Kritikë objektive PO, por JO sharje, shpifje, denigrim dhe linç me flamuj baltues të Beogradit

Opinione

Kritikë objektive PO, por JO sharje, shpifje, denigrim dhe linç me flamuj baltues të Beogradit

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 23 maj 2019 Në ora: 17:05
Mehdi Hyseni

(1) Ky paradoks sheshit provon edhe sot gjendjen tonë të mjeruar dhe të robëruar nën tutelën kolonialiste të disa shteteve fqinje sllave të Ballkanit (Greqia, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Mali i ZI); (2) Ky paradoks qartazi provon edhe aksiomën e qëlluar të rilindësit tonë, Faik Konica, se “Armiku i shqiptarit është vetë shqiptari”; (3) Ky paradoks historik, politik, kombëtar e atdhetar dëshmon se populli shqiptar nuk ka ngelur rastësisht dhe, vetëm si pasojë e armiqve të huaj, i copëtuar, i aneksuar, i kolonizuar, i shtypur dhe i robëruar nën thundrën tiranike shekullore të sllavëve të Ballkanit, por fajtori më i madh është vetë shqiptari, që me shekuj, që nga Hamzai e deri te Adem Jashari, e tradhton, e vret dhe ia fut thikën pas shpine shqiptarit, jo armikut!

Kështu, duke e "ngrënë" njëri-tjetrin, gjenocidi serb, nuk do të ketë gjasë për t'u dënuar as sot e as nesër. Shqiptarët nuk e kanë në traditë sharjen, por besën, nderin, trimërinë, krenarinë, bujarinë, mirësinë dhe pushkën. Prandaj, të mos dalim jashtë këtyre virtyteve, zakonve dhe normave të kodit të qytetëruar kombëtar shqiptar.

 

Organizatorët dhe “regjisorët” e linçimit të Flora Brovinës, janë konglomerat i forcave të fshehta çetniko-fashiste tradhtare të boshtit Beograd-Prishtinë

 

Pikërisht, fushata e zhvilluar e ethshme-histerike linçuese ndaj saj, irritoi dhe ndezi ndjenjat e viktimave të dhunës seksuale serbe në Kosovë, ndaj edhe protestuan në qendër të Prishtinës (20 maj 2019) nën organizimin dhe nën dirigjimin e urrjetësve dhe të armiqve të Flora Brovinës.

Pra, Flora nuk është fajtore, por ata që “mizën e bënë buall”. Ata, që po ndërtojnë karrierë në emër të fatkeqësisë dhe të tragjedisë së viktimave shqiptare të gjenocidit serb në Kosovës (1989-1999). Ata, që sa herë kanë deklaruar botërisht se janë të gatshëm të bisedojnë edhe me çetnikun-ish-presientin e Serbisë, Tomislav Nikoliq për fatin e Kosovës. Ata që deklaruan se “bashkimi kombëtar shqiptar është i tjekaluar. Ata që kolonët serbë të verut i lutën, të mos ikin në Serbi, sepse “Kosova është atdheu i tyre”. Ata që agresionin dhe luftë gjenocidale të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, e quajtën vetëm “një konflikt i armatosur”.

Këto skandale apolitike, ky turp, ky ofendim dhe, kjo tradhti antinjerëzore dhe antikombëtare ( me fener-ditëm drake), nuk prekën thell zemrat dhe ndjenjat shpirtërore dhe plagët shekullore të shqiptarëve në Kosovë dhe, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trojet e Shqipërisë etnike, të cilët brez pas brezi luftuan dhe derdhën lumenjë gjaku për çlirimin dhe për bashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë etnike?

Kur mungon ndërgjegjja, vritet humanizmi, drejtësia dhe liria !

Pasi “qenkeni aq të dhimbshëm, aq të drejtë, aq të ndërgjegjshëm dhe me ndjenja të çiltra njerëzore” ndaj “20 mijë” viktimave të femrave shqiptare të dhunës seksuale serbe në Kosovë, pse qe 21 vjet (1998-2019), asnjëherë nuk organizuat marshe protestuese në Prishtinë dhe, në asnjë qytet të Kosovës për të kërkuar drejtësi, edhe për zbardhjen e krimeve terroriste fashiste, që morën jetët e heronjve të UÇK-së, Gjeneral Ilir (Halit) Konushevci, Dr. Hazir Malaj dhe Kolonel Ahmet Krasniqi?!

Pse këto vlera të UÇK-së, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, nuk merituan që mbarë populli të ngrihej në këmbë për të kërkuar drejtësi, duke protestuar dhe marshuar edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, sepse këta flijuan jetetët e tyre për lirinë e Kosovës?

Me anashkalimin dhe me heshtjen e vrasjeve makabër të këtyre heronjve, NUK shkelëm mbi gjakun, mbi amanetin, mbi heroizmin dhe mbi meritat e tyre dhe të bashkëluftëtarëve dhe dëshmorëve të tjerë të UÇK-së me komandantin e tyre-HEROIN E PAVDEKSHËM, ADEM JASHARI?

 

Pse qe 20 vjet nuk e keni organizuar dhe mbajtur asnjë marsh paradues në Prishtinë për të dënuar gjenocidin serb të Slobodan Milosheviqit, i cili “herri” jo më pak se 13 mijë viktima shqiptare në Kosovë (1989-1999)?

Pse sharje, terror mediatik dhe linçIM ndaj deputetes, humanistes, poetes dhe shkrimtares shqiptare Flora Brovina, nuk mjaftonte vetëm kritika shoqërore në kuadrin e Parlamentit të Kosovës, duke qenë se ajo nuk bëri kurrfarë vepre kundërvajtëse e as penale ndaj askujt, që tregoi një fotografi falso, e cila nuk kishte të bënte me dhunën seksuale serbe në Kosovë?

***

Në shtetet e njëmendta demokratike, ku sundon ligji dhe drejtësia, linçi qoftë politik, qoftë mediatik si metodë fashiste e luftës subversive speciale për eliminimin e oponentëve që mendojnë ndryshe, është i ndaluar dhe i dënueshëm me ligj.

-Kritika objektive dhe konstruktive e dokumentuar dhe e argumentuar është e lejueshme, por linçi si metodë fashiste, antidemokratike dhe antihumane, JO!

Prandaj, kurrë nuk duhet pranuar strategjinë dhe taktikën e linçit të çfarëdo forme qoftë (mediale, politike, reaksionare etj.) si mjet apo gjuhë bashkëpunimi, komunkimi dhe debatimi publik, sepse shpie në diktaturën fashiste të krijimit të armiqve të paqenë dhe të eliminimit të tyre nga skena politike dhe publike e një shoqërie.

 

Në vitin 2000, Beogradi protestoi, duke kërkuar, që Flora Brovina, të lirohej nga burgu serb, duke brohoritur:

 

“We are alll Flora Brovina”

 

Ndërkaq, 19 vjet më pas, pikërisht, më 20 maj të vitit 2019 në Prishtinë shpërfaqet një linç medial dhe politik kundër humanistes dhe deputetes, Flora Brovina, se gjoja kjo “kishte ofenduar ndjenjat e femrave-viktimave të dhunës seksuale serbe” në Kosovë (1998-1999), duke prezantuar një foto false në kuvendin e Kosovës. Mirëpo, shpalosja e asaj fotografie, në asnjë kuptim nuk e minimizon dhe nuk e rehabiliton dhunën seksuale të barbarëve kriminelë serbë ndaj “20 mijë femrave shqiptare” në Kosovë, sepse nuk ka të bëjë me aktet e dhunës seksuale serbe në Kosovë, por dikund në Irak. Për më tepër, prezantimi i asaj fotografie nuk përbën vepër kundërvajtëse e as vepër penale.

-Broçkulla propagandistike janë ato sajesa etiketuese se kinse prezantimi i asaj fotografie “pasksha lënduar ndjenjat e viktimave shqiptare të dhunës seksuale serbe”!?

- Çfarë ndjenjash, ndjenjat e kujt u lënduan nga një foto e gabuar nga Flora Brovina, që nga pakujedisa dhe nga besimi blanko (nuk dihet ndaj kujt) e prezantoi në Kuvendin e Kosovës, më 16 maj 2019, gjoja si “dokument” për ta “argumentuar” miratimin e Rezolutës kundër gjenocidit serb në Kosovë?

- E, pse qe 20 vjet të zeza nuk u lënduan ndjenjat e 2 milionë shqiptarëve në Kosovë, që deri më sot (1999-2019) në Prishtinë, kurrë nuk është mbajtur asnjë protestë-paradë marshuese (sikur kundër kjo e 20 majit 2019 për linçimin e Flora Brovinës) kundër Gjenocidit serb në kosovë (1989-1999), si rrjedhojë e të cilit humbëm mbi 13 mijë bijë, bija, etër e gjyshër nga masakrat dhe nga terrorizmi gjenocidal i Serbisë së Slobodan Milosheviqit. Ky është turpi, ky është skandali, kjo është loja dhe manipulimi me ndjenjat, me plagët dhe me dhimbjet tona të pashërueshme!?

Çfarë keni bërë për 20 vjet rresht për zgidhjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale serbe (1999-2019)?

-E, tash, kinse po derdhni “lotë krokodili” për to, duke i gënjyer, duke i mashtruar, duke i dezinformuar dhe, duke i manipuluar se gjoja një “fotoraketë” tmerruese, e shpaluar në Kuvendin e Kosovës “pasksha ofenduar” ndjenjat e tyre!? Çfarë turpi! Çfarë mashtrimi! Çfarë hipokrizie! Çfarë shantazhi ! Çfarë perifidije dhe, çfarë dezinformimi ky?!

Përkundrazi, pikërisht, përhapja e një propagande të tillë dezinformuese gënjeshtare histerike dhe, krejt antihumane ka gjasë që t’i këtë lënduar dhe ofenduar viktimat shqiptare të dhunës seksuale serbe, jo assesi Flora Brovina, e cila gjithmonë ka qenë në anën e mbrojtjes së të drejtave, të lirive dhe të interesave të tyre ekizistenciale, materiale, solidare dhe të mirëqenies si qenie të barabarta brenda shoqërisë sonë demokratike.

Antihumanizmi

 

Më 20 maj 2019, disa protestojnë në Prishtinë për ta linçuar Flora Brovinën, pse kishte treguar një foto të gabuar të një femre të dhunuar nga disa ushtarë, jashtë Kosovës gjoja se me këtë akt “kishte prekur ndjenjat e femrave të dhunës seksuale serbe në Kosovë”. Mirëpo, kjo shpifje e atribuar është vetëm politizim për interesa të dikujt qoftë politike, qoftë karrieriste, qoftë bajarktariste, sepse ajo kërkoi falje njerëzore për këtë gabim. Me aq edhe duhej të mbyllej ai skandal i montuar me qëllim të diskreditimit të emrit dhe të veprës jetësore të deputetes, të humanistes, të mjekes, të poetes dhe të shkrimtares së njohur Flora Brovina.

Humanizmi

Ndërkaq, dikur, më 12 maj të vitit 2000 (kur kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviq ende ishte gjallë në Beograd), “Femrat e Veshura në të Zi në Beograd” (Women’s Feminist-Antimilitarist Peace Organization) në protestën e tyre më të madhe historike në Beograd morën në mbrojtje HUMANISTEN SHQIPTARE, Flora Brovina, që të mos dënohej nga regjimi serb për shkak të veprimtarisë së saj për drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Kosovë, duke brohoritur dhe mbajtur lart në ballë të demonstratës pllakatin e shkruar:

“We are alll Flora Brovina”.

(http://zeneucrnom.org/index.php?option=com_content&task=view&id=157&Itemid=20&lang=en ).

-Ju lumtë femrave humaniste të Beogradit. Ky është humanizmi që nuk njeh emra dhe kufij si vlerë universale.

Me gjithë këtë reagim pozitiv, human dhe altruist të femrave të Beogradit në mbrojtjen e Flora Brovinës, ndjenjat tona shpirtërore janë shumë të prekura dhe të pushtuara thell nga padrejtësia e linçuesve shqipfolës, që shpalosën “flamujt e melankolisë” serbomadhe në Prishtinë, më 20 maj 2019 për ta shpërfytyruar figurën e humanistes shqiptare-pjesëtares së pafrikshme të UÇK-së, Flora Brovina.

-Nuk paska gjë më e rëndë, më absurde, më përulje dhe më degraduese se, kur i yti të shanë, të njollosë, të shpifë dhe të poshtëron për hiçgjë deri në linçim, e i huaj të çmon si vlerë, duke brohoritur botërisht :

“We are all Flora Brovina” !

Fundja, të mësojmë edhe nga armiqtë, kur e kanë mirë, t’i hapim sytë, t’i thërrasim mendjes dhe ndërgjegjës së shëndoshë, ta dënojmë gjenocidin serb, JO Flora Brovinën, mjeken, veprimtaren për të drejtat dhe liritë e njeriut-viktimën e terrorit dhe të terrorizmit serb ( të cilën gjykatat policore dhe ushtarake të Serbisë, në dhjetor të vitit 1999 e dënuan me 12 vjet burg, për shkak të “veprës terroriste”, sepse e ndihmonte UÇK-në. Mirëpo, pas ndërhyrjes së organizatave humanitare ndërkombëtare, Gjykata Supreme e Serbisë e pati anuluar atë aktgjykim denoncues, me ç’rast Flora Brovina lihet në liri, më 31 tetor të vitit 2000.

 

Me marshe linçuese kundër Flora Brovinës, do të gëzoni vetëm armiqtë e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, JO shqiptarët e Skënderbut, të Ismail Qemalit dhe të Adem Jasharit !

 

Prandaj, të mos i ndërrojmë tezat si Serbia fashiste dhe gjenocidale, e cila UÇK-në dhe shqiptarët i akuzon si “terroristë”, kurse, në anën tjetër, në sy të Evropës dhe të gjithë botës mohon krimet e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999).

-Kritikë konstruktive shoqërore po, POR jo shantazh, sharje, vulgarizma, diskreditim dhe marshe denigrimi dhe linçimi të deputetes së Parlamentit të Kosovës, Dr.Flora Brovina, veprimtare dhe luftëtare e dëshmuar për mbrojtjen e të drejtave dhe liritë e njeriut-shqiptarëve në Kosovë (1989-2019).

Fundja, nuk duhet të jemi aq naivë dhe të verbër, që “ për një lakëror, të japim 99 pite”, sepse askush nuk pësoi, as nuk u plagos, as nuk vdiç e as nuk u vra nga një foto false e një akti të dhunës seksuale, që Flora Brovina e prezantoi në holin e parlamentit të Kosovës, duke besuar se ajo kishte ndodhur në Kosovë.

Mirëpo, ajo më pas, me të mësuar të vërtetën se fotografia nuk kishte burimin e saj origjinal, kërkoi falje dhe bëri autokritikë, duke dërguar mesazhin e qartë në adresën e duhur, nëse dikush ishte prekur nga prezantimi i asaj fotoje skandaloze antinjerëzore kundër një femre të pambrojtur.

 

Cila ndërgjegje, kur vetë me “pompë” e dramatizuat dhe e politizuat atë foto skandaloze?!

 

Mirëpo, me gjithë përpjekjet e tilla histerike të një linçimi mediatik, politik dhe propagandistik (për ta lëpirë ndonjë asht prej regjisoreve të këtij skandali të montuar për ta denigruar Flora Brovinën) humanistja dhe luftëtarja për të drejtat dhe liritë e njeriut ka ndërgjegjen e pastër, sepse ishte me popullin dhe me UÇK-në. Kjo nuk ka pasur për qëllim t’i “lëndojë” ndjenjat e askujt, ashtu siç po anatemohet nga oponentët e ndryshëm të koalicionit fashistoid linçues.

Përkundrazi, kjo ishte në anën e mbështetjes dhe të mbrojtjes së drejtave dhe lirive të gjithë shqiptarëve në Kosovë, JO vetëm të 20 mijë femrave të dhunuara shqiptare nga barbarët serbë.

 

Florën e mbron vepra e saj humane dhe kombëtare

 

-Kur më 1990, Dr. Luljeta Pula dhe Dr. Flora Brovina ngrenë zërin për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve në Kosovë, atëherë nuk kishte “presidente të zarfit”, por plojë, terror, vrasje, helmime, burgosje, arrestime dhe përndjekje sistematike të shqiptarëve nga Kosova.

- Vetë jam dëshmitar se, kur më 1990, armiku çetniko-fashist serb helmoi mbi “7000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme , si dhe studentë të Universitetit të Prishtinës anembanë Kosovës, Dr. Flora Brovina ishte ndër të parat së bashku me mjeket dhe me mjekët e tjerë shqiptarë të Kosovës, që u dhanë ndihmë mjekësore dhe, nuk kurseu asgjë që të shkruante dhe të alarmonte opinioin e brendshëm dhe të jashtëm për këtë krim makabër të terrorizmit serb në Kosovë. Dhe, prej këtij momenti tragjik të helmimit të nxënësve dhe të studentëve (1990) e deri me përfundimin e luftës së UÇK-së (1999), Dr. Flora Brovina asnjëherë nuk është ndarë nga misioni i saj human mjekësor, që ta ndihmonte popullin e vet para, gjatë dhe pas luftës në kohë paqeje. Për këtë flasin edhe shumë vepra të saj të botuara për mbrojtjen e kauzës shqiptare (1970-2019). Kjo është një histori më se gjysmëshekullore.

Prandaj, këtë histori jetësore të Flora Brovinës nuk mund ta “retushojnë”, ta baltojnë, ta njollosin dhe ta shpërfytyrojnë sharjet, shpifjet, akuzat dhe marshet histerike protestuese në sheshin e Prishtinës, të dirigjuara nga dështakët e ndryshëm në politikë.

 

Pra, të mos harrojmë se, Dr. Flora Brovina së bashku me Dr. Lulejta Pula janë ndër femrat e para intelektuale shqiptare në Kosovë, që botërisht i thanë JO terrorizmit dhe gjenocidit serb, duke kritikuar ashpër dhe protestuar kundër helmimeve kimike të nxënësve dhe të studenteve shqiptarë në Kosovë në vitin 1990, ku “7000” prej tyre u helmuan dhe përgjithmonë ngelën me pasoja të pashërueshme.

Mirëpo, për t’i kundërshtuar këto krime antinjerëzore ndaj shqiptarëve në Kosovë, nevojitej mençuri, forcë, kurajo, guxim, dije , punë dhe heroizëm, sepse Kosova ishte nën shtetrethim të hekurt nga Serbia pushtuese gjenocidale, JO sikurse sot (pas 30 vitesh), e mbrojtur në çelik nga Amerika dhe nga NATO-ja. Sot, në këto rrethana dhe kushte në liri, është e lehtë të “bërlykesh” si “hero” dhe si “i pari” i Kosovës, sepse e kemi shpinën e mbrojtur nga SHBA-ja dhe nga NATO-ja.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë, që sot të abuzojmë me vlerat e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, në emër të UÇK-së, në emër të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore; në emër të humanizmit të rremë, të karrierzimit, të korrupsionit, të palçkës, të nepotizmit dhe të burokratizmit të oligarkëve në pushtet.

Pse edhe pas kërkim faljes dhe autokritikës së Flora Brovinës vazhduan sulmet vulgare histerike dhe protestat politiko-propagandistike për linçimin e saj, që dikush të "promovohej" para Beogradit dhe para ndërkombëtarëve në kurrizin e vitkimave fatkeqe të dhunës seksuale serbe në Kosovë (1989-1999) ?!

Me këtë çështje, do të duhej të merreshin institucionet dhe organet përkatëse shtetërore të Republikës së Kosovës, me qëllim që t’i pezullonin protestat politike për linçimin e Flora Brovinës, sepse ato, vërtet mund të mbufasin, të nxisin dhe të acarojnë ndjenjat e viktimave të dhunës seksuale serbe në Kosovë, si dhe mund të sjellin dhe të provokojnë kundër protesta për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive elementare të deputetes së parlamentit të Kosovës, Dr.Flora Brovina, e cila është sinonim i sakrificës, i qëndresës, i lotit, i dhimbjes, i guximit, i krenarisë dhe i mbrojtës së vlerave dhe të fryteve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Sharjet dhe linçi nuk quhen kulturë politike, as demokraci, as qytetërim e as drejtësi, por fashizëm i radikalizuar

Natyrisht se, e ligjshme dhe e pranueshme është e drejta e kritikës konstruktive, por jo sharja dhe linçi si metoda të diktaturës fashiste të eliminimit të kundërshtarëve të tyre me bindje të ndryshme politike, që mendojnë dhe shprehen ndryshe nga “shablloni i galvanizuar” i nomenklaturave dhe i konuinkturave despotike dhe antidemorkatike të instaluara në pushtet, si dhe të grupeve dhe të klaneve të tyre jashtë pushteti, që kontrollojnë të “padugjueshmit” , me qëllim për t’i “disiplinuar” sipas axhendës së interesave dhe përfitimeve të tyre.

Në një shtet demokratik çdokush ka të drejtë të kritikojë, të jetë i kritikuar dhe, të protestojë kundër dukurive negative, por askush nuk ka të drejtë ligjore, që të shajë, të shpifë, të denigrojë, të anatemojë dhe të organizojë “parada” dhe marshe politike për linçimin e askujt, së këndejmi as të veprimtares së dëshmuar për të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë (1989-2019), të deputetes së parlamentit të Kosovës, Flora Brovina, sepse fushata histerike mediale dhe protesta për linçimin e saj, lë nën hije gjenocidin serb në Kosovë.

Duke qenë se deputetja Flora Brovina seancën e parlamentit të Kosovës, më 16 maj 2019 gaboi me prezantimin e një fotoje false të dhunës seksuale të një femre nga ushtarë të panjohur dikund në Irak, por ajo kërkoi falje dhe bëri autokritikën për këtë gabim, i cili ligjërisht nuk përbën vepër kundërvajtëse e as penale për ta denoncuar atë.

-Atëherë lind pyetja, pse të vazhdohen orgjitë histerike edhe nëpër protesta, ku çon kjo rrugë e gabuar dhe pakrye, duke kërkuar linçimin politik-dorëheqjen e Flora Brovinës si deputete e parlamentit të Kosov, kur kjo nuk ka kryer kurrfarë delikti kundërvajtës e as penal?!

-Pse qe 20 vjet nuk u organizua ndonjë marsh paradues në sheshin e Prishtinës kundër Mirjana Markoviq-Milosheviqit dhe Slobodan Milosheviqit për krimet e kryera të gjenocidit në Kosovë, POR, më 20 maj 2019 organizohet marshi i turpshëm denoncues dhe linçues kundër Flora Brovinës, e cila 30 vjet rresht me sjelljet, me verimet, me punën dhe me veprat e saj ka kundërshtuar terrorizmin dhe gjenocidin e tandemit Mira-Slobodan Milosheviq?!

Ai Kuvendi i instrumentalizar dhe i personalizuar i Kosoëvës, më 16 maj 2019 miratoi një Rezoltë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë (por kjo nuk do të ketë kurrfarë peshe dhe efekti juridik ndërkombëtar, kur kihet parasysh fakti se, OKB-ja deri tani nuk ka dënuar gjenocidin serb as në Kroaci e as në Bosnjë). Kjo farë Rezolute, e miratuar me vonesë 20-vjeçare, është bërë për poena politikë për t’i mashtruar votuesit në zgjedhjet e ardhshme. Asgjë tjetër, sepse nuk do ta njohë as BE-ja e as OKB-ja, ashtu siç nuk i morën në konsideratë aktpaditë e Bosnjës dhe të Kroacisë për cilësimin dhe për sanksionimin e gjenocidit serb në territoret dhe kundër popullsisë së tyre.

-Nëse , do të ndodhte e kundërta, do të më gëzon pa masë, sepse do të fitonte drejtësia mbi terrorin dhe mbi gjenocidin e Serbisë dhe të serbëve të kryer në Kosovë (1989-1999).

Megjithatë, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe për drejtësinë ndërkombëtare. Mirëpo, nuk duhet humbur shpresën, se ndoshta ata organizatorë-bosët politikë, që kanë filluar me protesta në Prishtinë kundër Flora Brovinës, mund ta dinë se kur do të dënohet gjenocidi serb në Kosovë.

Mirëpo, së shpejti koha ka për të dëshmuar se, ato marshe nëpër sheshin e Prishtinës për ta njollosur dhe linçuar Flora Brovinën, aktiviste e dalluar, e palodhshme dhe e guximshme për të drejtat dhe liritë e shqptarëve në Kosovë (1989-2019), do të dështojnë me turpin më të madh, ashtu sikur dështuan përpjekjet politike, ushtarake, diplomatike dhe propagandistike të Mira Markoviqit (JULI) dhe të Slobdan Milosheviqit (SPS), që ta varrosnin Flora Brovinën dhe UÇK-në me Adem Jasharin në krye.

Mirëpo, me gjithë këtë fushatë të egër jo “thikë pas shpine, por thikë në shpinë” deputetes Flora Brovina, tani mbi 2 milionë shqiptarë të Kosovës, kurrë nuk do të duhej t’i pranonin shpifjet, sharjet dhe intrigat e orkestruara politiko-propagandistike antinjerëzore të disa qarqeve mafioze dhe fashiste të brendshme , që “po e gjuajnë gurin dhe po e fshehin dorën”, me qëllim që të njollosin dhe të turpërojnë Flora Brovinën-bijën e madhe të popullit të Kosovës-mjeke në luftën e UÇK-së, heroinë në paqe për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Kosovë(1989-2019).

Tani, drejtësia e ka fjalën, jo politika dhe propaganda me disa të dështuar në politikë, që po organizojnë protesta marshuese për linçimin e deputetes Flora Brovina, e cila nuk bëri as vepër kundërvajtëse e as vepër penale me shpalimin e asaj fotoje të mallkuar në Kuvendin e Kosovës, më 16 maj 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat