillë e paqëndrushme. Për të eliminuar këtë dykuptueshmëri në favor të shtetit serb, aparati i dhunshëm shtetror i S. Millosheviqit ia tërhoqi statusin e autonomisë vetqeverisëse më 1989 gjë që solli 10 vite aparteid, okupim të territorit dhe dhunë të parreshtur ndaj shoqërisë shqiptare të Kosovës. Pas dy viteve konflikt dhe një lufte të armatosur shfaruese ndaj shqiptarëve të Kosovës, arrihet që nën sulmet ajrore të NATO-së të mbahet një konferencë ndërkombëtare, ajo e Rambujesë, ku po ashtu u arrit një tjetër marrëveshje me dy apo më shumë kuptime, me plotë paqartësi dhe ambivalente nën kutin matës të fuqive të mëdha. Në Kosovë u instalua një administratë e Kombeve të bashkuara e cila krijoi një kuadër kushtetues fare pak funksional sepse Kosova gjendej nën ombrellën e një administrate që nuk kishte interes ndërtimin e Shtetit të Kosovës duke mos lënë hapësirë akterëve vendorë për vendimmarrje. Nën këtë situatë të paqartë, përgjatë viteve 2005/2006 filluan bisedimet për statusin në Vjenë pasi që Kosova kince i paskësh plotësuar standardet para statusit të parashtruarë nga administrata e KB. Këto bisedime midis faktorit politik kosovar dhe atij të Shtetit serb ishin të monitoruara nga faktori ndërkmbëtar me në krye ish Presidentin finlandez Maarti Ahtisaari. Plani i Ahtisaarit u hartua me qëllim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, në mënyrë që të eliminohen këto paqartësi të dala që nga Konferenca e Rambouillet-së dhe dykuptueshmëritë politike të krijuara përgjatë tutelës së administratës së KB. Megjithatë edhe ky plan lë shumë për të dëshiruar, duke krijuar precendent të rrezikshëm dhe të dykuptimtë sidomos në sferën e të drejtave për minoritetet. Mbi bazën e këtij plani, më 17 shkurt 2008, u shpall edhe pavarësia e Republikës së Kosovës e cila u njoh nga pak më shumë se 100 Shtete. Në këto rrethana Shteti serb i bëri padi shpalljes së Pavarsisë së Kosovës apo thënë shkurt Shtetit të Kosovës pranë GjND-së. Padia e tillë vlen madje si një njohje de facto e Shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. GjND-ja morri vendim që shpallja e Pavarsisë së Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kjo mund edhe të konsiderohet si fitore e radhës e Kosovës. Mbi këtë bazë do të duhej të vazhdohej me përforcimin e brendshëm të Shtetit të Kosovës për të treguar qasje konstruktive në mënyrë që të mos lihet hapësirë për pretendime sidomos teritoriale nga ana e Serbisë e cila konsideronte shtetin e Kosovës jo funksional. Përkundër këtij momentumi të favorshëm, partitë politike shqiptare të Kosovës të ndikuara nga krimi e korrupsioni nuk treguakanë maturi dhe u komprometukanë në vazhdimësi edhe nga shërbimet e huaja. Numri i njohjeve dhe antarësimi në organizatat ndërkombëtare po bëhej sa më i vështirë për shkak të qëndrimit, punës së parreshtur, dhe lobimit nga ana e Shtetit serb qoftë duke e luftuar Kosovën nga brenda me qarqet e saj të shërbimit si dhe nga jashtë me lobimin e saj agresiv sidomos i mbështatur nga Kremlini. Thënë shkurt, Serbia ka pritur momemtumin e saj më të favorshëm për të përfituar sa më shumë duke e mbajtur çështjen e Kosovës si të hapurë. Kjo sitautë vazhdoi deri në bisedimet e ashtuquajtura teknike mes Kosovës dhe Serbisë këtë herë nën mbikqyrje të BE-së, duke e patur parasysh se një mision i BE-së Eulex ishte instaluar pas atij të kombeve të bashkuara dhe pas shpalljes së Pavarësisë. Ky mision kishte për qëllim krijimin e shtyllave për një Shtet të së drejtës, për të luftuar korrupsionin dhe ngritur efikasitetin e funksionimit të mekanizmave shtetrorë të Kosovës sipas kritereve të parashtruara nga BE-ja. Me instalimin e BE-së në Kosovë, Kosovës iu imponuan bisedimet të quajtura fillimisht teknike me Serbinë anipse kjo e fundit nuk donte t’ia dinte për fqinjin e saj të ri. Megjithatë, Kosova nuk ishte domosdo e detyruar t’i pranonte këto bisedime që në këtë formë po vazhdojnë t’i shkaktojnë vetëm regres politik-ekonomik dhe social. Këmbimi teritorial si rezultat i bisedimeve teknike

3. Të gjithë e ndjenin dhe e dinin se bisedimet teknike që filluan në vitin 2011 do të sjellnin ato politike duke e patur parasysh faktin se i gjithë Ballkani perendimor duhej të shikonte kah integrimi në gjirin e BE-së. Dhe meqë mbi këtë plan, ekziston kapitulli i 35 i parashtruar si kriter nga BE-ja për shtetet që metojnë të bëhen anëtare të saj, ateherë Shteti serb do të duhej që të harmonizonte ligjet dhe Kushtetutën e saj siç e kërkon ky kapitull. Këtu vërtetohet thjeshtë se nuk mund asesi të evitohen edhe bisedimet politike midis Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi dhe ideja e institucioneve të BE-së ishin të tilla që duke e afruar Serbinë kah BE-ja, Serbia do të heqte dorë ngadalë nga Kosova dhe do të përfundonte së pranuari realitetin e Shtetit të pavarurë të Kosovës. Nga ky këndvështrim pretendohej se Asteriku i famshëm do të shkrihej si “fluskë bore”. Mirëpo, ja që kjo nuk po ndodh sipas parashikimeve të tyre dhe pikërisht falë ndikimit, shtytjes apo presionit ruso-serb dhe injorancës së faktorit politik shqipëtar. Bisedimet teknike, që e bën Kosovën me Asterik ( Kosovo*), që ishte gabimi i parë më domethënës politik nga krerët kosovarë edhe pse në dukje teknik, sollën ato politike dhe së fundmi në nivel presidentësh. Kjo u bë në emër të gjetjes së një zgjidhje përfundimtare. Dhe u bë kështu për arsye se sikur presidenti i Serbisë A. Vucic, edhe ai i Kosovës H. Thaqi, duke e patur parasysh mënyrën se si u faktorizuan këta si akterë politik dhe duke ditur natyrisht pretendimet e tyre për pushtet, u bashkërenduan me një administratë të Bashkimit evropian të vënë nën presion qoftë nga ndikimi rus apo ai i Shba-së për një zgjidhje finale midis R. së Kosovës dhe R. së Serbisë dhe përqafuan idenë e këmbimit të territoreve. Arritja e një marrëveshje mbi parimin e këmbimit teritorial natyrisht u siguron këtyre dy udhëhqësve pushtet të mëtutjeshëm dhe eventualisht një ngritje si figura paqeje me potencial të fitimit të ndonjë çmimi ndërkombëtar. Nga zgjidhjet ambivalente tek Efekti domino

4. Që nga periudha e ish-Jugosllavisë e deri tani Kosova u shoqërua fatkeqësisht nga zgjidhje sistematikisht të dykuptimta, duke krijuar situata të reja dhe prapë zgjidhje të reja. Po ashtu, plani i Ahtisaarit që i dha shumë hapësirë, përtej asaj që njeh e drejta ndërkombëtare, minoritetit serb, bëri që Serbia të mos heq dorë nga pretendimet e saj teritoriale duke refuzuar kategorikisht ta njoh Kosovën si Shtet. Më tutje, Serbia bën vazhdimisht lojë politike të dyfishtë, në njëren anë i qëndron besnik Kremlinit i cili po e rrit ndikimin në Ballkanin perëndimor, po e sjell Rusinë në Ballkan, dhe në anën tjetër kërkon integrim në gjirin e BE-së, me një rol sikur ai i Kalit të Trojës dhe me një qasje plotësisht të dëmshme në planin afatgjatë të BE-së për paqe e stabilitet. E gjithë kjo katrahurë zgjidhjesh të paqarta e të paqëndrushme, që nuk sjellin perspektivë të zhvillimit të qëndrushëm dhe afatgjatë, po nxjerr në pah një nevojë për një zgjidhje siç pretendojnë finale midis R. të Serbisë dhe R. të Kosovës.

Dhe tani, meqë veriu i Kosovës gjendet jashtë kontrollit institucional të Kosovës, sepse gjithnjë duke jetuar në refuzim total të çfarëdo që u propozohet nga Shteti i Kosovës, i dominuar nga minoriteti serb që refuzon pothuaj që prej dy dekadash e më së shumti që nga pranimi i planit të Ahtisaarit nga institucionet e Kosovës, del në pah nevoja e ndryshimit të kufijëve, e pranuar teorikisht nga të dy presidentët dhe e mbështetur nga administrata e Trumpit, pastaj le të themi, sa personalisht dhe e shtyrë nga presioni nga përfaqësuesja për Politikë të jashtme e BE-së Federica Mogherini, qëndrim ky i përqafuar po ashtu nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Një ide e tillë siç po e quajnë e këmbimit territorial e që po pretendohet të jetë zgjidhje finale, e qëndrushme dhe afatgjate, nuk mund të konsiderohet e tillë për shumë arsye.

Së pari, ndryshimi i kufijve do të mundësoj hapjen e Kutisë së Pandorës dhe kjo do t’iu sjell përfitime më së shumti Serbisë dhe Rusisë meqë do të gjejnë edhe më shumë mbështetje për politikat e tyre të vazhdueshme hegjemoniste e ekspansioniste. Këto dy shtete do të ngulmojnë, siç pretendojnë, se hapja e Kutisë së Pandorës filloi me bërjen e Kosovës Shtet të pavarur unilateralisht, e jo nga ideja e ri-definimit të kufijve apo e këmbimit të terriotoreve. Kjo nënkupton se çfarëdo dhune apo konflikti që do të shpërthente pas një ri-definimi të kufijëve, Beogradi dhe Moska do të propagonin me idenë se konflikti apo dhuna vjen si rrjedhojë e krijimit të shtetit të Kosovës gjë që sipas tyre nuk do të duhej të bëhej. Ideja për këmbimin e territoreve i shkon në favor vetëm Serbisë dhe Rusisë dhe krijon mundësi potenciale për konflikte të reja të armatosura, zhvendosje të popullatave, kriza të reja, situata të reja dhe nevojë prapë për zgjidhje të reja, duke iu kthyar prapë ciklit të zgjidhjeve të dykuptimta, e të paqarta.

Së dyti, nga kjo ide dhe nga këto bisedime, vet Shteti i Kosovës do të shëndrrohet në një llojë strukture të veçantë ambivalente. Identiteti i një Shteti, shoqërie kosovare apo siç e idealizonte I. Rugova si territor dhe shoqëri me tipare dardane, do të zbehet apo bije plotësisht nga loja ku njerëzit do të mund të quajnë vetën më së paku kosovarë, e më së shumti serbë e shqiparë. Me një qasje të tillë, paqartësitë do të vazhdojnë dhe do të thellohen, sidomos nëse Shqiptarët e Kosovës lejohen të kenë Shtetësinë e Shqipërisë, sepse do të kenë hapësirë të konsiderojnë këtë si një lloj bashkimi kombëtarë. Të njejtën hapësirë do të kenë edhe Serbët. Një gjendje e tillë absolutisht e paqartë për të ardhmen e Shtetit të Kosovës do të interpretohet sipas dëshirës dhe më shumë për qëllime të brendshme politike nga krerët politik aktual si në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Në anën tjetër një bashkim i Kosovës me Shqipërinë siç po e quajnë modern, e nën BE, nuk i sjell asnjë lloj dobie asnjërës anë meqë zhvillimi ekonomik në të dy anët lë shumë për të dëshiruar. Një bashkim klasik do të ishte më interesant mirëpo një ide e tillë nuk do të përkonte me konjukturën politike ndëkombëtare aktuale. Kosova ka nevojë urgjente të imponohet si Shtet i barabartë me shtetet fqinje dhe të përqëndrohet në përforcimin e brendshëm sidomos ekonomik dhe edukativ, tani si një Shtet që kërkon partneritet, duke e mbrojtur idenë e një Shteti me identitet postmodern në Ballkanin perëndimor, dhe si i tillë i barabartë me fqinjët e saj.

Paqja në rrezik - rrjedhojë e zgjidhjeve të dykuptimta? 5. Këto situata të reja, duke u bazuar në përvojën e vonshme dhe historinë politike moderne, thënë qartë, sjellin nevojën për zgjidhje të reja. Një cikël i tillë zgjidhjesh e situatash ka qenë vazhdimisht i dëmshëm dhe nëse vazhdohet në këtë drejtim, dëmi mund edhe të jetë me përmasa rajonale. Këtu do të dëmtohet më së shumti shtetzimi i Kosovës, sidomos kur flitet se edhe Trepça e Ujmani do të jenë tema bisedimesh, që i bie se edhe këtu do të bëhet kompromis. Përforcimi politik e ekonomik i Kosovës do të ketë fare pak hapësirë për tu realizuar sepse do të konsiderohet më shumë si një zonë speciale, si një hapësirë neutrale midis Shqipërisë dhe Serbisë, sesa si një Shtet i mirëfilltë me një identitet të vet qoftë edhe institucional, me të paktën një territor të përkufizuar qartë dhe jo mbi baza etnike, me ekonomi e tregti të bazuar në reciprocitet fqinjësor. Tani sitauta është fare pak shpresëdhënëse, pasi që veçanërisht, që nga mendimi i dhënë nga GjND-ja, Kosova nuk do të duhej të binte pre e qarqeve pro serbe e ruse për tu futur në çfarëdo bisedimi me Shtetin serb, duke i ditur qartë pretendimet e këtij Shteti, e sidomos në një konjukturë politke shumë të paqartë duke u nisur nga fakti se Shteti serb nuk e konsideron Kosovën fare si fqinjë. Kjo i bie, që Serbia nuk e pranon fare ekzistencën e Shtetit të Kosovës. E vështirë të imagjinihet se si është e mundur të bisedohet me dikë që nuk don t’ia dij fare për ekzistencën tuaj.

Paradoskale e oksimorone, një lojë e njohur në politikën serbe, tashmë që prej shumë dekadash, po del të jetë funksionale për Shtetin serb. Rreziku për konflike të reja nga një ide këmbimi territoresh tani është i mundshëm të zgjerohet më tutje, duke filluar brenda Kosovës e duke u zgjeruar në formë dominoje në nivel rajonal e ndërkombëtar. Këtë e kanë të qartë, së pari Gjermania e cila gjatë këtyre viteve të fundit pranoi mbi 1 milion refugjatë nga konflikti në Siri. Edhe shtete tjera perendimore janë kategorisht kundër kësaj ideje jo konstruktive, të dykputimtë si dhe agresive, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Si përfundim, prapë Kosova po instrumentalizohet, këtë herë ndihmuar nga rritja e aftësisë së shërbimit rus për të komprometuar personalitete, organizata e shtete super të fuqishme si dhe nga një injorancë politike në përgjithësi shqipëtare. Në këtë pako futen edhe krerët shqiptarë të cilët të shtyrë po ashtu nga interesat e tyre të ngushta politike po e përqafojnë këtë plan fatkeq jo vetëm për popullin e Kosovës apo atë të Serbisë por dhe më gjerë në rajon. Ekziston vetëm një shpresë e vogël e cila vërehet tek faktori i brendshëm politik kosovar për të krijuar një llojë uniteti të brendshëm politik, për të ndjekur një qasje më shumë institucionale në harmoni me Kushtetutën e Kosovës krahas atyre veprimeve ad hoc politike nga një apo dy personalitete politike. Kjo do të mund të ngadalsonte apo ndalonte planet për këmbim teritoresh deri sa të vije, ndoshta shpejtë, ndonjë momemtum tjetër më i favorshëm i cili varet natyrisht nga gërshetimi i raporteve të fuqive të mëdha, dhe më neutral në nivel të qarqeve të larta udhëheqëse të BE-së. Mirsad Voca Doktor shkence në Marrëdhënie ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat