Një agjendë e re për sigurinë ndërkombëtare dhe nevoja për një model të ri strategjik

Opinione

Një agjendë e re për sigurinë ndërkombëtare dhe nevoja për një model të ri strategjik

Nga: Shpetim Prelvukaj Më: 18 prill 2019 Në ora: 17:34
Shpetim Prelvukaj

“Për 2,000 vitet e fundit, ne kemi vërtetuar të njëjtën mënyrë të jetës. Por sot nëse keni të veshur uniformën e duhur dhe keni fjalëkalimin e duhur, mund të hyni në një fortesë” - Sebastien Taveau

- Në kohën në të cilën po jetojmë, në këtë epokë globalizimi, krahas të gjitha kërcënimeve të pa numërta për sigurinë, është revolucioni digjital që ka prekur çdo sferë të jetës në botën moderne, me synimin për ta bërë jetën tonë më të lehtë dhe më të përshtatshme. Megjithatë, pasojat e papritura të këtyre zhvillimeve kanë çuar në shfaqjen e kërcënimeve të reja, të cilat jo vetëm që e vënë privatësinë tonë në rrezik, por edhe sigurinë tonë. Ky fenomen është bërë një prej synimeve kryesore strategjike të secilit vend. Teknologjia e re dhe moderne e komunikimit si dhe disponueshmeria e mjeteve dhe njohurive teknike, i kanë bërë organizatat transnacionale të afta për të arritur ndikimin e tyre strategjik. Transformimi i shkaktuar nga ky digjitalizim në vazhdim krijon varësi të reja të ndërkomunikimit në shoqerinë globale. Sot ekonomia, administrata por edhe sigurimi i shërbimeve thelbësore mbështetën në integritetin e hapsirës kibernetike dhe infrastrukturën, sistemet dhe të dhënat që e mbështetin atë.

- Që nga vitet 2000 dhe deri në vitin 2019 – të, interneti është zgjeruar me një normë mesatare prej 968.0% në nivel global dhe aktualisht rreth 4 miliard e gjysmë njerëz janë online (aktiv në përdorimin e internetit), duke u bazuar në raportin global të internetit. Nga kjo rezulton që hapësira kibernetike (– konsiderohet hapësira virtuale globale e të gjithë sistemeve të Informacionit të ndërlidhur në nivel global të dhënash, i referohet botës kompjuterike virtuale dhe më konkretisht është një rrjet i madh kompjuterësh i përbërë nga shumë rrjete kompjuterike në mbarë botën që përdorin protokollin TCP/IP, për të ndihmuar në komunikimin dhe aktivitetet e shkëmbimit të të dhënave) në ditët tona po bëhet një nga sfidat më të mëdha ligjore e cila është duke nxitur një formë tjetër të krimit, duke krijuar një mjedis për metodat e reja të krimit të organizuar transnacional. Pra pothuajse sot të gjitha krimet, apo pjesa më e madhe e tyre mund të kryhen vetëm me përdorimin e kompjuterëve.

- Pra pavarësisht avantazheve, apo qoftë edhe zhvillimeve të shpejta që sjell teknologjia, ajo gjithmonë ka treguar se ka edhe një anë të errët të saj, ku idetë dhe synimet e mira prodhojnë rezultate të padëshiruara. Krimet kibernetike (i referohet krimeve në të cilat përfshihen kompjuterët dhe rrjeta kompjuterike, është vepër penale që është krijuar me krijimin e teknologjisë, apo mund të konsiderohet një krim tradicional i transformuar në krim kibernetik/kompjuterik) të kryera në rrjetet online, sot i tejkalojnë kufijtë kombëtarë, duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për t’i hetuar ato. Si rezultat i kësaj, kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare janë rritur në mënyrë dramatike.

- Ndërsa numri i sulmeve kibernetike rritet dhe merr më shumë kohë për t’u zgjidhur, gjithashtu kostoja e krimit kibernetik vazhdon të rritet. Humbjet e përgjithshme monetare nga krimi kibernetik mund të llogaritën me shifra të mëdha. Sipas një raporti të vitit 2019-të, nga “Symantec (Internet Security Threat Report)”, më shumë se 2.8 milion njerëz bien viktima të një krimi kibernetik çdo ditë, duke filluar nga një vjedhje e thjeshtë e fjalëkalimeve, vjedhja e parave, vjedhja e pronësisë intelektuale, përhapja e viruseve dhe krimbave për të dëmtuar kompjuterët e lidhur në internet, kryerja e mashtrimeve dhe deri të mashtrimet e mëdha monetare dhe më gjerë. Me një humbje mesatare prej 197 $ - për viktimë, kjo shifër rezulton me më shumë se 110 miliardë dollarë, të humbur nga krimi kibernetik në mbarë botën ç’do vit. Megjithatë shifrat janë edhe më të mëdha, pasi që ende nuk kemi statistika të vërteta për krimet kibernetike, për shkak që shumica nuk i raportojnë sepse ndikojnë negativisht në zhvillimin e biznesit dhe imazhit të tyre publik.

- Me pak fjalë në hapësirën kibernetike nuk ka rregulla loje, apo një teren të caktuar ku mund të orientohemi. Për të parë se sa serioz mund të jetë ky fenomen, mjafton të shohim disa nga sulmet e tyre në arenën ndërkombëtare. Më poshtë janë vetëm disa nga sulmet më të rënda kibernetike:

Kriminelet kibernetik arritën të vjedhin 650 milionë funte (£) nga bankat globale, në vitin 2015- të, për një periudhë prej dy vjetësh. Më pas ata ishin në gjendje të imitojnë personelin e bankës në internet për të autorizuar transferimet mashtruese dhe për të shpërndarë para, pa një kartë bankare;

Virusi WannaCry - Sulmi më i përhapur kibernetik ndonjëherë, kur kriminelët kibernetik arritën të fitojnë qasje në sistemin kompjuterik të NHS-së (National Health Service), në mes të vitit 2017, i cili shkaktoj kaos në sistemin mjekësor të Britanisë së Madhe, duke e shkatërruar atë;

Tre kriminel kibernetik në fund të vitit 2015, duke përdorur më shumë se 200 dokumente të rreme identiteti, vodhën informacione nga më shumë se 83 milionë klientë nga JP Morgan, duke rezultuar në qindra miliona dollarë në fitime të paligjshme;

Një miliardë llogari përdoruesish (informacion personal duke përfshirë emrat, numrat e telefonit, fjalëkalimet dhe adresat e emaili-t) të vjedhur nga Yahoo (korporatë publike amerikane me seli në Sunnyvale, California, në Silicon Valley që ofron shërbime interneti në gjithë botën) në vitin 2013-të, nga kriminelët kibernetik...

- Për luftimin e këtyre krimeve është i nevojshëm edukimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, si një nga strategjitë më të besueshme. Përveç kësaj, universitetet, shkollat e arsimit të lartë dhe institucionet akademike duhet të hapin lëndë të veçanta të projektuara për të lejuar gjeneratat e ardhshme të gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve që të aftësohen në këtë fushë të vështirë, por shumë aktuale dhe të rëndësishme. Perveç kësaj është i dëtyrueshëm një plan veprimi më i detajuar, i cili do të përshkruajë se si do të ndiqen dhe do të zbatohen në të ardhmen prioritetet strategjike, objektivat dhe parimet bazë për politikat e sigurisë të sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit!

Autori, ekspert i DPL në Shkencat e Sigurisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat