Komunikatë e Arushan Dardanit

Opinione

Komunikatë e Arushan Dardanit

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 13 maj 2019 Në ora: 07:13
Çakorr

Më 12 maj, mbajtëm si Shtab i Përgjithshëm i Individëve Malorë një takim, ku u shqyrtuan masat, që po përgatit shteti kundër popullit në mal. Ne, njëzëri, nën kryesin time, domethënë të Arushan Dardanit, si komandant, njoftojmë Gjarprin, Kitrën dhe Dhelprën si vijon:

Pas masakrës që u bë kundër pelushve të mi, duke respektuar në germë dhe fjalë nenet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, vrava 28 dele. Ne nuk bazohemi në kushtetutë, siç nuk e bëjnë as individët jomalorë. Kanunin që nuk ka prejardhjen nga bjeshkët tona, nuk e zbatojmë as ne dhe për këtë jemi krenarë edhe me individët malokë.

Nuk i vramë për t’i ngrënë siç veproni ju, por thjeshtë për t’i dhënë fuqi shprehëse së dhembjes tonë, sepse ju në përgjithësi, nuk keni respekt ndaj jetës dhe gjallesave, që përpiqen të mbijetojnë në Kosovë. Vrasja e këlyshëve të mi, dëshmon se ju jeni trima me të dobëtin, me të pafuqishmin! Ju vrisni edhe qenë vetëm pse jetojnë. Pra, ju nuk ndjeni asnjë respekt ndaj Individëve në mal dhe asnjë ndaj kafshëve shtëpiake në Kosovë. Ju nuk u zemëruat për jetën e deleve, por i përkthyet ato krijesa në lekë dhe deklaruat se dëmi ishte 3.000 euro, e jo 28 individë nga bagëtia dhe bujqësia, të cilave ua merrni leshin, qumështin dhe ua hani mishin. Ju i preni në qafë me një thikë të madhe në mes të oborrit dhe e ndani me atë thikë, në dhjetëra copa!

Sulmi i parë pra ishte vetëm pasojë logjike, e një individi, që rritet dhe edukohet në tokën Dardane. Ne kemi jetuar dhe mbijetuar këtu qysh nga kohërat e lashta. Jetuam me ju kur ishit pellazgë, kur u bëtë dardanë në këtë tokë dhe kemi telashe, kur po bëheni me komb kosovar, si i konvenon Serbisë. Kemi ndarë fatinë e përbashkët: mbijetuam bizantin, osmanët dhe serbet, e tani vjen një me kombësi kosovare dhe masakron fëmijët e mi pa pikë faji.

Sulmin e dytë që bëmë ne kundër deleve, e bëmë për t’ i sjellë në kujtesë individëve jo të malit, Çakorin, ku ne dikur kishim qendrën e Shtabit tonë. Arsyeja? Atje kanë mbetur shumë pjesëtarë të fisit tonë arushan, por pse sulmojmë pikërisht delet? Sepse delja nuk ka asnjë faj dhe nuk mund të akuzohet për asgjë. Delja nuk ka asnjë mëkat në biografinë e vet: është e butë, e urtë dhe ju silleni pikërisht kështu me individët e mirë jomalorë. Madje edhe më keq. Ju nuk bëni atentate kundër atyre, por ua vrisni shpresat, ua vidhni ëndrrat të rriturve dhe fëmijëve! Delja është vetëm metaforë për t’ju treguar se çfarë bëni ju me individët e urtë jashtë malit.

Sulmin e tretë e kryem, sepse morëm lajmin se Gjarpri, jo se do të kthejë hapësirën tonë malore, ku ne jetonim, por se do t’i falë edhe Veriun e Kosovës, ku ne zakonisht verës bëjmë pushimet. Ne shprehim keqardhje për traumatizimin e disa individëve në mal, që kanë përcjellë plojën tonë të deleve. Jemi të vetëdijshëm, se për shembull para lepujve, Individi i malit nuk duhet të sillet ashtu, por zhgënjimi ishte tepër i madh dhe kishim humbur toruan. Motoja jonë tani e tutje është: “Ja vdekje, ja liri!” Këtu, nëpërmjet kësaj komunikate, u kërkojmë të falur të gjithë individeve dhe individëve të malit që zvarriten, që kërcejnë apo që fluturojnë, por që kanë përcjellë ngjarjen, dhe janë trishtuar me skenat. Në fund u tërheqim vërejtjen edhe disa lopëve dhe gomarëve, që po mbajnë tubime, përgatisin projekte për të bërë një gjenocid kundër Individëve Malorë të pafajshëm.

Ju mund të na sulmoni me polici, me ushtri dhe mund të ftoni edhe NATO-n, por ne do të luftojmë për të drejtën e fëmijëve tanë, për t’u rritur dhe jetuar pa pasur frikë nga individët gomarë, që nuk jetojnë më në mal! Këta janë mercenarët më të rrezikshëm.

Shtabi i Veçantë i Individëve Malorë

Arushan Dardani, Drejtor Politik i Individëve të Malit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat