Llogoret kanunore të instinkteve maskiliste… - Bota Sot
Llogoret kanunore të instinkteve maskiliste…

Opinione

Llogoret kanunore të instinkteve maskiliste…

Nga: Diadema Stil Më: 20 mars 2019 Në ora: 13:23
Ilustrim

Përditë opinioni shqiptar tronditet nga dhunimet e skajshme të femrës, dhunë fizike e psikike pa limit, deri dhe vrasje pa asnjë alibi, pjesë e një mentalitetit maskilist të skajshëm kanunor. Viktima për fat të keq, nuk kanë qenë vetëm gratë e vajzat e zonave rurale, me arsim të kufizuar, por dhe femrave të qendrave urbane, me shkollim e formim intelektual, me pozicione të favorshme punësimi siç ishte rasti i vrajses nga ish bashkëshorti i divorcuar i gjyqtares Fildes Hafisi etj. Bëhen emisione telvizive, flasin analistë, opinionistë, psikologë, specialist të antikrimit, vënë pikat mbi “i”, por fatkeqësisht,ende pa u tharë boja e gazetave dhe titrat e lajmeve, gjithçka nis nga fillimi, ndodhin dhunime të reja e vrasje të tjera, që nuk kanë të sosur.

Jo thjeshtë për shkak të faktit se Shqipëria trashëgon një shoqëri maskimaliste dhe konservatore, ku burri është, siç thotë populli, "vetë zot e vetë shkop", por dhe për shkak të defekteve serioze të ligjeve, dhuna ndaj femrës po merr gjithnjë e më shumë përmasa të frikshme në vendin tonë. Është një dimension i egër dhe klithës, një përmasë kriminale me pasoja të rënda, që duhet parandaluar me çdo kusht, me të gjitha mënyrat. Në Shqipëri, këto kohët e fundit kanë shënuar një tendencë në rritje të dhunës ndaj grave, duke përfshirë rrahjet e rënda, keqtrajtimet, përdhunimet, vrasjet e masakrimet, deri dhe krime për gjakmarrje në kundërshtim me vetë Kanunin dhe moralin juridik të shqiptarëve, të cilët e përjashtojnë vrasjen për gjakmarrje të femrës. Këto kohë vakumi, krimi në familje dhe sidomos krimi ndaj femrës ka marrë përmasa kërcënuese. Vetëm gjatë këtij tremujori dhuna ndaj femrave shënon 786 raste të denoncuara dhe është pothuajse i pamundur reduktimi i këtij fenomeni, i cili po merr përmasa shqetësuese, për të mos thënë alarmante.

 Dhuna ndaj vajzave e grave evidentohet në shumë forma, që nga mjediset shtëpiake në ambientet e punës, që nga joshjet dhe ngacmimet seksuale, deri tek përdhunimi, që nga presionet psikologjike deri tek dhuna fizike shtazarake dhe vrasjet.

Nuk ka natë që të mos ndjekim nga ekrani apo të mos lexojmë në titujt e gazetave raste dhune ndaj femrës. Nuk janë aspekte sporadike, por pjesë e një mendësie që e shikon femrën si një mall dhe duke e trajtuar si të tillë shkakton një agresion patologjik, një dhunë frenetike ndaj saj. Është një botë e çmendur nga deliri maksimalist, ku herë nga varfëria, herë nga xhelozia, herë ngaqë meshkujt janë të sëmurë nga deliri i sundimit absolut. Me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal dhuna në familje dënohet nga 1 deri në 5 vjet heqje lirie. Ndryshimet u miratuan pas rritjes së numrit të rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve e grave, të cilat nuk denoncoheshin, por mbeteshin brenda mureve të shtëpisë. Gjithsesi, ndryshimet nuk kanë sjellë një reduktim të dhunës në shoqëri, përveç faktit se kanë sjellë një lirshmëri në denoncimin e saj. Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera sociale. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Davita Deda Syziu, e datëlindjes 24 mars 1963, e divorcuar me vendim gjykate 973 i formës prerë, datë 4 mars 2004, me tre fëmijë, që gjykata ia ka lënë asaj në ngarkim, vazhdon të kërcënohet nga ish bashkëshorti, që nuk e pranon faktin juridik të divorcimit. Davita ka shtatë vjet në Francë dhe as në këtë shtet kampion të lirive dhe të drejtave njerëzore, nuk e kuptojnë se kthimi i saj Shqipëri do të ishte një fatalitet për të. Pra, i thonë shko në vendin tënd se të nuk të ndodh asgjë, por merr urdhër mbrojtje. Po a nuk kishte urdhër mbrojtje Fildes Hafisi, që, për më tepër, ishte e mbrojtur nën hijen që i jepte toga e zezë e gjykatëses, por as urdhëri i mbrojtjes dhe as pozicioni që kishte në gjyqësorin shqiptar, nuk e mbrojtjën dot nga dhuna ekstreme e ish bashkëshortit, që sollën si pasojë humbjen e jetës. A nuk kishin urdhër mbrojtje dhjetëra e qindra të ekzekutuarat në mënyrën më barbare nga bashkëshortët fanatikë, që i trajojnë femrat e tyre si një mall?! Dy djemtë e Davitës, që jetojnë në Francë, njëri pa letra e tjetri me nacionalitet francez, ndihen të traumatizuar për fatin e nënës së tyre, pasi një rikthim në atdhe, për më tepër në venlindjen e saj, ku delirit të shfrenuar maskilist i shtohet dhe veprimi i Kanunit, do të ishte një vdekje e paralajëmruar për Davita Deda Syziu.Ketu po vriten perdite gra, bile

Dhuna ndaj gruas, nënës, vajzës, bashkëshortes, koleges në zyrë, duke i krijuar femrës një ambient mbytës, sidomos në zonat rurale është një realitet klithës.

Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh".

Femra shqiptare nuk ka jo vetëm mbrojtjen e duhur ligjore por as morale të shoqërisë, pasi në shumë raste, edhe kur ndaj femrës kryhen akte të rënda keqtrajtimi e përdhunimi, shoqëria jo vetëm nuk reagon fuqishëm ndaj kriminelëve, siç ndodh në gjithë botën demokratike të zhvilluar, por në një mënyrë a një tjetër rreket t'ia hedh fajin gruas, pra viktimës.

Femra përbën gjysmën e popullsisë së këtij vendi dhe është një forcë e madhe aktive në ekonomi, kulturë, art, shkencë, politikë, në biznes dhe në ekonominë e tregut të lirë, në administratë dhe kudo ku krijohen vlera, sidomos është një vlerë e pazëvendësueshme në familjet shqiptare, si nënë, si motër, si bashkëshorte, që mban në këmbë familjen dhe stabilitetin e jetës sociale të shqiptarëve.

Prandaj mbrojtja e saj legjitime, morale e juridike, njerëzore e ligjore, sigurisht, është detyrë e gjithë shoqërisë, në radhë të parë e politikës që prodhon qeverisje dhe vë në lëvizje lokomotivat e reformave të gjithanshme, ku femra shqiptare duhet të ndihet e përfshirë dhe plotësisht e mbrojtur, plotësisht e vlerësuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...