Ka shumë të drejtë deputetja Vjosa Osmani

Opinione

Ka shumë të drejtë deputetja Vjosa Osmani

Prof. Dr. Eshref Ymeri Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri Më 26 prill 2019 Në ora: 21:56
Vjosa Osmani

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të ditës së sotme, 26 prill, lexova një reagim mjaft mbresëlënës të deputetes së Kuvendit të Kosovës, deputete kjo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, me titull:

“Vjosa Osmani: Presidenti është faqja më e zezë e vendit tonë”.

Ky reagim fort i rreptë i kësaj deputeteje të nderuar kundër presidentit Hashim Thaçi, vjen pas qëndrimit shpërfillës që ai ka mbajtur në Komisionin Hetimor Parlamentar për dëbimin e 6 shtetasve turq, ku u ka bërë bisht të gjitha pyetjeve që i janë drejtuar nga anëtarët e këtij komisioni.

Zonja Vjosa Osmani ka shumë të drejtë. Por duhet theksuar se presidenti Hashim Thaçi shfaqet si faqja më e zezë e Kosovës jo vetëm në rastin në fjalë. Ai është shfaqur si faqja më e zezë e Kosovës që kur premtoi se banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës do të rikthehen në banesat e tyre. Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan në praktikë se ai kishte mashtruar në mënyrën më skandaloze, se, në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, veriun e Mitrovicës ua la vetëm serbëve. Por duhet theksuar me forcë se, si faqja më e zezë e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi është shfaqur edhe më shumë që prej 19 prillit të vitit 2013, kur filloi serinë e lëshimeve që i bëri shovinizmit serbokriminal në dëm të interesave kombëtare të Kosovës, duke pranuar të ulet në bisedime me Beogradin, pa kërkuar prej tij që, fillimisht, ai të dilte me një ndjesë publike para opinionit ndërkombëtar për masakrat mizore, për vrasjet dhe për shkatërrimet e rënda që i shkaktoi ekonomisë së Kosovës, çka, paskëtaj, duhej të shoqërohej me kërkesën për dëmshpërblimin e plotë të tyre nga ana e tij. Jo, presidenti Hashim Thaçi nuk ia shtroi kurrë Beogradit një kërkesë të tillë, sepse ai është në fronin e presidentit vetëm për të mbrojur interesat e shovinizmit serbokriminal.

Në faqen e internetit “fish media.info” të datës 22 janar 2019, lexova një informacion me titull:

“Frika e serbëve nga Haradinaj: Përveç njohjes, Haradinaj po kërkon 22 miliardë euro dëmshpërblim”.

Deri tani s’kemi dëgjuar kund që presidenti Hashim Thaçi të jetë shprehur për këtë dëmshpërblim që ka parashtruar kryeministri Haradinaj. Sigurisht që ai nuk mund të shprehet, se ai është në postin e presidentit të Kosovës vetëm për mbrojtjen e interesave të Beogradit, të cilit, që prej 19 prillit 2013, i ka bërë vetëm lëshime pas lëshimesh, sipas interesave të pakicës serbe, e cila, gjatë viteve të luftës bashkëpunoi ngushtë me forcat paramilitare serbe dhe bandat e Arkanit dhe të Sheshelit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës.

Duke pasur parasysh këto qëndrime antikombëtare që presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur ndaj Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un dhe me EULEX-in, dy struktura këto në shërbim të pakicës serbe dhe kundër interesave jetike të popullit shqiptar të Kosovës, duke pasur parasysh që presidenti Hashim Thaçi kërkon ndryshimin e kufijve sipas midesë së Beogradit, Kuvendi i Kosovës, normalisht, duhej ta kishte shkarkuar menjëherë Hashim Thaçin nga posti i presidentit. Po pse nuk e ka shkarkuar?

Vetvetiu lind pyetja: Kuvendi i Kosovës është Kuvend shqiptarësh apo Kuvend mercenarësh në shërbim të Beogradit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat