Gjumi i lidershipit të Kosovës dhe propaganda gënjeshtare e Serbisë

Opinione

Gjumi i lidershipit të Kosovës dhe propaganda gënjeshtare e Serbisë

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 22 prill 2019 Në ora: 09:00
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq

Në Kosovë gara për pushtet e lidershipit kosovar, gara për poste udhëheqëse dhe gara për tu pasuruar nëpërmjet korrupsionit, dy dekada e la anash dhe nuk e kreu sa duhet punën më të domosdoshme, më të ndershme, më fisnike dhe më njerëzore që e kishte borxh dhe obligim moral e kombëtar, e që është evidentimi, grumbullimi i të dhënave, fakteve e dëshmive të krimeve, masakrave dhe shkatërrimeve që ushtria e Serbisë i kreu ndaj shqiptarëve në Kosovë. Si pasojë e kësaj lidershipi i Kosovës la në haresë edhe botimin, përkthimin në gjuhë të huaja të këtyre dëshmive të luftës dhe shpërndarjen e tyre te ambasadorët e OKB-së, në BE, KE dhe te burrshtetasit nëpër botë. Kjo me siguri do tia thente hundët njehërë e përgjitmonë prapagandës gënjeshtare të Serbisë e cila edhe pse është agresore dhe kryerëse e krimeve në Kosovë shitet si viktimë.

Presidenti Hashim Thaçi pranoi të shkojë në Bruksel të bisedojë me Serbinë pa dhënë asnjë kusht. Shkoi në bisedime me Serbinë si me shkuar në dasëm. Nuk janë të rastësishme deklaratat e rreme të lidershipit të Serbisë që merr guximin e thotë se masakrat në Kosovë janë trillime. Serbia është gjakatare, vrasëse, kriminele, e etshme për okupim e gjak shqiptar dhe ajo e ndjek situatën në Kosovë si gjarpri gjahun. Po qe se i lëmë hapësirë Serbisë në propagandën e saj dinake e gënjeshtare përkundër fakteve të shumta që i ka Kosova, nesër Serbia mund të na thotë se ne serbët nuk ju kemi bërë asnjë të keqe ju shqiptarëve e lene më tu kemi vrarë, masakruar e shkatërruar.

Kështu ndodh kur lidershipi në Kosovë dy dekada ishte në gjumë duke vrapuar vetëm pas interesave të ngushta vetjake, por shumë të dëmshme për Kosovën. Mirë thotë populli, kur maçori fle, minjtë heqin valle. Rrugëtimi i deritashëm i Kosovës tregoi se, tjetër është ta fitosh lirinë e pavarësinë,dhe tjetër është ta forcosh shtetin e ta mbrosh lirinë.

Kjo pranverë mbetet më mbresëdhënësja në moshën time 73 vjeçare. Ky imazh u krijua realisht dhe fuqimisht nëpërmjet akademive përkujtimore dinjitoze dhe homazheve e nderimeve me plot shpirt e respekt për të rënët në luftën e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë nga dora gjakpirëse, kriminele e barbare e ushtrisë dhe e paramilitarëve të Serbisë.

Ky heroizëm dhe kjo sakrificë e shqiptarëve në Kosovë e ndihmuar edhe nga aviacioni i NATO-s e dëbuan ushtrinë e madhe të Serbisë sëbashku me armatimin e rëndë dhe njësitë e shumta tankiste. Kështu u çlirua Kosova dhe e fitoi pavarësimë e shumëpritur. Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës i gëzoi dhe enthuziazmoi jo vetëm shqiptarët e Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë në botë.

Ajo që më motivoi ti shkruaj këto rrjeshta ishin zotimet që i dëgjuam me rastin e këtyre përkujtimeve për martirët dhe viktimat e luftës nga lidershipi dhe nga udhëheqësit komunalë në Kosovë, se do të angazhohen në grumbullimin e argumenteve dhe nxjerrjen e kriminelëve serbë para drejtësisë për krimet, masakrat dhe dhunimet mizore që i kryen para 20 viteve në Kosovë.

Ta përjetosh Kosovën para 20 viteve tym e flakë. Ta përjetosh Kosovën me 15 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar, në mesin e tyre gra, pleq po edhe fëmijë e foshnje. Ta përjetosh Kosovën me 20 mijë femra shqipatëre të dhunuara në mënyrën më mizore e shtazarake. Ta përjetosh Kosovën me 1600 shqiptarë të të gjitha gjinive dhe moshave të rrëmbyer fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.Ta përjetosh Kosovën me gjenocidin serb që detyroi 1 milion shqiptarë të marin rrugën e eksodit për të shpëtuar kokën. Ta përjetosh Kosovën me mijëra gra të mbetura te veja e me mijëra fëmijë të mbetur jetima plagët e të cilëve nuk mund të shërohen asnjëherë, e të dëgjosh nga lidershipi i Kosovës se ende nuk janë grumbulluar të gjitha faktet e dëshmitë si edhe se tani pas 20 viteve të kaluara do të angazhohet që kriminelët serbë në nxirren para drejtësisë, me të vërtetë është një indiferentizëm, papërgjegjësi dhe gabim i pafalshëm që i meriton kritikat më të mëdha të mundshme.

Informatat në mediat e Kosovës, se dy dekada pas përfundimit të luftës dhe 11 vite pas shpalljes së pavarësisë shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të kryejë dokumentimin e plotë të krimeve që kanë kryer ushtarët dhe paramilitarët serbë ndaj shqiptarëve në Kosovë, e shtojnë edhe më shumë dëshprimin e zhgënjimin tonë dhe të mijëra familjeve që nuk u mbyllen plagët e shkaktuara në shpirtin e tyre për prindërit, familjarët dhe të afërmit e vrarë e të masakruar nga serbët.

Sipas informatave nga shtypi kosovar Qeveria e Kosovës në vitin 2011 themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili funksionoi gjer në vitin 2018 dhe botoi 9 libra për vrasjet, , personat e pagjetur, gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe shkatërrimin e monumenteve kulturore, fetare dhe të pasurisë së shqiptarëve.

Ismet Salihu, ish drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës tashmë të mbyllur, deklaron se “nuk është bërë aqë sa duhet në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve, por edhe në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme. Ky Institut nuk ka mundur të bëjë më shumë pasi nuk është mbështetur nga institucionet dhe se puna më e madhe është bërë nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile. Kemi qenë gjashtë persona dhe një teknik të punësuar në këtë Institut. Nuk na kanë mbështetur dhe nuk na kanë lejuar mjete të hulumtojmë në terren,më shumë hulumtime kemi bërë vetë në baza vullnetare. Mosevidentimi dhe mospublikimi i të dhënave në gjuhën angleze e serbe për secilin krim të kryer është krim i dyfishtë mbi viktimat e luftës. Për çdo masakër, për çdo varrezë masive është dashur të bëhet një hulumtim i veçantë dhe me emër e mbiemër e me fotografi të shkruhen e botohen në gjuhën shqipe, angleze por edhe serbe për të patur qasje edhe popullata serbe e Kosovës edhe ajo e Serbisë për ato krime që janë kryer. Qeveria e Kosovës në vend të mbylljes së këtij Instituti duhet ta rihapën dhe ta forcojë këtë Institut me më shumë punonjës, shkencëtarë dhe doktorë shkencash dhe hulumtues për në terren, që tash e turje të arrihet të evidentohen e të publikohen këto krime serbe ndaj shqiptareve. Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet ta hapën edhe Muzeun e Krimeve të Luftës ku do të ekspozoheshin faktet dhe dëshmitë e mbledhura” , thotë ish drejtori Ismet Salihu.

Tani lind pyetja si është e mundur që qeveritë, ministritë dhe institucionet e deritashme në Kosovë të harxhojnë miliona euro për udhëtime, dieta, darka e dreka të shtruara, dhe për vetura luksoze, e të mos tegojnë interes që ky Institut të mos mbyllet, por përkundrazi të zgjerohet dhe ti krijohen kushte e mundësi maksimale për ta kryer këtë punë aqë të rëndësishme për Kosovën, historine saj të hidhur dhe për mbarë shqiptarët.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, sipas mediave kosovare gjithashtu deklaron se, “ institucionet shtetërore të Kosovës nuk kanë bërë sa duhet në evidentimin e krimeve të luftës dhe mbledhjen e fakteve e dëshmive nga dëshmitarët e të mbijetuarit, dhe se punën më të madhe e kanë kryer organizatat e ndryshme dhe shoqëritë civile. Kjo vonesë prej dy dekadash krijon vështirësi të mëdha në këtë proces sepse shumë dëshmitarë dhe të mbijetuar tashmë kanë ndëruar jetë. Duhet forcuar bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe me Tribunalin e Hagës që të mund ta marim edhe ne dokumentacionin e atjeshëm që disponon Tribunali i Hagës lidhurr me krimet serbe në Kosovë”, thotë Bekim Blakaj.

E tërë kjo tregon për naivitetin dhe pakujdesinë ekstreme të qeverive, ministrive dhe institucioneve të deritashmë në Kosovë gjatë këtyre dy dekadave , për dëmin e madh që i kanë shkaktuar Kosovës dhe për mëkatin e madh që e kanë bërë ndaj vajzave dhe djemve shqiptarë që pa hezitim flijuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës,për mëkatin e madh që e kanë bërë ndaj viktimave civilë të luftës, për mëkatin e madh që e kanë bërë ndaj familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre, për mëkatin e madh që e kanë bërë ndaj grave që kanë mbetur të veja dhe ndaj fëmijëve që kanë mbetur jetima.

Këto gabimë të bëra gjertani deryrimisht duhet të eliminohen dhe korrigjohen për të shpëtuar dhe për tu kryer ajo që mund të kryhet. Rrugë tjetër nuk ka. Keqbërësit e kanë njollosur veten dhe familjet e tyre dhe do të mbeten njollë e zezë e tradhëtisë në historinë kosovare e mbarëshqiptare. Keqbërësit do ta pësojnë në mos nga bashkëkombasit, do ta pësojnë në mënyrë të pashmangshme nga Zoti, i cili keqbërësit i ndëshkon me ashpërsinë më të madhe, e nga kjo nuk ka shpëtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat