Ruaji shqiptarët nga rivënia e vizave zoti kryeministër, mos fol në emër të shteteve evropiane kundër opozitës!

Opinione

Ruaji shqiptarët nga rivënia e vizave zoti kryeministër, mos fol në emër të shteteve evropiane kundër opozitës!

Nga: Enver Bytyçi Më: 18 maj 2019 Në ora: 19:24
Enver Bytyçi

Ruaji shqiptarët nga rivënia e vizave zoti kryeministër, mos fol në emër të shteteve evropiane kundër opozitës! Enver Bytyçi Edi Rama sot ka vërë një deklaratë të çuditshme, unike në llojin e vet. Ai ka folur në emër të presidentit Amerikan, si dhe të krerëve te shteteve dhe kryeministrave të vendeve të BE kur tha se ‘nëse preken kutitë e votimit, atyre që e bëjnë këtë do t’u ndalohet dhënia e vizave për në SHBA e BE’. Kjo sjellje jo korrekte nga pikëpamja diplomatike u shitet shqiptarëve si një shenjë se kryeministri Rama paska një mbështetje ndërkombëtare të tillë sa ia mund të imponojë dhënien e vizave ose jo për kundërshtarët e tij politikë! Absurdi nuk paska kufi! E vërteta është se ndërkombëtarët europianë dhe ata amerikanë e kanë të vështirë të kuptojnë dhe mbështesin bojkotet, aq më pak djegien e mandateve nga ana e një opozite, siç ndodhi me deputetët opozitarë në vendin tonë. Kjo përbën për ta një shkallë ekstreme të qëndrimeve politike e për pasojë nuk mund të gjejë përkrahje. Sigurisht që ndërkombëtarët nuk do të mbështesnin dhunimin e qendrave dhe kutive të votimit. Por është e pasaktë, e pavërtetë që ata do të mbështesin një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar.

Ndërkohë opozita ka për detyrë t’i kalojë këto pengesa, duke sqaruar miqtë euro-amerikanë se djegia e mandateve e ndoshta dhunimi i fasadës zgjedhore është pasoja dhe shkaku. Shkaku i këtij qëndrimi duhet gjetur në qëndrimet ekstreme të kryeministrit shqiptar dhe mazhorancës së komanduar prej tij, të cilët nuk i lanë asnjë hapësirë tjetër opozitës të ushtrojë të drejtën e vet parlamentare e politike. Po Rama vetë a ka përkrahjen e ndërkombëtarëve? Një analizë e shkurtër retrospektive na bën të besojmë se nëse opozita nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve sa i përket bojkotit të institucioneve, kryeministri i Shqipërisë ka humbur çdo lloj integriteti dhe legjitimiteti ndërkombëtar në sytë e Europës dhe SHBA-ve.

Por ata nuk e deklarojnë drejtpërdrejt këtë fakt. Raportet që këto institucione shtetërore hartojnë dhe publikojnë për situatën në Shqipëri janë pasqyra e parë e reagimit të ndërkombëtarëve për kredibilitetin e qeverisë Rama. Në këto raporte ka kritika të ashpra, me theks të veçantë përkeqësimin e situatës politike, të të drejtave të njeriut, të lirisë së medias, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në perceptimet që shqiptarët kanë për qeverisjen dhe politikat e zhvillimit tek ne. Këto raporte ndikohen gjithashtu me shqetësimet e opinionit evropian për aktivitetin në rritje të trafikantëve dhe grupeve kriminale shqiptare në këto vende, aktivitet që burimin e ka në bashkëpunimin e qeverisë Rama me disa prej këtyre grupeve kriminale. Ndërkaq duhen konsideruar si test i kredibilitetit të qeverisë në sytë e ndërkombëtarëve reagimet që qeveritë, organet ligjzbatuese, parlamentet ose shërbimet e fshehta publikojnë sa i përket gjendjes në Shqipëri. Diskutimi në parlamentin holandez dhe votimi me shumicë dërmuese e një rezolute ku i kërkohet qeverisë së Hollandës të kërkojë rikthimin e vizave për shqiptarët ishte shuplaka më e madhe në historinë e qeverisjes tri dekadash në vendin tonë. Nuk është shqetësimi te heqja ose jo e vizave, por krijohet perceptimi se qeverisja Rama e ka shtyrë vendin nga pikëpamja e besueshmërisë në EU një dekadë prapa. Kjo do të thotë se në sytë e ndërkombëtarëve qeveria shqiptare është jo kredibile, jo legjitime dhe për më keq e lidhur me shumë skandale politike në lidhje me krimin e organizuar. Dhe si të mos mjaftojnë të gjitha këto, është media ndërkombëtare ajo që na bën me dije se opinioni ndërkombëtar, sidomos ai evropian dhe amerikan, mbështet aksionin e opozitës kundër qeverisë së zotit Rama.

Më së fundmi ishte gazeta gjermane BILD, ajo që i dha qeverisë sonë emrin ‘qeveri gangsterësh’. Ishte po kjo gazetë ajo që konfirmoi motivin kryesor të protestave dhe rebelimit të opozitës, kur citoi kryeministrin e vendit si autor të manipulimit të zgjedhjeve. E ndërkohë jehona e protestave në Shqipëri ka mbërritur në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave më prestigjioze të SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Austrisë dhe vendeve të tjera. Vetëm mediat serbe kanë bojkotuar zhvillimet dhe protestat antiqeveritare në vendin tonë, gjë që na përforcon mendimin për një lidhje të ngushtë midis Edi Ramës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Goditja ndaj qeverisë ‘Rama’ vjen nga shumë drejtime tjera gjithashtu. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për të gjobit Edi Ramën me 110 milion euro për shkak të arrogancës së tij me Agon Channel nuk u dha rastësisht në kulmin e krizës në Shqipëri. Mungesa e gatishmërisë së institucioneve financiare në Europë e në botë për të ndihmuar ekonominë shqiptare shpjegon faktin se këto institucione nuk janë gati të investojnë një qeveri të korruptuar e të dështuar.

Ndërsa prej më shumë se një viti nuk kemi parë që kryeministri i Shqipërisë të bëjë një vizitë zyrtare ose të presë në Shqipëri ndonjë homolog të tij, çka nga pikëpamja diplomatike na flet për një izolim total të Edi Ramës. Në këtë kuptim duhet thënë se deklarata e Ramës për heqjen e vizave është një spekulim i pastër. Më parë se ai të kërcënojë në emër të Europës dhe SHBA-ve për këtë, duhet të merrte shumë seriozisht kërcënimet auro-amerikane, si ai i parlamentit hollandez, për heqjen e vizave për shqiptarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat