Treva e Rugovës nuk e ka plotësuar asnjë kriter për shpalljen e saj “park kombëtar”..!?

Opinione

Treva e Rugovës nuk e ka plotësuar asnjë kriter për shpalljen e saj “park kombëtar”..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 31 mars 2019 Në ora: 15:33
Rexhep Elezaj

Kur njeriu i lexon definicionet dhe kriteret mbi të cilat gati të gjitha vendet e botës kanë shpallë pjesë të bukura të natyrës parqe nacionale, dhe, kur ato i krahason me “kriteret” mbi të cilat qeveria e Kosovës në vitin 2013 trevën e Rugovës e ka shpallë “Park kombëtar”, ajo që të ndodhë, është rrënçethja mendore, sesi ka qenë e mundur që një projekt-ligj të tillë ta nxjerr Ministria për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, dhe të njëjtin, me çfarë injorance politike dhe intelektuale deputetet e Kuvendit asokohe kanë pranuar ta miratojnë një ligj të tillë, i cili fund e krye ka qenë antikushtetues, madje edhe antipopullor..!?

Më poshtë e keni definicionin mbi rolin dhe kriteret mbi të cilat një pjesë e natyrës mund të shpallet zonë e mbrojtur, apo siç quhet kudo në botë, Park nacional, për ta kuptuar qartë se a ka mundur dhe a i ka plotësuar treva e Rugovës kriteret ndërkombëtare që të shpallej park nacional:

“Parku nacional (kombëtar) është një hapësirë e mbrojtur me bukuri të veçanta si dhe mbrojtës i natyrës në të cilin jetojnë bimët dhe kafshët, ku ndikimi i njerëzve është i kufizuar. Kjo zonë veçohet për nga bota unike e bimëve dhe e kafshëve me një natyrshmëri gjeografike të rrallë. Është një shpërndarje, kryesisht e pandryshuar e tokës ose e detit me vlera të mëdha dhe të shumëfishta natyrore, që përfshinë një ose më shumë përmbajtje ekologjike, shumë pak të ndryshueshme, që para së gjithash, i dedikohet ruajtjes së vlerave burimore të natyrës. Parku kombëtar është një vend me vlera të jashtëzakonshme natyrore, ku fenomenet natyrore (flora dhe fauna) janë të shumëfishta. Duke marrë parasysh sipërfaqen e parqeve nacionale, kriteret ndërkombëtare (Akti themelor i Organizatës Ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës (IUCN) si dhe të Komisionit të saj ndërkombëtar për zonat e mbrojtura) si minimum rekomandojnë që zona e parkut të jetë 20.000 ha, nga i cili 10.000 ha, duhet të jenë plotësisht të mbrojtura. Në definicionet ndërkombëtare dhe vendore për parqet nacionale, në rend të parë radhitet funksioni dhe roli i tyre arsimor, kulturor-historik, në kuptimin më të gjerë si funksion dhe rol edukativ. Në aspektin arsimor ato janë hapësira (zona) ideale për studimin e ligjeve të natyrës, të procesit dhe raporteve midis tyre, ndaj të cilave njeriu nuk mund të ketë ndikim. Në këto hapësira përjashtohet çdo aktivitet i cili mund t’i dëmton dhe degradon vetitë burimore të natyrës së gjallë dhe jo të gjallë (gurinat, ekonominë ujore, potencialet energjetike, gjuetia, peshkataria, eksploatimi i pyjeve, etj.). Në hapësirat e parqeve nacionale lejohet vetëm bujqësia e lehtë tradicionale si dhe veprimtaria e ndonjë kreativiteti turistik”. (!?)

Shtrohet pyetja; a ka dikush nga “ekspertet” tanë që mund të argumenton të kundërtën e këtij definicioni, duke na sjellë kundër fakte valide që dëshmojnë se treva e Rugovës i ka plotësuar, së paku dy kritere të cekura më lartë, që të shpallej park kombëtar!? Kur, vetëm në aspektin urbanistik-natyror ajo është një trevë e banuar me shekuj nga 14 fshatra, ku mbi 60% e tokave të saj janë pronë private e mijërave banorëve autokton Rugovas, të cilët denbabaden kanë jetuar dhe gjallëruar nga begatitë natyrore të saj, siç është blegtoria, si një zonë malore me plotë fusha, livadhe, kullosa dhe pyje ku i kanë mbajtur dhe rritur me mijëra krenë deleshësh, lopësh, kuajsh dhe shpezëve shtëpiake!?

Cenimi i të drejtave themelore për jetë dhe pronë private që iu është bërë banorëve të trevës së Rugovës me ligjin, Nr. 04/L – 086, 13 dhjetor 2012, si dhe ndalimi i shfrytëzimit të takova të tyre private, pyjeve dhe kullosave, sipas të cilit ligj çdo pëllëmbë e pronave të tyre është vënë nën menaxhimin e drejtpërdrejt të qeverisë qendrore në Prishtinë, nuk ka asnjë dyshim, se është bërë shkelje drastike e Kushtetutës së Kosovës si dhe e të gjitha akteve normative mbi mbrojtjen e të drejtave elementare të qytetarëve për jetë të lirë dhe të sigurt, ku banorët nuk mund ta ndërtojnë, madje as një kasollë bagëtish pa lejen paraprake të ministrisë dhe departamenteve gjegjëse në Prishtinë!? Që thënë më së buti, ky është diskriminim i kulluar njerëzor, qytetar, racizëm i llojit regjional, ngase uzurpim i pronës private është krim kundër të drejtave të njeriut për të poseduar pronën e tij private, e cila kudo në botë mbrohet nga shteti e jo siç ndodhë me trevën e Rugovës, ku shteti e konfiskon me ligj pronën private të qytetarëve të vetë..!?

Prandaj shumë banorë të trevës së Rugovës me të cilët kam biseduar ditëve të fundit, kanë deklaruar në mënyrë të prerë, se edhe me jetë do t’i mbrojmë pronat e veta shekullore, qoftë ato private, qoftë ato shoqërore të cilat kanë qenë të punuara dhe shfrytëzuara bashkërisht nga gjithë banorët e secilit fshat veç e veç. Me një fjalë, shumica dërmuese e banorëve Rugovas janë unik në vendimin, se kurrë nuk do ta pranojnë ligjin dhe masat që ua cenojnë të drejtat mbi jetën dhe pronat private, qoftë duke e kundërshtuar atë përmes protestave, qoftë duke e dërguar këtë ligj diskriminues në Gjykatën ndërkombëtare në Bruksel. Sepse, siç thonë ata, në asnjë vend demokratik të Evropës pa pëlqimin e banorëve nuk mund të ndërtohet madje as një rrugë apo ndonjë urë e vogël në fshat e cila ua dëmton pronën private, përveç se përmes referendumit, si mjeti më demokratik i qytetarit të lirë, interesat e të cilit i mbron shteti, e jo t’ia cenojë ato, siç po ndodhë qe 7 vite me pronat e banorëve të trevës së Rugovës, të cilëve me shpalljen e saj park kombëtar iu janë shkelë të drejtat e tyre për jetë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat