Rreziqet ndaj të dhënave personale në komunikimet elektronike!

Opinione

Rreziqet ndaj të dhënave personale në komunikimet elektronike!

Nga: Shpetim Prelvukaj dhe Dardan Mazreku Më: 25 prill 2019 Në ora: 13:26
Shpetim Prelvukaj dhe Dardan Mazreku

Ne jemi duke jetuar në epokën e zhvillimit të një modeli të ri të teknologjisë së informacionit (i cili është vështirë për t’u kontrolluar), aty ku marrëdhëniet sociale dhe politike karakterizohen nga shpejtësia e ndryshimeve dhe dimensioni global, ku qasja në shërbime e rrjete dhe pjesëmarrja në një seri aktivitetesh transferohet e gjitha në hapësira kibernetike dhe rrjete kompjuterike. Pra nga kjo rezultojmë që koncepti i jetës private ka ndryshuar përgjithmonë.

Zhvillimet e vrullshme teknologjike kanë gjetur shprehjen e tyre më domethënëse në fushën e komunikimit dhe përhapjes së informacionit. Kjo përhapje në masë e komunikimeve, nëpërmjet rrjeteve elektronike është ndikuar nga një sërë avantazhesh që ato paraqesin, të cilat kanë të bëjnë me lehtësinë, shpejtësinë e komunikimit, mundësinë për të komunikuar në kohë reale midis dy ose më shumë personave që ndodhen në distanca tepër të mëdha nga njëri-tjetri, qasja në informacione të ndryshme si dhe shumë përparsi tjera.

Por më pas gjërat ndryshuan, në vazhdim u  vërtetua se gjërat ishin shumë më të komplikuara se sa ishin menduar dhe se interneti kishte edhe anën e vet negative, ku zhvillohen aktivitete të tilla si përhapja e informacioneve të rreme dhe shpifëse, mbështetja e terrorizmit, vjedhjet e pronësisë intelektuale dhe përpunimit të paligjshëm për të dhënat personale. Pra shoqëria u bë e globalizuar por edhe mjaft komplekse

Gjatë komunikimeve të përditshme elektronike dhe aplikacioneve të ndryshme që përdorim për ti realizuar këto komunikime, ne i cenojmë të dhënat personale në atë masë, sa as ne nuk jemi të vetëdijshëm për rrezikun real me të cilin përballemi.

Qasja në të dhëna personale nga aplikacione të dyshimta të cilat përdoren nga individ të caktuar me qëllime të caktuara, na vë në një pozitë të "shënjestrës" e në rast se bëhemi viktimë atëherë mund të shantazhohemi shumë lehtë dhe të na cenohet integriteti personal.

Rrezikimi i të dhënave personale si një fenomen shumë aktual dhe një dukuri shumë e vështirë për tu kontrolluar, na ka bërë më të ekspozuar ndaj kërcënimeve elektronike. Këto kërcënime mund të na dëmtojnë shumë që nga integriteti moral ( foto, video, inçizime, shkrime, materiale te ndjeshme për publikun etj.), e deri te cenimi material (vjedhja e të dhënave të llogarive bankare etj.).

Duke parë ritmin e globalizmit rreziku sa vjen e shtohet ndërsa mbrojtja nga ky rrezik bëhet edhe më e vështirë, gjë që duhet të shërbej si një paralajmërim që të kemi kujdes shumë të madh gjatë komunikimeve të ndryshme dhe me rastin e përdorimit të aplikacioneve të ndryshme  të tentojmë në maksimum ti ruajmë materialet e rëndësishme nga sulmet e mundshme edhe pse një gjë e tillë është sfidë në vete.

Megjithatë mund të themi se përpjekjet në nivel global për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë nga rritja e rrezikut të zhvillimit të shpejtë të teknologjive të informacionit është e pamohueshme. Por megjithatë i detyrueshëm është krijimi i një kuadri rregullator që synon për të vënë parimet dhe rregullat të pranuara dhe të zbatueshme në të gjitha vendet për mbrojtjen efektive të të dhënave personale.

Autorët – Të DIPL në Artet e Shkencave të Sigurisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat