Ideologjitë që si nevojiten askujt më

Opinione

Ideologjitë që si nevojiten askujt më

Nga: Lirim Gashi Më: 28 prill 2019 Në ora: 14:37
Lirim Gashi

Shumë shqiptarë që i thonë vetës intelektual kur shkruajnë dhe flasin për djathtizmin e përshkruajnë si djathin kaçkavall.

I vardisen dhe lajthiten plotë jargë si romantiku djallëzor Sabri Fejzullahu muzikes dhe humorit tallava, publikut fitimprurës dhe producentëve muzikor që ia kanë mësuar përmendësh ritmin e zemrës së tij të gatshme për të kaluar në pronësi të gjithkujt që ka lekë.

Madje këta producent që e kanë mbjellur vetë turbo shijën e publikut, i njohin si brendësinë e xhepave të tyre preferencat grykëse të xhaxhit Sabri, siç e quajnë me plotë admirim të rrejshëm dhe dashuri, prandaj edhe shijen e tij elastike që i përshtatet si sunxheri enëve asaj të idiotave, që paguajnë më së shumti për të konsumuar bërllok, por edhe talentin e tij të paparë për t'ua nxjerrur njerëzve prej xhepit çdo euro dhe dollar. 

Arsye për t'u zbavitur me paditurinë e tyre brilante më japin me tonelata, por kur më bie ndërmend sa përbuzës, vrastar

anti human, eksploator dhe diskriminues është dëshmuar djathtizmi ndër shekuj, atëherë më kaplon brenga për shëndetin e tyre mendor, si bujkun e mërzitur për vreshtat e dëmtuar nga breshëri mbi traktor. 

T'a barazosh djathtizmin botëror pa e hulumtuar fare prapavinë e tij historike, filozofike, psikosociale, ideologjike, socioekonomike, kulturore dhe edukative me patriotizmin shqiptar, do të thotë të kesh vetëdije sa pacienti pas pësimit të arrestit kardiovaskular.

Djathtizmi botëror që bazohet në synimin për të jetuar nga eksploatimi i pamëshirshëm i djersës dhe gjakut të punëtorëve të skllavëruar, që shtrydhen si sunxherat dhe shtypen e shkilen nga elefantët skllavopronar si bubrecat, është po aq meritor për popullin shqiptar sa domatet për specat.

Djathtizmi klasik monopolin e tij mbi mirëqenien fiktive globale, që në fakt është mirëqenie e pakices mbi kurrizin e shumicës e ka arritur përmes shtypjes, shkeljes dhe eksploatimit të pamëshirshëm të shtresës së ulët, kolonizimit të popujve dhe shteteve dhe shfrytëzimit permanent të kapaciteteve të tyre njerëzore dhe pasurive natyrore.

Paradoksi më i madh është fakti se kreatoret e sistemit eksploator kapitalist, borgjez dhe aristokrat kanë arritur që grykësinë e tyre t'ua shesin idiotave si patriotizëm nacional duke i bindur se mirëqenien e popujve të tyre të mëdhenj kanë të drejtë t'a ndërtojnë mbi nënshtrimin, shfrytëzimin dhe mjerimin e popujve të vegjël anembanë botës, pa e prejashtuar asnjë herë dhunën ushtarake.

Botkuptimet e tilla dekadente, anti njerëzore dhe anti humane ku vlerën e individit e përcakton origjina i kanë prodhuar keqkuptimet, keqinterpretimet, ndasitë, urrejtjet më të mëdha dhe luftërat më të përgjakshme që i njeh historia.

Kjo për faktin se këto keqkuptime dhe keqinterpretime të qëllimshme manipulative dhe pseudo filozofike janë burim i pashtershëm i ideologjive ekstreme si racizmi, fashizmi, ksenofobia, ekstremizmi fetar, nacional socializmi etj...edhe sot e kësaj dite. 

Këta kreatorë të eksploatimit grykës e mizor pikërisht në këtë mënyrë kanë arritur që t'a sigurojnë përkrahjen e idiotave trushpërlarë vendor dhe tifozëve të pagdhendur anembanë botës, që djathtizmin e keqkuptojnë si vlerë patriotike. 

Koncentrimi kaq i dendur i kapitalit financiar global dhe pronësisë e monopolit mbi resurset natyrore botërore vetëm në 20 shtete të botës nuk është rastësi, por rezultat i padrejtësive historike.

Prandaj ju që i përshkruani me kaq romantizem vlerat e djathtizmit jeni në fakt keqinterpretuesit më të mëdhenj të humanizmit dhe iluminizmit. 

Dhe pikërisht ky perceptim i pa gdhendur ndaj ideologjive ekstreme ka bërë në Shqipëri dhe Kosovë shkollë, prandaj keqkuptohet dhe konsumohet me ëndje nga populli i uritur për dokrra, që kutitë e votimit nuk i përdor për t'i zgjedhur më të mirët, por për t'ju dhuruar më të këqijve kokrra.

Si djathtizmi, ashtu edhe majtizmi kanë rënë në provimin historik, sepse kanë prodhuar shumë vuajtje dhe padrejtësi në emër të idealeve të panatyrshme maksimaliste dhe absolutiste, prandaj koha është për një sistem të ri botëror të cilin unë do t'a pagëzoja si ekuilibrizëm dhe që do të bazohej në rishqyrtimin, koordinimin dhe interpelancen manifakturale e shumëdisciplinare të  nevojave të vërteta të njerëzve në harmoni me kapacitetet reale të natyres, sepse konsumi i çmendur prodhon eksploatim mbi proporcional, jo vetëm të njerëzve, por edhe të natyres.

Në anën tjetër eksploatimi i pamëshirshëm i natyrës prodhon ndotje katastrofale të ambientit, pasoja të rënda klimatike dhe zhdukje permanente të gjallesave bimore dhe shtazore që i rregullojnë dhe kontrollojnë në mënyrë të natyrshme temperaturat e deteve dhe oqeaneve. 

Ngritja e temperaturave të ujërave prodhon shkrirje masive të akullnajave në pole, ngritje të rrezikshme të nivelit të tyre në dete dhe oqeane, kolidime tektonike, shira të ndotur, erëra të stuhishme, uragane, pasate, orkane, termete, cunami dhe vërshime, si dhe zgjerim të shkretëtirave në Afrikë për shkak të ngritjes së temperaturave globale. 

Zgjerimi i shkretëtirave prodhon migracion të pakontrolluar dhe probleme që s'mund të zgjidhen pa luftëra.

Pra mbjellja e qëllimshme  e oreksit dhe stimulimi permanent i konsumit të panevojshëm për njerëzit përmes propagandës mediale nuk është rastësi, por rezultat i pangopësisë kronike të oligarkëve eksploator të kësaj bote me pasuri dhe profit.

Qëllojani tri herë, kush e financon këtë propagandë të çmendur mediale që njerëzve j'u sygjeron konsum permanent të gjërave për të cilat jo vetëm që s'kanë nevojë, por që e dëmtojnë vazhdimisht shëndetin e tyre dhe shkaktojnë sëmundje të reja ? Natyrisht oligarket e pangopur me pasuri dhe profit.

Sepse A: përfitojnë nga çdo pacient i ri dhe B: e rrisin sasinë e prodhimit dhe shitjes së medikamenteve të nevojshme për shërimin e individëve që i kanë sëmurë paraprakisht. 

Prandaj grykësia, egoizmi dhe lakmia nuk janë rastësisht burimi i të gjitha të këqijave të kësaj bote, por sepse si të tilla janë dëshmuar historikisht dhe sipas mendimit tim e kryesojnë bindshëm tabelen e anti vlerave njerëzore, kombëtare dhe universale.

Çdo njeri ka të drejtë të ushqehet shpirtërisht me çdo ideologji të cilën e konsideron si më të mirën për vetveten, por liria e përzgjedhjes nuk i jep askujt të drejtë për t'ia rrezikuar njerëzimit dhe gjallesave të tjera jetën.

Meqenëse liria e përzgjedhjes vlen edhe për njerëzit që s'kanë sens për t'a dalluar as shapin prej sheqerit ajo bëhet e rrezikshme për mbarë njerëzimin, prandaj nga niveli i sensit të secilit individ për përzgjedhje cilësorë varet edhe niveli i mirëqenies së përgjithshme të njerëzimit dhe gjallesave bimore e shtazore pa të cilat ai s' mund të jetojë.

Dhe pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme hapja permanente e shqisave të kureshtjes për të mësuar gjëra të dobishme që i ndihmojnë çdo individi për të qenë kontribues, sepse mungesa e dijës dhe ndërgjegjës e shndërron shumë shpesh njeriun në dëmtues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat