Vrasja e sovranit (popullit) dhe prapavijat e rrezikshme me laurat (rampat) famëkeqe...!?

Opinione

Vrasja e sovranit (popullit) dhe prapavijat e rrezikshme me laurat (rampat) famëkeqe...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:44
Rexhep Elezaj

Se, Kosova vazhdon të mbahet peng në duart e përgjakura të 7-8 oligarkëve, këtë fakt të hidhur tani më e kanë kuptuar edhe fëmija në djep, sepse faktet në teren janë aq të shumta, saqë nuk ka fare nevojë të flitet ose të shkruhet më shumë për to. Mjafton të merret si shembull vetëm kjo se çfarë ndodhi në dy muajt e fundit me trevën e Rugovës, siç ishte tentimi grotesk i realizimit të projektin ilegal për ndërtimin e 5 digave të vogla për prodhim të rrymës elektrike në lumin Bistrica i cili buron në bjeshkët e larta të Rugovës, e që rrjedh nëpër kanjonin magjeps të grykës së Rugovës, për të valuar nëpër qendër të qytetit të Pejës për t’u derdhur tutje në fushat e Dugagjinit plotë me ara dhe livadhe pjellore si dhe me pemët më të shëndosha në Ballkan..!?

I terë ky skenar ogurzi dhe kriminal, duket se zanafillën e ka pasur mu në ligjin e aprovuar në vitin 2013 (Nr. 04/L – 086, 13 dhjetor 2012) me të cilin treva e Rugovës është shpall “Park kombëtar”, planet e të cilit u bënë të qarta në dy-tre muajt e fundit, kur individë të unkriminuar në zbatimin e këtij ligji antikombëtar, madje në poste të larta në pushtet, tentuan ta fillojnë ndërtimin e tyre në lumin Lumbardh (Bistricë), dhe, sikur mos të reagonin fuqishëm banorët e Rugovës së bashku me qytetarët e Pejës dhe të Dugagjinit, puna në këtë projekt shkatërrues për ambientin dhe natyrën e kësaj zone do kishte filluar me siguri!

Mirëpo, loja tjetër dhe skenari edhe më i keq për ngritjen e laurave (rampave), i cili del qartë se qenkësh projektuar dhe aprovuar muaj më para në ministrinë e mjedisit dhe mbrojtjen e ambientit nga autorë, gjegjësisht shërbëtorë të vegjël të oligarkëve të mëdhenj, deshi Zoti dhe i doli duqi për faqe, kur të premten e kaluar, me 05 prill 2019, një firmë meskine filloi me ndërtimin e themelit për ngritjen e rampës, pa u konsultuar paraprakisht me sovranin, pra me popullin autokton të trevës së Rugovës si dhe me qytetarët e Pejës dhe Dugagjinit. “Zëri i popullit, është zëri i Zotit..”, sepse shfrytëzuesit me të rregullt të terreneve të bukura natyrore që i ka Rugova, qoftë gjatë vikendeve, qoftë për qëndrime kuruese më të gjata në disa qendra rehabilituese që janë në shërbim të shëndetit të qytetarëve nga krejt Kosova, janë pikërisht banorët vendas, Pejanët dhe Dugagjinasit!

Pashmangshëm shtrohet pyetja ; a mund të gënjehet populli-sovrani çdo ditë me premtime boshe, derisa oligarkët multi-milionerë nuk kanë të ndalur me pasurimin e tyre kriminal mbi kurrizin dhe djersën e popullit të varfër, i cili çdo ditë po ikën nga atdheu i tij, a mund të vazhdon ndërtimi i shtetit të Kosovës përmes plaçkitjeve dhe uzurpimeve të pronave private dhe shoqërore të tij, a mund të qëndrojë tutje ky shtet dhe kjo shoqëri mbi këmbët e hajnive dhe korrupsionit të pafund, pa ekonomi, pa fabrika, pa bujqësi të zhvilluar, pa blegtori dhe turizëm të zhvilluar, pa ujë dhe pa bukë të mjaftuar, pa rrymë dhe infrastrukturë moderne, si në qytete ashtu dhe fshatra, a jetohet tutje me dinjitet të nëpërkëmbur dhe moral të ndrydhur nga pesha e varfërisë dhe e pengimit të mendimit dhe fjalës së lirë, pastaj shkelja e të drejtave themelore për jetë, etj., etj. ..!?

Për rastin në fjalë si dhe shkeljet tjera drastike që vazhdon t’iu bëhet ligjeve në Kosovë, pa dallim nga të gjithë pushtetarët, Ambasadori fuqiplotë i Britanisë së Madhe në Kosovë, Exelenca e tij, Rauiri O’Connell, haptas ua tërheq vërejtjen politikanëve dhe pushtetarëve tanë oligarkë, se “pa sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, Kosova nuk mund të ketë perspektivë evropiane..”, dhe, mjerisht askush nuk e vret kokën për këshillat e tij shumë miqësore. Madje disa udhëheqës politik sjellën keq ndaj tij, sa që ditë më parë i nervozuar, ambasadori O’Connell, si dhëndër i ynë i dashur, u detyrua ta thoshte troç: “se Bashkësisë ndërkombëtare një ditë do t’i soset durimi dhe nuk do t’iu mbështet më kështu siç po veproni dhe deri në pafundësi..”!?

Për fund, dua ta shtroj edhe njëherë çështjen e shkeljes së fjalës dhe votës së sovranit, pra popullit autokton, pronarë shekullor i  trevës heroike të Rugovës, djepi i qindra burrave dhe intelektualëve të mëdhenj të Kosovës, i cili kombit shqiptar i ka dhënë figura madhore që i kanë dalë në ballë luftës për liri dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë mëmë, duke filluar nga Haxhi Zekë Peja, Ali Kelmendi, Rizë Zymeri, e deri tek Azem Shkreli, Ibrahim Rugova, Ramiz Kelmendi dhe Ali Lajçi, etj., të cilët historisë së Rugovës i dhanë emër, nderë, nam dhe krenari, i dhanë vlera nacionale dhe historike më kulmore, të cilat  disa bastardëve politik dhe oligarkëve të pasuruar nga krimet e organizuara ekonomike, duket si po iu pengojnë shumë, prandaj edhe po bëjnë përpjekje që përmes vënies së rampave këtë trevë dhe këtë vatër shekullore të gjuhës së bukur shqipe, folenë e kulturës dhe traditave të pastra shqiptare, ta zhvlerësojnë dhe denigrojnë përmes presioneve dhe shantazheve më të ulëta njerëzore që mbanë mend historia e re e Rugovës dhe e gjithë Kosovës..!?        

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat