Serbia e tradhton me Rusinë, BE hesht - Bota Sot
Serbia e tradhton me Rusinë, BE hesht

Opinione

Serbia e tradhton me Rusinë, BE hesht

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 18 prill 2019 Në ora: 15:16

Në datën 11 prill, Veronika Nikishina, ministrja ruse e tregtisë e Organizatës së “Bashkimit Ekonomik Euroaziatik”, EAEU, të drejtuar nga Rusia, njoftoi në një konferencë të këtij bashkimi se kishin përfunduar bisedimet me Serbinë për marrëveshjen e tregtisë së lirë me këtë organizatë, dhe kanë nisur procedurën për nënshkrimin e marrëveshjes, gjë që planifikohet të bëhet në tetor të këtij viti.

Në fakt, sipas mediave ruse, teksti final i marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Serbisë dhe “Bashkimit Ekonomik Euroaziatik”, të drejtuar nga Rusia, është harmonizuar nga ministrja e Tregtisë e Organizatës Ndërkombëtare ruse, Nikishina, me zëvendëskryeministrin dhe ministër i tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiç. Kështu, po pritet vetëm data e nënshkrimit formal të kësaj marrëveshjeje. Një shtytje të madhe këtij hapi të përfundimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Serbisë dhe ”Bashkimit Ekonomik Euroaziatik”, i dha personalisht presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me presionin e tij gjatë vizitës në Beograd në janar të këtij viti.

Marrëveshja e re është një hap i ri i madh i Serbisë në rrugën e saj të lidhjeve gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe përbën një akt, që në mënyrë flagrante bie në kundërshtim me statusin e Serbisë si shtet kandidat i BE, dhe me vijën e saj zyrtare për anëtarësinë BE-së, aq më tepër kur nga drejtues të BE-së, i është premtuar që në vitin 2025 t’i hapen dyert e BE.

Serbia është i vetmi shtet kandidat i BE dhe i vetmi shtet europian, i cili ndërmerr aktin e përfundimit të një marrëveshje të tregtisë së lirë me një organizatë ekonomike ndërkombëtare të përbërë nga pesë shtete ish-republika sovjetike, e krijuar dhe e drejtuar nga Rusia, organizatë me të cilën Bashkimi Europian nuk ka asnjë marrëdhënie zyrtare. Fakti që Serbia është i vetmi shtet evropian, që ndërmerr këtë akt prorus dhe anti-BE, është tepër sinjifikativ.

Realisht kemi të bëjmë me një sfidë të hapur ndaj BE. Është e njohur se Serbia, e cila ndodhet në procesin e negociatave të traktatit të pranimit me BE, për të mbyllur kapitullin 30 të këtij traktati është e detyruar që të heqë dorë dhe të shfuqizojë të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë, që ka nënshkruar me shtetet e tjera dhe me organizata të tjera.

Në bazë të legjislacionit tregtar dhe politikës tregtare të përbashkët të BE, asnjë shtet anëtar nuk mundet të ketë marrëveshje të tregtisë së lirë me shtete, apo me organizata të tjera. Këtë e din zyrtarisht edhe Serbia. Komisioneri  lartë i BE për zgjerimin, Johannes Hahn, ka njoftuar se: “Gjatë hapjes së procesit të negociatave të pranimit në pranverë të vitit 2014 Serbia është angazhuar të denoncojë të gjitha marrëveshjet e saj të tregtisë së lirë ditën e pranimit në BE”.

Nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë të Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” komplikon çështjen e sanksioneve të vendosura nga BE ndaj Rusisë si dënim për agresionin rus në Ukrainë dhe për aneksimin e dhunshëm të Krimesë. Serbia nuk mund ta mbyllë kapitullin 30 të traktatit të pranimit, pa u distancuar nga qëndrimi deritanishëm ndaj sanksioneve të BE për Rusinë. Serbia nuk është bashkuar me sanksionet e BE, megjithëse ka statusin e shtetit kandidat. BE e ka toleruar këtë qëndrim flagrant të Serbisë, por me marrëveshjen e tanishme të tregtisë së lirë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” Beogradi kundërvihet akoma më hapur BE-së, dhe komplikon shumë si hartën tregtare evropiane, ashtu dhe marrëdhëniet tregtare të BE. Marrëveshja e re e tregtisë së lirë e Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” i krijon mundësi të artë Moskës për të thyer sanksionet ekonomike të BE, si në rajonin e Ballkanit, ashtu dhe në shkallë evropiane. Nëpërmjet marrëveshjes së tregtisë së lirë me Serbinë, Rusia mund të depërtojë pa taksa lirisht në tregjet ballkanike dhe të CEFTA-s dhe të kompensojë sanksionet e BE-së. Po kështu Rusia nëpërmjet këtij instrumenti, mund të depërtojë lirisht në të ashtuquajturën zonë të përbashkët ekonomike ballkanike, që ia ka propozuar presidenti serb ballkanikoperëndimorëve, dhe që të dehurit shqiptarë të ballkanizmit internacionalist na e shesin për sukses të integrimit rajonal.

Kështu,efektet antieuropiane të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” do të vijnë duke u rritur. Por çështja nuk është vetëm në planin ekonomik dhe tregtar. Është e kuptueshme se përfshirja kontraktuale e Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” të Rusisë është pjesë e procesit të integrimit të Serbisë në këtë organizatë dhe në organizmat e tjera të krijuara nga Moska. Tomislav Nikoliç, kur ishte president i Serbisë, e ka shprehur zyrtarisht këtë vijë integrimi rus me deklaratën se “Ne i japim mbështetje të plotë proceseve të tjera integruese si: në“Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”.

Në planin diplomatik dhe politik përfundimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë të Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” të drejtuar nga Rusia, është një shuplakë e drejtpërdrejtë e Beogradit ndaj Bashkimit Evropian. Konsideratat qeveritare serbe, që kanë çuar në atë marrëveshje, nuk janë thjesht tregtare, por në radhë të parë janë politike dhe strategjike afatgjata në vijën proruse. Siç thekson analisti i njohur serb i politikës së jashtme, Boshko Jaksiç,: “Bashkimi Ekonomik Euroaziatik” është më shumë një aleancë politike, se sa një aleancë ekonomike. Ky dimension politik është i rrezikshëm”.

Pyetja e thjeshtë, që lind, është se përse Serbia, e cila e di se ditën e anëtarësimit në BE është e detyruar të heqë dorë nga gjithë marrëveshjet e tregtisë së lirë të nënshkruara prej saj, përfundon tani një marrëveshje të tillë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, të drejtuar nga Rusia?

Kjo do të thotë që në lojën bizantine të dy karrigeve, që Beogradi po luan me BE dhe me Rusinë, prirja e brendshme themelore është ajo e lidhjes me Rusinë. Nuk shpjegohet ndryshe, që Serbia përfundon një marrëveshje të re të tregtisë së lirë, e cila do të skadojë në 2025, datën kur i është premtuar asaj nga Brukseli për anëtarësim.

Nga ana tjetër, një pikëpyetje e rëndësishme është se si dhe përse Moska, që din fare mirë kushtin e BE për shfuqizimin e marrëveshjeve tregtare ditën e anëtarësimit, lejon që Serbia të nënshkruajë një marrëveshje, e cila do të shfuqizohet pas pak vitesh. Me sa duket Rusia është e ndërgjegjshme se Serbia e konsideron Bashkimin Europian një aleat të përkohshëm, të cilin e nanurit me deklarimin  zyrtar për orientim europian. Moska është e bindur nga informacionet e sakta të brendshme për rrugëtimin rus të Serbisë, sepse po të ishte ndryshe, nuk do të ishte e mundur që presidenti rus Putin të denjonte të takohej 16 herë me presidentin e Serbisë, Vuçiç.

Në një situatë të tillë të komplikuar, ajo që të habit është heshtja, që po mban BE-së ndaj kësaj tradhtie të re të Serbisë me Rusinë. Nëse bëjmë krahasimin se kush i dëmton më shumë interesat ekonomike dhe strategjike të BE-së: Marrëveshja e tregtisë së lirë e Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik” të Rusisë, apo taksa e qeverisë së Kosovës për mallrat serbe, përgjigja është shumë e lehtë. Dëmi i madh i vjen Bashkimit Evropian nga marrëveshja e Serbisë me “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, që saboton sanksionet evropiane dhe fut Rusinë nga dritarja në hapësirat ekonomike evropiane. Me të vërtet është absurde që disa burokratë të lartë të Brukselit nuk po ndihen fare për këtë marrëveshje antieuropiane të Serbisë me Moskën dhe rrinë ditë e natë duke mprehur retorikën për taksën e Kosovës ndaj mallrave serbe. Aq e lartë është bërë dalldia filoserbe në disa zyra në Bruksel, sa që ka ndodhur që ndonjë burokrati të lartë të arrijë deri në pikën, ku nuk e kap logjika, dhe t’i sugjerojë Kosovës  t’i kërkojë falje Serbisë për taksën. Dhe kjo ndodh, kur Brukseli nuk po i kërkon Serbisë dhe Presidentit Vuçiç, (që ka qenë anëtar i qeverisë së kriminelit ndërkombëtar Millosheviç), që t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës për gjenocidin dhe spastrimin etnik të vitit 1999.

Një kërkesë falje, që është detyrim përpara çdo dialogu midis një shteti agresor si Serbia dhe një shteti viktimë si Kosova.

Ka një çarje tektonike antihistorike në gjykimin dhe në vlerësimin diplomatik të disa zyrave të Brukselit, të cilat nën ndikimin e lobit filoserb në diplomacinë europiane, po e shohin historinë ballkanike kokëposhtë dhe harrojnë gjenezën e çështjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Madje ekziston dyshimi i bazuar se ndonjë zyrë në BE-së po propozon që të sakrifikohet sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës për të kënaqur orekset serbe. Dhe kanë gjetur si alibi të mbrojtjes së interesave aneksioniste të Serbisë taksën e Kosovës për mallrat serbe.

Këtë klimë të çuditshme indulgjencash brenda diplomacisë europiane për shtetin, që ka ndërmarrë katër agresione kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, Serbia e konsideron inkurajim për rrugën e lidhjes së saj gjithnjë e më të ngushtë me Rusinë. Ndaj Beogradi mospërfill BE-në dhe përfundon marrëveshjen antieuropiane të tregtisë së lirë me“Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, bëhet shtet vëzhgues në aleancën ushtarake “CSTO” të Rusisë, armatoset me armë të sofistikuara ruse si kërcënim për shtetet europiane, i jep baza ushtarake Rusisë, i kundërvihet BE-së për sanksionet, për agresionin rus në Ukrainë, për dëbimin e diplomatëve rusë, dhe për çdo akt të BE-së në raportet me Rusinë. A ka ndonjë logjikë heshtja komprometuese e Brukselit ndaj qëndrimeve flagrante serbe?

Kjo është loja e nëndheshme e dobësimit të vetë BE në përplasjen e saj gjeopolitike me Rusinë. Çdo favorizim, që BE i bën Serbisë, është favorizim i vetë interesave të Rusisë në Ballkan dhe në Europë. Shpresat janë që europeistët të dalin më të fortë se filorusët në diplomacinë europiane dhe të shihet e vërteta në sy. Është interesi gjeopolitik europian që kërkon të reagohet për çdo hap negativ antieuropian si këto, që Serbia po ndërmerr njërin pas tjetrit. / Dita

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...