Gjergj Kastriot simbol i bashkimit kombëtar dhe përkatësisë evropiane  

Opinione

Gjergj Kastriot simbol i bashkimit kombëtar dhe përkatësisë evropiane  

Nga: Gani Mehmetaj Më: 6 maj 2019 Në ora: 18:03
Foto ilustrim

Osmanët në të gjitha kështjellat e vendbanimet shqiptare nga Shkupi në Pargë e kanë eklipsuar diellin, e kanë ngurtësuar Arbërinë, kanë lënë vragë në psikologjinë e karakterin e shqiptarëve si asnjë pushtues tjetër. Fama e Krujës është ndërtuar mbi luftërat kundër Perandorisë Osmane, por askund sikurse në Krujë nuk e kanë goditur qytetin më të lavdishëm shqiptar të mesjetës, janë përpjekur ta shlyejnë të kaluarën, i kanë rrënuar kishat e manastiret, mbi to kanë ndërtuar xhami e teqe, i kanë shlyer nga faqja e dheut shtëpitë e pallatet ku jetuan aristokracia e princat shqiptarë. Me sundimin e gjatë e errësirën pesëqindvjeçare i dhanë ngjyrim tjetër Krujës, i dhanë ngjyrim të zymtë Arbërisë.  

Rrënojat e mureve, fortifikatave, vrojtoreve ushtarake arbërore ende dëshmojnë për një të kaluar tragjike e heroike njëkohësisht. Sa shumë lavdi e fatkeqësi në një hapësirë, ku shkëmbi e ambienti i vrazhdë mbizotëron. Sa shumë legjenda e fshehtësi në këtë shpat, ku vapa të përcëllon në ditë vere, kurse era e detit të rreh dimër e vjeshtë. Rrugicat e qeta lakadredha, shtëpitë karakteristike, pjerrtësia që ta mpinë qafën, janë gjëra tjera që e shquajnë qytetin e dikurshëm të Gjergj Kastriotit.

 Legjendat e dëshmitë historike e mundën pushtuesin, e përballuan historinë e pamëshirshme, pavarësisht gjymtimeve të dhimbshme, duke rrëfyer për Krujën e Gjergj Kastriotit që e mbrojti jo vetëm këtë qytet mbi njëzetë e pesë vjet, por nga ky qytet doli rrezatimi e organizimi që i dha liri e shkëlqim Arbërisë.

Legjendat janë zëvendësim tjetër a plotësim i historisë së dhimbshme që nuk janë shënuar në kronikat e kohës, por i bartën me vete arbëreshët në Kalabri, i bartën malësorët-luftëtarët e Gjergj Kastriotit në Panoni e Hungari, i ruajtën arbërorët kur u tërhoqën në bjeshkët e mjegullta shqiptare, ku i kalova një pjesë të pushimeve verore në fëmijëri.

Flijimi i grave në këmbë të kështjellës

Legjendat në formë të rrëfimeve gojore, të bartura ndër breza, ishin më të fuqishme se sa armët e pushtuesit, që e mbajtën gjallë ndjenjën e përkatësisë dhe krenarinë. Vallja e vdekjes, hedhja nga shkëmbi në humnerë vjen edhe nga Kruja. Legjenda e grave e vajzave që nuk iu dorëzuan ushtarëve turq, por iu dorëzuan vdekjes, është ndër legjendat më tragjike në historinë e qytetërimit evropian. 

Legjendat për flijimin i ndryn në vete Kruja e dikurshme, ndërsa fshehtësia e varrit më të famshëm jo vetëm në Gadishullin Ilirik, është fshehtësia tjetër që të lë pa gjumë. Pelegrinët e rinj e të vjetër, aventuristët e shtigjeve të gjata, të prirë për të papritura që ta rrisin adrenalinën nuk është keq t'u qepen shpateve shkëmbore dhe të kërkojnë të fshehtën pesëqindvjeçare. Janë shumë vendbanime në Krujë e përqark që dëshmojnë flijim, heroizëm, vdekje, fshehtësi.

Kruja ishte qyteti i ëndrrave të mia fëmijërore, toka e shenjtë.

Sa herë e kam recituar me shqetësim e i rrëmbyer në shkollën fillore para bashkëmoshatarëve poezinë e Naim Frashërit për Skënderbeun:  

"Krujë o qytet i bekuar,

prite, prite Skënderbenë,

se po vjen si pëllumb i shkruar,

të shpëtojë Memëdhenë...

Ndërsa më bëhej se isha unë ai që fluturonte mbi kalë të bardhë drejt Krujës. Shumë vjet më vonë, kur ngjitesha qytetit të vjetër, ndërsa rrugët me dredha ma kërkonin përqendrimin e jashtëzakonshëm, përpiqesha të luaja rolin e detektivit të filmave kriminalistikë, duke hamendësuar ku mund ta kishte varrin Gjergj Kastrioti, sepse asnjëherë nuk më ka bindur Marin Barleti, Fan Noli e Naim Frashëri se eshtrat e mbretit të shqiptarëve janë shpërndarë nëpër botë, sado që ndonjëherë mënyra se si e këndonte pikëllueshëm Ismail Kadare pasvdekjen e heroit tonë në poezi ma përkëdhelte sedrën si pasardhës i Gjergjit, shtrirja në tri kontinente, ishte diçka e rrallë.

Edhe pasi e vizitoja qytetin e Kështjellën, edhe pasi i vrojtoja muret e rrënuara, sytë më shkonin nga kurora e maleve të zhveshura sipër kështjellës, ndërsa më rrinte pezull pyetja e bërë qindra herë: athua ku mund ta kenë fshehur varrin e Gjergjit françeskanët arbërorë  që e mbajtën betimin dhe nuk e zbuluan fshehtësinë?

Për Krujën është shkruar më shumë se për çdo qytet tjetër arbëror-shqiptar, është qyteti historik më i vizituar nga shqiptarët e të huajt. Është vend pelegrinazhi, orë historie, ku duhet të gjejnë identitetin edhe shqiptarët e humbur, të cilët shekujt i kanë ngatërruar me pushtues të rinj e të vjetër me fije të dukshme e të padukshme.

 

Kruja mesjetare, vazhdimësi e Krujës antike

 

Kruja të joshë për historinë, me kështjellën e rindërtuar, e të plotësuar, me shtatore, piktura murale monumentale, fakte e dëshmi, me muret mbrojtëse, me Muzeun Historik e Etnografik, me ambientin që të drithëron, me tregtinë e imët që bëhet brenda qytetit të vjetër, me kalldrëmet e shtruara që t'i kujtojnë kalldrëmet e njohura të mjeshtërve shqiptarë që e bartën këtë kulturë ndërtimi në Evropë e në Azi.

Kruja e sotme ka rrënojat e kështjellës së vjetër ilire, sepse Kruja ishte fortifikatë, kështjellë e qytet që nga parahistoria, me vazhdimësi në antikë e në mesjetë. Vendbanimi i Krujës njihet qysh në shekujt IV – III para Krishtit, thonë arkeologët. Muret rrethuese të qytetit të lashtë, kurora e lartë si pjesë e vargmaleve të Skënderbeut, janë dëshmi të kësaj lashtësie. Albanët janë të parët e Krujës, ndërsa Albanopolisi, supozohet që është Zgërdheshi i sotëm jo larg qytetit të Gjergj Kastriotit. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se Kështjella e Albanopolisit është ndërtuar në shekullin 7-6 para erës sonë. Filozofi grek, Ptolemeu, citojnë arkeologët, ka shkruar se qyteti antik i Albanopolisit ka qenë kryeqendra e gjithë Ilirisë. Thuhet se qyteti pësoi dëmtime e shkatërrime të mëdha gjatë luftës ilire-romake, mu si Kruja pas rënies nën sundimin osman.

 Në Krujë nga kishat e moçme u gjet Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, e ndërtuar para 1 200 vjetësh në Dervent (Fushë-Krujë), që u zbulua më 2006. Ka edhe rrënoja të tjera të kishave të kohës së Gjergjit e të mëhershme që duhet të rinovohen e të ndërtohen, sepse një qytet antik e mesjetar pa kisha nuk duket qytet arbëror, nuk i ngjan vetes. Xhamitë i solli me karvan devesh turku pa na pyetur. Xhamitë ia dhanë vulën pushtimit.

Qyteti i sotëm nuk i ka as pallatet e Gjergj Kastriotit, sepse ai mbi mure nuk e bënte natën, kishte një rezidencë, ku jetonte, ku priste princërit e Arbrit, gjeneralët e vet, diplomatët e burrat e shteteve. Kruja kishte princa e gjeneralë, ata kishin rezidencat e shtëpitë e tyre brenda qytetit.   

Megjithatë Kruja të ofron reflekse nga lavdia e dikurshme, me shtatoret e princave, me stemat e  principatave arbërore, me pikturat monumentale e me rekuizitat e riprodhuara apo të përngjasuara nga koha kur jetoi e veproi mbreti i shqiptarëve. 

Qytetin e vjetër të Krujës do të duhej rinovuar, duhet të investohet në të pikërisht për ta ringjallur ashtu sikurse ishte dikur dhe ashtu sikurse e imagjinojmë në kohën e Gjergj Kastriotit. Kruja është krenaria e kombit dhe strumbullari i bashkimit.

 

Sa herë e vizitoj Krujën, ndiej rënkimet e krutanëve që ranë në mbrojtje të qytetit, ndërsa e mbrojtën mbi 25 vjet në të gjallë të Gjergj Kastriotit, por edhe dhjetë vjet pas vdekjes së tij. Sa herë eci kalldrëmeve të qytetit, apo kur e dëgjoj zërin e zvargur të myezinit nga altoparlanti i xhamisë së rinovuar nga turqit (TIKA kulturocide) më parakalojnë pamjet që i përshkruan kronisti turk, Muhamet Muhjiu, pasi u pushtua Kruja: “Ah, botë plot vuajtje dhe rënkime! Vaj! Thirrjet që nga kraharorët e tyre të dërrmuar arritën deri te tavani i Saturnit.

Gjithsejtë rreth pesë mijë të pafe, që ishte secili një djall naftëhëdhës dhe vetëtimlëshues, u bënë kështu pre e shpatës së mprehtë dhe qoke e shigjetës goditëse. Kafkat e këtyre do të jenë për shumë vjet ushqim për shpezët e këtyre viseve. Në këtë mënyrë u arrit fitorja; thyerja e të pafeve dhe shfarosja e armiqve. Turma e luftëtarëve u kënaq dhe u gëzua me plaçkë të shumëllojshme dhe të panumërt. Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në pranga poshtëruese të robërimit dhe i lidhën me zinxhirët e mjerimit. Pastaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe prishja e ligjeve...”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat