Shtatëdhjetë vjet nga rënia e Rifat Berishës në altarin e lirisë

Opinione

Shtatëdhjetë vjet nga rënia e Rifat Berishës në altarin e lirisë

Nga: Jakup Krasniqi Më: 17 maj 2019 Në ora: 19:43
Jakup Krasniqi

Sot, këtu në Berishën e Tahirit, të Rifatit e të Halitit, na ka sjellë një rënie e madhe e ndodhur këtu e 70 vjet më parë në fshatin Gajrak të Malishevës. Këtu na ka sjellë kujtimi e nderimi për sakrificën e katër Berishajve të rënë njëherësh - Rifatit, Islamit, Mustafës e të Brahimit, - në krye të të cilëve ishte 39-vjeçari Rifat Berisha. Rifat Berisha më 1 maj të këtij vitie kishte edhe 109-vjetorin e lindjes.

Personalitete si Tahiri, Rifatidhe Haliti, që të tretë të këtij fshati, Berishës së Drenicës e të Kosovës kombit i dhanë emër të mirë. Secili nga këta në mënyrën e vet kontribuuan për kombin dhe atdheun në përgjithësi. Është e kuptueshme, si për të bërë emër apo dhënë emër,njeriu duhet të ketë ndonjë dhunti, ashtu siç e kishte Tahir Berisha dhuntinë për filozofinë popullore, ishte autor dhe interpretues i shumë thënieve me përmbajtjeje të thellë filozofike. Ndërsa Rifat Berisha ishte edukuar në universitetin popullor me dashurinë përkushtuese për komb e atdhe, për çka edhe ishte oficer karriere, politikan idealist e luftëtar lirie. Po në këtë ambient atdhetarësh idealistë u edukua edhe Halit Berisha, u edukua me guximin për t’ia kthyer pushkën armikut pa hezituar, ashtu si ia bëri OZN-ës (UDB-ës) famëkeqe jugosllave, për ta shpëtuar Rifatin nga duart e tyre gjakatare. Asokohe, secili nga ata i dinte mirë vështirësinë e rrugës në të cilën kishte hyrë Rifati, por rrugët nuk bëhen duke ndenjur duarkryq, pa ecur me guxim nëpër shtigjet e rrezikshme të lirisë e të bashkimit kombëtar. Në ato rrugë ecën shumë breza atdhetarësh. Nëpër ato shtigje guximshëm pas 49 viteve eci e lavdishmja– Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtria e Adem Legjendarit dhe erdhi me fitoren e lirisë e të pavarësisë. Kështu u bë realitet një pjesë e madhe e aspiratës se atij brezi dhe e të gjithë brezave që e ëndërruan lirinë, çlirimin e bashkimin kombëtar.

Secili nga ne që sot gjendemi këtu, kemi lexuar e dëgjuar për veprimtarinë politike e ushtarake të Rifat Berishës, për detyrat e përgjegjësitë e shumta që pati në kohën e tij, si ushtarak e Prefekt e deri Nënkryetar i Konferencës së Bujanit të fundvitit 1943 e fillimvitit 1944, e cila në Rezolutën e Bujanit pati nënvizuar (citoj): “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë[1]”.(Fund i citimit). Është e ditur se pas përfundimit të luftës, në një Konferencë të Komitetit Krahinor të Kosovës më 10 korrik 1945 në Prizren, shqiptarëve ju mohua e drejta e bashkimit me Shqipërinë. Por, ky imponim i jugosllavëve nuk i bindi dot patriotët shqiptarë që në forma të reja të fshehta të mos organizoheshin e luftonin për liri, çlirim e bashkim kombëtar.

Sot do të nënvizojmë angazhimin e Rifat Berishës me një grup të atdhetarëve nga Kosova e Maqedonia, të cilët nuk e ndërprenë aktivitetin e tyre patriotik për bashkimin e shqiptarëve të krahinave të përmendura me Shqipërinë. Ata këtë aktivitet e zhvilluan në takime të ndryshme të mbajtura në Kosovë,në Beograd e Shkup. Për këto aktivitete na njofton Moisi Murra në librin e tij,“Jeta dhe vepra e Aqif Lleshit”, i cili në faqen 147 sjellë një të dhënë interesante për një takim të zhvilluar në mes Rifat Berishese Nexhat Agollit në Shkup në vitin 1945. Ky takim duhet të jetë bërë pas Konferencës së Prizrenit, e cila dhunshëm Kosovën ia aneksoi Serbisë. Që në atë takim ishte biseduar për bashkimin e trojeve shqiptare - Kosova dhe Maqedonia Perëndimore - me Shqipërinë.

Tri vite pas këtij takimi në Shkup, në korrik të vitit 1948, në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë në Beograd, ku merrnin pjesë edhe deputetët shqiptarë e ku ishin Aqif Lleshi, Rifat Berisha, Sali Lisi etj., ata e kishin zhvilluar këtë aktivitet për t’u takuar në shtëpinë e Moisi Murrës në Beograd për të biseduar për një luftë të organizuar të shqiptarëve, ndërsa grumbullimi i forcave do të bëhej nga njerëzit besnikë në Malet e Sharit dhe për këtë ishin marrë vesh Rifat Berisha me Qemal Agollin. Në Mbledhjen e Beogradit Rifat Berisha ishte ngarkuar që të krijonte një organizatë politike në Ferizaj e Nexhat Agolli në Shkup. Këtyre përpjekjeve të shqiptarëve edhe në çerdhen e federatës jugosllave nuk kishte si të mos iu binte në gjurmë UDB-ja jugosllave, e cila udhëhiqej nga Rankoviqi. Ato vite ishin të mbarsura me rreziqe të shumta për jetën, për shumë shqiptarë të trojeve që kishin mbetur nën Jugosllavinë e AVNOJ-it. Shumë shqiptarë asokohe i zinte nata por s’i çelte dita. Të jetuarit në ato rrethana ishte i vështirë, por, siç dihet, në furtuna të mëdha shqiponjat i hapin flatrat dhe gjokset e tyre i vënë përballë rrezikut.

Po kështu si shqiponjat ato ditë të majit të vitit 1949, Rifat Berisha me Halitin, Islamin, Mustafën, Brahimin e Jahirin i kishin vënë gjokset e tyre në mbrojtje të lirisë e të atdheut. Nga ai rrethim i egër, arritën të dalin Haliti me Jahirin. Ndërsa në altarin e lirisë ranë për të mos vdekur kurrë Rifat, Islam, Mustafë e Brahim Berisha.

Ky fakt dhe shumë të tjerë, brezi ynë, sikundër edhe ata që do të vijnë pas nesh, duhet ta dinë se nderimi e përkujtimi ju takon të gjithë brezave që në forma të ndryshme mbajte gjallë frymën e lirisë e të atdhedashurisë. Se historia as ka filluar e as mbaron me një brez e as me brezin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ç’është e vërteta, bëri një hap të madh, ndonëse jo të plotë drejt realizimit të aspiratës së brezave për çlirim e bashkim kombëtar.

Secili emër atdhetari e mendimtari, para e pas të urtit Tahir Berisha, duhet të skaliten me shkronja ari në historinë tonë të lavdishme! Rrugë e institucione duhet të emërtohen me emrat e tyre të pavdekshëm. Për të cilën gjë gjatë këtyre viteve nuk kemi qenë sa duhet të vëmendshëm. Është obligim i çdo brezi, të sotshëm a të nesërm, që të respektojnë deri në përulje idealet çlirimtare e përparimtare të pararendësve tanë, të atyre që u flijuan në emër të lirisë e të çlirimit për komb e atdhe.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Lavdi e përjetshme Rifat Berishës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat