Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - Analizë e gjatë për zgjedhjet dhe dëshmia që shqiptarët pengojnë vetë-vetën

Opinione

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - Analizë e gjatë për zgjedhjet dhe dëshmia që shqiptarët pengojnë vetë-vetën

Nga: Valon Alimi Më: 24 prill 2019 Në ora: 21:26
Valon Alimi

Tashmë tre ditë kanë kaluar nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni ku kandidati i koalicionit qeveritar LSDM-BDI, Stevo Pendarovski, me rreth 4500 vota epërsi ka fituar mbi kandidaten e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova. Ndërkohë që kandidatet sllavo-maqedonas më shumë se 300 mijë vota, kandidati shqiptar i mbështetur nga “opozita shqiptare” Aleanca për shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka nuk i kaloi as 80 mijë vota pasi arriti të siguroi vetëm 79921 kështu që nuk merr pjesë në balotazhin që do zhvillohet me datën 5 maj.

Dalëngadalë në procesin e publikimit të rezultateve në 80 komunat e Maqedonisë opinionistët politik u treguan të përshpejtuar me analizat e tyre dhe liderët e partive politike të përfshirë në koalicionin qeverisës apo në opozitë gabimisht glorifikuan vetë-vetën si fitues dhe kundërshtarët e tyre si dështakë. Tradita post-elektorale e budallallëkut të përshpejtuar filloi në mbrëmjen e vonë të së dielës dhe mbaroi të hënën në mëngjes duke i tërbuar qytetarët dhe ngatërruar mendjen e tyre për sa i takon fituesit apo humbësit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Loja e stilit “ Ne fituam – jo jo ne fituam” ishte aq e fort dhe prezente në Maqedoni sa që edhe opinionistët dhe politologët e huaj realisht nuk mundeshin të konkludojnë bindshëm se kush fitoi apo humbi.

Prandaj, enkas prita plot 3 ditë për t’i analizuar zgjedhjet pasi njëherë duhesha edhe rrugën time ta gjej në labirintin post-elektoral për t’i bërë konkluzat e mia, në radhë të dytë të kuptoj për se u shkaktua volatiliteti zgjedhor (ndryshimet në preferenën elektorale të votuesve) dhe sidomos kuptimi politik i rezultatit të rrethit e parë për shqiptarët.

Si fillim mund të konstatohet që humbësja më e madh në këto zgjedhje ka qenë demokracia pasi interesi i qytetarëve me një pjesëmarrje rreth 41,79% ishte tepër i ulët për të mos thënë joekzistent. Kjo përqindje e ulet është dështimi më i madh i koalicionit qeveritar pasi dy liderët kryeministri Zaev dhe Ali Ahmeti në fushatën e përbashkët vazhdimisht insistonin dhe luteshin që qytetarët të dilnin në votime “për të përcaktuar rrugën evropiane”. Shkurt e shqip: Ky mision dështoi dhe jehona tepër e ulet krahasuar me insistimet e forta mund të kuptohet si një shenjë protestuese ndaj mënyrës së qeverisjes aktuale apo bile më thellë si humbja e thellë e besimit ndaj Zaevit dhe Ahmetit. Pas jehonës së ulet në referendumin për emrin me rreth 36% qytetarët nuk janë thjesht të apolitizuar por me mungesën e tyre në zgjedhjet e polarizuar (referendumi dhe tashti presidencialet) ata shprehin pesimizmin në “dyshen evropiane” që nuk arriti t’i plotësojë shpresat; diçka që vërehet në krahasimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare 2016 dhe ne referendum dhe zgjedhjet presidenciale. Nga 66,79% në zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja ka rënë në 36,89% në referendumin e emrit duke përfunduar në 41,79% në zgjedhjet e ditës së diel. Në të gjitha zgjedhjet apo referendume ku dyshja LSDM-BDI ka qenë në qeveri jehona nuk ka kaluar të paktën 50% të elektoratit të përgjithshëm. Përformanca e dyshes për të mobilizuar votuesit duket edhe më katastrofale pasi në këtë përmbledhje kuantitative qëllimisht u anashkaluan zgjedhjet vendore ku pjesëmarrja është tradicionalisht më e ulet. Njëkohësisht me argumentet e njëjta duhet të theksohet që edhe partia opozitare VMRO-DPMNE në këto zgjedhje dështoi të mobilizojë votuesit e saj kështu që hipoteza e kryetarit Hristijan Miçkoski që VMRO-DPMNE-ja përfaqëson shumicën e qytetarëve duke u mbështetur në fushatën e saj për bojkot në referendum dhe po të njëjtën jehonë të ulet është falsifikuar. VMRO-DPMNE-ja dhe partitë maqedonase që janë në koalicion me të tash e tutje të paktën për nga kuantiteti s’kanë të drejtë të stilizohen si “luftetarët e shumicës së heshtur”.

Pyetja e dytë që duhet të trajtohet është: Kush i fitoi zgjedhjet nëse e anashkalojmë jehonën e ulet? Zgjidhja e pyetjes do bëhet në bazë të zgjedhjeve lokale pasi a) koalicionet edhe në zgjedhjet lokale 2017 ishin ekzistente dhe b) analiza monoetnike (analiza që merr në konsideratë vetëm një etni qoftë ajo shqiptare apo maqedonase) bëhet më prezise duke u bazuar në distribucionin etnologjik të komunave (komuna me shumicë shqiptare apo maqedonase). Duke përdorur këtë metodologji në kampin maqedonas për sa i takon volatilitetit partia opozitare VMRO-DPMNE ka fituar zgjedhjet pasi në zgjedhjet lokale kandidatët e tyre për kryetar fituan vetëm 3 komuna ndërsa në zgjedhjet presidenciale propozimi i  VMRO-DPMNE-fitoi në shumicën e komunave maqedonase dhe jo vetëm ne tre. Bazuar në këtë konstatim mund të thuhet që VMRO-DPMNE-ja në komunat rurale dhe në ato ku 2017 shpeshherë me shumicë absolute fitoi kandidati i LSDM-së në raundin e pare ka arritur të bindë shumicën relative të votuesve. Fakti që Pendarovski prapë fitoi me rreth 4500 vota epërsi pasqyron ngushtësinë me të cilën Siljanovska ka fituar në komunat ku VMRO-DPMNE-ja fitoi dhe nënvizon dobësinë që VMRO-DPMNE-ja ka në komunat e Shkupit, Kumanovë dhe në komunat me shumicë shqiptare ku humbi totalisht. Suksesi i VMRO-DPMNE-së për sa i takon volatilitetit nënvizohet edhe më dukshëm duke ju referuar komunës së Ohrit ku në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale kandidati i VMRO-DPMNE-së arriti të hyjë në balotazh. Për sa i takon kampit maqedonas VMRO-DPMNE-ja duke ju referuar volatilitetit dhe asimetrisë elektorale (diferencës numerike të votave midis partisë fituese dhe partisë së dytë)ka arritur ti fitojë zgjedhjet pasi komunat që LSDM-ja në zgjedhjet lokale 2017 arriti t’i fitojë bindshëm me diferencë të lart VMRO-DPMNE-ja i ktheu në të vetat me një epërsi në favorin e saj duke zvogëluar diferencën e lart.

Pyetja akoma më interesante është: Kush i fitoi zgjedhjet në kampin shqiptar?

Rezultatet në komunat me shumicë shqiptare le të kuptojnë që votuesit shqiptarë janë duke u riorientuar dhe braktisur BDI-në në shumicën e komunave por edhe LSDM-në. Edhe pse Blerim Reka fitoi 79921 vota që krahasuar me “numrin absolut” të shqiptarëve që sipas cenzusit në vitin 2002 me 509083 shqiptarë apo 248619 shqiptarë që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare 2016 janë tepër pak vota (32% të elektoratit shqiptar 2016) kampi i tij ka shumë motive për t’u gëzuar.

Në radhë të parë mund të theksohet që shumica e shqiptarëve duke pasur mendimin e njejtë si Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti që një shqiptar s’mund të bëhet president bojkotuan zgjedhjet. Edhe pse ky mendim nuk është plotësisht korrekt, arsyet që do t’i shpjegoj më poshtë jehona e ulet në kampet shqiptare në radhë të parë është tregues për humbjen e thellë që pësuan Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi në lobimin e tyre kundër Rekës dhe pro Pendarovskit. Madje mund të theksohet që në komunat shqiptare ku fitoi Pendarovski shumica e votat që i fitoi ai nga pala shqiptare ishin nga militantët e BDI-së dhe jo nga qytetarë pa bindje definitive politike apo thënë ndryshe qytetarë që nuk kanë tendencën ta votojnë gjithmonë partinë e njëjtë. Bile bazuar në përqindjen e lart që nuk votuan dhe përqindjen relativisht të lart për Rekën mund të supozohet që edhe në komunat shqiptare të BDI-së shumica e votave për Pendarovskin erdhi nga vetë maqedonasit socialdemokratë që nuk votuan për Siljanovskën. Kjo hipotezë mundet të mbështetët duke iu referuar komunës së Kërçovës apo vendlindjes së Ali Ahmetit: Në Kërçovë pjesëmarrja ishte rreth 34,14% më e ulet se në zgjedhjet lokale 2017. Rezultati në këtë komunë ishte si më poshtë: Pendarovski 6973 vota apo 40,57, Siljanovska-Davkova 6071 apo 35,32%, Blerim Reka 3428 apo 19,94%. Tashti faktikisht duke u bazuar në Fatmir Deharin si kryetar apo mandatet e këshilltarëve shqiptarë në kuvendin komunal e dimë që në Kërçovë shqiptarët përbëjnë shumicën. Prandaj, 3428 votat për Rekën nuk pasqyrojnë numrin e shqiptarëve. Sidoqoftë përmes ndodhjes së vendvotimeve mund të shihet sa shqiptarë abstenuan në vendet shqiptare, sa votuan Rekën dhe sa Pendarovskin. Për këtë do e ndajmë komunën e Kërçovës në gjendjen e saj para vitit 2013 kur u ristrukturuan komunat në Maqedoni dhe komuna e Osllomes dhe ajo e Zajazit iu bashkangjitën Kërçovës. Ja pra rezultatet:

Në komunën e Zajazit ata që dolën në votime votuan si më poshtë:

759 vota për Rekën dhe 1400 për Pendarovskin (gjithmonë +- 10 vota probabilitet gabimi nga numërimi.

Në komunën e Osllomes:

1478 vota për Rekën dhe 1000 për Pendarovskin

Në vendvotimet shqiptare në Kërçovë:

1191 vota për Rekën dhe 560 për Pendarovskin

Në shikimin e parë vërehet që pos insistimit e fort të Ali Ahmetin të votohet për Pendarovskin Osllome-ja më shumice absolute shqiptare 98% shqiptarë dhe bastion i BDI-së ka votuar për Rekën. Kërçova në mënyrë analogjike ka votuar pro Rekës. Veç Zajazi vendlindja e Ali Ahmetit ka votuar për Pendarovskin. Shqiptarët që votuan në Osllome dhe në Kërçovë me shumicë nuk i ndoqën urdhërat e Ali Ahmetit kështu që ai tek ata e ka humbur ndikimin e tij të fortë dhe të paktën nga mbështetja e Blerim Rekës nga partitë opozitare mund të supozohet që ata nuk janë të kënaqur më BDI-në apo që privilegji të votosh shqiptarë është më i rëndësishëm sa të votosh preferencat e BDI-së. Humbja efektive e Ali Ahmetit tregohet edhe më së miri nëse verifikojmë shifrën absolutë te shqiptarëve që votuan – 6388. Dihet nga kolonat masive të emigrantëve në zgjedhjet lokale apo parlamentare (të fundit zakonisht në favor të BDI-së) apo nga turma e njerëzve në sezonën verore që në Kërçovë nuk banojnë vetëm 6388 shqiptarë kështu që shumica të atyre që vijnë për zgjedhje në Kërçovë nuk zbatuan urdherin e Ali Ahmetit për të votuar madje edhe ata që votuan me shumicë nuk votuan sipas dëshirës së tij. Shkurt e shqip: Humbje e thellë. Në komunat e tjera shqiptare si Gostivari, Vrapçishtë, Bogovinjë, Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Lipkovë dhe Dibër gjithsesi ka fituar Blerim Reka edhe pse jehona zgjedhore ishte e ulet pasi motivimi dhe shpresa për një president shqiptar u zvogëlua nga insistimi i Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Sidoqoftë në Dibër vërejtja më interesante është ku u zhvilluan edhe zgjedhjet e parakohshme lokale pasi vdiq Ruzhdi Lata u votua Blerim Reka me 46,53% të votave kurse për kryetar u zgjodh kandidati i BDI-së, Hekuran Duka. Ky fakt bëhet edhe më interesant dhe mund të interpretohet në përputhje me hipotezën që u përdor në rastin e Kërçovës nëse konsiderohen përqindjet e pjesëmarrjes në të dyja zgjedhjet: 44,09% në zgjedhjet presidenciale dhe 44,02% në zgjedhjet lokale (0,07% janë një shifër që mundet të neglizhohet). Mesa pjesëmarrja ishte e njëjtë dhe kandidati i BDI-së fitoi në Dibër logjikisht mundet të supozohet që votuesit e BDI-së zbatuan propozimin e Ali Ahmetit për të votuar Pendarovskin.  Në Dibër kandidati i BDI-së fitoi me 4106 vota para kandidatit opozitar i cili fitoi 3834 vota. Mesa Reka fitoi 3810 vota nuk do ishte fare dështim nëse 24 votues të kandidatit opozitar për shkak të shpresës së ulet nuk marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale por në kundërshtim është një dështim i rrallë nëse 900 e kusur votues të BDI-së nuk votuan për Pendarovskin. Numri i atyre që votuan Dukën por jo Pendarovskin mundet të jetë edhe më i madh duke marrë parasysh që ne Dibër sipas cenzusit 2002 jetojnë 1054 maqedonas. Kjo s’dihet përfundimisht pasi ndoshta si në Strugë në vitin 2017 ka pasur maqedonas që në përputhje me koalicionin LSDM-BDI votuan kandidatin e BDI-së. Në Saraj ku 91% janë shqiptarë gjendet njëkohësisht mungesa e besimit ndaj kandidatit e BDI-së, Pendarovskit ku pjesëmarrja ishte 23,32% dhe ku 3748 votuan për Pendarovskin dhe 3078 për Rekën. Për t’u përshëndetur mbetet fakti që në Haraçinë ku në zgjedhjet lokale dhe parlamentare u votua LSDM-ja këtë herë nuk u mbështet kandidati i LSDM-së dhe besimi ndaj LSDM-së edhe këtu u zvogëlua. Gjithë këto shifra që na morën mend japin përshtypjen që shumica ka humbur besimin ndaj Ali Ahmetit dhe Zoran Zaevit dhe që ndoshta nëse vijohet me pjesëmarrjen e ulet dhe mosmbështetjen e propozimeve në zgjedhjet parlamentare 2020 mundet të ketë një qeveri të re apo BDI-ja të humbas edhe më shumë vota. Hipoteza që në bazë të kësaj analize duken racionale por emocionet e shqiptarëve po të polarizohet në zgjedhje fundosin çdo strukturë.

Dy herë në analizën time përmenda që konstatimi i Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit sipas të cilëve s’ka mundësi të ketë shqiptar si president në Maqedoni me duket absurde pasi po të bashkoheshin shqiptarët do arrinin të paktën në balotazh. E voila! Në arkivin zgjedhor gjeta një zgjedhje presidenciale ku nuk i bojkotuan shqiptarët zgjedhjet pasi tha Ali Ahmeti ashtu (një provë më e madhe që ndoshta shqiptarët ka humbur durimin dhe besimin te ai) dhe ku ka një shifër reale të pjesëmarrjes së volitshme në zgjedhje – zgjedhjet presidenciale 2009! Këto zgjedhje i fitoi kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgje Ivanov në raundin e dytë kundër Lubomir Frçkoskit kandidatit të LSDM-së me 63.14% përballë 36.86%. Më interesante sidoqoftë janë votat shqiptare në raundin e pare:

  1. Imer Selmani 147547
  2. Agron Buxhaku 73629
  3. Mirushe Hoxha 30225

Nëse i numërojmë këto votat po të garonin shqiptarët me një kandidat, le të jetë Imer Selmani dhe po t’i bashkonin shqiptarët votat atëherë Imer Selmani do kishte fituar 251404 vota. Kandidati i LSDM-së që atëherë hyri në balotazh fitoi në raundin e parë 202691 vota kështu që kandidati shqiptar do kishte hyrë në balotazh po të bashkoheshin shqiptarët. Andaj, probabiliteti që një shqiptar të bëhet president nuk janë të ulëta siç pretendonin Thaçi dhe Ahmeti por të larta nëse bashkohemi. Ndërkohë që liderët shqiptarë duan ta ndajnë popullatën shqiptare pyetja ime është pse nuk e bashkojnë që të ketë një mrekulli si ajo që do kishte qenë e mundur në vitin 2009. Probabiliteti të mobilizoheshin shqiptarët në zgjedhje presidenciale do ishte jashtëzakonisht i lart nëse do kishte shqiptar në balotazh. Sot e kësaj dite shqiptarë vijnë nga Amerika për të votuar Fatmir Deharin si kryetar komune në Kërçovë kurse në balotazh për president gjithë shqiptarët e Maqedonisë do vinin. Totalisht absurde janë fjalët e Ahmetit dhe Thaçit kurse me pak matematikë dhe retrospektivë do i zgjedhnin vetë këto probleme  ndërkohë që sot e kësaj dite shqiptarët kanë frikë të votojnë shqiptarin pasi kanë frikë që do ngelën pa punë dhe do dënohen nga BDI-ja.

Pas gjithë këtyre fjalëve një përmbledhje e shkurtër:

Hipoteza ime është që shumë votues nuk kanë votuar nga zhgënjimi prej qeverisjes LSDM-BDI edhe ajo përqindje e ulët në komunat shqiptare që votoi nuk votoi siç ka dashur Ahmeti dmth BDI-ja humbi dyfish dhe kjo sjellje elektorale le te supozojë ditë të errëta për BDI-në. VMRO-ja nuk flet plotësisht për ata që bojkotuan referendumin por ka arritur ta përmbys fitoren e thellë që kishte LSDM-ja 2017. Dhe si më në fund, përralla e vjetër që shqiptarët munden të fitojnë çdo betejë nëse bashkohen por nga inati dhe dashuria ndaj liderëve të tyre nuk bashkohen.

A jemi ne shqiptarë apo në radhë të parë Ahmetista dhe Thaçista apo Rama-ista? Humbjet i shkaktojmë vetë me naivitet ndërsa sytë tash shkojnë kah raundi i dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat