Të gjithë në protestë për t’i dhënë fund qeverisë skandaloze Haradinaj

Opinione

Të gjithë në protestë për t’i dhënë fund qeverisë skandaloze Haradinaj

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 6 prill 2019 Në ora: 15:36
Protestat e kaluara

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, tashmë zyrtarisht ka filluar fushatën dhe lobimin për të dalë në protesta kundër kësaj qeverie që po e zhvatë pushtetin. Mobilizimi i tyre ka marrë hov që në hapat e parë, duke u bazuar në zhvillimet në teren.

Qytetarët po e tregojnë vullnetin e tyre se janë të lodhur nga kjo qeveri e skandaleve, e cila që nga dita e parë vetëm sa i ka sjellë dëm vendin dhe qytetarëve të saj. Shpenzimet marramendëse kur kemi parasysh varfërinë e skajshme që mbizotëron në Kosovë, ikja e shumë qytetarëve, dëbimi i qytetarëve të huaj duke shkelur çdo ligj dhe duke shkelur të drejtat themelore të njeriut, nepotizmi i madh, korrupsioni dhe ikja e nga përgjegjësia e këtyre skandaleve të kësaj qeverie, janë shtyllat kryesore që na shtyjnë të dalim në protestë.

Kryeministri i cili po e prish miqësinë me SHBA-në, për shkak të taksës së vendosur, e cila buron nga dështimin e tij, si dhe ministrat e tij të cilët po i prishin marrëdhëniet edhe me shtetet tjera, si rasti i Pal Lekajt me Zvicrën, janë sinjale të cilat tregojnë se vendi është në situatë emergjente.

Ky koalicion i turbullt në të cilin nuk mund të kemi aspak besim se do e ruaj sovranitetin e Kosovës, ndonëse kryeministri Haradinaj deklaron se kufijtë nuk do të preken në marrëveshjen e Brukselit, kjo nuk është për t’i besuar. Kjo për shkak se kryeministri Haradinaj ka ditur ta tradhtoj popullin në situata të caktuara, si në rastin e demarkacionit.

E njëra ndër arsyet më të forta që duhet të dalim në protestë që të rrëzohet kjo qeveri, është vet fakti se mijëra persona po ikin nga Kosova drejtë perëndimit dhe vendeve të tjera, për shkak se nuk po gjejnë një arsye të vetme për të qëndruar në vendlindje. Kjo padyshim që është njëra ndër më të këqijat që mund t’i ndodh një populli. Në Kosovë po qëndrojnë vetëm ata të cilët janë militantë të partive në pushtet, të cilët po arrijnë të punësohen përmes ndikimeve partiake.

Prokurorët e guximshëm i kërcënojnë dhe i detyrojnë të dorëhiqen, policët e përkushtuar i degradojnë, ndërsa zyrtarin e ndershëm e izolojnë nga aktiviteti i tij për të mirën e vendit.

Këtij vendi duhet t’i kthehet shpresa, e një koalicion i mundshëm LDK-Vetëvendosje, me njerëz të rinjë, entuziastë për të mirën e vendit, të pastër e jo të përlyer nga keqqeverisja, është zgjidhja më e mirë për Kosovën.

Rrugët duhet të mbushen nga qytetarët e vendit të cilët nuk po e ndjejnë vetën që i përkasin këtij shteti, e të cilët janë në numër të madh. Goditjen më të madhe kësaj qeverie duhet t’ia shkaktojë populli, i cili është i nëpërkëmbur që nga shtatori i vitit 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat