Me Thaçin komandant, me Thaçin kryeministër, me Thaçin president...

Opinione

Me Thaçin komandant, me Thaçin kryeministër, me Thaçin president...

Nga: Ragip Guraziu Më: 16 maj 2019 Në ora: 08:42
Ragip Guraziu

Pas rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij dhe jasharëve të tjerë, në skenë doli Hashim Thaçi,pseudonimin (gjarpri), që gjithmonë ta mbajë autoritetin e të parit të UÇK-së, duke e gjuajtur ''GURIN'', e fsheh dorën. Këtë ves e vazhdoi edhe në liri, të gjithë që ia rrezikonin vendin të qenit gjithmonë i pari, do komandantë, siç i përdori gjatë luftës, me të njëjta retorika, disa bashkëluftëtarët dhe ish-komandantët që ai pretendonte si kundërshtar politik, i dërgoi, disa në Hagë,disa nëpër gjykata, disa edhe e flijuan veten e disa ende nëpër gjykime, por po më duket se tani,të gjitha ato të këqijat që ua bëri bashkëluftëtarëve dhe ishkomandantëve të UÇK-së do t'i kthehen bumerang.

Pas vdekjes së Rugovës në janar të 2006-s, armiku politik më i madh i tij, Thaçi, do të ndryshonte krejtësisht qasjen ndaj figurës së tij. Madje shumëkush beson se Thaçi nuk do të mund t'i kishte fituar zgjedhjet asnjëherë sikur Ibrahim Rugova të kishte qenë edhe më tutje në skenën politike. Pikërisht këtu nis ndryshimi i madh i Thaçit: PDK-ja hoqi shqiponjën nga logoja e saj, për ta zëvendësuar atë me dy fusha të valëvitura, ngjashëm me logon e LDK-së. Në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2007, PDK doli e para, dhe si kandidat i koalicionit PDK - LDK, Hashim Thaçi u bë kryeministër për herë të parë. Që në start, duke anashkaluar Rregulloren e Kuvendit, Thaçi i shtrëngoi deputetët e koalicionit që t'i votonin 100 ligjet e Pakos së Ahtisarit për 40 ditë, pa lexim dhe pa debatim. Në muajin e dytë të mandatit të tij si kryeministër, Thaçi shkeli sërish rregulloren e Kuvendit, duke lexuar deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndonëse sipas kësaj rregulloreje, ishte kryetari i Kuvendit ai që duhej ta bënte këtë.

Së bashku me presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu, Thaçi do të pranonte planin 6-pikësh të Ban Ki Moonit, i cili i solli bisedimet e vazhdueshme me Serbinë. Këto bisedime, fillimisht u kamufluan si teknike, por që edhe si të tilla ato i sollën Kosovës fusnotën për mosparagjykimin e statusit, fusnotë kjo që ende po e zëvendëson termin Republikë për Kosovën. Me Thaçin kryeministër, Kosova pati një buxhet të ndërtuar kryesisht nga të hyrat doganore, ndërkaq raporti mes importit dhe eksportit ishte 1 me 8. Me Thaçin kryeministër, u vodhën 25 kg ari në Dhomën e Dëshmive të Policisë në Pejë Me Thaçin kryeministër, arsimi universitar u kritikua për rrënim dhe politizim të skajshëm të UP-së, u publikuan punimet plagjiaturë dhe nga 32 universitetet private ku shumë nga profesorët ishin bashkëpartiakë të Thaçit. Me Thaçin kryeministër, Kosova nuk mori asnjëherë Raport Progresi me nota pozitive: për çdo vit, BE-ja përsëriti nevojën për të luftuar korrupsionin dhe krimin. Me Thaçin kryeministër, Kosova u rendit në raportet ndërkombëtare si një vend gjysmëautoritar dhe me korrupsion super të lartë. Me Thaçin kryeministër, shëndetësia u dominua nga skandalet me klinikat private, ndër të cilat rasti i klinikës 'Medicus' me trafikimin e paligjshëm të veshkave.

Me Thaçin kryeministër, KQZ-ja u detyrua të dorëheqje nga kërkesa e saj për të vënë kamera në vendvotime, çka u pasua nga vjedhja masive e votave. Me Thaçin kryeministër, Kosova pagoi 6 milionë euro kompanisë izraelite 'Saatchi&Saatchi', për një spot publicitar që doli të ishte i kopjuar. Me Thaçin kryeministër, i tërë distribucioni i KEK-ut u shit për vetëm 26 milionë euro. Me Thaçin kryeministër, u nënshkrua një marrëveshje pa çmim për autostradën e kombit, që rezultoi të ishte autostrada më e shtrenjtë në Evropë. Me Thaçin kryeministër, Aeroporti i Prishtinës u dha me koncesion për 20 vjet për vetëm 100 milionë euro. Me Thaçin kryeministër, në Kosovë u aplikua privatizimi i tipit neoliberal siç ishte bërë në vendet afrikane dhe amerikanolatine: rezultati i privatizimit ishte që fabrikat dhe ndërmarrjet u shitën por investimet nuk erdhën. Me Thaçin kryeministër, ai që kishte drejtuar procesin e privatizimit, Dino Asanaj, u tha se u vetëvra me 12 goditje me thikë. Me Thaçin kryeministër, filloi vala e parë e emigrimit që solli tragjedinë në lumin Tisa. Me Thaçin kryeministër, Mitrovica mbeti e ndarë: përkundër aksionit të Policisë së Kosovës në veri më 25 korrik 2011, policia u detyrua të zmbrapsej duke humbur pjesëtarin Enver Zymberaj. Me Thaçin kryeministër, Kosova bisedoi pandërprerë me Serbinë, pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe pa marrë artefaktet arkeologjike. Me Thaçin ministër i Jashtëm, Kosova mbeti e izoluar, pa liberalizim të vizave. Kuvendi nuk duhet të heshtë Me Thaçin ministër i Jashtëm, Kosova dështoi të anëtarësohej në UNESCO.

Me Thaçin ministër i Jashtëm, njohjet për Kosovën u stopuan në 111 shtete. Me Thaçin ministër i Jashtëm, ai nënshkroi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila mund ta lërë Kosovën me 9000 hektarë tokë më pak. Se Kuvendi nuk duhet ta lërë të heshtë presidentin e vendit rreth kësaj çështje, sepse bëhet fjalë për fatin historik të shtetit të Kosovës . Konsideroj që tani është koha duhur që të kërkojë Kuvendi i Kosovës me urgjencë informacione nga presidenti Thaçi rreth opsionit të rrezikshëm të ndarjes së Kosovës, të cilin Thaçi po duket se po provon ta shesë si "marrëveshje historike" - këmbim i territoreve me Serbinë, si fazë finale e dialogut, e që dihet mirëfilli se ky është propozim i kahershëm i Serbisë së Milosheviqit, madje i bërë publik qysh para 20 vjetësh, ndërkaq tani duket se vetëm sa është paksa i përpunuar, mbase për interesa të tij personale, në prapaskenë nga vetë Hashim Thaçi me ekipin e tij trafikant, potencoi ai. Tani po shihet fare mirë që ky plan është mënyra e vetme e vazhdimit të të mbeturit në politikë e Hashim Thaçit, duke tentuar, siç e ka bërë gjithmonë, t`u bëjë presion ndërkombëtarëve se gjoja ai është faktor këtu në Kosovë, se vetëm nga ai varet stabiliteti i saj dhe i rajonit, duke menduar kështu se i frikëson edhe ndërkombëtarët dhe kjo ishte pikërisht arsyeja edhe në atë tentim të puçit për rrëzimin e Gjykatës Speciale, nga e cila po frikësohet Hashim Thaçi, pasi që prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë nuk i bën hesap as se ekzistojnë. Në këtë lojë presidenti nuk është i vetëm. Ky është edhe një tentim i radhës, që tenton ta shpëtojë veten Thaçi, në asistencë të Baton Haxhiut si njeri i Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës, duke pranuar çdo lloj zgjidhjeje që kënaq Beogradin, duke përfshirë edhe ndarjen e Kosovës, të cilën do të tentojë ta shesë si shkëmbim territoresh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat