Shqiptarëve ua vodhën edhe protestën - Bota Sot
Shqiptarëve ua vodhën edhe protestën

Opinione

Shqiptarëve ua vodhën edhe protestën

Nga: Kimete Berisha Më: 16 mars 2019 Në ora: 13:41
Kimete Berisha

Në Kosovë, Ramush Haradinaj e bëri për vete 'falas' manjakun e përbetuar të protestave Albin Kurtin, i cili po sillet më urtë dhe më butë me pushtetin kriminal të Rambos sesa vetë 'nuset' e Rambos, duke bërë kështu që Kosova të ngrijë emocionalisht. 
Apati e paduruar, pabesi dhe pafuqi, pavullnet dhe pashpresë, nuk beson më kush se ka shans të bëhet mirë.

Çfarë protestash? Çfarë hamami? Një popull që nuk e mbushi mend lufta, si mund t'i ndihmojë protesta.

Në Shqipëri ndodh fenomeni tjetër: pasi e vodhën popullin, e vodhën rrugën e Kombit, vodhën e zaptuan çka ju doli përpara, u bënë milionerë që jetojnë në luks të shfrenuar, pasi i çuan fëmijët e tyre m'i shkollu nëpër Evropë, në fund, fukarenjëve e budalenjëve shqiptarë, pasi i rrjepën mirë e s'u lanë gjë krye shpirti, ua vodhën edhe protestën.

A ka shëmti më të madhe sesa kur i sheh sot shqiptarët që shkojnë në protestë pas bythëve të mëdha të politikanëve milionerë shqiptarë që i prijnë protestës kundër 'varfërisë'.

Ku sheh ti në botë që protestojnë kundër hajnisë, hajnat e tregtarët, përveç për uljen e taksave për bizneset e tyre por jo për arsye politike dhe për drejtësi. 
Qysh lyp drejtësi 'për vete' vrasësi? 
Qysh lyp burg për vete hajni! 
Ku ndodh tjetër ky absurditet!

Kjo që ndodh sot në Shqipëri, ku ata që e rrjepën Shqipërinë protestojnë nën tingujt për Skënderbeun, është e kërditshme dhe patetike.

Thuajse po protestojet kundër osmanlive. Se, Skënderbeu nuk e ka çliru Shqipërinë nga shqiptarët. 
Skënderbeu nuk bën të përdoret si 'armë' kundër shqiptarëve.

Ilir beteri e keqpërdori keq emrin e Skënderbeut edhe atëherë kur e dekoroi një 'politikan' sekser nga Kosova me emrin e Skënderbeut. 
As vdekja nuk e ka 'vra'
më shumë Skënderbeun sesa Ilir Meta.

(Bëni edhe do kukulla prej mëndafshi me figurën e Skënderbeut e fleni me to, më zi s'bëni).

Protesta vazhdon nën tingujt sporadik të këngës së Muharrem Qenës 'Vendi im', që flet për mallëngjimin që ndjen për atdheun një djalë i mërguar nga Kosova, e nuk bëhet këtu fjalë për mallin partiak të askujt.

'Vendi im' mund të këndohet nga gruaja e Lulzim
Bashës dhe fëmijëve të Monikës (e ata hajnat e tjerë) që e kanë lënë Shqipërinë veç pse s'është aq e bukur sa Holanda e Anglia e jo protestuesit, sepse protestuesit nuk janë emigrantë që ndjejnë mallëngjim për lisa që i kanë në oborr t'shpisë. 
Unë s'besoj se ka shqiptar që vuan për lisa të gjatë, mjafton një lis i përmasave normale për të ta heq mallin e lisit.

Monika e nisi protestën me pelerinë drakulla fashion, e unë po pres ta shoh Grida Dumën, të cilës as era nuk ia lëkund brushat e frizurës, po thonë se kjo është ajo që e fryen edhe erën...ama ende nuk ka fakte.

Sikur të protestonim ne nga Kosova do të dëgjohej kënga e kushtrimit 'edhe pa ty po bojka' ose eventualisht i kishim thënë Kadri Veselit 'mjeshtër i mashtrimit'. Protestat tona janë këngë e shëmtuar folklorike.

I vetmi kuriozitet i protestës është fakti se Lulzim Bashës nuk po ia lë shenjë koha, sikur kjo figurë s'ka moshë.

E pashë sot Edi Ramën në Berat, këndoi badihava, është plakur para kohës.

Kjo tregon se Edi Rama e ka përnjëmend anipse paraqitet kinse nuk ia ndin, kurse Lulzim Basha nuk e merr me zemër, anipse duket sikur do t'i plas zemra prej mërzisë për Shqipërinë.

Cili është më i mençur?
Ai që nuk plaket para kohës.

Çka të duhet të jesh 'i mirë' dhe i plakur para kohës.

Qenka edhe një kuriozitet tjetër: Djali i Azem Hajdarit ka marrë kry' në protestë, anipse vajza e Azem Hajdarit u përjashtua nga Partia Demokratike, pse zgjodhi mos me dëgju 'babën'.

Këtu pajtohem me ata që e përjashtuan nga partia Rudinën, sepse kur do të bëhesh 'e madhe' duhet të bëhesh vetë, e jo duke tradhtuar, mashtruar, duke u ndarë nga partia, ekipi, kolektivi, etj.

Por ama, s'ka gjest më të ultë për një vëllla shqiptar sesa kur nuk idhnohet nga Partia Demokratike pse motrën ia kanë përzënë nga Partia Demokratike.

Kurse në Shqipëri thonë m'ia sha motrën dikujt ta lë thikën në qafë.

Veç Isa Mustafa e ka pas përzënë në mënyrë kaq të ultë nga LDK vajzën e Jusuf Gërvallës.

P.S. Sot në Kosovë moti me diell, të gjithë jemi shpërndarë nëpër kafene, male, fusha e butiqe, bashkohemi në mbrëmje në shtëpi, për ta dëgjuar Danin që i këndon 'pëllumbeshave'.

Te ne ndodh që këngëtarët pleqë u këndojnë 'pëllumbeshave' me ëmbëlsi, kurse këngëtarët e rinj i shajnë 'pëllumbeshat' me fjalët më të rënda. 
E fjalia më 'e paparë' që e ka njohur historia botërore e muzikë deri sot është kjo: 'ki me lyp ti me hyp n'kit porshe...'. demek, dashuria është 'kerr' që 'i hyp'...!

Shyqyr që evropianët nuk tregojnë drejtë çka mendojnë për neve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...