Marrja e njerëzve të (pa)turpshëm - Bota Sot
Marrja e njerëzve të (pa)turpshëm

Opinione

Marrja e njerëzve të (pa)turpshëm

Nga: Gëzim Muçolli Më: 19 maj 2019 Në ora: 23:58
Foto ilustrim

Nuk është aspak e lehtë të shkruash e as të mendosh në disa raste të papritura që të bëjnë të kuptosh se sa e rëndësishme është (mos)marrja me politikë. Atëhere kur mendon se çdo problem duhet ta zgjidhin të tjerët të cilët edhe mund ti kritikosh e ti shash , sidomos kur dihet se shumica nga ne nuk dalin në zgjedhje për të votuar kandidatët më të vlefshëm për përfaqësues të popullit. Pra nuk i ke as borxh , por edhe ai ose ajo me këtë logjikë nuk të detyrohet asgjë kur ti si qytetar nuk e kryen detyrën elementare kushtetuese të Republikës, pjesëmarrjen në demokraci.

Lojërat e mëdha kryhen në prapaskena e klube , kurse në Prishtinë parlamenti është fushë e zjarrtë e tokës së djegur të politikës.Vetë ngjarjet e fundit nxorrën tymin e një zjarri që nuk u shua asnjëhere mbi gacat e ikjes nga përgjegjësia historike që i ra një gjenerate politike që nuk mund të krahashet as me pjekurinë biologjike.

Heshtja nuk është vlerë e qëndrueshme kur sheh se koha që jetojmë nuk i ngjan aspak një kohe të pjekur e as mentaliteti i popullit nuk duket se ka elemente të maturisë të kulturës qytetare dhe politike. Sidomos me qëndrimet që vërshuan dhe kaluan në një fushatë të histerisë kolektive dhe të linçimit politik e human të deputetes Flora Brovina.

Dua të ndalemm në disa pika të memories tonë (anti)historike.

1. Dikur në vitet tetëdhjetë filloi fushata më e ashpër antishqiptare e Jugosllavisë dhe Serbisë kundër popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Pa harruar represionin, të vrarët e të plagosurit në demonstrata, mijëra të burgosur, me ardhjen në pushtet të nazi-komunistit Millosheviq, njëra nga elementet më të poshtra të fushatës antishqiptare ishte propaganda e ndyrë , kur gati çdo të dytën ditë femra serbe mashtronin opinionin jugosllav duke deklaruar se dikush ka tentuar me forcë ti dhunojë seksualisht. E në të gjitha rastet fajtori nuk dihej e as nuk mund të identifikohej, por serbët e shpallnin se ishte shqiptar. Pastaj thirreshin gjithë serbët të mbanin tubime protestuese gjoja për mbrojtjen e serbeve duke ushqyer urrejtjen e krejt Serbisë dhe Jugosllavisë kundër shqiptarëve sidomos në Kosovë. Dilte se shqiptari sipas tyre ishte egërsirë dhe dhunues kurse serbët viktima të pafajshme. Nga viti ‘81 e deri në vitin ‘99 kjo propagandë ishte zyrtare dhe tmerronte sa herë që dëgjoheshin akuzat e rrejshme për dhunim (sillovanje!). Shqiptarët e Kosovës nuk pranuan asnjëherë njollosjen që ua bëri Serbia. Nuk pranuan që regjimi fashistoid serb ti turpërojë para botës si shtazarakë dhe agresorë.

2. Diku nga viti 1995 policia italiane gjatë një operacioni të Kuesturës së Padovës kundër prostitucionit, e kishte arrestuar në mesin e disa vajzave në rrugët e qytetit një vajzë shqiptare. Pas procedurave hetimore asaj i kishin dekretuar fletpërzurje nga territori italian (Foglio di via). Meqenëse të nesërmen nuk kishte traget për Shqipëri, që mos ta mbanin në polici si të burgosur duke e ditur se ishte viktimë e trafikimit e kishin strehuar në një familje shqiptare për disa ditë. Dhe një mbrëmje i pata telefonuar deputetit të Parlamentit të Shqipërisë , për të cilin kisha dhe kam respekt si shkrimtar dhe politikan e njeri i kulturës, të nderuarit Moikom Zeqo. Ai e mori seriozisht këtë lajm duke më dëftuar se mashtrimi i vajzave të reja dhe futja e tyre në udhët e prostitucionit në Itali ishte shëndërruar në problem serioz shoqëror në vitet e para të demokracisë. I kërkova që të nxitë diskutim në Parlament për këtë çështje, që të ndërmirret urgjentisht diçka për ta ndalur këtë fenomen të dëmshëm për Shqipërinë. Po patjetër, tha Moikomi por mos kujto se është lehtë të hapen këso temash , sepse shumë deputetë po ngurrojnë sikur po iu vie marre të diskutojnë për tema të “turpshme”. Në atë moment mu kujtua fakti se në Itali, deputetët quhen me titull nderi “onorevole” (I nderuar) kurse shpesh njerëzit nga pakënaqësia iu thonë edhe “disonorevoli”(të pandershëm). Nga marrja thonë se s’ka vdekur askush!

3. Lufta e fundit në Kosovë shkoi si shkoi. E tmerrshme përballë një agresori që donte të na çbinte. Taktika e Serbisë ishte e gjenocidit, e tokës së djegur dhe e dhunës kolektive kundër vajzave dhe grave shqiptare.Fitorja dhe çlirimi përfundimtar i Kosovës ishte gëzim i madh për të gjithë ne dhe sukses ushtarak i Amerikës dhe vendeve tjera të aleancës Nato. Historia do t’ia caktojë secilës anë meritat dhe përgjegjësitë që kanë pasur, derisa sot një pjesë e madhe e elitës politike e ka si flamur të fushatave të votimeve hisen e lavdisë që ia atribuojnë pjesëmarrjes në luftë. Një pjesë tjetër thotë se i gjithë populli ka marrë pjesë në luftë. Pra lufta e pastaj rrethanat pas lufte nën qeverisjen e protektoratit internacional sikur mbyllën për diskutim shumë tema të dhimshme për hir të procesit gati të pamundshëm të pacifikimit të Kosovës.

Kaluan 20 vite e nuk u kryen shumë punë.As nuk u nisën. Nuk u themelua Qendra e dokumentimit të krimeve të shtetit serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Nuk u krijua Muzeu i gjenocidit dhe viktimave të luftës. Nuk u themeluan Gjykata për hetimin dhe denimin e krimeve të kryera në luftë nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë. Nuk u krijuan regjistrat me emrat e viktimave dhe nuk u punua sa duhet as në gjetjen e të zhdukurve që, familjet e tyre i presin së paku ti rehatojnë eshtrat e të kenë një gur varri ku ti qajnë e vajtojnë të vrarët nga Serbia. E kjo nuk i bën lavd shtetit të Kosovës e këtu kanë hise të gjitha partitë që u ndërruan në koalicionet e tyre në qeverisje të vendit. E kur para dy ditësh po diskutohej për rezolutën mbi gjenocidin e kryer nga Serbia gjatë luftës, si dhe për pjesën më të dhimbshme , dhunimet e nënave dhe vajzave shqiptare, sikur ndodhi tërmet , pas diskutimit të deputetes Flora Brovina e cila fjalimin e saj e ilustroi me imazhe dhune të mundshme të kryer ndaj viktimave gjatë luftës së fundit.

Ecurinë e këtij diskutimi e pamë në Parlament dhe pastaj efektet direkte dhe anësore të tij shkundën nga gjumi një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare. As deklarata e një dite më parë e Ambasadës amerikane nuk pati një reagim të kërkuar përballë dukurive antishtet të politikës kosovare. Më e keqja nisi kur filluan ta shajnë e ofendojnë deputeten Flora nga deputetë, politikanë , shoqata, gazetarë, e sidomos populli i fejsbukut. Gjetën në figurën e Florës dhe gjestin e saj të (pa) paramenduar, fajtorin kujdestar për të gjitha të këqijat e tashme.

Florën e kam njohur si emër , si lexues i saj si fëmijë e më vonë kur isha student jemi takuar nëpër orë letrare sidomos në Sallën solemne të Fakultetit filozofik në Prishtinë ku fjala e shkruar atëhere ishte arma artistike me të cilën luftohej agresioni dhe diktatura e Serbisë. Florën sot e kujtoj si atëhere kur Millosheviqi pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, duke shtypur me gjak e me shumë të vrarë protestat gjithëpopullore në mbrojtje të autonomisë, erdhi në Prishtinë dhe mbajti fjalim para serbëve dhe disa kolaboracionistëve të vlerësuar si “shqiptarë të ndershëm”. Si gjithëhere kërcënues duke i porositur të nënshtrohen e të jenë lojal ndaj shtetit okupues që tashmë serbët e quanin “shteti ligjor i Serbisë”. Flora në një intervistë dhënë një reviste kosovare denoncoi pa fije frike dhunën e shtetit serb dhe akuzoi Millosheviqin se po i shtypte shqiptarët. Ishte reagimi më i fuqishëm politik antimillosheviqian që doli atëherë. E nuk ishte i ndonjë politikani apo partie politike, por i mjekes dhe shkrimtares Flora Brovina. Nuk harrohet jo, sepse është fakt që nderon rezistencën e popullit tonë kur gruaja intelektuale i tha botërisht Serbisë se nuk nënshtrohen shqiptarët.

Flora ishte shembull i angazhimit intelektual dhe politik dhe nuk ishte e rastit pse Serbia e burgoosi dhe e denoi me 12 vite burg. E tash dolën disa dhe paturpësisht i thanë se Serbia e bëri heroinë.

Flora nuk ka ndejtur mënjanë dhe nuk ka menduar ta dëmtojë asnjëhere kauzën kombëtare, duke e ditur edhe origjinën e nderuar të familjes së saj. Flora nuk besoj të ketë menduar keq pse u shërbye me fotografi me imazhe të rënda që pastaj dikush i deshifroi se burojnë nga faqe interneti me filma për të rritur. Dikush sigurisht ia ka dhënë atë fotografi dhe ajo ishte e bindur në vërtetësinë e saj.

Tema e dhunimeve në luftë si armë e tmerrshme kundër popullatës civile të pambrojtur ka dominuar edhe në shekullin e kaluar. Pikërisht pas rënies së Berlinit dhe kapitullimit të Gjermanisë hitleriane , ushtarër rusë shkonin grupe-grupe dhe i dhunonin femrat gjermane në shtëpitë e tyre para burrave dhe anëtarëve tjerë të familjes. Edhe serbët e kanë përdorur këtë taktikë çnjerëzuese kundër grave në luftën e fundit në Bosnje.I kanë mbajtur peng gratë muslimane në kamp përqëndrimit duke i dhunuar përditë derisa kanë lindur. Kjo ishte temë prekëse për të cilën ishte tmerruar opinioni publik botëror. Shkaktoi edhe polemika, kur Papa Gjon Pali i Dytë i porosiste gratë që të mos abortonin fëmijët , por kur doli lajmi mbi një grup murgeshash katolike të dhunuara që kishin arritur në fazën e fundit të shtatzanisë, zemërimi ndaj dhunës seksuale të ushtruar nga ushtarët serb mori përmasa globale.

Flora tash u bë përnjëherë objekt i qërimit të hesapeve midis partive politike dhe mbi të filloi një histeri e tmerrshme. Është keq kur shef se si shumë gra , parlamentare apo nga shoqëria civile filluan ta shënjestërojnë Florën sikur ajo të ishte vetë fajtorja pse janë dhunuar gratë gjatë luftës. Gati nuk ngeli kush pa e fyer, e sidomos u dalluan politikane e aktiviste gra, që kishte kohë që nuk kishin pasur ndonjë reagim kolektiv për tu përmendur.

Sikur u zgjuan nga gjumi një pjesë e vetëdijshme e shoqërisë, por shumë selektive në reagim ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me femrat. Nuk patën reaguar as në rastin e një koleges së tyre , diplomate e nderuar kur u shkarkua në mënyrë arbitrare nga presidenti i shtetit, edhe pse u dallua me punën e saj brilante në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës. Heshtën të gjitha si me marrëveshtje duke mos pasur parasysh se heshtja është bashkpjesëmarrje në faj. Nuk patën reaguar as për Vasfijen , të cilës nuk i qe pranuar as kërkesa e saj për futjen në listat e grave të dhunuar me arsyetimin se nuk kishte mjaft dëshmi. Vetëm dalja e saj publike e shkundi këtë shoqëri ku edhe gratë jo rrallë sillen me mentalitet patriarkal. Vasfija mblodhi gjithë guximin e botës dhe denoncoi publikisht Serbinë kudo dhe kreu edhe detyrën që shteti i Kosovës duhej ta kishte kryer kahere. Tash Vasfijen e konsiderojnë heroinë, duke menduar se kështu ia lehtësojnë dhimbjen dhe vuajtjet që ia ka shkaktuar Serbia. Vasfija është e bekuar që jeton me njeriun e mirë, bashkëshortin e saj amerikan Goodman. Po të ngelte në kosovë si do ta shikonin. A do ta mbronin gratë e njëjta që sot e sulmojnë Florën. Cili burrë do ta kishte martuar apo cila nga këto femra që sot janë kaq të zëshme do ta kishte marrur për kunatë. Morali i dyfishtë nuk është virtyt prandaj edhe fushata linçuese ndaj deputetes Flora Brovina duhet të ndalet menjëhere duke i lënë kohën dhe qetësinë të vendosi vetë se si do të veprojë me rastin dhe me pjesëmarrjen aktive në politikë.

Sepse Flora nuk ka gjynah , ajo vetëm zgjoi reagimin e munguar të opinionit ndaj plagës së dhunimeve. Mos harroni se pak muaj më parë flitej në mënyrën më të ulët kundër grave të dhunuara sikur ato do të deklaroheshin rrejshëm vetëm për të marrë euro nga shteti i Kosovës. E sot., sikur paska ndodhur turpi më i madh me deklarimet dhe imazhet fotografie të paraqitura nga Flora. E një gazetare e njohur pa fije edukate kishte shkruar se Flora e kishte dhier krejt. Kurse unë mendoj se Flora vetëm ka marrur shtagën dhe ka përzier atë që për njëzet vite e kanë dhier politikanët tonë dhe shoqëria civile me papunën dhe pazotësinë e tyre. Më vie keq dhe kërkoj ndjesë për vulgaritetin por kësaj pune i vie era qëmoti.

Pra , mos të bëhemi degradues të demokracisë, por të përpiqemi ti dallojmë pasojat dhe proceset duke reaguar dinjitetshëm e jo me metodat udbashe e të linçimit duke u bërë rroktarë të modelit jugosllav të diferencimit ideo-politik dhe moral. Flora ka merita dhe nuk i ka bërë keq askujt, e për të tjerët ka vuajtur edhe vitet e burgut të tmerrshëm që sot ia harruat të gjithë skrificën e saj.

Flora po, Fauna politike jo!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...