Me fillimin e bombardimeve të NATO-s vendosej fati i kombit tonë

Opinione

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s vendosej fati i kombit tonë

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 25 mars 2019 Në ora: 07:05
Presidenti amerikan Bill Clinton

Në orën 20.00 të datës 24 mars të vitit 1999, presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, doli në ekran. Më të tronditur ishim ne që e ndiqnim sesa ai që do të shpallte fillimin e një lufte, fundi i së cilës nuk dihej. Të gjithë shpresonin se ai do të jepte lajmin për nisjen e bombardimeve, zemra më rrihte fuqishëm, m’u duk se do të më dilte nga gjoksi. As ata që më rrinin pranë, nuk qetësoheshin, lëviznin me karrige, luhateshin apo shtrëngonin grushtet. Dikush qau. 

Klintoni që në fjalët e para kumtoi se pas përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të konfliktit, në konsultim me aleatët, u vendos fillimi i bombardimeve derisa të gjunjëzohej shteti mujshar. Ai vazhdoi të fliste për shpëtimin e shqiptarëve nga gjenocidi, për aksionet humanitare, për fundin e krimeve serbe, ndërsa njerëzit përqafoheshin në mes vete. Derisa të gjithë u ngritën në këmbë me eufori, pa dashje më shkoi nëpër mend: Athua si do t’i bëhej halli popullatës brenda rrethojave të hekurta! Si do t’ia bënin serbët pas bombardimeve? Do të nisnin gjuetinë e shtrigave, apo do të hapnin kufijtë e do të dëbonin popullatën? Televizionet jepnin pamje satelitore të caqeve serbe që bombardoheshin, ndërsa ne i ndiqnim si të qemë tifozë futbolli, por të një ngjarjeje më dramatike, sepse kësaj radhe nuk vendosej fati i një ndeshjeje, por vendosej fati i një kombi.

Disa u përpoqën të marrin me telefon njerëzit e tyre, atje ku shpërthenin bombat. Lidhjet e ngarkuara vetëm sa ushtonin, po bëhej shurdhëri e frikshme. Për herë të parë nisi të binte euforia e gëzimit për bombardimet.

Gjithë natën e kaluam në kërkim të lajmeve të reja. Televizionet sikur e përsërisnin veten e njëra-tjetrën me pamjet e njëjta dhe me raportet e ngjashme. Na mbyste padurimi. Kërkonim diçka që s’ kishte në televizor, kërkonim imazhet e familjeve tona, brenda shtëpive, në dhomat e mbyllura me errësim të detyrueshëm. Na e merrte mendja që rrinin të cucërruar me veshët e mprehur për të kapur jo vetëm shpërthimet e predhave të aeroplanëve, por edhe zhurmat më të vogla rrugëve të qytetit e korridoreve të banesave. Të gjithë shihnim të tronditur nga ajo që po ndodhte, sidomos nga ajo që mund të ndodhte.  Diku nëpër rrugë e rrugica vraponin në errësirë ushtarët serbë në panik nga avionët e NATO-s.

Të nesërm e të pasnesërmen lajmet erdhën ogurzeza. Paramilitarët e policët serbë hynin  nëpër shtëpi e apartamente, i dëbonin banorët shqiptarë, flitej se nisën t’i zbrazin lagje të tëra. Dyert e shqyera e dhomat në rrëmujë, stolitë e vjedhura e fotografitë- kujtime që do të digjeshin në tërbimin e parë.

Të paralizonte në tru pamja e banorëve që e braktisnin vatrën të tmerruar. Disa prej tyre nuk arrinin të dilnin nga banesa. Pamjet e qyteteve e katundeve të lëna shkretë,  me kolonat e gjata të refugjatëve që u ngjiteshin bjeshkëve e rrugëve të përbaltura, nisën ta pushtonin ekranin e televizioneve botërore.

Lajmet e cunguara vinin gjithnjë e më të frikshme, nga burimet e ndryshme. Ndonjë  gazetar që raportonte duke iu ruajtur policisë serbe, lajmëronte se lagje, madje qytete të tëra dukeshin fantazma, ku lëviznin vetëm policët serbë e qentë e uritur. Policët tërboheshin, qentë e mbanin veten. 

Secili nga ne kërkonte familjen e vet në ndonjë imazh të filmuar, në kolonat e refugjatëve. Tre fëmijët dhe gruan i kisha në Shkup, ndërsa pjesa tjetër e familjes në Prishtinë e Pejë. Në fillim erdhën lajmet për dëbimet nga Prishtina, nisi me lagjen periferike Sofalia, ku e kisha shtëpinë. Dy vëllezërit me familje u nisën maleve të Gërmisë së bashku me banorët e tjerë të lagjes. Bombardimet e krismat e pushkëve nuk u dhanë mundësi të merrnin rrobat e duhura. Trupat serbe nisën bombardimet në lagje me artileri, kurse kolonët serbë i ndihmuan me pushkë e mitraloza. Lagjja u zbraz për kohë të shkurtër.

Një korrespondent lajmëronte se para se të zbrazej lagjja Sofali, shpërthimet e artilerisë serbe e drodhën periferinë, përderisa banorët ua mbathin kodrave. Ai raportonte për serbët lokalë të lagjes, që ndihmuan ushtrinë. Askush nuk dinte më shumë për fatin e banorëve. Pati disa versione. Disa thanë se shkuan drejt Mramorit, një katund rreth 20 kilometra nga Prishtina në Malësinë e Gollakut, të tjerët thoshin se së bashku me banorët e tri lagjeve të tjera të kryeqytetit u nisën drejt Stacionit të Trenit

 Një raport që na erdhi në redaksi tregonte për disa të vrarë, shpresoja të mos ishte asnjëri nga të familje sime, secili shpresonte për familjen e vet. Pastaj nisi zbrazja e lagjes Taslixhe dhe e lagjeve të tjera të kryeqytetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat