Heronjtë e anti-heronjtë e Kosovës: 23 mars 1989 – 23 mars 2019

Opinione

Heronjtë e anti-heronjtë e Kosovës: 23 mars 1989 – 23 mars 2019

Nga: Muhamet Hamiti Më: 23 mars 2019 Në ora: 22:36
Muhamet Hamiti, foto: Besnik Hamiti

Kosova e humbi autonominë e nivelit federal më 28 mars 1989, kur Serbia e Millosheviqit miratoi Kushtetutën e vet me të cilën nënshtronte Kosovën si krahinë të veten, mbas një fushate disavjeçare të Lidhjes Komuniste të Serbisë për të ndërruar balancet pushtetore në Jugosllavinë Federale, njësi e së cilës Kosova ishte nga viti 1974, si paralojë për Jugosllavinë e dominuar nga Serbia apo për Serbinë e Madhe.

Në festimet e 28 marsit të 1989-shit në Beograd kishin marrë pjesë edhe ambasadorë të vendeve perëndimore. Njësitë e tjera federale por edhe bota bënte sehir teksa degradohej pozita kushtetuese e Kosovës dhe e shqiptarëve.

Njëzet e sa shqiptarë që demonstronin kundër këtyre ndryshimeve qenë vrarë atë ditë në Kosovë.

Pesë ditë më herët, sot 30 vjet, më 23 mars 1989, në rrethana presioni të hatashëm, Kuvendi i Kosovës dha pëlqimin e vet për ndërrim të Kushtetutës. Votimi ka ndodhur në situatë gjendjeje të jashtëzakonshme të kufizimeve të lirive qyetare. Kuvendi qe rrethuar me forca të mëdha policore, pajisur edhe me autoblinda, për të frikësuar delegatët në sallë e popullin jashtë saj.

Është thënë se nuk ka pasur dy të tretat e votave në favor të ndryshimeve kushtetuese. Në të vërtetë rregullshmëria e votimit nuk është dëshmuar tamam asnjëherë. Përmenden shpesh 10 a 11 anëtarët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, ndonjëri syresh figura politike shqiptare në vitet e nëntëdhjeta e mbas luftës së Kosovës, që kishin votuar kundër atëherë. Kishin dëshmuar guxim politik e qytetar në një situatë të jashtëzakonshme. Janë këta (Melihate Tërmkolli, Ukë Bytyçi, Riza Lluka, e të tjerë) heronjtë e një beteje të humbur, por të një lufte të fituar në fund.

Askush nuk përmend antiheronjtë e asaj dite, të 23 marsit të vitit 1989, heronjtë e turpit. E kam fjalën për delegatët shqiptarë të asaj përbërjeje të Kuvendit vota e të cilëve ishte ‘për’ për sa kohë që kishin votuar ‘për’ apo nuk kishin votuar ‘kundër’ në sallën ku kishte edhe shumë pjesëmarrës të tjerë, që s’ishin fare delegatë (deputetë). Kuvendi i Kosovës ka pasur 190 anëtarë. Nja 70% e anëtarëve të Kuvendit kanë qenë shqiptarë. Argumenti i Beogradit ka qenë se vetë Kuvendi i Kosovës kishte dhënë pëlqimin për ndryshimet kushtetuese, të cilat populli shqiptar i kundërshtonte me forcë.

E vërteta është se pothuaj i gjithë establishmenti politik shqiptar i Kosovës, në Komitetin Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, në Kryesinë e Kosovës, në Lidhjen Socialiste, ishin pajtuar paraprakisht për ndryshimet kushtetuese. “Ne [Kosova] s’humbim asgjë” ka qenë refreni i tyre, të cilin emisarë të sistemit komunist e përçonin në çdo pore të jetës institucionale e shoqërore.

Intelektualët shqiptarë kishin bërë apelin (i njohur si “Apeli i 215 intelektualëve shqiptarë”) një muaj më herët, më 21 shkurt 1989, me të cilin kundërshtonin ndryshimet e paralajmëruara të kushtetutës në dëm të Kosovës e të shqiptarëve.

Pranvera e vitit 1989 shënonte rënien e klasës politike shqiptare të Kosovës komuniste dhe nisjen e rezistencës së hapur të popullit, të studentëve, të klasës punëtore (minatorëve) dhe të inteligjencës shqiptare kundër sundimti të Serbisë në Kosovë.

Kur firoi klasa politike shqiptare komuniste dhe Kosova mbeti pa udhëheqje, intelektualët, në natyrën e gjërave pa pushtet, u bënë pushteti moral i popullit të vet.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, foli hapur për ‘serbët që po ktheheshin për t’u hakmarrë’, në intervistën për revistën politike gjermane “Der Spiegel” të datës 26 qershor 1989, në vigjilie të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës që Millosheviqi dhe klika e tij e kthyen në kushtrim për luftëra të reja për pozitë dominatore të Serbisë. E proskribuan Rugovën komunistët serbë e jugosllavë, por edhe sistemi komunist në Kosovë. E kërcënuan me burg e me jetë.

Prandaj, në fund të atij viti, më 23 dhjetor 1989, kur u formua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e parë anti-komuniste shqiptare mbas Luftës së Dytë Botërore, Ibrahim Rugova doli paevitueshëm udhëheqës i saj, ndonëse nuk shtyhej për këtë post. Populli i Kosovës gjeti prijësin që u bë zë autentik i kërkesave të tij për liri, demokraci e pavarësi në dekadën e fundit të shekullit XX.

Me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e Rugovën mbizotërues në skenën e re politike, në frymën e re demokratike e shqiptare që kishte kapluar vendin, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës votuan më 2 korrik 1990 Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Kosova ndërtoi shtetin e vet, Republikën e Kosovës, që siguroi mbijetesën e popullit dhe luftoi me mjete politike e diplomatike, në fund edhe me armë, për të siguruar mbështjen e botës demokratike për popullin dhe vendin. Kjo erdhi më 24 mars 1999, kur NATO-ja, aleanca më e madhe ushtarako-politike në historinë e njerëzimit, nisi fushatën 78-ditëshe të bombardimeve kundër caqeve serbe në Kosovë e Serbi. Më 12 qershor 1999 Kosova fitoi lirinë, mbas sakrificash të mëdha.

Sot, 30 vjet mbas, Kosova është shtet i pavarur e sovran, falë luftës së pashembullt të shqiptarëve, por edhe mbështetjes së paepur perëndimore për popullin e Kosovës.

Mirëpo, korrupsioni moral e material i klasës aktuale pushtetore të Kosovës po i shtyn sot njerëzit e Kosovës, ata dhe bijtë e bijat e atyre që kanë qëndruar e luftuar për Kosovën, të kërkojnë shpëtim jashtë atdheut të tyre. Kosova është tash në rrezik prej kësaj klase kampionësh të korrupsionit moral e material.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat