Liria dhe kepërdorimi i saj - vrasja në emër të lirisë

Opinione

Liria dhe kepërdorimi i saj - vrasja në emër të lirisë

Nga: Dedë Palokaj Më: 15 mars 2019 Në ora: 18:04
Dedë Palokaj

Liria është bërthama i qenies njerëzore, është më e mira vlerë, diçka që nuk ka çmim as që mund të përshkruhet me fjalë. Në kuptimin ontologjik liria është esenca e njeriut, vetia më e rëndësishme e humanitetit dhe shkëlqimit të qenies njerëzore që e dallon atë nga gjitha krijesat tjera në botë. Liria është jetë, jeta është liri. Njeriu pa liri nuk është njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Të jetosh don të thotë të jesh njeri i lirë. Sepse pikërisht liria është ajo që njeriun e bën njeri. Njeriu mund të jetojë, të frymoj, të mbijetojë, por asnjëherë nuk do të arrijë potencialin e tij njerëzor pa lirinë.

Ne kohet e lashta, njerëzit ndaheshin në “njerëz të lirë” dhe në “skllevër”. Njeriu i lirë ishte ai që gezonte të drejtën jo vetëm të jetoj lirshëm jetën e tij, por edhe të blinte e punësonte skllevër. Njeriu skllav ishte njeri që nuk gëzonte asnjë të drejtë tjetër perveç jetës, në këmbim të punës që i caktonte pronari. Skllavi nuk klasifikohej si njeri por si kafshë pune dhe pak rëndësi kishte origjina, etnia, kultura, religjioni apo historia e jetës së tij. Njerëzit skllevër bliheshin, shiteshin e vriteshin si bagëtia nga pronarët e tyre.

Shumë njerëz pa kontekstin e duhur historik, bëjnë gabimin e mbetjes peng vetëm në kontekstin historik të kohës së tyre dhe kujtojnë se të gjithë brezat para nesh kanë pasur po ato të drejta dhe liri që ne i gezojmë sot. Duhet të ndërgjëgjesim me koston e jashtëzakonshme njerëzore, të matur në jetë të humbura njerëzish, që është paguar si çmim për fitimin e lirisë së një vendi. Është shumë e lehtë për këtë brez që të harrojë apo ti nenvleftësojë sakrificat e jashtëzakonshme shekullore që janë bërë për të ardhur në epokën e lirisë dhe demokracisë së sotme. Mu për këtë të flasësh për lirinë do të thotë të prekësh njërën prej bërthamave më themelore të personit njerëzor, diçka që na karakterizon si qenie njerëzore. Ne njerëzit duhet të mësojmë të bëhemi brendësisht të lirë prej lidhjeve të shumta që na paraqiten si absolute dhe që duan të na nënshtrojnë ndaj të cilave nuk arrijmë të themi ‘jo’ të keqes, edhe kur e kuptojmë se nuk na ndihmojnë dhe nuk janë për të mirën tonë të personale dhe dhe shoqërore.

Shtegu drejt lirise nuk është shteg i lehtë për ata që nuk marrin guximin të bëjnë hapat e parë, sepse të gjitha rrugët, sado të gjata e të vështira na dukën fillojnë me hapin e parë. Dhe një hap drejt lirise është një hap drejt vetes. Njohja e realitetit të botës fillon nga njohja e vetvetes. Mosnjohja e vetvetes është pika ku burojnë të gjitha problemet e njeriut, si në jetën familjare, politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore, religjioze etj. Kështu që, para se të fillojë gjurmimin e ekzistencës së gjërë, njeriu duhet të zbuloj se kush është dhe çfarë roli ka në jetën e tij. Sa më shumë të njohim veten aq më shumë bëhëmi të ndërgjegjshëm për vlerat, karakteristikat, dallimet dhe personalitetin e secilit prej nesh. Fillojmë të kuptojmë se çfarë është më e rendesishme për lirinë dhe mirëqenien tonë për të ndërmarrë një shteg ndryshe nga ajo e turmes së pa organizuar.

Fillojmë të hulumtojmë shtegun e jetës sonë. Shpirti fillon të shërohet, sepse liria është ilaç i shpirtit dhe një shpirt i lirë fillon ti shikojë gjërat ndryshe, me pozitivitet dhe me optimizem dhe rrjedhimisht mbushet me mirësi dhe sjellje të njerëzishme. Dhe kur je i mbushur me mirësi dhe ndershmëri nuk mundesh ta cenosh apo ta vrasësh lirinë e tjetrit. Mirësia vepron për të krijuar më shumë liri kurse liria për të krijuar më shumë mirësi dhe njerëzi. As liria as mirësia nuk e cenojnë lirinë e askujt. Mu për këtë liria dhe fisnikëria janë si dy motra të pandashme. Ato nuk mbarojnë kurrë vetëm nëse njeriu me vullnetin e vet të lirë i robëron! Kur njeriu cenon lirinë e vet, ai është armiku më madh i vetvetes. Njeriu mund të jetë i lirë në burg, por edhe i bugosur në liri. Liria nuk është në nivelin e trupit, por është në nivelin e shpirtit sepse njeriu nuk është vetëm një qenie materiale me kërkesa të shumta biologjike si një “makineri biologjike” me nevoja konsumiste por është edhe qenie shpirtërore.

Mu për këtë liria fillon në shpirtin njerëzor. Sikur njeriu të ishte vetëm qenie trupore, apo vetëm një “makineri biologjike” atëherë atij asgjë tjetër s’do ti nevojitet më shumë se sa plotësimi i nevojave biologjike dhe materiale. Për këtë arsye askush nuk duhet askënd ta lejojë të hyjë brenda nesh, përderisa ne nuk pajtohemi t’i hapen portat e lirisë sonë! Lira është aty ku kemi forcë ta mposhtim të keqen, të pa drejtën, shkeljen e ligjit, korrupsionit dhe vrasjen. Sepse e keqja apo e liga e vret lirinë, të mirën dhe ardhmërinë e tij. Liria rritet sipas relaizimit të së mirës, dhe sa më shumë njeriu e tejkalon veten, liria bëhët gjithënjë më e fortë. Lirisë i përket t’i drejtoj instinketet dhe afektet, e jo ato ta drejtojnë lirinë e njeriut. Kjo është sfidë e madhe e kohës sonë. Liria humbet kur sundohet nga e keqja, krimi dhe vrasja.

Sa herë njeriu bën keq dhe korruptohet, është kundër vetes, kundër familjes dhe lirisë së vendit të tij. Në zemër njeriu krijon burgun e vet më të rëndë se nata pa dritë, por edhe shansen për dalje nga errësira e zezë për në lirinë e paskajshme. Njeriu është qenie i ndarë dhe i përçarë në vetvete. Këtë dramë të ndarjes askund nuk e përjeton më shumë se në shpirtin dhe në zemrën e vet.

Njerëzit nuk janë të lirë kur sundohen nga idet e sëmuara, nga hedonizmi sipas trekëndëshit: konsum, kënaqësi dhe argëtim. Jeta hedoniste i kthen njerëzit në objekte për t’i kënaqur dëshirat gërryese. Sepse fryti del siç është rrënja.

Liria është ajo që ne jetojmë, e jo ajo që na ngarkojnë të tjerët. Liria nuk është liri pa dinjitet dhe pa pavarësi. Indiferenca ndaj së mirës dhe së keqes vjen nga kufizimi i lirisë. Dhe, kjo tregon se deri ku mund të veproj dikush sipas lirisë së tij. Fuqia e lirisë i jepet njeriut qysh në zanafillë, sapo të shfaqet në këtë botë. Liria është perspektiva e së ardhmës njerëzore.

Liria është e rrezikshme nëse keqëpërdoret, nëse nuk ka përgjegjësi, sepse ajo nuk është të bësh çfarë të duash, por të bësh atë që është e drejtë, e moralshme dhe e dobishme. Liria asësi nuk mund të krijohet pa moral. Ku do na çoj politika pa liri të vërtetë, porno kultura e sotme, liria pa moral? Edhe parandoritë e mëdha kanë rënë përtokë për shkak të mënyrës së jetës së pamoralshme. Ndërsa sot në emër të lirisë përligjet gjithçka në dëm të njeriut.

Dhe kjo është koha kur liria e rrejshme e çmonton moralin, e humb vlerën e vet si përmasë e dobishme për njeriun. Një shoqëri nuk mund të ekzistoj duke u ushqyer me porno kulturë: “Trupi im, zgjedhja ime”, me lakuriqësi ku femra ekspozohet dhe shikohet si një objekt për shfrytëzim seksual, me familje jashtmartesore, me njerëz të korruptuar, me pedofili, me narkomani, alkoolista, me një fjalë nuk mund të qëndroj shoqëria në kalbësirat e imoralitetit.

Shikur historikisht popujt që e kanë ‘vra’ lirinë e vet, siç po ndodh sot nuk ekzistojnë më. Duhet të kuptojmë qartë se nuk do arrijmë kurrë tek liria dhe demokracia e vërtetë as nuk do kapërcejmë pragun e errësirës për të triumfuar virtyti njerëzor. Të jesh i mposhtur nga ana e vetvetes është gjëja më e turpshme dhe më e mjerueshme. Nëse nuk e kuptojmë këtë, atëherë nuk kemi nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara e errët e historisë njerëzore.

Të dënojmë fuqimisht masakrën në Zelandën e Re që tmerroj gjithë botën. Vetëm mirësia dhe dashuria mund ti shkaktojë disfatë të keqes dhe terrorizmit që është bërë problem gjithëbotëror. Dashuria fiton mbi gjithçka. Të besojmë në Dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat