Shpeshherë të pikëlluar m’ka gjet muaji Maj

Opinione

Shpeshherë të pikëlluar m’ka gjet muaji Maj

Nga: Kimete Berisha Më: 17 maj 2019 Në ora: 18:35
Kimete Berisha

1. Është e bukur mbrëmja pak para iftarit. 
Në Mitrovicë. 
Qytetit i vjen era bukë. Djem e vajza të reja me qese najloni mbushur me pitalka, që nguten m'i çu të vala në shtëpi.

Pastaj, dhezen kandilat, askush nuk 'bërtet', si bërtisnim ne n'kohë t'pushtuesit serb 'urra, u dhezen kandilat'. 
(Vlen të theksohet se kur dhezeshin kandilat për iftar, fëmijët 'recitonin' këto vargje: Kush është shqiptar-me ba iftar. Kush janë shki-me hangër thi'.

Paradoksi këtu është se edhe kur 'i urrenim' armiqtë serbë, i 'urrenim' me urimet më të mira për ta, ua dëshironim 'me hëngër thi', ushqim ma të mirë ata nuk lypnin e nuk lypin as sot.

Pra, ne s'dimë as me urrejt.

Pastaj zbrazen rrugët. Askush nuk dallon nga askush. Nuk dihet kush agjëron e kush jo. 
Të gjithë duken njerëz 'të mirë' dhe të barabartë.

Është e trishtueshme të ecësh rrugëve të qytetit për iftar. Nuk sheh njeri, veç aty këtu ndonjë që i ngreh këmbët zhag e nuk ngutet të kthehet në shtëpi, sepse nuk e pret njeri.

2. Iftari fillon me një hurmë. 
Sa herë hahet hurma, përmendet profeti që e kishte pas nisur ditën me to. 
E sa herë përmendet profeti më kujtohet se si nuk jetoi gjatë dhe më kujtohet një shkrim për të që thoshte se profeti vdiq nga 'sëmundja e sheqerit'.

Pastaj, dëgjohet veç krisma e lugëve dhe zhurma e përtypjeve që e mbyt zhurmën. 
Këta që ngjinojnë, më duken që 'e rrisin pak mendjen' ose ndihen superior ndaj atyre që s'mund të ngjinojnë, se kjo i bën të dallohen nga të tjerēt.

Pastaj, presin shërbime nga ata që nuk ngjinojnë. 
E ty më mirë të bjen me agjëru sesa me ju shërby atyre që agjërojnë, që shumë prej tyre flejnë gjithë ditën e luke dhe kur zgjohen e duan bukën e gatshme.

Agjërimi të bën zotni të përkoshëm. Se edhe në syfyr dikush që nuk agjëron e prish gjumin me ta shtru ty syfyrin.

Nuk shpëton pa i thënë dikush-dikujt në shenjë proteste 'për m'u s'po ngjinon', e dikujt kurrë asgjë si duket e shijshme mjaftueshëm. 
Nuk kalon Ramazani pa ankesa e pa kritika ushqimore, nuk shpëton kush pa e prish iftarin e pa e qortu magjetoren 'Na paske lënë pa iftar'.

3. Nganjëherë si sot më merr malli me qenë njeri i mirë, pjesë e një familje të madhe, kur kërcasin lugët, ku iftarin e prish më i vjetri. 
U lakmoj atyre me dy qese najloni me pitalka. 
Kur më merr malli-s'kam çka bëj-ulem pak e qaj. Pastaj i mbylli sytë, e përfytyroj veten të lumtur (të rrethuar me shumë njerëz që më duan si sytë e ballit) dhe qetësohem.

4. Shumëkush edhe pse nuk ngjinon, thërret për iftar mysafirë që nuk ngjinojnë. 
Të gjithë së bashku presin të dhezen kandilat dhe të bëjnë iftar. Është interesant se si e presin iftarin edhe ata që nuk ngjinojnë. 
Nganjëherë më e rëndësishme është se si sillesh sesa se si je në të vërtetë. 
Thonë është sevap m'u paraqit që po ngjinon, edhe kur nuk ngjinon.

5. Si Vlora, që ishte ulur pranë Presidentit Trump për iftar, thuajse është përfaqësuesja kryesore e myslimanëve më të mëdhenj të botës. 
Presidenti Trump nuk e pyeti, e ajo nuk i tregoi atë paradoksin se si ajo kryesorja ka votuar kundër shamisë së vajzave myslimanëve, e sot në emrin e tyre ulet në tavolinën kryesore të myslimanëve.

Gati asgjë në këtë botë nuk është si duket.

6. Obama thoshte se s'duhet t'u përzihemi myslimanëve në kodin e veshjes. 
Çka veshin ata është punë e tyre. 
Edhe mua si Obamës më pëlqen liria, prandaj kushdo, si do, edhe sytë le t'i mbulojnë me perde të zeza, si me syze dielli, njësoj, punë për to.

E fitorja është e atyre që mbulohen: se ty të shohin ato, por ti nuk i sheh. Ajo që nuk shihet e nuk kuptohet ta ngjallë frikën por edhe kureshtje. 
Pra, ato nuk i mbrojnë sytë e tyre nga ti, se ato të shohin ty, por, ato zgjedhin kush do t'i shoh ato. 
Shumë interesant si filozofi dhe si bindje. 
Du me m'pa veç kush dua unë!

7. E Alma Lama, është e vetmja deri tash që e ktheu mbrapsht vendimin e Presidentit Hashim Thaçi për largimin e saj.
Presidentit i ka ra firma aq poshtë sa nuk ia zbaton vendimet as Alma Lama. Tash merre me mend sa joserioz është Hashim Thaçi që s'ta bën hesap as Alma 'e keqe'. 
Alma shkoi për iftar në Romë, në emrin e myslimanëve të Kosovës, të cilët duke i fyer e duke i mohuar, duke i urryer me shpirt, u bë ambasadore.

8. Kështu jemi ne. Asnjëri nga ne nuk është i ulur në vendin e tij. 
Të gjithë janë ulur në vendin e gabuar. 
I thotë vetes këngëtare, e është hajneshë. 
I thotë vetes valltare e është striptizere. 
I thotë vetes masazhere e është prostitutë. 
I thotë vetes aktore-e është palaço. 
Nuk din me bë filma e prezantohet si regjisor. 
Duket si mashkull, e prezantohet si femër e bukur.

9. Si Loredana. Prej se u zbulua se ka vjedhur, i janë shtuar llajkat në instagram. Ne nuk urrejmë Serbinë jo këtë 'çikën'. Kushdo që ia bën Like, do me thënë, me pas mundësi kish bë ma zi se ajo. 
Ne po çuditemi se si janë pasuruar kaq shumë estrada, e sidomos ajo e Shqipërisë që është koka e krimit të organizuar dhe drogës. 
Pra, çdo gjë është korruptuar, edhe arti, edhe muzika, edhe filmi, edhe libri.

10. E bash për Ramazan të teket me fol keq për njerëz. Po s'po ke çare pa sha. 
Isha rrugës duke u sjellur rreth hiçit, kur më ndali një i moshuar e më pyeti se ku është 'ai vendi' ku duhet me u lajmëru që 'është gjallë', që lajmërohen pensionerët çdo gjashtë muaj.

U mërzita. Në një qese të verdhë najloni e kishte një pitajkë. 
Çfarë pleqërie është kjo ku shteti të detyron të lajmërohesh që je gjallë çdo gjashtë muaj, çdo gjashtë muaj ta sjell në mend që në çdo moment mundesh me vdek. 
A hala gjallë je a? 
E kur me pushu ti? 
Kur m'u çliru nga ky shtet që çdo gjashtë muaj të 'vret' ty që je plak, të vret për 70 euro, por s'e vret arushën e murrmë të Prizrenit që mbyt çka i del përpara. 
Thanë që kjo arushë dallon nga arushat tona, se këtë lloj e kanë pru ushtarët KFOR-it dhe kjo arushë i sulmon lopët në gjinj dhe veç i kafshon, ua hjek copë, e i mbyt për së gjalli.

Kur shqiptarët bëhen 'brigide bardot' për kafshët e egra, ndërsa kafshë të egra për njerëzit, të vjen m'i ju shtre arushës për së gjani e për s'gjati.

Mirë është m'i dasht kafshët, se sipas një rrëfimi që i referohet Zotit, një prostitutë i ka mbushur këpucët e saj me ujë dhe ia ka dhënë qenit me pi. Për këtë vepër ajo u shpërbly me xhenet të përhershëm, ku rrjedhin lumenjtë dhe ku përgjithmonë vjen aromë trëndafila.

Arushat jo, s'bën m'i mbyt-edhe kur mbysin, se minjtë e akrepët është e lejuar edhe me K'uran të mbyten. 
Arusha para se të bëhej arushë, ishte grua. Bile grua e ultë, me dëshira e preokupime të ulta. Arusha simbolizon atë që e kërkon të keqen në çdo gjë që bën, simbolizon hajnin që ua pret rrugën udhëtarëve dhe i vjedh, por ama nëse sheh ëndërr që po e kalëron arushën, tjera fjalë.

11. E njëfarë arushe për Ramushin u bë edhe Edi Rama. Ai po e quan klithmë 'taksën e Ramushit ndaj Serbisë'. Ramushi kujton se 'klithma' është 'diçka e keqe', që lidhet me kënaqësinë, nuk e kupton se klithmë do të thotë 'thirrje për ndihmë'.

Pra, Edi Rama e ka ndihmuar Ramushin, duke i thënë se nuk e ka ndëshkuar Serbinë me taksë, por me taksë ka 'kërkuar ndihmë' nga bota, për sherret që po ia bën Serbia Kosovës.

Por në anën tjetër, nëse e kthen mbrapshtë del se kur Rama i ka kërkuar Ramushit ta heq taksën, për një moment ka kërkuar nga ai të mos klith ma-pra të mos kërkoj më ndihmë. 
Por që ka thënë Niçe, edhe gjërat më të kqija, kur kthehen mbrapsht duken mirë.

12. Mirë nuk po duken as këta të LDK-së që nuk e thanë asnjë koment për foton e Florës. 
Ata, thuhet se kanë ditur shumë mirë të mbledhin 'fakte' e të bëjnë dosje nga 500 faqe kundër UÇK-së. 
Ashtu siç i ka hy Kadri Veseli Vetëvendosjes me njerëzit e tij dhe e ka bërë kërrsh, në të njejtën mënyrë dikush (mund të jetë dhe LDK) i hyri si kali i Trojës Veselit dhe turpëroi botërisht me foton e 'tmerrit' që ku me ditë sa pare janë dhënë të prezantohet ajo foto dhe të na bëjë të dukemi këto 'arushat budallaqe' që po dukemi dje e sot.

13. Ama ne nuk e njohim 'ndjenjën e masës' dhe nuk dimë për kufij. Kështu ndodh edhe në art: kur shqiptari e 'zbulon' një gjetje artistike, e shkatërron duke e përsërit të njejtën derisa e bën bajat.

Gabimet ndodhin dhe mbasi Flora ka kërkuar falje-duhet të falet. 
As Serbia nuk i ka bë jehonë asaj 'fotoje' sa shqiptarët. Është mirë të dihet pse Flora ka pritur 16-të vjet për ta treguar foton, por edhe nëse kurrë s'mirret vesh, s'prish punë. Ne e dimë që SHIK-u veç me këso dallavere e fallsifikime u merr. Sa kujt ju ka shkatërru jeta prej intrigave të tyre s'ka të numëruar. Kadri Veseli ka qenë agjent, spiun, prandaj e ka zot të sillet si njeri normal. Të besoj se e mund kundërshtarin pa pasur nevojë për falsifikim.

Dhuna që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë është shumë më e madhe sesa që ajo fotografi mund ta shpreh.

P.S. 'Shpeshherë të pikëlluar m'ka gjet muaji maj'.

Por, në këtë maj, si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës (bashkë me disa krijues nga bota) u gjenda në zyren e bukur dhe me plot simbole të kryetarit të Tiranës. 
Unë u pritoj shumë, jashtë masës shumë, takimeve zyrtare, dhe shkova me pishman. 
Para ndërtesës së bashkisë, njëri shiste libra. Derisa bëheshim gati të hymë në zyrën e kryetarit, unë u afrova te librat dhe e pyeta librashitësin 'a shiten librat'. 
Tha 'jo' (shqiptarët tha veç nëpër kafe rrinë e merren veç me thashetheme).

Nuk arrita t'i them se edhe librat janë thashetheme, janë shpikje, përralla e shpifje, por të shkruara bukur. 
Kur e ktheva kryt me shfletu Kisingerin, e pash që çorapave të mia të najlonit (këmba e majtë), u kishte dal vegza. 
M'u kthy n'hotel, s'kish kuptim, me shku m'i ble të reja, s'kish kohë. Ishin sekondat në pyetje.

Ndërkohë që kërkoja rrugëdalje prej situatës së rëndë (më të rëndën për një femër ?), librashitësin e rrethuan 'lexuesit'. 
M'u duk se u afruan për mua, se për sherr kisha veshur fund të zi të ngushtë, gafi 10 gishta mbi gjunjë. 
Shpresoj se askush nuk e pa vegzën e dalë nga çorapa e najlonit si vijat në hartat që kishin veshur muret e zyres së Erionit, që shënjonin kufijtë e Shqipërisë...se e mbaja çantën aty 'te vendi i ngjarjes'.

Kur e dëgjova si flet dhe e pash si sillet, thashë me vete 'ky djalë do t'u mbetet n'derë shqiptarëve për një kohë të gjatë'. 
Erioni ish fantastik. I zgjuar, ambicioz, i sjellshëm, i mirë, më tha që më lexon dhe se i pëlqej, anipse tha je e rreptë, të ka hije se je e drejtë.

Askush nuk më shikoi si femër, por si laps.

Kjo më pëlqen dhe kjo është ajo që kam
dashur në jetë, të dukem femër por të mos më shikojnë veç 'si femër', anipse është pak qesharake, kur rrjepesh m'u duk bukur, e askush nuk të shikon si 'bukuroshe', por si laps.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat