Puthja e mistershme e spiunit famkeq - juda tradhëtar - Bota Sot
Puthja e mistershme e spiunit famkeq - juda tradhëtar

Opinione

Puthja e mistershme e spiunit famkeq - juda tradhëtar

Nga: Dedë Palokaj Më: 19 prill 2019 Në ora: 08:51
Dedë Palokaj

Sot sipas kalendarit të Kishës Katolike, është e Premtja e Madhe e Pashkëve, dita kur përkujtohen vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit në kryq i cili u tradhëtua nga një nxënës i tij. Tradhëtia është një dukuri e lashtë e përhapur kudo në botë, gjëja më e shëmtuar dhe më e turpshme e njeriut. Disa tradhëtojnë për ideale, disa për para, disa për politikë, disa shtrembërojnë historinë, disa shesin vendin, miqtë, familjen dhe fenë e tyre duke ndryshuar rrjedhen e zhvillimit të historisë. Njerëz të shitur e tradhëtar kishte gjithmonë.

Tradhëtari më famëkeq në histori i cili u bë sinonim i tradhëtisë, lakmisë dhe zilisë së turpshme për të përvetësuar atë që nuk i takon, është Judë Iskarioti i njohur për tradhëtinë që ia bëri Jezu Krishtit. Juda një nga 12 apostujt, spiun i pabesë e tradhëtoi Jezusin për 30 monedha argjendi - aq sa ishte çmimi i blerjes së një skllavi në tregun e lirë romak. Një vepër e shëmtuar me paramendim të hollësishëm, madje edhe shenja e tradhtisë, puthja e Jezusit në një natë të errët tragjike.

Në fillim, Jezusi kishte besim të plotë në Judën. Mu për këtë Jezusi ia kishte besuar një post të privilegjuar duke ia besur qesen e parave dhe kujdesin për bashkësinë. Në postin e tij drejtues Juda ishte i lirë të dal jashtë rrethit të apostujve pa kurrfarë kontrolle dhe pa kufizim. Me daljet e shpeshta dhe të lira, me detyrën e besimit dhe sipas detyrës zyrtare, Juda kishte mundësi të kontaktoj me njerëz të kategorive të ndryshme të asaj kohe e në vende të dyshuara. Mirëpo Juda e keqpërdori detyrën deri në tradhëti ndaj Jezu Krishtit. Në keqpërdorimin e besimit qëndron gjithë shkaku i tradhtisë së tij. Me dalje të shpeshta e të panevojshme, kushedi sa herë, Juda nuk ishte i pranishëm për të parë e për të dëgjuar prej Jezusit atë që ishte e nevojshme për veprimtari apostullike.

Edhe pse për Judën ka pak të dhëna historike, në bazë të atyre shkrimeve që kemi del se tradhëtia e asaj nate ka një histori, një vazhdimësi pak më të gjatë. Juda edhe pse qëndroj në shoqëri me Jezusin, veprimet e tija dëshmojnë se ai ishte më tepër formalist i vakët - as i nxehtë as i ftohtë për për të qenë një apostull i denjë. Humbja pak nga pak e kujdesit, besimit dhe thirrjes, ndikoj që ai gradualisht të largohet nga Mësuesi vet duke pakësuar interesimin për gjërat më të nevojshme dhe më të rëndësishme që predikonte Jezusi. Duke mos i përcjellur me kujdes mësimet e Jezusit ashtu siç i përcillnin apostujt tjerë, Juda edhe pasi kishte dëgjuar fjalët e Jezusit: “Biri të njeriut i duhet të pësojë shumë, do të vritet dhe do të ngjallet pas tri ditësh” (Mk 8:31), në mënyrë të habitshme ndërron qëndrimin e vet duke kaluar përfundimisht nga dashuria në tradhëti.

Zakonisht figura e Judës paraqitet si sakrificë e lakmisë për para. Mirëpo nuk është kjo arsyeja e vetme. Krahas lakmisë për para, tek Juda bie në sy rënia në formalizëm, indiferentizëm dhe lënia pas dore e thirrjes së tij për shërbim të ri. Kjo shihet tek qortimi i tij kur reagon që të mos harxhohet vaji erëmirë, i cili mund të shitet dhe t’ju ndahet skamnorëve: “Foli kështu, jo pse ishte fort në kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e mbasi ai e mbante qesen, vidhte çka qitej brenda saj“ (Gjn 12: 6). Qysh atëherë e deri sot e kësaj dite emri i Judës u bë sinonim i tradhëtisë dhe lakmisë njerëzore.

Tradhëtia zbulohet në shumë mënyra: nga zëri, shikimi i dyshuar, mohimi i së vërtetës etj. Juda e zbuloi tradhëtinë e tij me një puthje të habitshme tradhëtare që ia dhuroj Jezusit. “Kë unë e puth - ai është! Atë kapni!” (Mt 26: 48). Një puthje e tillë nuk ishte shenjë e dashurisë, por e tradhëtisë, një sinjal për të arrestuar Jezusin. Pse Juda nuk qëndroj besnik deri në fund ndaj Jezusit si nxënësit tjerë? Sepse kishte shpirtë egoist, e donte më shumë paranë se sa mësuesin e vet.

A është Juda i vetmi tradhëtar nga ajo kohë e deri me sot e kësaj dite? Jo, nuk është i vetmi. Ka shumë tradhëtar tjerë që u rreshtuan gjatë gjithë historisë. Madje edhe ne jemi pjesëmarrës në tradhëtinë e Judës. Nëse e kemi mohuar qesen e Judës, dmth. lakmin e sëmuar për para dhe serfilizëm, kjo nuk do të thotë se e kemi mohuar një gjë tjetër, e kjo është e keqja dhe egoizmi ynë që kufizon dhe shkatërron interesat e të tjetrëve për hir të vetvetes. Sepse njeriu është i krijuar të jetojë mirë në botën e marrëdhënieve me njerëz tjerë. Jashtë marrëdhënieve me të tjerët ai e ka të vështirë të jetojë, sepse humaniteti i tij është fryt i të jetuarit mes njerëzve. Bota e marrëdhënieve me të tjerët është kusht për ekzistencën e individit. Njeriu rritet, zhvillohet, edukohet dhe formon personalitetin në marrëdhënie me tjetrin. Njeriu nuk është krijuar të jetojë vetëm për veten e vet.

Çdo e keqe që e bënë njeriu është tradhëti. Andaj t’i zbulojmë gjurmët e tradhëtisë sonë, intrigat e Judës brenda shpirtit dhe vetëbesimit tonë të luhatshëm dhe shepsh edhe të rrejshëm. Tradhtia e Judës na jep shumë qartë një shembull tipik të besimit, të parasë dhe të detyrës së keqpërdorur. Çdo e keqe është besim i keqpërdorur, shans i humbur dhe tradhti si e Judës! Bjerrja e Judës dhe tradhëtisë së tij, sikur në çdo bjerrje, deri në tradhëti, shkaktari kryesorë është besimi, pozita dhe detyra e keqpërdorur. Pastaj kjo të shpie deri të lakmia, jeta dyfytyrëshe, skllavërimi, rrena, vjedhja dhe shpërdorimi e deri të aferat korruptive - rruga pa krye, e së fundi deri në rrënim të tërësishëm. Ai që tradhëton ndërgjegjën e vet, parimet e shendosha, familjen, popullin dhe vendin e vet, ai tradhëton të gjithë dhe bëhët “bir i bjerrjes” (Gjn 17:12). A ka sot ndër shqiptar puthje si të Judës tradhëtar?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...