Heroi për Heronjtë

Opinione

Heroi për Heronjtë

Nga: Agim Hyseni Më: 6 maj 2019 Në ora: 08:14
Fehmi Agani dhe Agim Hyseni

Profesor Fehmi Agani njihet si udhëheqës me autoritet integrues i lëvizjes për Republikën e Kosovës, i lëvizjes paqësore aktive për pavarësi e deri te lufta për çlirimin e Kosovës. Autoriteti i tij ka mundësuar bashkëpunimin dhe bashkimin në një lëvizje paqësore aktive në mes të krahut ‘të majtë’ dhe krahut ‘te djathte”, qe ai i shihte si krahët e një trupi. Ka pas bashkëpunim me një rreth të gjerë veprimtarësh të çështjes kombëtare. Profesor Fehmi Agani ka pas bashkëpunim më të ngushtë me Heroin Sali Çeku. Përmes Profesorit jam njoftuar edhe unë me Saliun, për të vazhduar bashkëpunimin kryesisht në Gjermani, ku vepronte në një rreth veprimtarësh të shquar patriotik e intelektual si: Hafiz Gagica, Donika Gervalla, Agim Kamberi me shumë të tjerë, përkatësisht në Shqipëri.

Herën e fundit jam takuar me Sali Çekun, strategun e luftës së UCK-se dhe luftës në Koshare, të shoqëruar nga Agim Ramadani, në Tiranë, në periudhën në mes konferencës së Rambujesë – siç e ka shënuar takimin edhe Saliu në ditarin e vet të luftës.

I matur, i përgjegjshëm dhe i vendosur si përherë, që në fillim të bisedës e pat shprehur brengën e madhe për ushtrinë çlirimtare brenda territorit të Kosovës të stacionuar rreth Koshares.: “Qe shtatë ditë ushtria në front na ka mbet pa bukë e kryeministri i Kosovës na end rrugëve, nuk na jep mbështetjen e nevojshme materiale për armatim e barna…”, si dhe brengën se ndërprerja e përkohshme e bisedimeve në Rambuje do të jetë një mundësi më shumë për ri pozicionimin e forcave serbe në Kosovë, me pasoja të papara për popullatën.

Në të ndarë, duke ditur edhe admirimin dhe respektin e madh të Saliut për Profesor Fehmiun, me të cilin mbante komunikimin e vazhdueshëm, madje edhe nga pozicionet vëzhguese në front, premtova se do angazhohem që së shpejti, në kohë të përshtatshme për ta, kur të vijnë për furnizime, do provoj që të takohemi së bashku edhe me Profesorin, që po ashtu fliste me plotë respekt për Saliun. Në këtë takim të përzemërt fjalët e fundit ishin të Agimit (Ramadanit): Të fala Profesorit për të cilin kam respekt të veçantë edhe unë. I thuani që herën e ardhshme ne do ju takojmë në Prishtinë dhe kafet e para do ti pimë së bashku.

Një ditë më vonë u takova me Profesorin në Prishtinë, si zakonisht në mëngjes, dhe bisedat i zhvillonim kryesisht duke ecur. Ja përcolla të falat e përzemërta të Saliut dhe Agimit, por edhe brengat e tyre dhe vështirësitë që ju krijoheshin nga ata qe do duhej ti përkrahnin – Brenga që nuk ishin diçka e re për te. Me që nuk njiheshin me Agimin (Ramadanin), Profesori më pyeti: si tu duk?… Më kujtohet që iu përgjigja, në mes tjerash: Agimi (Ramadani) edhe si ushtarak, edhe si njeri e edhe si patriot mu duk si me qenë shpirt binjak me Saliun (Çekajn), sa të qetë aq edhe me karakter të fortë.

“E po atëherë i thuaj se me pa durim pres që me te dhe Salihun të pimë kafe në Prishtinë. Dhe thuaju le të nguten, mos të na presin kafet” më tha Profesori me stilin e tij origjinal dhe të papërsëritshëm të komunikimit.

Lufta u përshkallëzua edhe me. Prishtina si krejt Kosova pothuajse u zbraz. Profesori me zonjën e tij Sadijen dhe djalin e madh, Mentorin, ende nuk kishin bërë ball ta lëshojnë shtëpinë e vet në Prishtinë – tregonin gjatë takimeve Zonja Sadije me Mentorin.

Në lajmet e TV Tiranës Profesori dëgjon për vrasjen e Agimit (Ramadanit) dhe Sali (Çekajt).

Si shpirt njeriu që ishte dhe nga dhembja e madhe për vrasjen e ushtarëve të mëdhenj të lirisë, Profesori shkrehet në vaj. Të shqetësuar për gjendjen e Profesorit, zonja dhe djali shpejtojnë ta ndihmojnë.

Çka ka ndodhë Fehmi? – e pyet Zonja e tij. - Është vrarë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, përgjigjet Profesori. Emri I Salih Çekut ka qene i njohur për familjen e Profesorit.

- Po kush është Agim Ramadani- vazhdon me pyetje. Profesori i përgjigjet: Nuk e kam njohur personalisht por Agimi (Hyseni) më ka folur për te. Duke provuar ta qetësojë Profesorin, në at gjendje të rëndë që e ka pare duke dënesur, bashkëshortja e tij vazhdon: ‘Po si po qanë kështu për njeriun që nuk e ke njohur? ‘Po vriten me mija e ti po qan për dy ’Përgjigja e Profesorit, në at gjendje të rëndë ka qenë: ‘E lumja ti që nuk e di se çfarë burrash kemi humbur sot”, duke e përsëritur në mes të dënesjeve:

’Lum njerëzit që nuk e dinë se kush është vrarë sot’!

Këto ishin nga fjalët e fundit të Heroit për Heronjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat