Merruni me të gjallët, jo me të vdekurit

Opinione

Merruni me të gjallët, jo me të vdekurit

Nga: Prof.Dr. Mehdi Hyseni Më: 23 prill 2019 Në ora: 20:55
Prof.Dr. Mehdi Hyseni

Ka ardhur koha që liderët politikë udhëheqës të shqiptarëve, të mësojnë nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore, që të mos e plaçkisin dhe të mos e vjedhin shtetin, sepse shteti është vetë populli. Mjaft më, u teprua qe 30 vjet krim, plaçkë, dhunë, pasiguri dhe shfrytëzim i egër i popullit.

-Lini Enver Hoxhën historisë, mirruni me fatin, me ekizstencën, me zhvillimin, me përparimin dhe me mirëqenien e popullit, me sigurinë, me drejtësinë, me demokracinë dhe me paqen.

Nëse duam shtet të njëmendtë ligjor dhe demokratik me substancë evro-perëndimore dhe amerikane, atëherë, në mënyrë imediate nevojitet të ndërpritet praktika e derisotme 30-vjeçare e udhëheqjeve politike shqiptare, të cilat gabimet, korrupsionin, krimin e organizuar, abuzimet e ligjit, të kushtetutës, të drejtësisë, të plaçkitjes dhe të hajdutërisë…etj., të gjitha këto antivlera, që nuk kanë asnjë lidhje me humanizmin, me ligjin e as me drejtësinë evro-perëndimore e as amerikane, po orvatën t’i fshehin dhe t’i justifikojnë në sy të popullit, të Evropës, të Amerikës dhe të botës, duke u fshehur vazhdimisht pas emrit të Enver Hoxhës jo më pak se 30 vjet!

Mirëpo, duhet të jenë të vetëdijshëm se për të gjitha gabimet e bëra gjatë tri dekadave të fundit (1990-2019) mbajnë përgjegjësi garniturat e derisotme udhëheqëse politike të Shqipërisë (Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani, Pandeli Majko, Aleksandar Meksi, Ilir Meta dhe Edi Rama…etj., jo Enver Hoxha i vdekur e as regjimi i perënduar socialist.

Demokratë evropianë dhe amerikanë të civilizuar janë ata udhëheqës shqiptarë, që nuk e vjedhin shtetin e vet, që nuk e lënë pa bukë, pa punë, pa ekzistencë, pa mirëqenie dhe pa ardhmëri popullin e vet. Ata janë demokratë të vërtetë që e duan popullin dhe shtetin e vet, që duan dhe përfillin vlerat e Amerikës dhe të Evropës Perëndimore Demokratike.

Pavarësisht se, kush ishte dikur në krye të Shqipërisë (Ismail Qemali, Ahmet Zogu apo Enver Hoxha) dhe kush është sot në krye të Shqipërisë (Ilir Meta dhe Edi Rama), duhet të thuhet dhe të shkruhet vetëm e vërteta, duke mos anashkaluar asnjë fazë të historisë dhe të politikës së shtetit shqiptar, pavarësisht nga sistemet e tyre politike (1912-2019).

As historianët e as liderët politikë, allashkencëtarët dhe përrallëtarët e masmediave private të sotme (1990-2019) nuk kanë kurrfarë të drejte morale e as ligjore, që për të gjitha krimet, dhunën, plaçkën, papunësinë, varfërinë, shfrytëzimin e egër të popullit, korrupsionin, drogën, prostitucionin, kontrabandimin e qenieve të gjalla, eksodin sistematik , i cili gjatë 30-viteve të kaluara (1990-2019) ka marrë përmasa drastike, ku Shqipërinë e kanë braktisur mbi 1 milionë shqiptarë, që ta fajësojnë vetëm Enver Hoxhën e vdekur dhe sistemin e perënduar komunist, sepse ata janë shuar qe 35 vjet.

Këtë tragjedi dhe krizë të thellë ekonomiko-politike, sociale, morale, shoqërore, kombëtare dhe shtetërore të sotme, askush nuk ka të drejtë t’ia “amputojë” Enver Hoxhës, por vetëm atyre liderëve politikë të sotëm, të cilët qe 30 vjet (1990-2019), popullin dhe Shqipërinë e kanë shndërruar në një plaçkë tregu të zi, ku sundon ligji i xhunglës, kush është më i fuqishëm ekonomikisht, financiarisht, më mafioz, më despot, më absolutist, më nepotist, më grabitës, më sadist, më rrenc, më korrupcionues, më mashtrues, më trafikant, më pirat, më manipulues dhe më i pangopshëm, ata kanë siguruar për vete, për grupe, për klane, për partia dhe për familje pushtet dhe pasuri enorme, duke u bërë milionerë “brenda nate”, “demokratë”, “patriotë” e “biznesmenë” etj., e shumicën dërrmuese të popullit e kanë lënë buzë greminës së urisë, të varfërisë dhe të mjerimit trishtues ekonomiko-social dhe material.

Pra, duke vjedhur dhe nëpërkëmbur shtetin, çifligarët dhe derebejtë e pashpirtë, antihumanë, antidemokratë dhe antikombëtarë e kanë harruar popullin(vegjëlinë), duke e lënë të papunë, në varfëri të thellë të kohës migjeniane, pa ekzistencë dhe pa kurrfarë perspektive për ekzistencën e zhveshur të sotme dhe për të nesërmen e tij. Mbi të gjitha këtë e dëshmon eksodi i institucionalizuar sistematik 30-vjeçar, ku nga Shqipëria kanë emigruar mbi 1 milion shqiptarë në Greqi, në Itali, në Gjermani, në Angli, në Autri, në Belgjikë, në Holandë, në Francë, në Amerikë , në Australi, në Argjentinë etj.

Kjo, do të duhej të ishte tema parësore e zhvillimit të debatit të përditshëm të qeverisë, të kuvendit, të politikës, të propagandës dhe të shkencës së sotme, jo të merremi vetëm me sharje, me kopalla, duke mohuar vetveten, duke e shfrytëzuar egërsisht dhe, duke e dëmtuar popullin shtetin shqiptar për të jetuar kasta e milionerëve dhe e oligarkëve mafiozë politikë dhe analfabetë shqiptarë, që po heqen si “pararojë” e demokracive perëndimore dhe si “shpëtimtarë” të shqiptarizmit, e në të vërtetë bëjnë punën e dreqit për interesa të tyre pushtetore, familjare, partiake, ideologjike dhe mafioze latifundiste, duke jetuar si baronët dhe si sulltanët e dikurshëm ( në luks, me vila dhe me kapital të vjedhur dhe të kontrabanduar).

Kjo kastë “demokratësh” fallso evro-perëndimorë, që 30 vjet (1990-2019) nuk ka bërë asnjë hap përpara për demokratizimin, për zhvillimin dhe për modernizimin e jetës së qytetarëve dhe të shtetit, por i kanë lënë në mjerimin edhe më të thellë ekonomik dhe ekzistencial, si dhe të mirëqenies sesa që ishin dikur nën regjimin e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.

Kasta e sotme politike në pushtet me bizneset e saj janë pasuruar aq shumë saqë fëmijët e vet dhe të afërmit tyre, si dhe fëmijët dhe të afërmit e miqve të tyre etj. qe 30 vjet i dërgojnë për të studiuar në kolegjet dhe në universitet më të shtrenjta të Evropës dhe të Amerikës. Ndërkaq, fëmijët e shumicës dërrmuese të shtresave të varfëra të popullit i kanë lënë të varfëruar, të papunë dhe pa kurrfarë mbështetjeje materiale dhe financiare për t’u punësuar dhe shkolluar brenda vendit. Ky diferencim i njerëzve në të pasur dhe, i atyre në të varfër, quhet diferencim i klasave-shfrytëzim i egër i njeriut prej njeriut. Ky diferencim quhet plaçkë, dhunë, pabarazi, anarki, skllavopronari, që një ditë patjetër, do të çojë në luftimin mes këtyre dy klasave shoqërore-borgjeze dhe proletare(varfnjake).

Mjaft më, duke na kthyer prapa me sharjet dhe me kopallat 30-vjeçare kundër Enver Hoxhës (sepse ai ka vdekur më 1985), JIPNI popullit bukë, punë, liri, drejtësi, barazi, siguri dhe mirëqenie të plotë, ashtu siç jeni zotuar edhe para Bashkimit Evropian (BE), edhe para NATO-s, edhe para Amerikës, JO të jetoni vetëm për vete dhe për fëmijët, për partitë, për bizneset dhe për kolltukët e juaj në pushtet (1990-2019), duke u hipur herë “hasa e herë kasa” për të jetuar vetë dhe “grixha” e juaj në kurrizin dhe në faturën e popullit dhe të shtetit të ashtuquajtur demokratik dhe parlamentar.

Kjo është gënjeshtra më e rafinuar dhe mashtrimi më i madh 30-vjeçar që po i bëhet popullit shqiptar, Evropës Perëndimore dhe Amerikës demokratike dhe shpëtimtare të Kosovës. Një mashtrim të tillë, nevojitet domosdo që Evropa dhe Amerika ta “bombardojnë” me sanksionet e tyre të ligjshme qoftë ekonomike, tregtare, politike, diplomatike etj., sepse Shqipëria nuk është pronë trashëguese vetëm e udhëheqësve korrupcionistë, trafikantë dhe mafiozë në pushtet, por është e të mbarë popullit.

Aty ( si në Kosovë dhe Shqipëri) ku njerëzit vuajnë për bukë, të papunë, të varfur në skajshmëri, duke kërkuar lëmoshë, duke vrarë njëri-tjetrin, duke vjedhur njëri-tjetrin, duke bër vetëvrasje, aty nuk ka liri, nuk ka drejtësi, nuk ka barazi, nuk ka solidaritet, nuk ka mirëqenie, nuk ka siguri, prosperitet, as demokraci e as paqe, por vetëm shtypje dhe robëri skllavëruese.

Sot, populli i shtypur, i uritur, i varfëruar, i papunë i mashtruar dhe i shfrytëzuar (jo më pak se 30 vjet) e ka fjalën kryesore dëshiron të jetojë barkthatë si hyzmeqar i kolltukofagëve dhe i barkmëdhenjve të pangopshëm korrupcionistë (që njohin vetëm votën e popullit, por deri më tash nuk kanë përmbushur asnjë kërkesë të tij të ligjshme dhe demokratike për ndryshimin e gjendjes nënshtruese dhe të mjerueshme ekonomiko-materiale dhe sociale etj.) APO të ndryshojë gjendjen e tij të mjerueshme sociale dhe të mirëqenies.

Derisa njerëzit shpërngulen përditë jashtë atdheut, nuk kanë punë, nuk kanë bukë për të ngrënë, ekzistncë elementare, nuk kanë strehë, nuk përkujdesje mjekësore, nuk kanë kurrfarë standardi jetese, ashtu siç kanë çifligarët dhe hajdutët e kastës sunduese në pushtet, për ta demokracia e propaganduar, është vetëm një nocion abstrakt, asgjë më shumë.

-Është krim sui generis dhe padrejtësi, që në një shtet të ketë bukë, punë, standard të lartë jetese, favore, privilegje, liri, drejtësi, siguri, mirëqenie të plotë dhe prosperitet vetëm për klasën sunduese në pushtet (për familjet dhe për miqtë e tyre milionerë, ashtu siç po ndodh në Shqipëri dhe në Kosovë, 1990-2019), e populli të braktiset si “tepricë teknologjike”, duke jetuar me ndihma sociale, që nuk mjaftojnë as për bukë thatë, as për qera, as për barna mjekësore e as për t’i dërguar fëmijët në shkollë, as për të pranuar ndonjë mysafir në shtëpi për ndonjë kafe, drekë a darkë apo për ndonjë gëzim familjar, ashtu si e do zakoni i pritjes së shqiptarit, sepse pasurinë, fabrikat, vendet e punës i kanë privatizuar dhe përvetësuar për vete derebejtë “demokratë” në pushtet, me mito, me korrupsion, me mashtrime, me kërcënime dhe me force etj.

Kjo formë e hajnisë privatizuese të pasurisë publike të popullit ( vetëm për pushtetarët mafiozë dhe të korruptuar), është më drastike, më iracionale dhe më antihumane sesa dikur shtetëzimi i pronave dhe pasurive private të bejlerëve dhe të pashallarëve nga regjimi komunist, sepse ato u bënë pronë e përbashkët-kolektive edhe e popullit, edhe e shtetit. Ndërkaq, privatizimi i sotëm i pronave dhe i pasurisë publike nuk është pronë e popullit, as e shtetit, por vetëm e hajdutëve milionerë dhe miliarderë në pushtet. Ky është dallimi esencial mes shtetëzimit të dikurshëm dhe privatizimit të sotshëm të pronave të qytetarëve shqiptarë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Mirëpo, kështu nuk thotë as drejtësia e as demokracia, por vetëm hajnia, krimi i organizuar, korrupsioni dhe padrejtësia, që nuk ka dyshim se një ditë, do të ndëshkohen edhe nga populli, edhe nga Evropa Perëndimore, edhe nga Amerika.

Këtë, duhet mbajtur parasysh keqtrajtuesit korrupcionistë gllabërues milionerë të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse kështu, duke e vjedhur, duke e shfrytëzuar dhe duke e diskriminuar popullin, në emër të rremë të demokracive perëndimore, nuk “do të shkojë gjithmonë kungulli mbi ujë” si thotë kjo fjalë e urtë e popullit.

Këtë koment po e mbyll me këtë strofë shpresëdhënëse (se së shpejti vegla e varfër dhe e shtypur, do të marrë fatin e vet në duart e veta) të Peomës “Vaji i Bylbylit” të Rilindësit tonë patriot, Ndre Mjeda:

“Bylbyl, ky shekull or e ças ndërrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.”

Pra, edhe vargjet domethënëse të kësaj strofe me plot figuracion metaforik na mësojnë se lëvizja është e domosdoshme dhe e shëndetshme për ndryshimin e status quo-s si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në atë të gjerë të rrethanave dhe të gjendjes së rëndë në robëri dhe në varfëri. Prandaj, nëse shqiptarët e varfëruar dhe të robëruar (siç po i ofendojnë kulakët e kohës, duke i quajtur me pafytyrësi “skamnorë”) ngrihen tok për t’i kërkuar të drejtat dhe liritë e veta elementare për të siguruar kafshatën e gojës dhe ndonjë punë për të mbijetuar, nuk do humbisni asgjë përpos robërisë dhe varfërisë, të imponuara nga klasa e lartë korrupcioniste dhe mafioze sunduese në pushtet.

Gabohen të gjitha ata liderë politikë-drejtues të dobët të shtetit nëse popullin e konsiderojnë opozitë politike, sepse populli është sovrani (jo kurrfarë partie politike opozitare) që ka të drejtën e plotë të ligjshme të krijojë, të korrigjojë dhe të ndërrojë çdo rend a sistem politik të shtetit nëse është në shpërputhje me të drejtën sovrane të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat