Akumulimi fillestar informal lindi polarizimin ekonomik në shoqërinë shqiptare

Opinione

Akumulimi fillestar informal lindi polarizimin ekonomik në shoqërinë shqiptare

Nga: Fahri Dahri Më: 19 maj 2019 Në ora: 10:08
Eksperti ekomomie Fahri Dahri

Pikërisht këto mënyra që u vendosën duke praktikuar përdorimin e  formulës Para-Mall-Para (P-M-P), lindën akumulimin fillestar informal, i cili u rrit e u zhvillua tek ne duke krijuar polarizimin e tejskajshëm të nivelit ekonomik në shoqërinë shqiptare.

Shumica e Shoqërive Anonime, me Përgjegjësi të Kufizuar, bisnese në fusha të ndryshme, sidomos ato të ndërrtimit, të bërjes së rrugëve dhe jo vetëm, arritën të krijojnë kapitale dhe pasuri të vendosura me “Paratë e Krimit” (siç shprehen aktualisht në vazhdimësi Partitë tona Politike), sot janë bërë shqetësuese edhe për vetë politikën që me vetëdije u krijoi kushtet për një terren informal. Arritja në këtë stad të “frikshëm” të kapitalit të siguruar me akumulimin fillestar nëpërmjet informalitetit, ka krijuar shqetësime serioze edhe për vetë politikën, sa që, këtë fryt të politikëbërjes së saj, detyrohet ta përrçmojë duke e quajtur “Oligarkët e krimit”.  

Sipas Marksit “paraja është vetë mall, një send i jashtëm, i cili mund të bëhet pronë private e çdo njeriu. Fuqia shoqërore bëhet kështu fuqi private e personit privat. Shoqëria antike e denonconte atë si monedhë që prish tërë rendin ekonomik dhe moral të jetës së saj”. (Kapitali-Vëllimi i parë, faqe 183-184).

Le të kujtojmë edhe mendimin e Sofokliut, i cili në “Antigona” shkruan:

”Se nga gjërat që gjeti njeriu,

          shpikja e parasë është më e keqe.

          Kjo rrënon qytete, kjo shkreton shtëpira,

          Kjo dhe një të miri mëndjen ja merr

          dhe e shtyn të bëjë punëra të liga”.

Ndërsa shoqëria moderne….. e ka tërhequr dhe vazhdon ta tërheqë prej flokësh Plutonin nga shtresat e nëntokës, e përshëndet arin si mishërimin e shndritshëm të parimit të saj më të thellë të jetës”.

II. Krijimi i kapitalit pas 1990-tës në vendin tonë

Ndërrimi i rendit ekonomiko- shoqëror që ndodhi tek ne, në fillimet e viteve nëntëdhjetë, e gjeti sektorin e bujqësisë pa pronar. Gjatë viteve të qeverisjeve socialiste, toka ishte shtetëzuar dhe administrohej nga shteti nëpërmjet ndërmarjeve të ndryshme shtetërore dhe kooperativave bujqësore, organizohej, administrohej e drejtohej me ligjet e ekonomisë socialiste që, siç dihet mungonte konkurenca, inisiativa e lirë, nuk funksiononte ligji rregullues i tregut, kërkesa dhe oferta.
Kjo ishte situata në të cilën ndodhej sistemi tërësor i sektorit të bujqësisë. Pikërisht nga kjo gjendje, përfituesi i vetëm u bë klasa politike, e cila nxorri ligje që favorizonin ngritjen e një klase pronarësh të tokave që do i shërbente klasës politike në dy drejtime, në radhë të parë politik dhe më pas atë ekonomik.

Mos realizimi i vendosjes së pronësisë ndaj gjithë llojeve të tokave, ka sjellë dhe sjell dëme të pallogaritshme, të cilat pengojnë në kryerjen e investimeve nga investitorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Ligjet e miratura për përkatësinë e pronësisë së tokave, ishin ligje të cilat nuk mundësonin zgjidhjen njëherë e mirë të të drejtave të pronarëve të vërtetë. Fakt i vërtetuar gjatë 28 viteve.

Nuk është as e panjohur dhe as e pakuptueshme rëndësia e zhvillimit të sektorit të bujqësisë tek ne. Sipas gazetës “Dita”, dt. 10 maj 2018:“Sektori bujqësor, i cili zë më shumë se 40% të punësimit dhe një të katërtën në PBB, ajo kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë e ekzistencës primitive, për shkak të mungesës së paisjeve moderne, të pasigurisë e të drejtave të paqarta të pronësisë dhe ngastrat e vogla të tokës”, thuhet në vlerësimin e CIA për 2017.

Politika, nga kjo gjendje, ka përfituar politikisht me premtime të vazhdueshme elektorale dhe me tjetërsime pronash, mënyrë efektive në lindjen dhe zhvillimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv, me shtrirje horizontalisht dhe vertikalisht në shumë institucione shtetërore.

Negativiteti i veprimeve që kryhen në vendin tonë, shprehet edhe nga institucione të huaja, që na bëhen me dije në gazetën “Dita”, dt. 10.05.2018, ku lexohet: “CIA vëren se kodet komplekse të taksave dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik (tipik për këtë vend), zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”.

Klasa politike, krahas përfitimeve politike dhe ekonomike të arritura nga sektori i bujqësisë, ndihmoi edhe me anë të ligjeve në mundësitë e krijimit të kapitalit fillestar nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Veç grabitjeve, vjedhjeve dhe shkatërrimeve që u lejuan në pronat shtetërore, u veprua qëllimsht në mos venien në funksionimi të tyre, duke goditur njëkohësisht si prodhimin vendas dhe çvlerësimin e aseteve. Me këto veprime përfituan subjekte të caktuara, persona dhe grupnjerë pranë politikës, për blerje me çmime të papërfillshme. Kështu filloi të lindi një klasë pronarësh me kapital fillestar të siguruar në rrugë informale (Akumulimi fillestar).

Pronarët e kapitalit fillestar informal, si efekt i mjeteve të kufizuara financiare, nuk mund të kryenin investime në fusha të rëndësishme të prodhimit. Me sipëmarrjet e tyre ata u drejtuan tek ato aktivitete që mund të siguronin mjetet fiananciare për kryerjen e investimeve. Ishte ky fakt që aktivitetet e tyre i shtrinë në fushën e ndërrtimit, duke patur garancitë e politikës e cila u siguronte sheshet dhe lejet e ndërrtimit, kundrejt përfitimeve të ndërsjellta. Burimet e financimit të sipërmarrjeve ishin të ndryshme, ndër të cilat permendim:
          a) Kapitali fillestar informal, i cili u trajtua shkurtimisht.
          b) Kredi të buta bankare, sipas afërsisë me politikën. Më pas u trajtuan si kredi të këqia, gjoja nga pamundësia e kthimit.
          c) Forma e kleringut (mall me mall) me pronarë kryesisht informalë të trojeve. Dhënie trualli të konvertuar me sipërfaqe banimi, dyqane, depo, magazina etj.
          ç) Parapagim nga blerësit për sipërfaqe ndërrtimi, kundrejt favorizimit në ulje të çmimit të shitjes.
          d) U përdorën për blerje sipërfaqe ndërtimi edhe paratë e sjella nga emigrantët, kjo sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë.

 ç) Tërheje e investirorëve të huaj, nëpërmjet njohjeve personale si të emigrantëve dhe të personelit të ish ambasadave para nëntëdhjetës, etj.
          Asgjë nuk është e thënë të mbetet e palëvizur, kështu bashkë me vitet, u rritën kapitalet dhe bisnesmenët u fuqizuan. Ndërmorën të tjera sipërmarrje, siç janë ato të ndërtimit të rrugëve, jo pak tërheqin vemendjen fusha e mediave, artit, sporteve, etj. të cilat sponsorizohen të diktuara me ligje të caktuara. Fshehja e të ardhurave, pagesat tepër të larta drejtuesve dhe administratës në kompanitë e mësha si dhe pagesat me zarf, jashtë listëpagesave të punonjësve nga biznesmenët, krijonë humbje vlerash të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, si dhe polarizojnë nivelet mes strukturave të ndryshme shoqërtore. Dhjetë vjetët e fundit shtrirje kanë marrë edhe dhëniet (lëshimet) e konçesioneve shoqërive apo bisnesmenëve të pronave ende shtetërore, kështu janë edhe dhëniet me qera të shërbimeve publike, autostradat, ndërtesat, doganat, është menduar edhe për institucionin e tatimeve.

Të gjitha këto transaksione komerciale, të mbështetura nga klasa politike, në pushtet ose afër tij, shoqërohen me përfitime personale të ndërsjellta, të cilat fuqizojnë ekonomikisht në mënyrë informale të dyja palët, por jo buxhetin e shtetit.

Brenda një kohe tremujore, sipas “nxitjes” së Bankës Qendrore për deeurozimin, euro është zhvlerësuar kundrejt lekut me mbi 4%, veprim ky që sipas Qendrës Shqiptare të Eksporteve (Albexport) dhe Albanian Food Industry (AFI), do ti mungojnë në qarkullim ekonomisë shqiptare rreth 14 miliardë lekë më pak. Ndërsa buxheti i shtetit do të humbasë rreth 25 %, ose 26 mlionë euro më pak gjatë këtij viti. Në tërësi dëmet nga këto “lojra” me “mallin para”, mund të kapin shifrat mbi 50 milionë euro.

 A- Koha për rishikimin e Rishpërndarjes së vlerës së shtuar.

Duhet ndalur tek rishpërndarja e fitimit. Dihet se fitimet e realizuara në përfundim të procesit të prodhimit apo shërbimit, me sistemin e sotëm ekonomik, janë përfitime vetëm të bisnesmenit (kapitalistit) qoftë individ, grup njerëzish apo kompani. Në organet tona tatimore janë të rregjistruara si persona fizik, juridik, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri anomime.

Me ligjet që veprojnë në ekonominë e tregut, për rishpërndarjen e të ardhurave, ndeshemi në një anshmëri po thuaj të ligjëruar dhe të moralshme. Fitimi i realizuar i mbetet subjekteve ekonomike të rregjistruara, ndërsa fuqia punëtore, nëpunësit e administratës, janë të ligjëruar me kontrata pune për tu trajtuar me pagat e caktuara për punën që kryejnë. Fuqia punëtore nuk ka përfituar nga vlera e shtuar prej shitjes së produktit të realizuar edhe si efekt i punës së domosdoshme të saj.

Nuk do trajtojmë këtu rishpërndarjen e fitimit duke praktikuar raporte të pranuara ndërmjet subjektit juridik dhe fuqisë punëtore, sepse kërkohet një studim përmbysës i mënyrës së shpërndarjes së të ardhura të krijuara nga kapitali dhe puna. Por koha e ka sjellë si kërkesë të domosdoshme për tu studjuar dhe zbatuar. Idea këtu përqëndrohet tek njohja e ligjëshme për përfitim nga krijimi i një vlere të shtuar edhe për punën e kapitalit variabël (V)- (shpenzimet e punës).

Me një mendim të shpejtë dhe të thjeshtë, ideja mund të gjej një zbatim të përafërt nga raporti ndërmjet kapitalit konstant (C) dhe kapitalit variabël (V). Nëse vlera e kapitalit konstant që hidhet në një proces prodhimi është 100.000 Euro dhe shpërblimi i fuqisë punëtore të shprehura në para është 45.000 Euro, me një raport të thjeshtë, lidhur me ndarjen e fitimit ose mbivlerës së krijuar nga C+V, e supozouar 29.000 Euro; në një periudhë të caktuar, rezulton raporti: 69% me 31%. Sipas këtij raporti pronari do të përfitojë jo më 100% të fitimit, por 69% ose 20.000 Euro; ndërsa fuqia punëtore do të ndajë 31% të fitimit, ose 9.000 Euro nga zero që është sot.

Gjitjashtu, ashtu si pronari ka të drejtën e rritjes së aksioneve nëpërmjet fitimit përkatës edhe fuqia punëtore duhet ligjëruar në pjesëmarrje me aksionet e saj, pa përjashtuar edhe transferimin e aksioneve në aktivitete të tjera brenda apo jashtë kompanisë, shoqërisë apo firmës ku kontribuon.

B.- Koha për të caktuar tavan për normën e fitimit.

Për të frenuar rritjet kapërcyese dhe marramëndëse të pasurive të kompanive, shoqërive apo firmave, krahas ligjërimit të pjemarrjes së fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar, është kërkesë e kohës edhe rishikimi i vendosjes së tavanit në normën e fitimit. Përcaktimi i saj duhet të variojë nga 15 deri në 20 %, në vartësi të përparësive të kërkesave ekonomio-sociale të shoqërisë. Kufizimi do të ndikojë në uljen e çmimeve të mallrave apo shërbimeve me përfitim mbarë shoqëror, jo vetëm në rritjen e mirëqenies por dhe në një qarkullim më të shpejtë të shitjes së mallrave.

Me vendosjen e ndryshimit në mënyrën e rishpërndarjes së të ardhurave (pjesmarrja e fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar dhe caktimi ligjor i tavanit në normën e fititmit), sigurohet zbutja e polarizimeve të krijuara mes kapitalit dhe shpenzimeve të punës; frenohet fenomeni i grumbullimit të kapitalin në disa duart, që aktualisht përbëjnë 5% deri në 10 % të popullsisë. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar, por ndjellkeqës në ecurinë e mëtejshme të mekanizmave në ekonominë e tregut.

III.- Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive si efekt i vettingut.

Problem tepër i rëndësishëm dhe që kërkon kujdes të veçantë, është mënyra e administrimit të pasurive, qofshin në mall apo para, të subjekteve fizike dhe juridike, të cilat krijohen nga funksionimi normal i Vettingut. Bëhet fjalë për vlerat materiale dhe monetare të përfituara nga financimi i terrorizmit, pastrimi i parave, vlera të realizuara nga krimi i organizuar, nga tjetërsimi i pronave, si vlera pasurore në mall dhe para nga korrupsionet aktive e pasive, që me vendime gjyqësore, sekuestrohen apo konfiskohen.

Tek ne vlerat më të mëdha objekt konfiskimi dhe sekuestrimi do të jenë pasuritë e paluajtshme; toka, pallatet e ndërtimit, hotelet, pasuritë e luejtshme si makineri të ndryshme, automjetet dhe vlerat në para, përfshirë edhe thesarin. Pasuritë e konfiskuara apo të sekuestruara, duhet të menaxhohen nga institucione shtetërore dhe aspak nga subjekte apo institucione jo shtetërore. Këto institucione, në bazë të vlerësimeve nga ekspertë përkatës të pavarur, do të kryejnë admniistrimin dhe shitjen e tyre. Të ardhurat nga shitja e këtyre objekteve, duhet të derdhen në llogari të posaçme bankare dhe të përfshihen në zërin buxhetor “të ardhura nga sekuestro dhe konfiskim prej Vettingut”.

Deri tani nuk ka rezultate të dukshme në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të persona që i kanë krijuar nga kryerja e veprave penale, si korrupsioni, etj. Lidhur me këto çështje, mungesa e vetëdijes ligjore, profesionale dhe përgjegjshmëria tek disa prokurorë dhe gjyqtarë, në drejtim të ndjekjes korrekte të kryerjes së detyrës për të vendosur për sekuestrimin, apo konfiskimin e pasurisë të personave me veprimtari kriminale nuk është më konstatim, por janë fakte reale. Prandaj është krijuar bindja mbarë popullore se marrjet e këtyre masave bëhen të realizueshme kur sistemi i drejtësisë të jetë vërtet i pavarur, të mos jetë i kapur dhe as të ndikohet nga politika.

Me rëndësi është gjithashtu edhe krijimi i kushteve optimale që prokurorët dhe gjyqtarët të mos kenë mundësi të bien në situata korruptive. Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive të paligjshme, duhet të gjejnë mbështetje ligjore në Kodin Penal dhe Kodin civil. Veprimtaritë kriminale dhe korrupsioni duhet domosdoshmërisht të përballen me ligjet.

Ish Presidentit Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, në Shtator 2012 ka deklaruar se: “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit…”.

Ndofta ka ardhur koha që ligjvënësit të rishikojnë dhe amendojnë (përmirësojnë) pjesë të Ligjit Nr.10 192, datë 3 dhjetor 2009 ”Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me të cilin duhet të rregullohen shumë çështje që lidhen me krijimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të paligjshme. Kërkohet një përsaktësim më i prerë në përqëndrimin, administrimin e përdorimin e këtyre fondeve të shprehura në vlera monetare, apo asete të ndryshme të palëvizshme e të lëvizshme.

Ka shtete që kanë krijuar “Fondin Sovran të Pasurisë, pasuria e popullit rikthehet tek populli”. Fondet Kombëtare të Pasurisë duhet detyrimisht të zotërohen dhe menaxhohen nga shteti me synim për të ruajtur me rigorozitet të ardhurat e siguruara nga konfiskimet dhe sekuestrimet. Kapitali fillestar i këtyre institucioneve apo kompanive shtetërore, të krijohet nga vlerat e arkëtuara nga privatizimet e ndryshme në formën e parave apo aseteve. Institucioni shtetëtor i administrimit të “Fondeve nga Pasuritë Sekuestro” si dhe të fondeve të tjera, duhet ligjëruar që të jenë subjekte për auditim vetëm nga Instituti i ekspertëve kontabël të autorizuar (EKA-Auditët).

 Me këtë llogjikë duhet vepruar edhe me kontrollin e zbatimit ë ligjeve të sistemit fiskal në tërësi. Ushtrimi i verifikimeve, kontrolleve të kalojë në një institucion të vetëm shtetëror, ose institucion i liçensuar i pavarur, ku të përfshihet jo vetëmkontrolli i zbatimit të ligjeve të tatim-taksave, por të gjitha detyrimet financiare si ndaj shtetit ashtu dhe institucioneve të tjera (derdhjet e kontributeve shtetërore dhe shoqërore, rregjistrimi i të gjithë punonjësve, pagat etj.). Ndryshe nga sa veprohet sot, ku veprojnë disa institucione kontrolli, që shpesh edhe “përplasen” me njëri-tjetrin.  Një i tillë mund të shërbejë Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, të cilët krahas çertifikimit të Bilanceve dhe Pasqyrave Financiare të bisneseve, kompanive etj. të ushtrojnë edhe këto verifikime.

Transferimi i vlerave materiale dhe monetare në ”Fondin nga Pasuritë Sekuestro” mundëson krijimin e burimeve të fuqishme financiare në duart e shtetit; krijohet një institucion i gjallë, energjik me efekte pozitive në përballimin e fenomeneve ekonomike negative. Nuk duhet të trembemi se po devijohet nga teoritë ekonomike që aktualisht veprojnë, as të tërhiqemi se ndofta centralizimi i disa degëve kryesore ekonomike në duart e shtetit, të cilat po jepen me konçesione, apo privatizohen në disa duar të paracaktuara, të paafta, papërvojë drejtimi dhe administrimi, i hapet shtegun sistemit socialist në ekonomi. Jo, aspak, nuk është ky këndvështrim! Përvojat përfitohen gjatë ushtrimit në kohë, dhe jo nga militantizmi apo nepotizmi.

Është vërtetuar gjatë 28 viteve se privatizimi i disa degëve kryesore të ekonomisë, apo pjesëmarrje me aksione shtetërore, nuk kanë patur prurje zhvillimi, përkundrazi në përgjithësi kanë rezultuar ose në falimentim, ose i janë drejtuar rritjes së çmimeve, duke rënduar ekonomikisht si familjarët në përgjithësi dhe buxhetin e shtetit. Faktet tregojnë se nxitimi drejt 100% të privatizimeve në forma të ndryshme të degëve kryesore të ekonomisë, ka qenë jo vetëm irentabël por ka krijuar situata të rënda deri edhe në tensione ndërshtetërore. Në shumë nga degët ekonomike të privatizuara, shërbime, apo dhënie me konçesione, rezultuon se “sipërmarrësit” i trajtojnë veprimtaritë dhe efektet financiare thjeshtë prona personale-private, ndryshe nga konceptet e ekonomisë së tregut.

Përpara realiteteve të sotme të këtyre fenomeneve, të cilat në vazhdimësi kanë thelluar hendekun mes rreth 10 përqindshit dhe 90 përqindshit të popullsisë, shtrohet detyra për marrjen e disa masave, me përqëndrim kryesisht tek pasuritë e përfituara nga informalitetet, pa përjashtuar mundësitë e qendrimeve në tërësi ndaj rishpërndarjes së të ardhurave. Ndikimi fillimisht rekomandohet për tu shtrirë në rastet e para, nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit të suksesshëm të “Vettingut”.

Të gjithë jemi ndërgjegjësuar tek domosdoshmëria e katarsit, që po vepron në disa nga institucionet tona me “Vettingun”. Efektet e “Vettingut”, do të çlirojnë shoqërinë nga oligarkët politiko-ekonomikë informalë, do shpëtohet nga nepotizmi dhe militantizmi.

Nëpërmjet zbatimit rigoroz të Vettingut, pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe “super miliarderë”, do të sjellë nevojën e një rishpërndarjeje dhe vendosjen e disa normave, që sigurojnë raporte të drejta për ndarjen e fitimit ndërmjet punës dhe kapitalit. Realizimi i Vettingut, është kërkesë objektive e kohës. Shtrirja e tij nuk duhet kushtëzuar me hapësira gjeografike, politike, ekonomike, të caktuara, mbasi nga epërsitë pozitive, Vettingu duhet të shtrihet në të gjitha shtetet e Europës dhe më gjërë.

Së fundi, dihet se të gjithë njerëzit gjatë jetës aktive dallohen në grupe apo kategori në vartësi të veprimtarive që kryejnë. Është zgjedhja e tyre, kushtet, rrethanat hisorike, sociale dhe ekonomike. Në këtë trajtesë do të veçoj dy kategori njerëzish:

● Ata të grupimeve politike dhe,

● grupimet e studimeve shkencore, të dijes në përgjithësi.    

- Grupnjerëzit e politikës, pavarësisht nga kapacitetet e dijeve dhe përvojave, arrijnë të shfrytëzojnë rezultatet tepër të dobishme në zhvillimet e të gjitha fushave të jetës, të studjuara dhe zbuluara nga grupnjerëzit e dijes. Edhe në këtë rast, zhvillimi shoqëror ka pranuar dhe ligjëruar në heshtje pabarazinë e theksuar mes këtyre dy kategorive, qoftë në drejtim të pasurisë dhe të plotfuqishmërisë. Kategoria e grupit politik, përfiton nga përvehtësimi i arritjeve të grupit tjetër, siguron pushtet dhe pasuri.

- Ndërsa kategoria e grupit të studimeve dhe çpikjeve, shpërblehet me ligjet që nxjerr grupi politik, nuk priren drejt pasurive, mbetet në histori me cilësim “Emër i mirë”.

Politikani, me arritjet e grupimit të studiuesave në fushat e ndryshme të shkencës, krijon pasuri dhe pushtet. Pushtetin e tyre, me anë të politikës, e shtrijnë në të gjitha drejtimet, bile deri edhe tek nënështrimi i kategorisë së shkencëtarëve duke shfrytëzuar dhe përdorur pikërisht rezultatet e tyre, prej të cilave sigurojnë përfitime pasurore. Një shembull tepër interesant është, fjala vjen, mbajtjet në kasafortë nga politikanët çelësat e “bombës atomike”, dhe sa herë ju duhet kërcënojnë Botën. Një e padrejtë e madhe që shoqëria njerëzore duhet të reagojë fuqishëm për të ndrequr vendosjen e ekuilibrave.

Besoj se të gjithë kemi një mendim: “Paradokse të shëmtuara, kontradikta, anomalira që shoqëria duhet të çlirohet duke i ndrequr”.

Shënim (¹): Adam Smith (05.06.1723-17.07.1790), filozof dhe ekonomist skocez i Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra kryesore e të cilit “Pasuria e kombeve”, është një nga tekstet themeltare të liberalizmit ekonomik.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat