Pse ishte destruktivizmi në Mbretërinë e Parë të Shqipërisë?!

Opinione

Pse ishte destruktivizmi në Mbretërinë e Parë të Shqipërisë?!

Nga: Sami Arifi Më: 19 maj 2019 Në ora: 19:04
Sami Arifi

Fuqitë e Mëdha kishin rënë në dakord, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, për njohjen e një shteti shqiptar të pavarur, nga presioni i Lëvizjeve Kombëtare si dhe nga interesat strategjike të këtyre Fuqive. Prandaj mund të themi se periudha më kritike në historinë moderne të Shqipërisë në fillim të shekullit XIX, padyshim është Shqipëria Mbretëri. Kufijtë e “Mbretërisë së Re”, nuk i kënaqënin shqiptarët, nga se ata e gjenden veten të paksuar përgjysëmë dhe pa shumicën e qyteteve të mëdha. Këto qytete që i’u ndanë “Mbretërisë së Shqipërisë së Re”, që ishin edhe zona tregtare (tregje) si: Gjakova, Prizreni, Dibra, e shumë e shumë të tjera i’u dhanë Malit të Zi dhe Serbisë. Malësorët e Shqipërisë Veriore dhe Lindore u penguan me tregjet dhe qytetrimet e tyre, prandaj kjo ndërprerje ishte një premisë për të shkaktuar trazira në të ardhmën.

Nëse analizohët Shqipëria gjashtë muaj mbretëri vrehën marrëdhëniet ndërkombëtare në një periudhë kritike midis Fuqive të Mëdha dhe përplasjet e tyre në Ballkan si dhe politikat e shteteve ballkanike. Pra, vrehën edhe zhvillime brenda mbretërisë, elitat politike shqiptare të asaj kohe dhe së fundi s’është e vështirë t’u japësh përgjigjëje pytjeve se, si u ngrit, si funksionoi dhe përse ra Mbretëria e Parë Shqiptare. Pra, koha e Mbtretërisë së Parë Shqiptare shërben si dëshmi e kohës për historianët, studiuesit, por edhe studentët e shkencave politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pa dyshim për studentët dhe lexuesit e gjerë. Princ Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914. Të gjitha Fuqitë e Mëdha e njohën si princ në Shqipëri si dhe shtetet tjera, duke përfshirë edhe shtetet ballkanike. Princ Vidi zgjodhi si krueqytet Durrësin ku kishte ndikim të fortë Esad Pashë Toptani.

Princ Vidi ( ishte me konfesion protestant, me nacionalitet gjerman, dhe se Gjermania s’ishte përzier drejtpërsdrejti në punët e Shqipërisë, prandaj ishte i përshtatshëm për Fuqitë), më 17 mars 1914 formoi qeverinë e re shqiptare, nën kryesinë e Turhan Pashë Permetit, Kryeministër e Ministër i Punëve të Jashtme, ish ambasador i Perandorisë Osmane në Petersburg si dhe diplomat mjaft i vjetër. Ndonse Esad Pashë Toptani s’mundi të vie në krye të qeverisë, ai mori dy ministri më të rëndësishme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Luftës. Përveç tij në qeverinë e formuar nga Vidi bënin pjesë:

Hasan bej Prishtina-Ministër i Post-Telegrafit, dr.Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit, dr.Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave, Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë dhe Myfid bej Libohova-Ministër i Fesë dhe i Drejtësisë. Ky kabinet i parë i qeverisë i formuar nga Vidi bëri betimin më 18 mars. Vidi u përball që në fillim me shumë vështirësi si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me lëvizjen “vorio-epirote” dhe me kryengritjet që shpërthyen në Shqipërinë e Mesme. Ai u soll në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha në kohën kur ato po përgatiteshin edhe ushtarakisht të vepronin për tu ndeshur njëra me tjetrën, dhe se ai nuk i kishte mjetet e duhura as për së afërmi për ta nxjerrë vendin nga një gjendje e mjerueshme që ndodhej. Regjimi i Vidit sanksionoi statusin organik të Shqipërisë, pra ligjin e parë themeltar (Kushtetutën) e shtetit shqipëtar, i cili u hartua dhe u themelua në Vlorë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), më 10 prill 1914. Me këtë Shqipëria shpallej “Principatë Kushtetuese e Pavarur dhe e Trashgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemet më të ngutëshme dhe më të ndërlikuara të vendit, atë të largimit të forcave greke nga Shqipëria e Jugut. Për këtë qëllim Vidi caktoi si komision të jashtëm për Shqipërinë e Jugut kontomelin holandez Tomson. Në biseda me Karapanon përfaqësuesin e vorio-epirit, Tomson, u premtoi grekëve disa të drejta duke ditur se Fuqitë e Mëdha dhe KNK nuk doninë kokëçarje.

qëndrimi i Tomsonit ngjalli protesta në rrethet patriotike shqiptare, edhe qeveria e Durrësit e Turhan Pashë Permetit nuk e pranoj këtë zgjedhje, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra dhe u shpreh kundër çdo autonomie për krahinat e Jugut. Ishte vendosmëri e pa luhatur e qarqeve shqiptare, nga se qëndrimi i Fuqive të Mëdha për vendimet e veta të marrura në Londër ishte shumë i ftohët, pra në heshtje lejonin planet aneksioniste të grekëve, por që më në fund u bind edhe qeveria greke e Jorgji Zagrafit se nuk ishte i letë plani i tyre për autonominë e grekëve Shqipëri. Vështirësi në punën e Vidit ishte edhe shpërthimi i kryengritjes në Shqipërinë e Mesme. Kjo kryengritje siç u quajt e rrebelëve filloi në rrethin e Tiranës më 17 maj 1914, me një sulm kundër Batalionit të Vullnetarëve tiranas (që më tepër ishin shqiptarë nga viset e Kosovës) që po shkonin në Durrës, e prej andej të niseshin për të ndihmuar Shqipërinë e Jugut kundër shovenistëve grekë. Këto forca rrebele, destruktive, antikombëtare pasi shpartalluan Batalionin e Vullnetarëve tek Ura e Limuthit afër Tiranës, hynë në qytet dhe të nesërmen më 18 maj, grumbuj fshatarësh të armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit. Ata dolën hapur kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.

Dolën në sipërfaqe forcat politike antikombëtare ku paraqitën edhe një program politik dhe ia dorëzuan përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha përmes KNK. Në kërkesën e tyre bëhej thirrje për largimin e princ Vidit dhe këthimin e Shqipërisë nën sovranitetin e Turqisë, ose ardhjen e një princi mysliman të varur nga sulltani; për ngritjen e flamurit të Turqisë, për përdorimin e alfabetit turko-arab në gjuhën shqipe e të tjera.

Ndër udhëheqësit e rrebelëve ishte edhe Haxhi Qamili që në fazën e fundit u zgjodh komandant i forcave kryengritëse. Princ Vidi i ndodhur në këto rrethana kërkon ndihëm. Në ndihëm i erdhën vetëm disa forca të pakta nga Veriu i Shqipërisë, ndërsa nga Jugu duke qenë përball ndjekjeve mizore e shpërnguljeve nga bandat greke ata (shqiptarë të Jugut) s’mund të ndihmonin, prandaj Vidi iu drejtua Fuqive të Mëdha me kërkesë për të garantuar bashkërisht Pavarësinë dhe Sovranitetin e Shqipërisë. Përgjigjëja e Fuqive të Mëdha ishte se do ta ndihmonin vetëm atë, sa për t’ia shpëtuar jetën e tij. Pra, në këto rrethana pasi veç edhe kishte filluar Lufta e Parë Botërore, ai u detyrua të linte Shqipërinë më 3 shtator 1914. Me hyrjen e trupave serbe gjatë Luftës së Parë Botërore në bashkëpunim me Esad Pashë Toptanin u shtyp edhe kryengritja rrebele. Prandaj, unë tani mund të them se ne si kombë duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara e hidhur.

Për ne e kaluara është akademi e mësimeve, të cilat mësime do t’na hyninë në punë edhe tani, për të bërë politika të mira që është parakusht për t’ia mundësuar jetën e lirë këtij populli, dhe mundësin e ushtrimit në punë të qytetarëve në profesionet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat