Nervozizmi i Ramës dhe Thaçit, shprehje dështimi në Samitin e Berlinit

Opinione

Nervozizmi i Ramës dhe Thaçit, shprehje dështimi në Samitin e Berlinit

Nga: Xhevat Mustafa Më: 4 maj 2019 Në ora: 07:21
Xhevat Mustafa

Kujtdo që ka ndjekur filmimet, deklarimet dhe fotografitë në media apo në rrjetet sociale pas takimeve individuale me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel dhe me presidentin e Francës, Emanuel  Macron duhet t’i kenë rënë lehtësisht në sy se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai i Kosovës  HashimThaçi, kryeministri ynë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk mundën t’i fshihnin zhgënjimet, zemërimin dhe nervozizmin. Këto shpreheshin ndjeshëm dhe qartë në fytyrat dhe tonet e tyre dhe si rrjedhojë edhe më shumë e më gjërë në deklarimet, komentet dhe intervistat e tyre për këtë samit.  Ndoshta ne, shumica e qytetarëve shqiptarë, kemi më shumë arsye e të drejtë të ndiehemi të mërzitur dhe dëshpëruar, jo nga zhgënjimet dhe dështimet personale dhe qeveritare të kryeministrit Edi Rama, të presidentit Hashim Thaçi e të kryeministrit Zoran Zaev, por për faktin se, në fund të fundit, humbësit më të shumtë dhe më të mëdhenj nga ky samit jemi pikërisht ne, si shtetas të thjeshtë dhe jo “zotat” e politikës dhe të qeverive tona. Duke iu referuar faktit se organizatorët dhe drejtuesit e këtij samiti kishin përcaktuar katër çeshtje si prioritare për vendet e Ballkanit Perendimor, saktësisht “siguria, luftimi i kontrabandës së armëve, terrorizmi, migracioni i pakontrolluar dhe kriminaliteti i organizuar”, merret me mend se përse kryeqeveritarët dhe kryeshtetarët tanë nuk morën përgjigjet që dëshironin nga Merkel dhe Macron personalisht dhe nga samiti dhe përjetuan zhgënjim dhe nervozizëm. Në të katër këto prioritete qeveritë e tre vendeve tona, po ashtu si edhe ajo e Serbisë, nuk kishin nga të gjenin fije kashte për t’u kapur. Në të kundërt, ishin të zbuluara për varfëri arritjesh, suksesesh apo fitoresh konkrete.

Për Merkel dhe Macron, domethënë edhe për Holandën dhe shumicën e vendeve të tjera të BE-së, janë deficitare apo “mbetëse në klasë” në përmbushjen dhe respektimin e detyrimeve "për qëndrim të patundur pro demokracisë, ndaj shtetit ligjor; për vepra dhe akte të përgjegjshme dhe serioze shtetërore për luftimin e korrupsionit ; për  forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura”. E megjithatë, edhe pse duhet të ishte i vetëdijshëm për “thesin thuajse bosh” mbi supe me të cilin po shkonte në samitin e Berlinit dhe i parapërgatur për “dush me ujë të ftohtë” nga Merkel dhe Macron, përsëri kryeministri ynë, Edi Rama, nuk e fshehu bindjen e tij se “Shqipëria e meritonte hapjen e negociatave…”. Ashtu siç pritej dhe e meritonte, Merkel dhe Macron, i dhanë përgjigjen e shumicës së pedagogëve për studentët mbetës në provimet e qershorit, “Kthehu në shtator”! Kjo lejon edhe interpretimin ”takohemi edhe një herë andej nga shtatori dhe shikojmë e bëjmë përsëri…, si deri më sot e prej shumë vitesh!” Në nëntekstin e kësaj përgjigjeje negative mund të përfshihet edhe mesazhi, i shprehur apo jo hapur ose drejtpërdrejtë  nga Merkel dhe Macron  kryeministrit tone Rama dhe presidentit të Kosovës, Thaçi: “Kush nuk i merr seriozisht  dhe nuk i respekton sa  dhe si duhet sot demokracinë e vërtetë, shtetin ligjor, pavarësinë nga politika dhe qeverisjet të institucioneve të drejtësisë, të mediave, të shoqërisë civile; kush nuk i zbut valët e emigrantëve, të refugjatëve, drograve, armëve dhe të krimit të organizuar në drejtim të Gjermanisë, të Francës, e tj, ; kush bën ortakëri me bosët e krimit dhe i përmbyt institucionet qeveritare me të inkriminuar…, nuk mund të jetë serioz, i besueshëm, i respektueshëm dhe i mbështeshëm edhe në politikën e jashtme e në proçesin e integrimit… “.                                                                                                                                                           

E keqja jonë është se edhe në sezonin e shtatorit gjasat apo shanset për përgjigje pozitive për hapjen e negociatave me vendin tonë janë po kaq minimale, për të mos thënë të kota apo të pamundura, ndoshta jo vetëm për qershorin e ardhshëm, por edhe për disa qershorë të tjerë, deri aty nga ai i vitit 2025. Nënkuptohet se duke mos qenë aq trim sa t’i kundërshtonte “burrërisht apo shqiptarisht” Angela Merkelin dhe Emanuel Macronin sy më sy, kryeministri ynë, Edi Rama, e shfryu lëmshin e ndiesive negative nga Berlini mbi opozitën e vërtetë shqiptare, që e priste me protesta rrugëve si dhe mbi shumicën e mediave, që nuk i mbajnë iso ERTV-së së tij. Për të justifikuar sadopak përgjegjësinë e tij individuale dhe ekipore si dhe për të rimashtruar ata që “dëshirojnë akoma të lumturohen nga premtimet dhe mashtrimet e tij”, Rama deklaroi se qenkemi “ në paradhomën” e BE-së, por pa saktësuar  dhe pranuar se jemi aty, duke pritur më shumë me sytë nga qielli, për të paktën, prej 6 vitesh…Zhgënjimi, dëshpërimi dhe zemërimi i kryeministrit tonë janë në doza edhe më të mëdha edhe për faktin se ai nuk u ndëshkua vetëm për  dështimet personale dhe ekipore në frontin e brendshëm, por edhe për angazhimin dhe kontributin e tij në mbështje apo “konsulencë” ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me idenë e vjetër serbo-ruse për korrigjimin e kufijve, në formë kompensimi, midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas dokumentit të publikuar në përfundim të samitit të Berlinit, më 29 prill 2019, "Serbia dhe Kosova ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të realizuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t'u angazhuar konstruktivisht në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE, me synim për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse". Në dokument nuk përmenden as tarifat doganore ndaj Serbisë, e as propozimi për ndryshim kufijsh, arsye të forta për kryeministrin Ramush Haradinaj për t’u ndier më shumë fitues dhe i gëzuar se sa Hashim Thaçi dhe Edi Rama, me shumë gjasa nga përbrenda” helm e vrerë”.                                                                     
Është shumë shprehës edhe fakti se në fillim të takimit kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ishin shprehur se “nuk donin të impononin një zgjidhje, por zgjidhja do të duhet të sillte stabilitet në të gjithë rajonin” .                                                   

Nga ana e saj kancelarja Merkel u shpreh edhe më qartë: “Nuk mund të ketë marrëveshje, pasojat e të cilës mund t’i vuajnë vendet e tjera". Po sipas DË zhgënjyes, depresues apo stresues duhet të ketë qenë për Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, por edhe për Ramush Haradinajn,  edhe këmbëngulja e Francës për të mos liberalizuar regjimin e vizave ndaj Kosovës. Thaçi e shprehu këtë zhgënjim edhe para gazetarëve, duke e interpretuar si” diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën". Sipas burimeve të DË nga pjesëmarrës në takim, presidenti Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i migrantëve të parregullt, ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende. Nisur nga fushata elektorale aktuale për zgjedhjet e parlamentit evropian, Macron kishte argumentuar se nëse ai do të hiqte vizat edhe për Kosovën, kjo do të ishte në favor të partisë djathtiste të Frontit Nacional…”.                                                  

Pra, ndryshe nga sa tha në Tiranë, me gojën e vet dhe për veshët e anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, më 2 maj,  për ERTV-në dhe media të tjera, që janë të futura hapur apo fshehurazi akoma nëpër xhepat e  të shumtë të Edi Ramës, presidenti i Francës Emanuel Macron i është referuar hapur Shqipërisë, të këqiave dhe rreziqeve që i vijnë prej saj Francës dhe BE-së dhe kjo nuk është sajesë dashakeqe, antishqiptare, antiintegruese e “Saliut dhe dajë Titit, rrugëhumbërve dhe kadrinjve”…Duke e njohur mirë Edi Ramën, partinë dhe qeverinë e tij, duke e ditur se kanë afro 75 vjet që i mashtrojnë paturpësisht dhe pashpirtësisht shqiptarët, personalisht jam i prirur t’u besoj më shumë Angela Merkelit, Emanuel Macronit, Ramush Haradinajt, “Deutsche Welle-s”, “Zërit të Amerikës”…Përmbledhurazi, gjithnjë sipas këndvështrimit dhe gjykimit tim, Edi Rama dhe Hashim Thaçi u kthyen nga samiti i Berlinit si humbës, të përmbytur nga zhgënjimi dhe zemërimi. Por, ndoshta mund të ngushëllohen duke llogaritur si të mira e dobira, shtrëngimin e duarve dhe fotografitë e reja me Angela Merkelin dhe Emanuel Makronin si dhe përqafimin me njeri tjetrin, me Aleksandër Vuçiçin  dhe, për herë të fundit, me mikeshën e tyre, Federika Mogherinin, si shefe e politikës së jashtme e BE-së.  Si shqiptarë, me sinqeritet apo sa për sy e faqe, atyreve u takon të ndiehen të gëzuar edhe për faktin se hapësirën e lënë nga SHBA-ja në Ballkan, me shumë gjasa, nuk do ta mbushë Rusia, por BE-ja, në rradhë të parë, Gjermania dhe Franca. Ndërsa Ramush Haradinaj, u kthye si fitues dhe i gëzuar për dy çeshtje madhore, për të cilat nuk pati presion nga Merkel dhe Macron, por vetëm nga Hashim Thaçi e Edi Rama. Dukej dhe nuk e fshehu se ai u kthye në Prishtinë edhe sinqerisht i mërzitur për mos marrjen e një mesazhi dhe afati të qartë për liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës…Por, në të vërtetë kjo nuk është humbje personale e tij si kryeministër dhe ekipore si qeveri. Më qartë e më shumë është “sukses personal” dhe përmbyllës i mandatit të Federika Mogherinit si shefe e politikës së jashtme të BE-së si dhe i Aleksandër Vuçiç-it, Ana Brnabiç-it, Ivica Daçiç-it…, të mbështetur nga larg e nga afër nga miku i madh dhe  aleati i tyre strategjik, Vladimir Putin… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat