Cubat e Kosovës

Opinione

Cubat e Kosovës

Nga: Prof. dr Binak Maxharraj Më: 8 maj 2019 Në ora: 16:28
Prof. dr Binak Maxharraj

Kur isha si djalë i ri shtalb shpeshherë ngjitesha në kullë në oden e burrave kur në mbrëmje mblidheshin pleqtë e katundit, por edhe të katundeve tjera përreth. Aty bisedohej për çdo gjë e më së shumti për trimëri, për luftërat që populli për liri që i kishte zhvilluar kundër shkaut, flitej për trimëri, për tribunët popullit të cilët ishin pre fyt me fyt me shkakun për t’i dalë zot atdheut. Por, jo rrallë herë pleqtë bisedonin edhe për kaçakët dhe cubat, të cilët po ashtu kishin marrë malet në mbrojtje të atdheut. Cubat thoshin pleqtë ishin njerëz të zotët, të shkathët, lëviznin shumë shpejtë si vetëtima, sa shiheshin në këtë mal apo në atë kodër, nuk dorëzoheshin ishin në shërbim të atdheut e jo në shërbim të vetes.

Por, këta cubat e mi në këtë rrëfimin tim ndryshojnë nga cubat e vërtetë, janë ndryshe, nuk jetojnë nëpër male por nëpër kolltuqe. Cubat e rrëfimit tim pasi që e vjelën, e molën ,e vodhën, e plaçkitën dhe e shiluan Kosovën për 20 vite rresht, pa ç’kapë u pasuruan për së tepërmi në pakufi duke mos u penguar nga askush, sepse Prokurorit dhe gjykatat i kishin të vetat. Për 20 vjet pasi që e bënë lëmsh e rrotull Kosovën, duke e kthyer në pikë të lirisë Serbinë dhe Car Llazarin në Kosovë. Për 20 vite këta cubat e rrëfimit tim qëndruan rahat, nuk e “ofenduan” Serbinë më asgjë, nuk ia përmendnin asnjë krim e lëre më masakrat dhe gjenocidin që Serbia i kishte bërë në Kosovë, por që shpesh herë Kryecubi i shënimit tim, n’krye në vete shkonte dhe i përqafonte, përkulej para përmendoreve të serbëve, në të cilat shkruante se u vranë nga terroristët shqiptarë. Haj medet, o medet çka s’po mbajka toka.

Por, këta cubat e shënimit tim për 20 vite e banë punën bërllok, më Serbinë në damë të Kosovës, ku i sollën shumë dëme të pariparueshme e deri në faljen një pjesë të territorit bijve të Mark Milanit në Mal të Zi me të cilët kreshnikët e Rugovës me vite e decenie kishin luftuar me ta, por Qakorrin kurrë nuk e dorëzuan. Haj, medet o medet merrua mendjen këtyre cubave tanë. Këta cubat e rrëfimit tim me vite bënë plane e skica me djallin e të birin e tij për ta shkatërruar, poshtëruar, për me e nda Kosovën me armiqtë tanë shekullor, sikur të ishte në bahçen e tyre.

Këta cubat e rrëfimit janë njerëz të pafytyrë, të padinjitetshëm të cilët për 20 vite e rrejtën, e mashtruan këtë popull pa fije turpi duke ua cungu lirinë pasi që në Kosovë i bënë rrush e kumbulla çdo gjë të vlefshme që ekzistonte, duke ua shkatërruar ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin, shkurt duke e shitë falas të tërë pasurinë e Kosovës, duke e ndjekur, dëbuar bukurinë më të mirë dhe të shëndetshme të vendit djemtë dhe vajzat e saj.

Cubat e rrëfimit tim ishin shumë të zhdërvjelltë ata u futën në agjentura të ndryshme pro serbe dhe pro ruse për t’ia bërë qejfin Serbisë duke bërë plane djallëzore më shkijet për ndarjen e Kosovës, apo për korrigjimin e kufijve me Serbinë, ashtu siç e bënë me Malin e ZI. Për t’i hartuar këto skica dhe plane u takuan tinëz popullit. Por, këtyre qyqeve tona të pa kokë këto plane iu dështuan në Berlin nga e madhja dhe mikja e jonë Angela Merkel. Cubat u dëshpëruan, mbetën si të dhier, të pafytyrë kur populli kuptoi së vatani ishte qit në pazar me armikun tonë. Kjo ishte njëra ndër skandalet dhe tradhtitë që këta cuba po përgatitnin atdheut, në krahasim me skandalet tjera si shfuqizimi i Speciales dhe dëbimi i qytetarëve turq më dhunë nga Kosova.

Këtyre cubave të rrëfimit tim për 20 vite asnjëherë nuk u shkoi mendja për të mirë në raport me Serbinë. Shtatë vite diagoluan në ”lërë” më Serbinë për kurrgjë, ia shtrinin dorën njëri-tjetrit pa e detyruar Serbinë, bile të kërkojë falje për gjenocidin e bërë në Kosovë, për vrasjen e mbi 13 mijë civilëve, kurse në këtë dialog Serbia e sulmonte vazhdimisht Kosovën në çdo aspekt thuajse Kosova ishte agresore e jo viktimë, kështu që në arenën ndërkombëtare Serbia sikur krijoi njëfarë epërsie, sepse këta cubat tanë ishin dorëzuar para saj përmes shantazheve dhe dosjeve.

Këta cubat e rrëfimit tim asnjëherë nuk e fituan kurajon që të kërkojnë llogari për krimet e luftës. Kryecubi gënjeshtar nganjëherë rrëshqitas e përmendte po kurrë nuk pati kurajo, guxim e as trimëri që këtë ta bëjë. Por, tash kur Angela Merkel ua prishi planet, me Serbinë për ndarjen e Kosovës, këta cubat e mi për ta trembur me shosh si arushën Serbinë, u ka ra ndërmend që të kërkojnë një Gjykatë Speciale për krimet e luftës në Kosovë. Këta cubat e mi në këtë rrëfim kërkimin për formimin e kësaj Gjykate e bëjnë më shumë për vete se sa për Kosovën, se vallë a mos munden me këtë ta trembin Serbinë që të mos shkojnë në Hagë. Pra për 20 vite heshtën, tash menjëherë shpërthyen. Këta horra kanë harruar që gjatë këtyre 20 viteve, e sidomos gjatë dialogut i lejuan Serbisë shumë favore, shumë sa herë që Serbia bërtiste si arusha, duke krijuar epërsi ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe mu në këtë atmosferë formimi i Gjykatës për krime lufte të Serbisë do të jetë e dështuar.

Tash këta cubat e mi të rrëfimit tim s’u ka mbetur gjë tjetër veç të çirren si bishat e egra, sepse janë njerëz të mjerë, të vetmuar, të humbur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat