Serbia rrenavece dhe Kosova memece - Bota Sot
Serbia rrenavece dhe Kosova memece

Opinione

Serbia rrenavece dhe Kosova memece

Nga: Rexhep Torte Më: 19 maj 2019 Në ora: 10:05
Rexhep Torte

Është e pabesueshme por për fat të keq e vërtetë se lidershipet e deritashme 20 vite Kosovën dhe popullin e sa e lënë prapa, duke e  sjellë para  aktit  të kryer të humbjes së një periudhe të çmuar për forcimin e shtetit, të imazhit dhe të pozicionimit ndërkombëtar.

Kjo ndodhi për arsye se lidershipeve të  Kosovës pas lirisë dhe pavarësisë që ua dha Zoti me ndihmën e NATO-s, ua mori mendjen djalli  dhe u dhanë pas garës  për pushtet dhe pas korrupsionit për tu pasuruar shpejt e në mënyrë të paligjshme, duke i harruar vrasjet, masakrat, dhunimet dhe shkatërrimet që ushtria dhe paramilitarët e Serbisë i kryen në Kosovë gjatë  agresionit gjenocidal në vitet  1998/1999.

Kudo mund të arsyetohet korrupsioni dhe drejtësia e prokuroria joefikase, por në Kosovë në asnjë mënyrë. Të korruptuarit në Kosovë do ti zë mallkimi i të gjitha viktimave të luftës, i femrave të dhunuara , i grave të mbetura të veja, i fëmijëve të mbetur jetima dhe i familjareve të mbetura pa më të dashurit e tyre.

Është paturpësi e madhe  e udhëheqësve të Kosovës  që tani pas 20 viteve deklarojnë se do të angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, se do të angazhohen  për evidentimin e plotë të viktimave dhe dëmeve të luftës  dhe për nxjerrjen para drejtësisë të  kriminelëve serbë që shkaktuan mijëra vrasje, masakra e  dhunime në Kosovë. Është paturpësi e madhe e udhëheqësve të Kosovës që pas 20 viteve tani flasin për Rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, për  themelimin e Tribunalit  ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, për Muzeun e luftës në Kosovë dhe për Memorialin e gjenocidit serb në Kosovë. Është paturpësi e madhe  e udhëheqësve të Kosovës  që 20 vite nga lirimi Ukshin Hotit  nga burgu i Dubravës, kur  humbi çdo gjurmë  e tij, tani po deklarojnë me pompozitet  se nuk do të ndalen së kërkuari zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

Kaluan 20 vite dhe Kosova nuk arriti  ti përkthejë  në gjuhë të huaja dhe ti shpërndajë nëpër botë librat  e botuara gjertani  në Kosovë, që janë përplot  me dëshmi e fakte të pakontestueshme  për vrasjet, masakrat, dhunimet dhe dëmet  që Serbia i kreu në Kosovë.

Kosova me publikimin dhe shpërndarjen e këtyre fakteve e dëshmive në botë, do të krijonte një mur të fortë  kundër propagandës gënjeshtare të Serbisë rrenavece.

Sa i takon çështjes së femrave të dhunuara  shqiptare  gjëja e parë që është dashur ta bëjnë lidershipet e Kosovës në këto 20 vite të kaluara, është  mbështetja morale e materiale e  këtyre femrave fatkeqe,  inkuadrimi i tyre parësor në shoqëri nëpërmjet punësimeve dhe aktiviteteve tjera  organizative dhe rehabilituese në aspektin psikik, që sadopak tu largohen traumave të përjetuara. Lidershipet e Kosovës është dashur në mënyrë më energjike të veprojnë  në zbulimin, identifikimin, demaskimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve serbë që ata ta marrin dënimin e merituar për krimet e kryera.

Po ta dëgjojmë zemrën e secilës nga këto femra shqiptare të dhunuara do të kuptonim se një satisfaksion  që do tua zbuste sado pak shpirtin këtyre femrave do të ishte kapja dhe vendosja prapa grilave e atyre kriminelëve serbë me shpirt shtazarak.

Po ta dëgjojmë zemrën e atyre që kanë mbetur pa më të dashurit e tyre, ose zemrën  e grave të mbetura të veja, apo të fëmijëve të mbetur jetima,  me siguri që do të kuptojmë  se një satisfaksion që do tua zbuste sadopak plagët e shpirtit të tyre do të ishte  gjithashtu kapja dhe vendosja prapa grilave e atyre kriminelëve serbë që i kryen krimet.

Po të kishin vepruar guximshëm në këtë mënyrë lidershipet e Kosovës menjëherë  pas çlirimit dhe pavarësisë, Serbia edhe pse agresore, gjenocidale e  kriminele, nuk do të mund ta gënjente  botën se është viktimë, kur në të vërtetë sipas të gjitha fakteve viktimë është Kosova dhe populli shqiptar.

Këta kriminelë serbë duhet të ndiqen sistematikisht  dhe  të dënohen. Qetësim i shpirtit përplot me plagë është kur vihet në vend drejtësia, e  jo kur fshihet krimi dhe kriminelët. Dinjiteti i këtyre motrave tona  të plagosura thellë shpirtërisht, dhe i familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre, mbrohet me vepra dhe angazhime konkrete e jo vetëm me fjalë ngushëlluese. Duam ta pranojmë ne apo nuk duam kjo është rruga më e drejtë e dinjitoze.

Kaluan 20 vite  dhe lidershipet e Kosovës mbetën memecë para botës duke mos i treguar në mënyrë bindëse e me fakte krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

 Lufta ndaj krimeve e kriminelëve nuk bëhet me fjalë, por me angazhim dhe me veprime konkrete, që gjer më sot në Kosovë ka munguar, dhe  lidershipet e Kosovës pa përjashtim  në këtë aspekt kanë dështuar .

Ka mijëra dëshmi konkrete  se  Serbia ka kryer  krime të shumta e çnjerëzore  në Kosovë, dhe këto dëshmi duhet zbardhur e publikuar që kriminelët ta marrin dënimin e merituar për këto veprime makabëre.

Librat e përkthyer dhe fotografitë që pasqyrojnë   vrasjet, masakrat, dhunimet dhe  shkatërrimet që serbët i kryen në Kosovë, duhet urgjentisht të përkthehen në gjuhë të huaja dhe tu dërgohen  z. Donald Trump- presidentit të SHBA-ve, Emanuel Makronit- presidentit të Francës, Angela Merkelit - kancelares  së Gjermanisë, ambasadorëve në OKB, ambasadorëve në BE dhe KE, Johsnes Hahnit-komisionerit pë zgjerim në BE,  Frederika Mogherinit- kryenegociatores Prishtinë- Beograd, Vladimir Putinit- presidentit të Rusisë,Aleksandër Vuçiqit-pesidentit të Serbisë, Ana Bënabiqit-kyeministres së Serbisë, Ivica Daçiqit- ministrit të jashtëm të Serbisë, presidenteve  të shteteve që e kanë anuluar njohjen e shtetit të kosovës  dhe tërë burështetasve tjerë, që të kthjellohen dhe ta shohin konkretisht se çfarë aktesh kriminale, barbare e çnjerëzore kanë kryer ushtarët dhe paramilitarët e Serbisë në Kosovë  gjatë agresionit gjenocidal në vitet 1998/1999.

Ekziston një rregull i pashkruar por shpesh edhe i realizuar në kuptimin e rrenës dhe gënjeshtarit, kur rrena, apo gënjeshtra tregohet shpesh, sistematikisht e në vazhdimësi, për çudi ata që e dëgjojnë një kohë të gjatë, me vetëdije apo pa vetëdije mësohen me të dhe u duket si  e vërtetë, duke e ndryshuar edhe mendimin që paraprakisht kanë patur për atë rrenë apo gënjeshtër.

Ngjashëm me këtë rregull për fat të keq tonin ka vepruar dhe po vepron Serbia, e cila edhe pse agresore dhe gjakatare e përbetuar gjithmonë është paraqitur dhe po paraqitet me rrenat apo gënjeshtrat  e saj, sikur nuk ka bërë agjë të keqe, sikur mundohet për paqe dhe për popullin e saj.

Ka me qindra shembuj nga historia kur okupimin e një vendi Serbia e konsideron si çlirimin e atij vendi, përkundër  vrasjeve, tmerreve e shkatërrimeve që i ka shkatuar ndaj atij vendi dhe ndaj atij populli.

Kështu ka vepruar Serbia  edhe me Dibrën të cilën në vitin 1912 e ka sulmuar,e ka plaçkitur tërë pasurinë e bagëtinë e madhe që ka ekzistuar te popullata, e ka djegur e shkrumbuar qytetin e rrethinën e tij, e ka vrarë e masakruar  popullatën e pafajshme, ndërsa  një pjesë e  kësaj popullate është dashur të merr rrugën e eksodit për në thellësi të Shqipërisë për ta shpëtuar kokën.

Pas tërë këtyre mizorive janë vënë në lëvizje zoografët dhe udhëpërshkruesit serbë, janë vënë në veprim  mësuesit e shkollave serbe, janë vënë në veprim  popat serbë për ndërtimin e kishave serbe, e më vonë është botuar në Beograd edhe  libri me titull “Oslobogjeni Debar 1912”  ( Çlirimi i Dibrës 1912), i dr. Jovan Haxhi Vasiljeviq.

Në këtë libër me një saktësi  e pikanteri perfekte  janë shënuar aspektët gjeografike, gjeologjike, infrastrukturore, bujqësore, demografike, etnografike, doket e zakonet, gjithnjë duke patur si bazament  gjoja  të krishterët serbë, edhe pse këto troje gjithnjë kanë qenë të banuara nga shqiptarët. Kështu që duke e lexuar këtë libër fiton përshtypjen sikur shqiptarët prejardhjen e kanë nga serbët. Budallaki  dhe pafëtyresi më të madhe se kjo nuk mund ta mendojë njeriu normal.

E njëjta doktrinë serbosllave e mbushur përplot me rrena e gënjeshtra po zbatohet e artikulohet edhe sot e kësaj dite nga Serbia aktuale, e cila në fund të shekullit të 20-të nxiti dhe filloi tre luftëra të përgjakshme e gjenocidale në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, ndërsa para botës shitet sukur nuk ka kryer asgjë të keqe, bile edhe përkundër dhjetëra mijëra vrasjeve, masakrave të popullatës së pafajshme, dhunimeve të femrave shqiptare dhe shkatërrimeve barbare.

Serbia nëse lejohet të veprojë me këtë doktrinë, nesër me siguri do të na thotë se nuk na ka bërë e shkaktuar asnjë të keqe  ne shqiptarëve, dhe se masakrat që ne po i tregojmë e pasqyrojmë, do të na thotë se janë trillime apo sajime të pastra. Kjo gjithnjë e bazuar në rrenat e gënjeshtrat që është duke i  shpërndarë nëpër botë. Kjo doktrinë e  padrejtë por shumë  e rrezikshme e Serbisë,  për fat të keq ka dhënë rezultate pozitive  për Serbinë,  me çka  ka arritur shtete e qeveri të ndryshme ti  bindën se Serbia nuk është agresore, por është viktimë.

Shembull më të mirë për këtë e kemi Kosovën viktimë, e cila nga agresioni i Serbisë në vitet 1998/1999, u bë shkrumb e hi, ku u vranë e u msakruan 15 mijë shqiptarë të pafajshëm, në mesin e të cilëve edhe fëmijë duke pi qumësht në  gjoksin e nënës, ku u dhunuan në mënyrën më mizore 20 mijë  femra shqiptare, ku mbetën të veja mijëra gra shqiptare dhe mbetën jetima mijëra fëmijë, ku 1650  shqiptarë ende figurojnë të pa gjetur, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Ana Bërnabiq, kryeministrja e Serbisë në fillim të këtij viti  plot enthuziazëm deklaroi se, “pas 20 viteve aktiviteti sistematik  diplomatik  më në fund arritëm që SHBA-të tashmë na kanë mundësuar që së paku  të na dëgjojnë kur flasim ne, e nuk na e kthejnë shpinën sikur deri dje”.

Kjo deklaratë e Bërnabiq, kryeministres  së Serbisë  përmban  një peshë të madhe për ata që dijnë ta lexojnë e kuptojnë. Kjo don të thotë se Serbia me doktrinën e saj tradicionale  gënjeshtare e rrenavece, me  këmbëngulësinë e  saj, edhe pse mashtruese është duke e thyer akullin diplomatik  rreth vetes.

Ky është edhe rezultati i saj triumfues për mospranimin e Kosovës në Interpoll, apo i  anulimit të vendimeve për njohjen e Kosovës që e kanë bërë 13 shtete, apo edhe për guximin që ka marr Alexis Trud, historiani francez, njëri nga udhëheqësit e peticionit në Francë që edhe Franca ta tërhiqen njohjen e shtetit të Kosovës.

Rregulli tjetër i pa shkruar por që për fat të keq edhe i dëshmuar,  është rasti kur Kosova  pa marë parasysh vuajtjet, vrasjet, apo mizoritë që i  përjetoi nga Serbia, nuk diti  tashmë 20 vite radhazi   ti tregojë, plasojë , pasqyrojë dhe ti shndërrojë në dobi të vet. Me këtë heshtje, me këtë qëndrim indiferent, Kosova u tregua  memece dhe fare i paaftë që  ndërkombëtarët  ta kuptojnë dhembjen dhe plagën e saj në zemër, edhe pse është e vrarë, e masakruar, e dhunuar dhe e dëmtuar skajshmërisht.

Kosovën e sotme lirisht mund ta identifikojmë me një memec të klasit të parë. Kosova pas sakrificave dhe flijimeve aqë të mëdha, pas lirisë dhe pavarësisë, në vend që ta mbledh veten si një grusht i vetëm e  të merr mësim  nga historia e jonë e hidhur, në vend që të merr mësim  nga coptimi dhe tkurrja në vazhdimësi e trojeve shqiptare  si pasojë  e të cilave Shqipëria ka mbetur si mollë e kafshuar nga të gjitha anët, në vend që të merr  mësim  nga e kaluara kur  Greqia ia mori Shqipërisë  Çamërinë, kur  Serbia qe shkaktare që  i la trojet e popullin shqiptar, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovë e Serbi, ku  sot shqiptarët  jetojnë si jetima  në pesë shtete edhe pse nënën  Shqipëri e kanë gjallë.

Kosova  në vend që të merr mësim edhe nga Evropa kurvë  e Kongresit të Berlinit, e  Konferencës së Ambasadoreve në Londër, apo e Konferencës së Paqes në Paris, ku u bënë coptimet  e trojeve dhe të popullit shqiptar, Kosovën  e mashtroi djalli me  partitë e qeveritë e gjertanishme që  pas lirisë e pavarësisë  garonin   për pushtet e frone, dhe  për   pasurim të paligjshëm e korrupsion, duke i harruar shpejt   gjëmat e përjetuara dhe  plagët e shkaktuara nga agresioni gjenocidal i Serbisë.

Për këtë gabim  të madh e të pafalshëm janë përgjegjëse tërë  partitë  dhe  qeveritë e tyre të deritashme.

Kosovës  duhet të bëjë hapa energjikë e të guximshëm, të angazhohet e të punojë me të gjitha forcat për ta zbutur sadopak këtë humbje 20 vjeçare. Shpresojmë se më në fund do të  kalohet nga fjalët në veprime konkrete  dhe të dobishme për Kosovën. Ndryshe Serbia rrenavece synon ta rimarrë apo ta copëton Kosovën memece.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...