Shqiptarët, gjithmonë në luftë    - Bota Sot
 Shqiptarët, gjithmonë në luftë   

Opinione

 Shqiptarët, gjithmonë në luftë   

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 13 prill 2019 Në ora: 19:19
Skënder Sadri Kapiti

Shqiptarët lindin të lirë dhe lindin  shqiptarë, por gjatë gjithë jetës dhe historisë së tyre u është dashur  gjithmonë që të luftojnë vazhdimisht dhe pandërprerë  për lirinë dhe për shqiptarinë, për kombin dhe për shtetin shqiptar.

Luftë nuk do të thotë vetëm luftë e armatosur me armë, nuk do të thotë vetëm luftë e armatosur mes shtetesh dhe luftë e armatosur civile.

Luftë do të thotë edhe politikë, edhe diplomaci,  edhe përpjekje e përballje paqësore për më shumë liri, për më shumë të drejta, për më shumë demokraci e drejtësi.

Luftë do të thotë edhe luftë politike e diplomatike kundër armikut e rrezikut shovinist, diversionist dhe të qëllimeve të armiqve të shqiptarëve  kundër shtetit dhe  kombit shqiptar.

Luftë do të thotë edhe çdo përpjekje e shqiptarëve kudo në botë për mbrojtjen e trojeve dhe të pakicave kombëtare shqiptare që jetojnë në trojet e tyre, akoma nën kolonizimin e shteteve fqinje tona.

Lufta jonë ekziston dhe do të ekzistojë deri sa të zgjidhet përfundimisht problemi i pazgjidhur kombëtar shqiptar, Bashkimi i Shqipërisë, bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Luftë do të thotë se ka gjithmonë luftë si përpjekje e pandërprerë për konsolidimin e pavarësisë dhe shtetit, dhe luftë e përpjekje  për progresin, zhvillimin e mirëqenien.

Ndërprerja e këtyre përpjekjeve do të thotë prapambetje dhe moszhvillim; ndërsa pengimi dhe bllokimi i progresit e zhvillimit do të ishte korrupsion dhe tradhti prej atyre të cilëve shqiptarëve u vijnë pengesat, bllokimi, shqetësimet, fatkeqësitë, eksodi dhe të këqijat e tjera të cilat lëvizin dhe e shtyjnë shoqërinë në kahun e regresit.

Përderisa shqiptarët janë dhe kanë në kufij të tyre armiq dhe shtete armiqësore, të cilët, vazhdojnë që të kenë synime e qëllime antishqiptare; shtete dhe popuj të cilët  kanë  urrejtje fanatizmi, racore, etnike dhe fetare kundër shqiptarëve, si dhe shtete të cilat kanë  pretendime shoviniste territoriale, atëherë ne jemi në luftë dhe në konflikt me ta, luftë e cila  imponohet prej armiqve të shqiptarëve.

Lufta jonë është e drejta jonë  për t’u mbrojtur dhe për të marrë të drejtat tona.

Përderisa fqinjët e shqiptarëve kanë nën sundimin kolonial të tyre troje dhe popullsi shqiptare; përderisa ata mbajnë të zaptuara dhe të pushtuara troje shqiptare si dhe shtypin dhe diskriminojnë popullsinë shqiptare, shtypin liritë dhe të drejtat e tyre kombëtare, atëherë shqiptarët janë në konflikt dhe në luftë me këto shtete.

Pabesisë, shovinizmit, politikës së destabilitetit, diversionizmit, lobimeve, fondeve të hapura e sekrete që shpenzojnë si Serbia dhe Greqia kundër shqiptarëve dhe për kauzat e tyre antishqiptare, shqiptarët duhet t’i kundërvihen atyre me një seriozitet, me angazhim dhe vigjilencë maksimale.

Dhe nuk është e mjaftueshme vetëm anëtarësia e Shqipërisë  dhe së shpejti edhe e Kosovës në NATO, nuk është kjo gjithçka dhe si e vetmja zgjidhje dhe siguri, por duhet që shqiptarët dhe dy shtetet shqiptare të armatosen me armët më moderne dhe të fuqizohen ushtarakisht, sepse Serbia dhe Greqia njohin dhe i frikësohen vetëm forcës.

Të dyja këto shtete kanë bërë krime, gjenocide dhe pastrim etnik të shqiptarëve, vetëm se shqiptarët kanë qenë të pa organizuar, të papërgatitur por sidomos pse kanë qenë të  tradhtuar nga europianët dhe të pa armatosur. Shqiptarët duhet të armatosen, pasi dhe përderisa si Greqia që është në NATO, ashtu edhe Serbia që nuk është anëtarë e saj, të dyja janë shtete militariste, të mbi armatosura, dhe të dyja, janë kur vjen puna dhe mbeten gjithnjë mes tyre aleatë të deklaruar  kundër shqiptarëve, kundër Shqipërisë dhe kundër Kosovës.  

Prandaj duhet të nxjerrim mësim nga historia, mësim i cili është ky: armiqtë e shqiptarëve janë dhe mbeten po ata që kanë qenë, dhe kundër tyre na duhet uniteti ynë kombëtar, vigjilenca politike, diplomatike dhe sidomos armatosja dhe fuqizimi ynë luftarak, si dhe na duhet besnikëria jonë ndaj aleatëve tanë  të mëdhenj strategjik.

Edhe me Europën shqiptarët janë në “konflikt”, përderisa ajo u ka borxh të madh të pashlyer shqiptarëve.

Ajo është kasapi që bëri batërdinë me popullsinë dhe me trojet shqiptare.

Europa është autorja e tragjedisë dhe e gjymtimit të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre.

Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Europa vazhdon akoma edhe sot të mëkatojë  kundër shqiptarëve.

Ajo padrejtësisht, dhe hapur antishqiptarisht, i mban shqiptarët jashtë  BE-së.

E megjithatë shqiptarët më shumë se të gjitha kombet e shtetet e tjera të Ballkanit janë më proeuropianë, dhe dëshirojnë më shumë se ata anëtarësimin në BE  

Dhe sikur të mos mjaftonin vetëm këto, shqiptarët fatkeqësisht janë edhe në një  “luftë” tjetër, në luftë kundër padrejtësisë, kundër krimit, korrupsionit, kundër mashtrimeve, kundër  hajdutërisë dhe kundër tradhtisë së klasës apo elitës së keqe politike të tyre.

Shqiptarët janë në “luftë” edhe me padrejtësinë, vetëgjyqësinë dhe me korrupsionin e sistemit  të drejtësisë dhe të politikës, janë në përballje me padrejtësitë dhe me varfërinë e me papunësinë.

Shqiptarët  janë në përpjekje të pandërprerë, pra edhe për lirinë, për drejtësinë, për demokracinë dhe për ndërtimin e shtetit ligjor, betejë të cilën shqiptarët duhet ta fitojnë vetë, urgjentisht, paqësisht dhe demokratikisht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...