Mirupafshim populli im për së fundi herë! - Bota Sot
Mirupafshim populli im për së fundi herë!

Opinione

Mirupafshim populli im për së fundi herë!

Nga: Sulejman Mehazi Më: 14 maj 2019 Në ora: 21:12
Sulejman Mehazi

Dal nga dalë e me hapa të sigurtë po zvogëlohemi e shkrihemi si  kokërza kripe, politikanët tanë na kanë bërë për askundi, s'dimë kah t'ia mbamë, shiko qiellin lartë, s'mund të mbërrimë, shiko tokën poshtë, s'mund të jetojmë, fut duartë në xhepa të zbrazura, shiko trupin tonë të sëmurë, pa lekë e shëndet, na kanë kapluar hallet e s'dimë si të veprojmë, kah të shkojmë e ku të jetojmë. Po na zbrazen shtëpitë, fshatrat, qytetet e shkollat, askujt s'i rrihet ketu në vendlindje, të gjithë aman të gjithë duan të ikin kah sytë këmbët, përveç politikanëve dhe atyre që ia shohin hairin partive politike. Parashenja të këqia e ogure për shqiptarët kudo që janë,  jetesa shqiptare duket e neveritshme.

Vdiqëm, shkuam e u shuam për shkak politikejve të prishur psikikisht, shpirtrisht e të korruptuar fizikisht e materialisht, palla s'ua ndinë për popullatën e gjorë shqiptare. Na tregoni miq, na tregoni në cilin vend mund të jetohet në Shqipëri?, jo; në Kosovë?, jo; në Maqedoni?, jo. Na tregoni miq na tregoni, çfarë të mire na kanë dhënë udhëheqësit politikë shqiptarë, çfarë? Po na kanë dhënë: integrime, emigrime, internime e largime nga shtëpitë e stërgjyshërve tanë.

Të parët tanë iknin e shkonin në kurbet për shkak varfërisë, tani ikim e shkojmë për shkak të këqijave tona psikike e shpirtërore, për shkak hidhërimeve politike kombëtare, për shkak pikëllimeve individuale, familjare, morale. Ikim për shkak se nuk e durojmë njëri tjetrin, si duam miqtë, farefisin, të afërmit e shtëpisë, si duam traditat tona kombëtare,  gjuhën e kombin tonë se duam.

Për t'i dashur këto duhet  dashuruar njëri tjetrin, e kjo pusto dashuri është mjegullosur e është larguat nga ne, ajo është zëvendsuar me urrejtje, xhelozira e zehere të mbrendshme shpirtërore. Vëreni sa të zymtë janë bërë shqiptarët, e kanë humbur buzëqeshjen, vëreni rudhat në ballë, zërat e marrë, fytyrat e zbehta për shkak gënjeshtrave politike shqiptare. Shpirti i shqiptarëve është i mbushur me gënjeshtra e tradhti politike e kombëtare. 

Gjatë viteve '60 të shekullit të kaluar iknim në Turqi për shkak dhunës serbe, tani ikim në Gjermani e gjetiu për shkak dhunës psikologjike të politikanëve tanë të ligj. 

Mirupafshim populli im për së fundi herë pasi je para vdekjes së traditave folklorike, dokeve familjare, kombëtare e gjuhësore, shihemi pas 30 viteve në vendet europiane me gjuhë e tradita joshqiptare nëpër shtetet  e ndryshme europiane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...