Drejtori i INATOM-it, fiqtë e Beratit dhe Kosova

Opinione

Drejtori i INATOM-it, fiqtë e Beratit dhe Kosova

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 14 maj 2019 Në ora: 23:19
Hans Blix

Një ditë të bukur shkuam në Berat për një vizitë me mikun tonë, Hans Blix që atë vit ishte drejtor I INATOM-it (Agjencia e Energjisë Atomike, e bazuar në Vjenë). Zoti Blix kishte një përvojë të gjatë me organizatat ndërkombëtare. Ai kishte mbaruar tre universitete, atë të Upsalas në Suedi, universitetin Kembrixh, atë të Kolumbias dhe doktoratën e të drejtës ndërkombëtare, në fakultetin e drejtësisë të universitetit të Stokolmit. Nga viti 1962 deri në 1978 ai kishte qenë anëtar i delegacionit suedez në Konferencën e çarmatimit në Gjenevë dhe nga 1978 deri 1979 ka qenë ministër i jashtëm I Suedisë.

Postin e drejtorit të INATOM-it ai e mbajti nga 1981 deri në 1997. Ishte i qetë, tepër i sjellshëm dhe i thjeshtë. Më se njëherë ai ka shprehur qartë edhe qëndrimin e tij ndaj gjenocidit barbar të serbomëdhenjve në Kosovë.  « Si duhen trajtuar tiranët dhe shtetet e dështuar, ka thënë ai. Kjo është sfida kryesore me të cilën përballet bota. Në botë, ka theksuar ai më se njëherë, ka ndodhur një prishje që duhet të mos tolerohen më gjenocide të tilla që janë kryer në Kosovë apo në Ruanda». Ai ka qenë dhe mbetet një vizionar i përkryer, lidhur me gjithçka ka ndodhur në arenën ndërkombëtare.

Le të kthehemi tek tema e kësaj skice. Me ne ishte dhe Docent Sokrat Plaka që e njihte shumë mirë atë Agjenci, pasi kishte qenë gjithashtu më parë ambasador në Vjenë, pranë këtij organizmi ndërkombëtar dhe me një përvojë të gjatë në diplomaci. Isha i kënaqur, sepse si “myzeqarë” që ishim, me Sokratin merresha vesh shumë mirë, pavarësisht nga posti i tij i lartë. Gjatë udhës, ai foli për Beratin dhe historinë e tij dhe miku ishte shumë i interesuar. Edhe unë isha i kënaqur, sepse ishim larg diskutimeve të të “famshmit reaktor bërthamor” që Instituti i Fizikës Bërthamore i kërkonte qysh prej vitesh kësaj organizate. Natyrisht, unë nuk isha kundër në parim, sidomos pasi nëndrejtori i atij Instituti Petrit Skende ishte një njeri me kulturë, por mendoja si të tjerë se Shqipëria kishte të tjera halle, sidomos problemet e të ushqyerit të popullatës.

Le të kthehemi tek tregimi ynë. Ishim në Berat dhe Sokrati propozoi të bëjmë një vizitë në plantacionin e fiqve. Hans Blix ishte i mrekulluar nga puna që ishte bërë atje. Në një çast të veçantë, ai tha. “Është hera e parë që shoh plantacione të fiqve dhe fiq të freskët. Kjo është një punë e mrekullueshme dhe nuk e mendoja një gjë të tillë…”

Kur arritëm në tarracën mbi qytetin dhe ishim duke diskutuar, dikush solli një arkë të madhe me fiq të freskët, si dhuratë për gruan e Zotit Hans Blix. Drejtori i INATOM-it buzëqeshi dhe tepër i përmalluar tha: “ Kjo do të jetë dhurata më e mirë që do t’i shpie gruas sime nga Shqipëria e vogël dhe nga qyteti i mrekullueshëm i Beratit”.

Të nesërmen në mëngjes, aeroplani që bënte fluturimin Rinas – Vjenë merrte me vete një arkë me fiq të freskët që vinin nga Berati, qyteti i një mijë dritareve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat