Profesor Ibrahim Kelmendi, intelektual e patriot me të cilin krenohet Lugina e Preshevës - Bota Sot
Profesor Ibrahim Kelmendi, intelektual e patriot me të cilin krenohet Lugina e Preshevës

Opinione

Profesor Ibrahim Kelmendi, intelektual e patriot me të cilin krenohet Lugina e Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 15 prill 2019 Në ora: 10:27
Nehat Hyseni

Më 16 prill është ditëlindja e 103-të e Profesor Ibrahim Kelmendit dhe njëkohësisht është edhe Dita e Shkollës Fillore më të madhe në Preshevë dhe në Luginë, e cila me krenari mban emrin e kësaj figure të ndritur patriotike e intelektuale. Kjo shkollë gjithashtu është edhe njëra ndër shkollat më të mëdha në Serbi dhe ka arritur suksese kulminante në mësime dhe aktivitete të lira, jashtëmësimore në në mbarë Shqiptarinë.

Profesor Ibrahim Kelmendi lindi më 16 prill 1916, në Preshevë dhe rrjedh nga një familje me tradita intelektuale, fetare e kombëtare. Gjyshi i Ibrahim Kelmendit, Osman Osmani (Efendia) u shqua me aftësi profesionale e intelektuale, por dhe me trimëri e heroizëm të pashoq, në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të popullsisë së shtypur e të nëpërkëmbur shqiptare, qysh në fillim të karrierës së tij të lavdishme profesionale. Sypatrembur dhe i vendosur deri në fund, Osman Osmani (Efendia), apo siç njihet në Preshevë si Osman Efendia, qëndronte burrërisht, ballë për ballë gjykatësve të Perandorisë Osmane, në mbrojtjen stoike të shqiptarve të shtypur e të nëpërkëmbur, që i kushtoi me jetë, meqë në moshën 44 vjeçare, Osman Efendia flijoi jetën në shërbim të bashkëkombasve të shtypur shqiptarë, që pamëshirshëm shtypeshin e përbuzeshin asokohe nga regjimi dhe gjykatat e korruptuara osmane.  Librat e shumtë dhe literatura profesionale që ia la ai familjes, si psh. “E drejta Ndërkombëtare Detare”, Fjalori turqisht-frengjisht i Sami Frashërit dhe një mori librash të tjerë, kanë mbetur trashëgimi dhe thesar i çmuar, që ruhen me krenari dhe kujdes të jashtëzakonshëm sot nga stërnipat e tij: Osmani, Ahmeti, Adnani e Fetiu dhe të tjerët.

Kurse, babai i Ibrahim Kelmendit, Shaip Osmani-Efendia, ishte jurist me profesion dhe punoi si gjykatës në Kazanë e Preshevës (1878-1912), që u formua pas Luftës Ruso (Serbo)-Turke (1876-1878), meqë kufiri midis Turqisë dhe Serbisë u transferua nga Aleksinca, apo “Molla e Kuqe” (reth 200 km nga Presheva), në Ristovc, midis Vranjës dhe Bujanocit, dmth reth 30 km larg Preshevës.

Pozita e gjykatësit shqiptar nën Perandorinë Osmane nuk ishte aspak detyrë e lehtë, meqë në kuadër të kësaj gjykate të Kazasë së Preshevës ishin edhe venbanimet serbe që përfshinte një territor relativisht të madh, reth 75 km në gjatësi dhe kishte 137 venbanime, që i administronte asokohe Kazaja e Preshevës në kuadër të saj, nga të cilët vetëm 44% e popullsisë ishin shqiptarë.  Gjykatësit Shaip Osmani-Efendia sidomos iu vështirësua ushtrimi i kësaj detyre shumë të rëndësishme e delikate pas rënies së regjimit të Perandorisë Osmane, më 16 gusht 1912 dhe gjatë luftave ballkanike që pasuan në vjeshtën e vitit 1912. 

Ato lufta ishin formalisht “aleancë antiturke” midis: Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.  Por, realisht ato ishin aleancë antishqiptare, për grabitjen e tokave shqiptare dhe për përzënien e dëbimin e shqiptarve nga trojet e tyre stërgjyshore. Represaliet, dhuna, presionet e egra dhe masakrat ndaj shqiptarve atëbotë kishin marrë përmasa të jashtëzakonëshme.  Kurse, regjimi i Serbisë asokohe nuk kishte kuadër të shkolluar në Preshevë, meqë realisht nuk kishte as serbë, përveç disa familjeve të romëve ortodoksë (“maxhupve të zallit”). Prandaj, e kishin obliguar detyrimisht Shaip Efendinë, që përkundrejt vullnetit dhe refuzimit të tij, me kërcnim jete ta ushtronte këtë detyrë.

Zullumi dhe masakrat ndaj shqiptarve kishin marrë përmasa të tmerrshëme dhe kriminelët mbeteshin të pa ndëshkuar. Kështu, në vitin 1916 kishte ndodhur një vrasje masive e shqiptarve nga serbët në Preshevë, e cila edhe pas rënies së Perandorisë Osmane kishte mbetur si qendër administrative, që do ta ruaj deri në vitin 1947, dmth pas LDB, kur do futet nën organizimin politiko-territorial të Bujanocit.  Meqë vrasësit diheshin, gjykatësi Shaip Osmani (Efendia) urdhëron arrestimin e tyre!

Asokohe burgu ishte pas ndërtesës së sotme të Kuvendit Komunal të Preshevës dhe bënë gjykimin e tyre, për të cilët dëshmohet fajësia dhe vepra penale: “vrasje me paramendim”.  Prandaj, me aktvendim gjyqësor, atyre, sipas ligjit, ua shqipton denimin kapital: denim me vdekje-pushkatim!

Duke i ditur fare mirë pasojat për këtë aktvendim të drejtë dhe të merituar të këtyre kriminelëve serbë për vrasjen e dëshmuar të shqiptarve, Shaip Efendia e merr me vete djalin e madh, 17 vjeçar, Osmanin dhe në minutat e fundit i shpëton xhandarëve serbë, nga vdekja e sigurtë. Ai porositë gruan, zonjën Naxhije që ta ruaj familjen, tre djemtë: Abdullahun (1905), Tefikun (1908) dhe Ibrahimin (1916), që ishte foshnje 5-6 muajsh, duke u arratisur larg nga vendlindja, atje “ku bren miza hekur”, në Dijari Bekir të Anadollit të Turqisë, për të shpëtuar nga regjimi gjakatar i Serbisë.

Mirëpo, tre vjet më vonë, familja e tij në Preshevë merr lajmin e kobshëm për ekzektutimin me vdekje, babë e bir, të Shaip Efendisë dhe djalit të madh Osmanit, nga dora e zgjatur e regjimit antishqiptar të Qeverisë së Serbisë të Nikolla Pashiqit!

Kështu, nëna Naxhije mbeti e vejë me tre jetima: Abdullahun 14 vjeç, Tefikun 11 vjeç dhe me Ibrahimin 3 vjeç. 

Pra, Ibrahim Kelmendi dhe vëllezërit e tij u rritën jetimë.

Barra e kryefamiljarit dhe obligimet për kujdesin ndaj familjes i ra mbi supe vëllaut të madh të tij, Abdullahut ( gjyshit tim nga nëna), i cili u kujdes maksimalisht për familjen, me mundësitë e tia modeste dhe i mbajti të dy vëllezërit, Tefikun dhe Ibrahimin, me shpenzime të shkollimit në Medresenë e Madhe, të mbretit Aleksander Karagjorgjeviqit në Shkup. Ibrahimi i vazhdoi studimet për histori asokohe në Shkup, Beograd, Perugja të Italisë, prej nga u përjashtua për shkak të të mospajtimeve të tij me regjimin fashist të Benito Musolinit, kështu që vitin e fundit e kreu dhe diplomoi në Universitetin e Zagrebit, për histori dhe arkeologji, nën drejtimin profesorit me famë botërore, Grga Novak, në qershor të vitit 1942. Menjëherë pas diplomomit, Profesor Ibrahim Kelmendi kthehet në vendlindjen e tij në Preshevë dhe pas pak ditësh shkon në Prishtinë dhe punësohet si profesor i historisë në gjimnazin “Sami Frashëri”, që sapo ishte hapur nga ministri i atëhershëm i arsimit nga Shqipëria, Ernest Koliqi. Në gjimnaz zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe dhe gjuha shqipe praktikohej edhe në administratë dhe në jetën publike.  Flamuri shqiptar valonte shlirë dhe i papenguar anembanë dhe e kishte stolisur Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës dhe Maqedonisë, që ishin të okupuara nga Italia dhe Gjermania. Kurse, në viset shqiptare që ishin të okupuara nga Bullgaria fashiste në atë kohë, flamuri kombëtar dhe gjuha shqipe ishin rreptësisht të ndaluara! Në Gjimnazin “Sami Frashëri”, ashtu si dhe të gjithë shqiptarët nën okupimin gjerman dhe italian, asokohe mbretëronte një atmosferë euforike dhe një entuziazëm e gëzim i madh popullor, i paparë dhe i papërjetuar më parë dhe shqiptarët e ndjenin veten të “çliruar” e të lirë nga zgjedha anticivilizuese sllave, që i kishte shtypur mizorisht gjatë kohë dhe u kishte shkaktuar vuajtje e mjerim të pafund.

Drejtor i gjimnazit ishte profesor Ahmet Gashi, njeri me autoritet të madh dhe me integritet moral e intelektual.  Ai e emëroi prof. Ibrahim Kelmendin rektor të gjimnazit, apo drejtues të konviktit, ku do të banonte edhe vet.  Profesor Ibrahimi iu përkushtua nxënësve 24 orë në ditë dhe me punën e tij profesionale e intelektuale dhe me virtytet e tija të larta morale e njerëzore, ai arriti autoritet e respekt të madh si dhe simpati e dashuri të jashtëzakonëshme tek nxënësit, kolegët dhe sidomos e fitoi besimin e plotë të drejtorit Ahmet Gashi. Profesor Ibrahim Kelmendi, edhepse asokohe kishte rrogë relativisht të mirë si profesor dhe kishte nevoja dhe mungesa të shumta materiale në familje, megjithatë, siç tregonte nëna ime ndjesë pastë, mbesa e tij, Nezaqete Osmani (1935-2015), ai kurrë nuk e solli rrogën në shtëpi!  Përkundrazi, tërë rrogën e tij e harxhoi për përmirësimin e kushteve të banimit dhe të ushqimit për nxënësit në konvikt!

Profesori Ibrahim Kelmendi u shqua me punën e tij të palodhëshme si edukator i vyeshëm dhe atdhetar i devotshëm, që me dashuri të madhe mbolli patriotizmin dhe atdhedashurinë edhe tek nxënësit e tij.

Me kapitullimin e Italisë dhe Bullgarisë fashiste, në shtator të vitin 1944, Presheva mbeti pa pushtet.  Në gazetën “Besa” të Stambollit, në korrik 1960, nën titullin “Kosova në luftë”, Profesor Ibrahim Kelmendi shkruan:  

“Për luftërat që u bënë mbrenda këtyre 3 – 4 ditëve na nuk ishim të organizuem, për të bamë një organizim civil dhe ushtarak u mbajt një mbledhje në Bashkinë e Preshevës , me 13 shtator, në të cilën përveç meje mueren pjesë ; Petriti , Jetulla Seferi , Limon Staneci , Adem Kamberi dhe Immer Rama .. Sherbimet kryesore u ndan në këto mënyra; Ademit ia dhanë kryesinë e Bashkisë, Limon Staneci drejtimin dhe organizimin e nënprefekturave dhe mue mi lanë organizimin dhe drejtimin e operacioneve … Mbrenda 24 orëve përgadita listat e vullnetarëve Ballistë për krejt rrethinën e Preshevës, përveç disa katundeve afër Bujanovcit.Presheva kishte 300 vullnetarë, Rahovica 160, Miratoca 240 dhe kështu me rradhë edhe katundet e tjera që janë ma të vegjël, vullnetarët i ndava në grupet A dhe B. Si vijë kufini për të mbrojtë caktova udhën e hekurit që ishte lehtë për ta mbrojtë. Grupet ndëroheshin çdo dhjetë ditë. Në këtë mënyrë udha ruhej prej depërtimit të shkjaut dhe punët e vjeshtës në fusha kryheshin ..”. Ishte anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar për Kosovë. Pas përforcimit të mbrojtjes kufitare të trojeve etnike në vijën e frontit te hekurudha, në gjatësi prej 25 km, profesor Ibrahim Kelmendi do të kaloj në Karadak e Sharr, do të ndihmojë Mulla Idriz Gjilanin e Xhemë Gostivarin, do të marrë pjesë në betejën e Ferizajit me rininë Nacionaliste së bashku me prof.Luan Gashin e Abdyl Hencin e nacionalistët e tjerë.  Ai dhe bashkëluftëtaret e tij, në krye me Sylë Hotlën, për të mos ngritur pushkën mes vëllezërëve të një gjuhe dhe të një gjaku, me urdhër të Qëndrorit të Organizatës së Ballit Kombëtar, e lë me dhembje vendlindjen, për të kaluar ditët më të bukura të rinisë së vet në kampet e refugjatëve politikë në Greqi. 

Disa vite më vonë, më 1953, Professor Ibrahim Kelmendit i plotësohet kërkesa dhe emigron në Australi, ku menjëherë falë aftësive të tij fillon punën si pedagog në njërën prej gjimnazeve të Melburnit.

Kështu, jeta e tij futet në rrjedha më të qeta, por gjithmonë me shumë dhimbje e mallë për fatet e atdheut të robëruar. Andaj, prof. Ibrahim Kelmendi kurrë nuk do të pushonte së vepruari pë punë të mëdha.  Si emigrant në Australi, ai merret me studime për etnogjenezën shqiptare, hulumton nëpër biblioteka, shkruan dhe mjaft pa ndërprerje punime me shumë vlerë si në shtypin vendas ashtu edhe në ate të shqiptarve të diasporës.

Profesor Ibrahimi e formon Komitetin e Ballit në Australi dhe do tu bëjë ballë lobeve sllave atje.

Veprat që kemi arritur t’i gjejmë deri sot të profesor Ibrahim Kelmendit janë këto:

lirët në parahistori-origjina, kultura dhe përhapja e tyre;

Prej Mytheve deri në Butmir;

Pak fjalë për të kaluarën e shqiptarve; E vërteta mbi gjendjen e shqiptarve në Jugosllavi;

Përbërja etnike dhe historike e Kosovës;

Kosova në luftë;

Të mësuem me u ba fqinjë të paduruem;

Kosova në luftë me komunizmin; Perspektiva e imperializmit serb;

Tito në mes të fortunës;

Klika Hoxha-Shehu nuk është për Kosovën shqiptare;

Jugosllavinë duhet me njoftë si Mozaik e pa harmoni;

Një shtyllën e Kosovës quhet Preshevë, etj.

Shpresojmë se do të gjënden dhe zbulohen edhe shumë dorëshkrime e korrespondenca me organizatat nacionaliste të shqiptarve gjithandej nëpër botë, si dhe artikuj të tij të shumtë nëpër revista e gazeta të ndryshme, që do e plotësojnë kujtimin për veprën jetësore të këtij intelektuali të madh dhe kolosi të shqiptarisë. Familja e profesor Ibrahim Kelmendit, siç e pamë, që nga gjyshi i tij, Osmani dhe babai Shaipi me vëllaun e madh Osmanin, ishin viktima dhe humbën jetën nga regjimet antishqiptare të asaj kohe. Kurse, profesor Ibrahim Kelmendi u detyrua të arratiset në Australinë e largët, për të shpëtuar nga vdekja e sigurt nga regjimi sllavo-komunist.

Por, fati tragjik i kësaj familje nuk përfundon këtu.  

Më 12 mars 1976, djali i madh i vllaut të tij Tefikut, Qenani, që ishte në vizitë shtetërore me Kryetarin e RSFJ-së, Josip Broz Titon në Meksikë, do të humb jetën në moshë 30 vjeçare, në rethana tejet të dyshimta dhe të pasqaruara deri më sot.

Asokohe, unë isha student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës dhe ia dërgova një letër të gjatë ngushëllimi, ku ia përshkrova deri në detaje atmosferën e pikëllimit në familje, ceremoninë e varrimit dhe pjesëmarrjen e paparë masive të studentëve dhe shqiptarve nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina, si dhe atmosferën e ngushëllimeve 15 ditëshe, që ishte në shtëpinë tonë. Profesor Ibrahimin vdekja e Qenanit e tronditi thellë dhe në letrën që ma dërgoi, veç tjerash, duke shprehur pikëllimin dhe dhëmbjen e thellë, thotë:  “Funerali madhështor për varrosjen e Qenanit flet se ai paska qenë shumë i dashur për popullin. Kjo na nderon neve familjen dhe Preshevën. Por, neve si familje nuk na ka shkuar kurrë politika!”

Profesor Ibrahim Kelmendi vdiq në moshën 63 vjeçare në Melbourn të Australisë dhe u varros atje në varrezat e komunitetit shqiptar, me nderime të mëdha dhe sipas traditave tona fetare e kombëtare.

 Me mallin e fuqishëm dhe të pashuar për vendlindjen dhe familjen e farefisin, që nuk i pa kurrë pas arratisjes, më 14 janar 1979, u shua jeta e tij e lavdishme dhe heroike, që ia kushtoi luftës së pakursyer me pushkë dhe me penë në dorë, për liritë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarve, kudo që janë. 

Kujtimet për profesor Ibrahim Kelmendin nga ditët shkollore, shpeshëherë m’i ka evokuar shoku i tij i klasës, Akademik Idriz Ajeti. Derisa ishte më i fortë, shpeshë takoheshim në rrugën Nazim Gafurri, ku ishte më parë ndërtesa e ASHAK, dhe më fliste me kënaqësi për te. “Ibrahimi ka qenë shumë i zgjuar, më i zoti nga të gjithë shokët e gjeneratës. Ka qenë i dashur për të gjithë, paksa i tërhequr, me bindje ideologjike djathtiste dhe me sjellje e edukatë të mirëfilltë aristokratike”, evokonte kujtimet për shokun e tij të klasës, Akademiku i nderuar.

Me kujtimet e nënës time dhe me tregimet e saj për jetën e axhës së saj, profesor Ibrahim Kelmendit, që gjithmonë përfundonin me lotë, mallë të pafund dhe mallëngjim, jemi rritur.  Tregimet për Luftën te hekurudha, për kalin e bardhë që e kishte si komandant, që i shërbente për kontrollin e vijës së frontit dhe luftetarëve në pikat e mbrojtjes, etj.  Gjithashtu, gjatë tërë kohës sa kishte zgjatur lufta, profesor Ibrahim Kelmendi edhe gjatë pauzave të shkurtëra pushimi qëndronte në gjendje gadishmërie dhe i veshur, duke shkruar me makinën e tij të shkrimit historinë e luftës.

Kështu, profesor Ibrahim Kelmendi ishte njëkohësisht edhe krijues i historisë së lavdishme kombëtare në ato momente dramatike të realitetit dhe fatit të shqiptarve, por edhe si regjistrues apo historiograf i historisë sonë dhe luftës së lavdishme për liri dhe të drejtat kombëtare të shqiptarve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë.

Më kujtohet tregimi i nënës sime nga fëmijëria e saj, të cilin ajo shumë herë e ka përsëritur me emocione të mëdha nga varrimi i Abdullah Krashnicës, më 15 janar 1945. Si nxënës të shkollës, në mënyrë të organizuar kishin marrë pjesë në varrim dhe me t’u kthyer në shtëpi, në pleme (plevicë) profesor Ibrahimi ishte fshehur, meqë ishte në ilegalitet si “kaçak”, sepse kërkohej me tërbim nga regjimi i sapoinstaluar sllavokomunist. E thërret nënën aty dhe e pyet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe me lotë në sy, thotë:  “Më dhimbset Abdullahu sepse e ka pasë nana një, djalë hasreti. Por, e kam ditur dhe i kam thënë se të gjithë, një nga një, kanë për t’i likuiduar!”

Pra, nga kjo shihet se sa vizionar i madh ishte profesor Ibrahim Kelmendi, i cili si intelektual i mirëfilltë që ishte, i kishte kuptuar shumë mirë djallëzitë dhe urrejtjen antishqiptare të regjimit komunist të Titos. 

Prandaj, edhepse kishin dallime radikale dhe diametralisht të kundërta ideologjike me Abdullah Krashnicën, megjithatë ata shpeshëherë takoheshin dhe bisedonin gjërë e gjatë e konsultoheshin për veprimet e tyre dhe për fatin e shqiptarve në përgjithësi dhe sidomos për trevën tonë dhe kishin besim e bashkëpunim të mirëfilltë. 

Jeta dhe veprimtaria patriotike e profesor Ibrahim Kelmendit na nderon dhe na bënë krenarë.  

Kurse, emërtimi i Shkollës Fillore të Preshevës, të qendrës me katër paralele të ndara, me emrin e profesor Ibrahim Kelmendit i bënë nderë Preshevës dhe paraqet mirënjohje, falemnderimin dhe përkujtimin më të mirë për sakrificat dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare, duke shërbyer si shembëlltyrë e shkëlqyeshme atdhedashurie dhe për edukimin e mirëfilltë patriotik e intelektual të gjeneratave të reja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...