Paralajmërimet luftënxitëse të komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johanes Hahn

Opinione

Paralajmërimet luftënxitëse të komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johanes Hahn

Gjergj Kabashi Nga Gjergj Kabashi Më 19 maj 2019 Në ora: 11:51
Johanes Hahn

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, thotë:

“… marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve (Kosovës dhe Serbisë, vër.ime) do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur”, ka thënë ndër të tjera Komisioneri për Zgjerim i BE-së”
***
Pra do të bisedohet ndërmjet dy vendeve, për cështjet e brendshme të vendit tjetër (Kosovës, në këtë rast!) me ndihmën dhe presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj palës së dobët!
Ja se si në marrëveshjen e paralajmëruar, e cila shihet qartë se është e diktuar nga shteti i Serbisë, zë vend “cështja” e “Republika Srpska-Kosovo i Metohija” !
Hahn: “Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës”
A e kuptuat?
Paska shumë serbë “në gjithë Kosovën, dhe jo vetëm në një vend”?

Athue, injorantët e politikbërjes në shtetin e Kosovës, që vazhdojnë të grinden e hahen me njëri-tjetrin si “qentë e cartur”,- e që pastaj nuk po kan kohë të thellohen në fatin e vendit të vet, për udhëheqjen e të cilit janë të caktuar, a nuk ka Kushtetutë vendi juaj dhe a nuk parashikohet në te mbrojtja e integritetit territorial?

A nuk paska Serbia pakica që u shtrikan në gjithë territorin e saj, por vetëm Kosova?! …
Pse nuk u përmendkan të drejtat e njejta, sipas asaj që cilësohet si frymë europiane, si zgjidhje që duhen të jenë të njejta e të pranueshme për të gjithë njësoj, edhe cështjet e pakicave të shumëta në Serbi, sidomos asaj shqiptare të Luginës së Preshevës dhe asaj “Boshnjake”-Shqiptare në Sanxhak?!
Po, po, ju e dini që në Serbi ka shumë pakica, madje ma shumë se në cdo shtet tjetër në rajon, por ju heshtni edhe kur është fjala për Shqiptarët e Luginës, pasi qe njëzet vite ishit të nënshtruar prej saj në forma e metoda agjenturore, e duhej ta merrnit me të mirë agresorin për arsyet që vetëm ju i dini, thuajse Kosova ishte agresorja e jo viktima, e jo ajo që iu nënshtrua gjenocidit të rëndë e mizorive serbomëdha, nga të cilat mezi e shpëtoj NATO-ja.
Të drejtat sovrane që u parashihkan për pakicën serbe në gjithë Kosovën, që u dashka të dhurohen si “zgjidhje kompromisi të të dyja palëve”, në të vërtetë të Serbisë dhe “bashkësisë ndërkombëtare” në një anë, dhe Kosovës, në anën tjetër, a nuk mund të jenë zinxhirë xhemborë nën “këmbët” e dobëta të shtetit të Kosovës, do të thotë që Kosova Kurrë, ama bash Kurrë, nuk mund të ketë ardhmëri si shtet normal, pra nuk mund të qetësohet e stabilizohet!

Nëse kjo që e thotë Hahn do të realizohet, kjo nënkupton që “bashkësia ndërkombëtare” do që t’ia mbajë anën projektit serbomadh e rusomadh edhe në rastin e Kosovës, pas Bosnjës, duke e shndërruar pakicën 3-4 përqindshme serbe brenda vendit në faktor destabilizues, pra një shtet brenda shtetit, mu ashtu sic do e synon Serbia, që ta mbajë të destabilizuar e të dobët shtetin e Kosovës, për ta sulmuar e ripushtuar në një moment të volitshëm për te.

Prandaj, negociatat në mes të dy shteteve, Kosovës e Serbisë, duhet të jenë plotësisht të barabarta, duke mos lejuar në asnjë mënyrë e rrethanë që pakica e vogël serbe të shndërrohet në gozhdim të shtetësisë së Kosovës.

Vetëm kur cështjet e pakicave në të dy shtetet do të trajtohen e kenë të drejta të njejta, vetëm në atë kohë mund të thuhet që kemi arritur tek pajtimi në bazë të frymës jodiskriminuese europiane, e jo të frymës serbo-ruse, sic synon Serbia në Kosovë, si dikur në BeH, ku “Republika Srpska” nuk e lë të merr frymë shtetin e përbashkët!

Cdo trajtim i vecantë e në bazë të të ashtuquajturit diskriminim pozitiv, mund të sjellë deri tek pasojat e rënda destabilizuese për Kosovën e rajonin. Mos ta heqim nga mendja se kjo që e paraljmëron Hahn nëse realizohet mund të shërbej si nxitje e drejtpërdrejtë e një lufte tjetër në rajon, për shkak se është veprim e synim tepër i anshëm e në favor të interesave serbomëdha të Serbisë. / Revista Drini

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat