20 vite nga lirimi i Ukshin Hotit nga Burgu i Dubravës kur humbi çdo gjurmë e tij - Bota Sot
20 vite nga lirimi i Ukshin Hotit nga Burgu i Dubravës kur humbi çdo gjurmë e tij

Opinione

20 vite nga lirimi i Ukshin Hotit nga Burgu i Dubravës kur humbi çdo gjurmë e tij

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 16 maj 2019 Në ora: 09:03
Ukshin Hoti

Edhe ky 16 maj 2019 pas 20 viteve të kaluara na i shton emocionet përplot me mallëngjim e shqetësim  shpirtëror neve shokëve, miqve  që e njihmin për së afërmi Ukshin Hotin, por më së shumti ky mallëngjim e shqetësim shpirtëror i kaplon,fëmijët e  tij, motrat e tij, vllaun e tij, dhe  farefisin. Ky mallëngjim e shqetësim shpirtëror i kaplon  të gjithë intelektualët e  dashamirët e mirfilltë dhe shqiptarët e  ndershëm  e patriotë  kudo që jetojnë e punojnë në tërë globin tokësor, e që kanë dëgjuar, lexuar apo që i njohin bëmat e vërteta të Ukshin Hotit, të  këtij kolosi të atdhedashurisë, patriotizmit, trimërisë, guximit  dhe sakrificës, i cili në vazhdimësi tërë energjinë e vet  të mendjes dhe atë fizike ua kushtoi  Kosovës, lirisë dhe pavarësisë të saj si edhe prosperitetit mbarëshqiptar.

Dita e dilel më 16 maj të vitit 1999, është dita kur Ukshin Hotit, edhe pse ishte ditë jopune, jashta regullave  të burgut, iu komunikua se atë ditë do të lirohet nga burgu i Dubravës pas vuajtjes së plotë të dënimit. Sipas informatave që i kemi Ukshini  pasi është  përshëndetur  me shokët,  në shoqërim të dy gardianëve  ka dalë nga oborri i burgut, dhe nga ai moment gjer më sot nuk dihet asgjë për lëvizjen dhe vendndodhjen e tij. Ekzistojnë shumë mendime dhe supozime për rrugëtimin e Ukshin Hotit  pas daljes nga burgu, por ne do të dëshironim që ai të jetë vendosur në një izolim të sigurtë  dhe se një ditë, edhe pse tashmë në moshën 75 vjeçare të arrijë shëndoshë e mirë në Kosovë,  në  Kosovën tashmë të  lirë e të pavarur  për të cilën sakrifikoi dhe u mundua aqë shumë.

Ukshin Hotit, Zoti i kishte dhuruar  zellin  e madh për dituri, përgatitje universitare dhe specializime ndërkombëtare. Zoti i  kishte dhuruar vullnetin e madh për të lexuar vazhdimisht duke e pajisur me njohje të shkëlqyeshme të  gjeopolitikës dhe strategjisë globale, evropiane, ballkanike dhe  atë mbarëshqiptare. Zoti i kishte dhuruar aftësinë dhe  guximin atë që dinte ta shprehën lirisht dhe në mënyrë të argumentuar e të kuptueshme. Zoti i kishte dhuruar trimërinë, qëndresën dhe durimin dinjitoz ndaj  dhunës dhe torturave mizore psikike e fizike që i përjetoi në burgjet e Lubjanës, Mitrovicës së Sremit, Nishit, Prizrenit  e Dubravës, e që nuk mund ti duronte as guri e as druri. Zoti i kishte dhuruar Ukshin Hotiit forcën për të mos u gjunjëzuar asnjëherë. Ai reagonte ashpër edhe kur i vërente gardianët duke ushtruar dhunë ndaj të burgosurve tjerë, i vetëdijshëm se për këtë do të dënohet  me vendosjen në qeli të vetmisë. Me këtë Ukshini shërbente si shembull i rezistencës ndaj të  padrejtës, dhe si shembull i solidaritetit  duke u dalë në ndihmë të burgosurve tjerë, edhe në ato kushte tepër të vështira që  egzistojshin  në burg.

Këto veti nuk i pati asnjë lidership i Kosovës në këto 20 vite të qeverisjes në liri. Ndaj më shumë se kurrë sot Kosovës i nevojitet Ukshin Hoti, për tia treguar rrugëtimin e drejtë dhe të sigurtë në përballimin e Kosovës me sfidat.

Ukshin Hoti duhet të kërkohet e jo të harrohet

Ajo që na brengosën më  shumë  dhe që na e trazon shpirtin është fakti se lidershipet e Kosovës qoftë  gjatë aktivitetit politik të Ukshin Hotit para se të burgoset, qoftë gjatë vuajtjes së dënimeve me burg, qoftë pas lirimit të tij nga burgu, qoftë pas  çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, kanë treguar një indiferentizëm dhe heshtje të pakuptueshme e tejet të papërgjegjshme  për zbardhjen e fatit  Ukshin Hotit, i cili aqë shumë  bëri dhe u mundua  për Kosovën.

Tjetër gjë është të kesh armë në dorë e të përballesh me  armikun, dhe tjetër gjë është të kalosh aqë vite nëpër disa burgje serbe-jugosllve  dhe tu përballosh duarthatë e i  vetëm tërë atyre torturave çnjerëzore.

Mos zbardhja e  fatit të Ukshin Hotit pas lirimit nga Burgu i Dubravës u ven një njollë të madhe e të zezë lidershipëve që e udhëhoqën Kosovën gjatë këtyre 20 viteteve në liri e pavarësi. Për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të 1650 personave të tjerë shqiptarë nga Kosova që i rrëmbeu  ushtria serbe, me siguri që në Serbi ekzistojnë  regjistra  evidentuese, e sidomos për Ukshin Hotin, këtë veprimtar të madh të çështjes së Kosovës, të cilin shërbimet e sigurimit të  Serbisë e ndiqnin  këmba këmbës,  sepse Serbia i  njihte aftësitë e tij strategjike e  gjeopolitike  për shqiptarët në Kosovë e në  përgjithësi.

Lidershipet  që e kanë udhëhequr Kosovën është dashur që menjëherë  pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës me ndihmën edhe të  faktorit  ndërkombëtar,  të kërkojnë me ngulm nga Serbia ta tregojë zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të personave tjerë shqiptarë të rrëmbyer e të pagjetur sot e kësaj dite.

Zbardhja e fatit të shqiptarëve  të pagjetur, evidentimi i krimeve, i masakrave, i dhunimeve, i dëmeve  materiale  dhe i gjenocidit të Serbisë  në Kosovë, është dashur të jetë prioritet i prioriteteve  i lidrshipeve në Kosovë.

Asnjë hap nuk është dashur të  bëjë lidershipi i Kosovës për të hy në bisedime me Serbinë në Bruksel, pa zbardhjen e fatit të shqiptarëve të pagjetur, pa nxjerrjen  e kriminelëve serbë para drejtësisë për krimet, vrasjet, masakrat, dhunimet, dëmet materiale dhe gjenocidin që Serbia e kreu në Kosovë në vitet 1998/1999, dhe pa kërkuar Serbia falje publike për të gjitha këto  mizori të kryera. Këtë është dashur ta bënin  lidershipet që e udhëhoqën Kosovën  në  20 vitet e kaluara, sepse ky është borxh kombëtar, njerëzor dhe human, dhe se moskryerja e këtij borxhi përbën një gabim, mëkat dhe tradhëti  të madhe.

Për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu dështoi edhe  i tërë faktori ndërkombëtar me heshtjen e pa presedan të të gjithë  organizmave ndërkombëtare,  duke përfshirë edhe Kryqin e Kuq  Ndërkombëtar, sepse Ukshin Hoti ishte personalitet i arsimuar, i njohur, i shquar  dhe i dëshmuar për demokraci e liri. Për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit pati një heshtje  totale edhe nga shteti i Shqipërisë.

Në kohën e Qeverisë Meksi, Ukshin Hoti në vitin 1993 kërkoi që qeveria e Shqipërisë ti jep dyshtetësinë, gjë që çuditërisht u refuzua.

Hapi i vetëm mbresëdhënës dhe për çdo lëvdatë është idea, gjetja e mënyrës dhe  angazhimi i Ismail Kadaresë, i shkrimtarit tonë të madh, i cili nëpërmjet dërgimit të pyetjeve Ukshin Hotit  në burgun e Nishit dhe nëpërmjet  përgjigjeve të arritura  nga Ukshin Hoti, i përmblodhi në librin Ismail Kadare- Ukshin Hoti me titull “Bisedë përmes hekurash” të botuar në vitin 2000 në Tiranë. E tërë kjo  kishte për qëllim sensibilizimin  e opinionit për lirimin e Ukshin Hotit nga  burgu.  Ndërkaq Ukshin Hoti edhe nëpërmjet motrës së tij Myrvete Kasumi  arrijti ti nxjerrë nga  burgu dhe të botohen ne “Zëri i Kosovës”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Rilindja” shumë tekste të tjera që zgjuan interesim të madh te lexuesit. Përndryshe Ukshin Hoti ka botuar dy libra  analitikë shkencorë “Lufta e ftohtë dhe detanti” dhe “Filozofia  politike e çështjes shqiptare”.

Si u njoha me  ukshin Hotin

Për herë të parë me Ukshin Hotin u takova në vitin 1969 në Beograd kur ai  punonte në LSPPJ në Departamentin  për marrëdhënie me botën e jashtme, dhe ishte caktuar të mbajë ligjerata për punëtorët që jetonin dhe punonin në Beograd lidhur me amendamentet  e propozuara për ndryshimin e Kushtetutës në ish Jugosllavi. Ukshin Hoti në mënyrë  të qartë, hapur e të guximshme para të pranishëmve  pa hezitim  thoshte, citoj,” Nëse popullata shqiptare në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë  nuk trajtohet në mënyrë të barabartë si popujt e tjerë, atëherë Jugosllavia do ti ketë shqiptarët thikë në shpinë”. Me Ukshin Hotin takoheshim  shpesh dhe  bisedonim për shumë çështje të shqiptarëve dhe se për të gjitha këto çështje kishim një mendje. Kështu u bëmë shokë të ngushtë e besnikë. Ukshin Hoti i njihte bukur anglishten, gjermanishten dhe frengjishten. Ai kohën e lirë e kalonte duke lexuar libra të ndryshëm.

Një ditë Ukshini më informoi se dy muaj do  të shkojë në Angola si mysafir i Agostino Netos, udhëheqësit të kryengritjes  “Frelimo”, për çka merrte disa vaksina kundër kafshimit të mushkonjave , gjarpërinjve dhe infektimeve të ndryshme.

Më vonë  në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd e mbrojti më mëyrë briliante temën e magjistraturës  “Faktori kimez në marrëdhëniet SHBA-Rusi,”, para komisionit dhe profesorit  të shquar Pribiçeviq që e kishte edhe mentor. Ajo që  Ukshin Hotin e pengoi të doktorojë ishte fakti se  profesorët nuk ia pranonin temat e doktoranturës që i propozonte  Ukshini, e që kishin të bëjnë me çështjen shqiptare.

Ne mbetëm shokë të ngushte. Unë e vizitoja familjen e tij në Krushë të Madhe dhe Ukshini e vizitonte familjen time në Dibër. Një herë në Dibër e solli për vizitë edhe  vëllaun e tij Ragipin, i cili më vonë  ra dëshmor si ushtar i UÇK-së.

Në verën e vitit 2000 te na në Dibër erdhi edhe Fatimja, nëna e Ukshinit, Myrvetja, motra e Ukshinit, Nexhat Fetoshi, nipi i Ukshinit dhe  gjermania Erika Nerad-Rukolli, ish deputete në Parlamentin Evropian. Ardhja e tyre ishte në bazë të mjekes Hannelore H. Dietrich, shoqes së Erikës që merrej me mjekimin e  njerëzve me anë të bioenergjisë. Ajo kishte treguar se  gjatë  terapisë që i bën me pacientët i paraqitet  silueta e Ukshin Hotit, sikur  është izoluar në një shtëpi buzë liqenit e që e ruajnë  persona të armatosur dhe se çdo mëngjes aty pari klon edhe një kope me dele. Me  këtë rast ne disa ditë kontrolluam  brigjet  e liqenit të Dibrës, Strugës dhe Ohrit, por për fat të keq nuk  gjetëm asnjë gjurmë. Në këo kërkime nëna  e Ukshinit na shoqronte me idenë se nëse eventualisht kalojmë afër shtpisë ku mnud të ndodhej Ukshini, ajo si nënë nga instikti i mallit që kishte për djalin  e saj mund të ofshante ose ti paraqitej  edhe   lemza. Kjo do të ishte një sinjal i sigurtë për ne  se aty mund të ndodhej Ukshini i izoluar. Në një takim që paraprakisht e kishte organizuar Myrvetja, motra e Ukshinit me një person në Tetovë, ne morrëm garanci se po qe e fiksojmë vendodhjen e Ukshinit të izoluar, ky person me njerëzit  e tij do ta organizonte nxjerrjen e Ukshinit shëndoshë e mirë  nga ai izolim i armatosur.

Disa të dhëna për jetën dhe veprimtarinë  e Ukshin Hotit

Ukshin Hoti ka kryer Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb dhe është magjistruar  në Fakultetin e Shkencave Politike në  Beograd. Ka kryer specializimet në universitetet e SHBA-ve në Çikago, Harvard, Kembrizh-Boston dhe Vashington. Ka qenë i vetmi person i zgjedhur për përfaqësimin  e tërë specializantëve dhe  studentëve pasuniversitarë  nga Evropa në SHBA. Kjo i  mundësoi që të kontaktojë me pushtetarë të SHBA-ve, por  edhe nëpërmjet  pjesëmarrjes aktive në simpoziume shkencore të njihet me shumë profesorë dhe intelektualë të shquar në SHBA. Nga gjysma e dytë e viteve të 70-ta deri  në vitin 1981 ka punuar  në detyra  politike dhe arsimore në Kosovë, si ligjerues  në Fakultetin Juridik drejtimi juridik-diplomatik dhe sekretar në Sekretariatin  për marrëdhënie me Botën e Jashtme  në KE dhe në Kuvendin e Kosovës, si edhe në institucionet federative  për marrëdhënie me Botën e Jashtme.

Në nëtor të vitit 1981  në një mbledhje të partisë  në Fakulltetin Filozofik, u vu hapur në mbrojtje të demonstratave  studentore në Prishtinë, duke iu kundërvënë  prof. Hajredin Hoxha i cili i dënonte ashpër këto demontrata. Në këtë mbledhje Ukshin Hoti i kishte kundërshtuar edhe ata   persona që mbronin idenë se këto demonstrata i kanë organizuar fuqitë e jashtme. Ukshin Hoti  kishte argumentuar me faktet se këto demonstrata janë vetëm rezultat i pakënaqësive të brendshme.

Pas kësaj Ukshin Hoti arrestohet dhe dënohet më 9 vite burg, që  më vonë Gjykata Subreme e uli  dënimin e 3 vite e gjysëm. Në vitin 1991 punon në Lubjanë në revistat “”Alternativa”,”Republika” dhe “Demokracia Autentike-DEA” të cilën e drejton vetë. Pas bllokimit të revistës kthehet ne vendlindje në vitin 1991 duke punuar  si profesor i sociologjisë  në Univeritetin e Prishtinës, dhe merret edhe me publikimin e  shkrimeve politike-eseistike, “Republika  dhe lufta  në kontekst të Evropës, “Shqiptarët dhe Evropa” etj.

Në  muajt mars-prill 1993 mban edhe dënimin e tij të dytë politik për shkak se një vit më parë kishte organizuar një  homazh masiv  për martirët  e demokracisë në Brestovc. Po në këtë vit rrahet brutalisht  nga njësiti  special policor i  Serbisë, duke e  përgjakur dhe duke ia  thyer edhe brinjët. Kjo ndodhi  pas kthimit nga vizita te grevistët  e urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë të   inicuar nga Adem Demaçi. Ukshin Hoti po në këtë vit merr pjesë edhe në protestat e organizuara në Tetovë. Me përfaqësues politikë gjithkombëtarë.

Kështu u bë udhëheqës i partisë UNIKOMB-i me program politik  të bashkimit koëmbëtar. Serbia  duke parë  aktivizimin e tij të  plotë politik  dhe rrezikun  e përpjekjeve kosovare për pavarësi  në maj të vitit  1994 e arreston sërish dhe e dënon më  5 vite burg, gjoja për shkak të  minimit të sistemit kushtetues dhe të  tërësisë territoriale të Jugosllavisë.

Pas shqiptimit të këtij dënimi  që u mbajt në  Gjyqin e Prizrenit, në mungesë të fakteve për këë dënim  kaqë të rëndë, njëri nga avokatët i afrohet gjykatëses  serbe duke ecur në korridor,  duke i thënë, “ si mund ta  dënoni kështu  një të pafajshëm”, dhe ajo i është përgjigjur, “Ukshin Hoti , megjithatë, nuk është i marrë  sa të kujtojë se ia kam shqiptuar unë dënimin”, që jep të kuptojmë se çdo gjë ka qenë e dirigjuar nga  Qeveria e Serbisë.

Letër e Hapur ndërkombëtarëve për gjetjen dhe lirimin e Ukshin Hotit

Haki Torte, babai im,plaku më i moshuar 97 vjeç nga Dibra, më 10 janar 2000, u  dërgon letër të hapur Bil Klintont-presidentit të SHBA-ve,Kofi Ananit-kryetarit të OKB-së,,Tony Blerit- presidentit të Anglisë, Këshillit Evropian, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Forumeve Ndërkombëtare për të Drejtat dhe  Liritë e Njeriut, për të ndihmuar në gjetjen  dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit  dhe të burgosurve tjerë kosovarë.

Në këtë letë të hapur, Haki Torte, veç tjerash kruan se,”Shumë gjëra të tmerrshme  i vuajti populli im shqiptar nga i  njëjti agresor serb edhe kur isha fëmijë gjatë viteve 1912-1920, kur qemë të detyruar t’i lamë vatrat tona në Dibër e të shpërngulemi për 6 vite në Tiranë, për të shpëtuar nga plumbat e bajonetat serbe. Të njejtat  metoda barbare serbe i verrejta edhe gjatë agresionit të Serbisë në Kosovë në vitet 1998/1999.

Unë asnjëherë në jetën time nuk i jam lutur askujt përveç Zotit, dhe po qe se më pyetni si më plakun për ndonjë dëshirë në mileniumin e ri që po e fillojmë, dashtë Zoti në paqe e qetësi, unë nga Ju do të dëshiroja dhe kërkoja gjetjen dhe lirimin e Mr.Ukshin Hotit, dhe të burgosurve  tjerë shqiptarë që  patëdrejtësisht  mbahen nëpër kazamatet serbe.

Mr.Ukshin Hotin e kam njohur personalisht. Ai ishte shok me djalin tim Rexhepin-gazetar dhe gjatë viteve të shtatëdhjeta erdhi disa herë te na në Dibër si mysafir. Ukshini si njeri ishte  shumë modest, gojë ëmbël dhe fliste buzagaz. Shpesh  më thoshte, “duhet  që edhe populli shqiptar t’i gëzojë të drejtat siç po i gëzojnë të tjerët, sepse populli shqiptar, nuk i ka bërë ndonjë të keqe asnjë populli tjetër”.

Më vonë fillova të dëgjoj lajme të idhura për burgosjet e tij dhe dënimet drakonike që i vuajti. U gëzova shumë kur mora vesh se më 16 maj të vitit 1999 ishte liruar nga burgu, por pastaj iu humb çdo gjurmë. Flitet se e kanë liruar nga burgu dhe persëri menjëherë e kanë arrestuar përsëri. Dreq o punë, ta mbash në burg e ta malltretosh Ukshinin është njëlloj sikur të burgosish dhe të malltretosh një engjull të vërtetë.

Unë si më i moshuari i Dibrës, Ju lutem të gjithëve për gjetjen dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit  dhe të burgosurve tjerë shqiptarë, që këtë mijëvjeçar të ri ta fillojmë me një hov dhe angazhim te ri e të gjithanshëm dhe të bëni ç’mos për gjetjen dhe lirimin e Mr Ukshin Hotit dhe të burgosurve tjerë shqiptarë. Le ta fillojmë Vitin 2000 me suksese konkrete në këtë drejtim, suksese që mund t’i arrini vetëm Juve me pozitën dhe autoritetin T’uaj. Zoti Ju bekoftë dhe Ju ruajt nga të këqijat, paçi shëndet dhe suksese në punë”, thuhet në fund të kësaj  letre të hapur.

Këtë apel Haki Torte, e përsëriti dy herë radhazi, por edhe pse u botua në shumë media,nuk pati asnjë rezultat. Haki  Torte ndëroi  jetë në janar të vitit 2001 me  brengën shpirtërore për fatin e Ukshin Hotit.

Tani jemi në shekullin e 21-të, e nuk jemi në mesjetë apo në periudhën  parahistorike. Mundësi për zbërdhjenn e të vërtetës për Ukshin Hotin dhe personat e tjerë të pa gjetur ka shumë, por lypset interesim e këmbëngulsi nga lidershipi i Kosovës dhe nga ndërkombëtarët që Serbia ta tregojë të vërtetën.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...