Kush po tenton t’i shantazhojë dhe plaçkis banorët e trevës së Rugovës..?!

Opinione

Kush po tenton t’i shantazhojë dhe plaçkis banorët e trevës së Rugovës..?!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 5 prill 2019 Në ora: 07:58
Ilustrim

Vendosja e rampës në hyrje të Grykës së Rugovës në mënyrë ilegale nga njerëz anonim që fshihen pas pushtetit qendror në Prishtinë pa i pyetur fare banorët e 14 fshatrave të kësaj treve, është akti më makabër i ndërmarrë pas vënies së taksës famoze të sigurimit për automjetet e mërgimtarëve tanë (2004) me rastin e ardhjes së tyre në Kosovë..!?

Nuk ka dyshim, se deja për vendosjen e rampës në hyrje të Grykës së Rugovës është pjellë e të njëjtës logjikë gllabëruese dhe plaçkitëse, me qëllim që nga banorët e kësaj treve, sa herë që shkojnë në shtëpitë dhe bizneset e tyre, t’iu merren nga 5 euro, por edhe gjithë vizitorëve të cilët shkojnë për vizitë ose për t’i kaluar vikendet bashkë me familjarët e tyre në këtë trevë të bukur malore. Ky është pa dyshim, nëse realizohet, akti më bizar që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë, madje një akt të këtillë kriminal nuk e ka ndërmarrë as regjimi fashisht i Millosheviçit gjatë viteve të okupimit klasik të Kosovës 1989-1999..!?

Prandaj, shtrohet pyetja; kush qëndron pas këtij vendimi kriminal, cili është ai organ që ka lëshuar një vendim të këtillë diskriminues ndaj popullatës së Rugovës, kush janë ata bastardë apo grupe mafioze, sikur ato të cilat e shkatërruan lumin e bukur në Deçan, të cilët shkojnë kaq larg në djallëzitë e tyre anti-popull që të marrin vendim për të vu taksë në hyrje të grykës së Rugovës, pa pëlqimin e mijëra banorëve të kësaj treve..?! Pra, kush po tenton t’i shantazhojë dhe plaçkitë banorët e Rugovës, qytetarët e Pejës, të Dukagjinit si dhe të krejt Kosovës, të cilët shkojnë  në shtëpitë e tyre, ose ata të cilët gjatë vikendeve dalin për të pushuar në vendet e bukura të kësaj treve, siç është fshati Bogë, Kuçishtë, tek memoriali i presidentit Ibrahim Rugova në fshatin Malaj, etj,..!?

Image

Banorët e Rugovës që nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar i kanë zgjedhur udhëheqësit e tyre legjitim në 14 fshatra me votën e tyre të lirë, si dy kryetarë të dy njësive territoriale (16 udhëheqës), prandaj askush dhe asgjë që ka të bëjë me interesat e kësaj treve nuk mund të vendos ose të ndërton pa pëlqimin e përfaqësuesve të këtij komuniteti. Pra, çfarëdo vendimi dhe i cilës do natyrë qoftë, çfarëdo mase ekonomike, zhvillimore, turistike apo projekti tjetër, nga cilat do organe qendrore qoftë lokale, nuk mund të jetë valid dhe i realizueshëm!

Sepse të drejtën kushtetuese dhe ligjore të banorëve në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në vendime dhe për të vendosur vetë për interesat e tyre jetësore ku banojnë, ose, pa pëlqimin e tyre të ndërtohen objekte në kundërshtim me vullnetin e tyre, siç ishte rasti me ato 5 hidrocentralet në lumin Bistrica, nuk mund të jetë legjitim dhe as i zbatueshëm. Kështu do të ndodhë edhe më rampën të cilën dikush në mënyrë ilegale veç ka nisur ta ndërton (shih fotot), por nëse nuk do respektohet vullneti i këtij komuniteti  kundër ngritjes së kësaj rampe plaçkitëse, me siguri se do pasojnë reagime të ashpra nga banorët e trevës së Rugovës, të qytetit të Pejës si dhe krejt Rrafshit të Dugagjinit. Mbase, populli i kësaj ane kurrë nuk do ta pranojë që në hyrje të grykës pitoreske të Rugovës të plaçkitet dhe denigrohet..!?   

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat