Personalitetet e etnisë tonë me gabime të njëjta gjatë dymijëvjeçarit

Opinione

Personalitetet e etnisë tonë me gabime të njëjta gjatë dymijëvjeçarit

Nga: Fahri Dahri Më: 22 maj 2019 Në ora: 16:30
Fahri Dahri

Të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve mes pozitës e opozitës. E shohim çdo ditë që konfliktualiteti po ndizet gjithnjë e më shumë. Pak rëndësi ka për ne se kush është fajtori, jo në kuptimin e interesit, por në kuptimin se nuk bëhemi dot palë mes tyre. Dimë po ashtu se si temperaturat e ulta në dimër dhe të lartat në verë, tre ditë na "zaptojnë"; kurse partiakët tanë e paskan më të gjatë (megjithëse thonë që bëjnë "sikur").

Pavarësisht kësaj, çdo individ me mënyrat e tij, duhet të ndikojë sadopak në zbutjen e konflikteve, edhe kur ato duken si tepër të ashpra.

Me këtë këndvështrim do trajtohet shkurtimisht kjo temë, me mendimin se do të na ndihmojë për të ndërruar qendrimet ndaj përparësive në konceptimet e të përgjithshmes dhe të veçantës.

Pa mëdyshje, të gjithë neve sot, shtrojmë pyetjen habitëse "Si ka mundësi që Shqipëria të ketë mbetur ndër shekuj në nivele poshtë mundësive të mundshme dhe të merituara"?. Kjo pyetje e habitshme, por shumë e kërkuar dhe e drejtë, na detyron të shpjegohemi duke kujtuar të shkuarën tonë dymijë vjeçare!

Nuk është e nevojshme të shtjellojmë historinë, pasi të gjithë e dimë se duke filluar me romakët, aq dhe kaq personalitete të etnisë tonë hypën në frone të larta si Papë dhe perandorë; po aq dhe kaq ishin perandorë në kohën e Bizantit; aq dhe kaq ishin vezirë dhe kryeministra në kohën e Otomanit; ndërsa në kohën e komunizmit gati-gati arritëm (për pak) të ishim "feneri ndriçues" për të gjithë Botën. Deri këtu besoj se jemi të saktë, por kërkohet të jemi edhe korrekt për tu kuptuar!.

Vazhdojmë me mundësitë për tu kuptuar. Pyetja habitëse e fillimit të shkrimit, është sa çuditëse dhe e justifikuar, mbasi realisht të qenurit e kaq dhe aq personaliteteve në nivele tepër të larta shtetërore të disa perandorive, ku përfshihej kombi dhe territori ynë, duhej të kishte, në saje të “pak” përkujdesjes së bijëve të saj, një zhvillim të dukshëm dhe të theksuar më lartë se sa gjëndja e mjeruar ku ropateshin breza të tërë, bashkëetnikët e "prijësave" perandorakë dhe të drejtuesve të lartë të institucioneve fetare. Por ja që e vërteta është ndryshe. Ata, dmth aq e kaq "prijësat", nuk e hodhën vështrimin nga e veçantja e tyrja, por fuqizuan dhe lartësuan të tërën, përgjithshmen, dmth kupolat institucionale, sipas kohës dhe në radhët e tyre.

Edhe sot, në kohën tonë, sidomos tepër e theksuar në këto 28 vitet e gjoja "demokracisë", është i njëjti qendrim mes të veçantës dhe të së përgjithshmes. Nuk do zgjatem, sepse spjegimi apo qartësia e njëllojshmërisë së fenonenit arrihet të kuptohet me pak fjalë. Kemi 28 vjet që themi me zë të fortë:" E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Vrapojmë të gjithë si popull, por të ndarë në grupime drejt shesheve dhe rrugëve duke u "çjerrë" –“E duam, e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Vitet ikën, edhe ne ikim me vitet duke "bërtitur" me sloganin e shenjtë; por sado që bërtasim, aq më shumë i largohemi të vërtetës së sloganit. Ndalemi pak për të kuptuar "psenë" e qendrimit në vend numuro, ose më mbrapa.

Dymijëvjet "prijësat" botërorë të etnisë tonë, drejtuan botën dhe harruan vendin e tyre. Sot "prijësat" tanë, si të majtët dhe të djathtët - gjatë 28 viteve, të njëjtë më ata të "parët e ikur", harrojnë këtë vend dhe popull, marrin vrapin me thasë të mbushur me shkrime e këndime duke baltosur Shqipërinë me të "ZEZA" të qena e të paqena, duke deklaruar para gjithë Botës, me gjithë forcën e shpirtit dhe të zemrës se Shqipëria nuk është ende e gatshme për t’u anëtarësuar në BE.

Pra, "këta prijësat tanë të sotëm”, qajnë më shumë hallin që Europa të mos mbështesë vëndin tonë për anëtarësim sepse, sipas tyre, nuk e meritojmë, se sa të gjithë së bashku me një ZË, të bëjmë përpjekje në përmbushjen e kushteve për të arritur t'a bindim Europën që të na pranojë në gjirin e saj.

Kjo është një nga alternativat për të kuptuar qendrimet e padrejta dhe të gabuara të atyre "prijësave" tanë perandorakë, që sytë u kishin zënë "perde" për mos shikimin e vëndit të tyre dhe "prijësave" tanë të sotëm ndaj qendrimit mes BE-së dhe vendit të tyre. Besoj u kuptua pse ne mbetemi gjithnjë të fundit në renditjet e vrapimit drejt BE-së.

Për të qenë korrekt dhe të kuptueshëm për konkluzionet e mësipërme, sjellim në kujtesën e ne të gjithëve, dy citimet e mëposhtëme, të natyrës konfliktuale mes partive tona. Me këto, duhet të kuptojmë efektet e dëmshme që sjellin ato, jo vetëm në ashpërsinë e panevojshme brënda për brenda tyre, por nëpërmjet valëve të zërave dhe imazheve, godasin fort Shqipërinë dhe njëherazi u japin “material”, fuqi dhe forcë keqdashësve, për të konsoliduar bindjet antishqiptare tek të huajtë.

Krahas shumë qendrimeve konfliktuale mes partive, le ti lexojmë efhe këto deklarime të përfaqësuesave të të dy partive tona.

● Kryetari i grupit parlamentai i PS-së, në Top Channel, më datë 02.04.2019.  “….PD dhe LSI kanë sot vetëm 2 qëllime. Qëllimi i parë është pengimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi, edhe dorëzimi i mandateve ishte për të penguar vijimin e mëtejshëm të një reforme që është historike për shqiptarët. Dhe e dyta, është pikërisht përpjekja për të penguar hapjen e negociatave në qershor. Gjithë kjo përpjekje e tyre po bëhet për të nxirë imazhin e Shqipërisë përballë vendeve anëtare të BE”.

● Kryetari i PD-së, me datë 20 maj 2019, në BBC: “Jemi kundër dhunës, të hapen negociatat me BE”.

Kreu i partisë demokratike shprehu domosodoshëmrinë për hapjen e negociatatave të Shqipërisë në bashkimin evropian pavarsisht situatës së krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet”.

Këtë konceptim mendova ta ndaj me lexuesit dhe dashamirësit, duke shpresuar se të gjithë duam të ecim të bashkuar drejt të njëjtës rrugë fatsjellse. Të "vrasim" kapriçiot dhe krenaritë, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër dëmtojnë drejt për drejtë Shqipërinë; sikundër është e sigurtë se e përçmojnë çdo individ, grup shoqëror apo politik dhe se ç’fardo mos bashkëpunim, kryesisht mes palëve politike, veçse krijon dëme serioze me pasoja disa dekadash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat